Dritarja e hapur e poezisë së Vllasova Mustës



Nga Enver Kushi
(Poetja Vllasova Musta del para lexuesit, me një vëllim të ri poetik të titulluar “Më thuaj diçka të bukur”)

Në lexim të parë duket një titull gati-gati si një dëshirë e brendshme e në formën e një urdhëri disi të butë. Është një titull, që tingëllon edhe si lutje, apo një kërkesë në formë lutjeje. Mendoj se mund të jetë edhe kuptimi i parë apo i dytë, por unë e shoh si një titull varg, në formë trokitjeje për të hapur portën e poezisë së Vllasova Mustës dhe për të rrugëtuar në ca hapësira qiellore “ku tingujt kanë ngrirë”, siç shkruan ajo në poezinë, vargu i së cilës mban titullin e librit.
“Më thuaj diçka të bukur” është më shumë se një titull, më shumë se një varg, më shumë se një poezi.“Më thuaj diçka të bukur”, është më shumë se lutje, më shumë se dëshirë, më shumë se trokitje në portat e poezisë. Titulli, vargu dhe poezia “Më thuaj diçka të bukur” duket sikur vjen nga fëminia me përrallat, nga ku dalin Kësulëkuqja, Pinoku, Borëbardha, adoleshenca, rinia e hershme, vitet e paharruara studentore, dashuria dhe puthja e parë, dasma, zëri sa bubullues aq edhe i ngrohtë i Kujtim Spahivoglit, vitet e pakta me të, ardhja në jetë e Anit, vitet në Kinostudio, ëndrrat, prindërit e dashur dhe vëllezërit, naiviteti dhe shpirti gjithmonë behar i saj, dhimbja si pjesë e jetës që e shtyn të belbëzojë po kaq dhimbshëm:
Ai,
U zhduk si hije
Pa asnjë fjalë ,
Pa zë .
E krahas këtyre është ardhja në jetë e nipit me emrin Tim dhe ringjallja e një emri të paharruar, është stoicizmi i saj përballë vitedhimbjeve dhe padyshim është poezia…
Poezia plotëson humnerën, që shtrihet mes të sipërmes dhe të poshtmes së shpirtit, mes perëndive dhe njerëzve, shkruan në një nga esetë e tij shkrimtari i madh Stefan Cvajgu.
Kur lexon këtë libër duket sikur rrugëton në ca hapësira të ndërmjetme apo qiellore, pastaj ulesh në brigje detesh, lumenjsh, rrugëton në Mitrovicë për të takuar vajzën kosovare me emrin Çamëri, gjendesh në Venecia, Gjermani, rikthehesh në aeroportin e Rinasit dhe ndjek qiellin e Tiranës dhe avionin që zhduket në re me dy dashuritë e mëdha të poetes nënë dhe gjyshe, dashuritë e saj me emrin Ani dhe Timi.
Në ç´stinë janë shkruar këto poezi? Si kanë qenë qiejt e fëminisë, adoleshencës dhe rinisë së poetes? Po qiejt e dashurisë së Vllasovës, cilët kanë qenë? Po ato të Vllasovës nënë? Cilët janë qiejt e përmbysur apo ankthet dhe netëpagjumët e saj? Në këtë libër ndjen hapat e saj në park, pastaj ngjitjen e shkallëve të shtëpisë, pastaj trishtimin kur sheh mbulesën e dikurshme të tavolinës apo fotoportretet e prindërve në mure…E pastaj prek ëndrrat e saj të brishta, të bukura, gati-gati qiellore, që një ditë u bënë copë e thërrime… Jeta e Vllasova Mustës herë–herë ka diçka si prej yjesh, që vërtiten të shqetësuar në hapësirë e pastaj befas marrin rrokullimën, në se do të perifrazoja fjalët e një burri të mençur të kësaj bote…
Në këtë libër dhimbja i kalon caqet e dhimbjes. Ajo është si diçka përtej dhe pranë teje. Mjafton vetëm të lexosh në qetësinë tënde vargjet e këtij libri dhe ta ndjesh pranë në formën më të prekshme dhe zë ulëritëse. Dhimbja vjen në formën e lotit të ngrirë, apo siç shkruan:
Ajo
Nga dhimbja nuk qante dot,
U shndërrua e gjitha
Në një pikë 
Lot!
Në këtë libër ndjen dhe prek vetminë ulëritëse të poetes. 
Është një vetmi e skajshme shkretëtire, kur:
Zë e flet me shpendët
I thërret të ulen përmbi sup…
Apo:
Nga vetmia muret zënë e flasin
Të dëgjojnë 
E mërmërijnë të heshtur…
Poezia e Vllasova Mustës është e qelqtë, e brishtë, delikate. Duket sikur po ta prekësh, befas do të thërrmohen gërmat, rrokjet, fjalët, vargjet.
Vëzhguese e hollë, siç janë poetët dhe veçanërisht poetet, që shohin përtej syrit të njeriut të zakonshëm, sheh dhe kthen në brengë ëndrrën dhe ëndrrën në ngrirje. Ajo di të zërë miqësi me një yll dhe të flasë me të. Dhe përsëri them se vetëm ajo e di se me ç´gjuhë i flet qiellit dhe yllit, që :
Në heshtje më dëgjon,
Sikur thërmon një univers.
Poetja zogjtë i ka “miq të shpirtit”.Ajo krijon “Mbretërinë e zogjve”. Vetëm poetët mund të krijojnë mbretëri të tilla apo botë përtej çdo imagjinate. Mbretëria e zogjve, si metaforë, është mbretëria e qetësisë, brishtësisë, naivitetit, është bota ideale e së mirës. Në këtë “mbretëri” askush nuk do t´ia prishë “emrin e shkruar në rërën e ngrohtë”. Atje, në mbretërinë e zogjve poetja “një grusht diell mund t´ua hedhë si vello nusërie vajzave…” Në këtë mbretëri ajo nuk do të “shndërrohej në Rozafë” dhe jeta e saj nuk do të kishte kaluar “Ndërto e prish përditë një urë …”
Në këtë libër Vllasova Musta flet edhe me heshtjen, melankolinë, meditimin, të qeshurën e beftë, gëzimet e jetës. Poezia për të ka qënë dhe mbetet ishulli i shpresës, ëndrrës, shpëtimit…
Rrallë ndodh që, gjatë leximit të ndjesh zëra, ofshama, të qeshura, hapa, erën e pranverës, cicërimat e zogjve, zërin e prindërve të vdekur, lotin që rrëshqet në fytyrë, dallgët e detit, zërat e yjeve, boshllëkun e hapësirave pa zë, siç ndjen në librin “Më thuaj diçka të bukur”. E pra, në këtë libër Vllasova Musta sjell zërat e jetës së saj ose më saktë shumë zërësinë e tyre.
Nuk e di pse, përfshirja në këtë libër e dy poezive “Shqetësimi yt” dhe e një tjetre pa titull, shkruar në vitin 1970, në kulmin e dashurisë dhe hapave të para me lumturinë, më rikthyen imazhet e Fakultetit të Filologjisë, auditoret dhe një rrugë në “Parkun e Madh të Tiranës”, ku unë me një grup shokësh, pamë për herë të parë Vllasova Mustën me Kujtim Spahivoglin…Më ka mbetur në kujtesë i ngrirë ky çast lumturie…Është ky çast, që ndoshta poetja e ka hedhur në vargjet e shkruara menjëherë, kur është ndarë nga takimi me të ose ndoshta, ia ka recituar me zërin e butë të saj:
Nëm ta thith i dashur llullën tënde
Nëm të pi duhanin që e dua,
Le të marr bashkë me nikotinën 
Dashurinë e buzëve të tua.
Atëhere ajo ishte në kulmin e rinisë …
E qetë, me vështrim të butë, e heshtur deri në kuptimin që ka kjo fjalë në gjuhën shqipe, lirike dhe e brishtë, herë-herë me një pikëllim a trishtim prej poeteje, që shfaqet natyrshëm në portretin e saj, kështu e njoh unë Vllasova Mustën që në vitet e rinisë sonë studentore.
Me kalimin e viteve, veçanërisht të stinëve me ngrica, që përfshinë jetën e saj, te Vllasova Musta ka mbetur e njëjtë dashuria për jetën, hapësirat e paana të saj, stoicizmi…
I pandryshuar ka mbetur pikëllimi apo trishtimi prej muzgjesh jugu, që duket sikur janë pjesë e qytetit të saj të lindjes, Gjirokastrës së çuditshme dhe befasuese në bukurinë e veçantë, gati-gati si prej legjende që përshfaq. I pandryshuar ka mbetur shpirti i saj i ndjeshëm dhe dritarja gjithmonë e hapur e poezisë së saj.
Lexoni këtë libër, me “dritare” të hapur dhe jam i bindur që poezitë e përfshira në të, ia kanë dhuruar qindra zogj, që vijnë dhe ikin, duke lënë cicërima fjalësh, vargjesh, rimash.