Skip to main content

Tetova News

E larmishme poezia shqiptare

Poeti amerikan u shpall fitues i trofeut të madh të edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, "Poeteka ‘09". Ai u vlerësua për veprën e tij poetike të thellë dhe plot mendim


Tom Sleigh

Vali Qyrfyçi

Poeti amerikan, Tom Sleigh, është fituesi i trofeut të madh të edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë që u zhvillua nga 21-27 shtator në vendin tonë. Gjatë një ceremonie të organizuar në hollin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, dhe më pas një darke festive buzë detit, "Poeteka 2009" është mbyllur me emrat e fituesve të rinj, të cilët u janë gëzuar çmimeve, por më shumë asaj që përcjell ky aktivitet, i cili nis nga Durrësi e shtegton nëpër qytete historike të Shqipërisë. Juria e kryesuar nga Ali Podrimja, një prej emrave më të njohur të letrave shqipe, vlerësoi krijimtarinë e prezantuar nga poetët e ardhur prej 20 vendeve të ndryshme në këtë edicion dhe në mbyllje të tij shpalli fituesit. Përveç trofeut, tre çmimet e tjera shkuan për Bardhyl London, Zija Çelën dhe përkthyesin e njohur të veprave letrare shqipe, Robert Elsie. Çmimi "Unaza" iu akordua poetit amerikan si personaliteti poetik më i spikatur në këtë edicion të pestë të festivalit. Sleigh, poet i njohur në SHBA, u vlerësua nga juria me këtë motivacion: "Për veprën e tij poetike të thellë dhe plot mendim përmes së cilës e bëri rëndësinë, delikatesën, fuqinë dhe energjinë shndërruese të poezisë më të ndjeshme dhe transparente. Por, pavarësisht këtyre, kjo poezi i mbërrin lexuesit si dhuratë e çmuar formash dhe muzikaliteti. Përmes poezisë së tij, bashkëkohësit kuptojnë më mirë fatin, ndjejnë vlerën e kujtesës, fantazisë, pranojnë ekzistencën e njeriut që krijoi mitin dhe të njeriut tjetër që e bën realitetin e përditshëm të ngjajë si një përjetësi dhe në tema që shumëkush i shmang në poezi, si pushteti, morali dhe e drejta". Pak çaste pas marrjes së çmimit, Sleigh shprehet i kënaqur, si dhe vlerëson poezinë shqiptare me shpirtin dhe larminë e tematikës së të cilës është njohur përmes "Poetekës". Ky festival poezie në rajonin e Ballkanit, sipas tij, po konsolidohet dhe shndërrohet në një institucion pozitiv për shfaqjen e vlerave dhe vlerësimin e krijimtarisë poetike mes autorëve që sjellin veçantitë personale dhe të vendeve nga vijnë. Ai thotë se vlerëson edhe kontributin e shtetit të tij, përmes Ambasadës Amerikane në Tiranë, për ta mbështetur këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, siç është "Poeteka". Gjatë ditëve të festivalit të poezisë në Durrës, një hapësirë të veçantë kohore pati poeti amerikan gjatë pasdites me kafe dhe lexime të titulluar "Një amerikan në oborrin e mbretit Monum". Në një intervistë të dhënë më parë, Tom Sleigh shprehet se e ardhmja pa dyshim që i rezervon vazhdimësi në të shkruar dhe patjetër lexime të shumta. Pije me shokë pasditeve, milje të tëra not në det, oqeane dhe pishina, e padyshim sërish krijimtari. Sleigh është fitues i shumë çmimeve gjatë tre dekadave të fundit për krijimtarinë e tij poetike, ndërsa është dhe përkthyes i "Herakliut" të Euripidit (2000) dhe librit me ese, "Intervistë me një fantazmë" (2006). Laureati për çmimin "Nobel", Seamus Heaney, ka thënë për poezinë e Sleigh se ajo gëzon famën që meriton: "E admiroj veçanërisht për mënyrën sesi refuzon që të gdhendë skaje emocionale dhe përsëri arrin të fitojë një shpengim lirik". Kritikët e kanë vlerësuar krijimtarinë poetike të tij dhe atë vetë si klasik, elegant dhe ekspert në poezi. Ka drama njerëzore që luhen në poezitë e tij përmes përjetimeve të forta që shembin dhe ringrejnë në këmbë personazhe. Ndërkaq, nata e ndarjes së çmimeve nisi me çmimin "Nositi", i cili iu akordua në mungesë poetit Robert Elsie, për përkthimin më të mirë nga shqipja në gjuhë të huaj, me motivacionin "Për përkushtimin e pashterueshëm ndaj letërsisë shqipe, sikundërse për kontributet e vyera në drejtim të njohjes dhe të përhapjes së vlerave të saj të pashlyeshme në mbarë botën anglisht-folëse". Ai ka bërë të flasë në anglisht një nga veprat më të mirënjohura të letërsisë sonë, "Lahutën e Malcisë" së Fishtës. Poeti kosovar, Ali Podrimja, duke vlerësuar Robert Elsie dhe qëndrimet e tij tha se ai ishte në anën e së vërtetës së kombit shqiptar edhe në Serbi. Çmimi "Criterion" iu akordua Zija Çelës. Ndërkaq poeti Bardhyl Londo, gjatë marrjes së çmimit "Liburna" të akorduar për kontributin e tij në poezinë shqipe, tha se kurrë nuk do ta braktisë Itakën e vet dhe as tempullin e poezisë, ndërsa u shpreh i lumtur që çmimin ia dorëzoi Podrimja, një tjetër mbajtës i tij në edicionet e kaluara, të cilin e vlerësoi si një prej poetëve më të mirë shqiptarë të të gjitha kohërave. Juria e festivalit e motivoi këtë çmim "për lirizmin dhe ndjeshmërinë sociale të veprës së tij poetike; nisur nga e përditshmja, konkretja dhe nga mitologjikja, trilluesja, tiparet më të spikatura të poezisë së tij, që gdhendin e shumëfishojnë shenja të pashlyeshme, si në mendjen, ashtu dhe në shpirtin e lexuesit që komunikon për më shumë se 30 vjet me këtë krijimtari, të mbërthyer fort pas humanes, paradoksit dhe formave të organizuara poetike". Ndërkohë, gjatë shtegtimit në qytetin e Beratit, "Poeteka" akordoi një tjetër çmim të ofruar në bashkëpunim me bashkinë e qytetit, çmimin "Pena e Beratit", që i shkoi poetit Xhevahir Spahiu.

Në këtë edicion të festivalit morën pjesë poetë jo vetëm nga vendet e rajonit, por edhe nga Belgjika, Sllovenia, Turqia, Bullgaria, Polonia etj. Me ndarjen e çmimeve, Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, "Poeteka", që shënon vitin e tij të pestë, ka mbyllur një tjetër edicion të vetin, duke përcjellë një perceptim të ri mbi poezinë, kultivuar shijet mbi një gjini të vështirë të artit të shkruar dhe shpërndarë aromën e poezisë shqipe dhe tek emra të njohur të poezisë në rajon dhe më gjerë.


Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…