Skip to main content

Tetova News

Lutje me gurë



Majlinda BASHLLARI


Tri herë i erdhën rrotull çatisë me plloça të murrme
Dhe nisën drejt përroit

Pa kthim dukej ikja e tyre. E hidhur. Me zhurmë
ia thyen pasqyrat e verdha ajrit. Kosheret
e humbën magjine. Tmerri i djeshëm
i përvjedhjeve të mia nën pjergull
për pak rrush të pjekur,
u arratis me to.

Zaje te bardhë ne duar. Lutje të vjetra
dhe ime gjyshe qe ofshante thellë:
bija, shpirt, jetë. Vërtet? - doja ta pyesja,
porse ajo papushim na nxiste të trokisnim zajet
me pëllëmbët e vogla.

Nuk ia shihja dritën në sytë e buhavitur nga thumbat,
derisa në mjekër i rrodhi e iu kthye në lot.
Aq fort i paske dashur ato qenie të vockla
me sy te rremë?! Qenie zemërake e të pabesa
si një ujk në lisa. Oborrtare të ftohta e tinzare.
E vetmja anë e errët e strehës prej guri.

Por ajo i donte. E kaq ish mjaft për mua t’i ndiqja
përtej Përroit të Thatë, t’u shtoja fjalë të reja
këngëve të vjetra, t’i bindja duke trokëllitur pandalur
gurët e nxehur me duart e gjakosura, se askund,
askund nuk gjendej polen më i ëmbël
se dashuria e asaj shtëpie…



Liqen me zogj e yje…

Fjeti një pasqyre kristali dhe u bë liqen.
Pingul mbi te zgjatej hija ime.
Guackë me buzë të mbyllura ashpër. Vijëza në mes -
horizont kockor ku përplasej çdo anije fluturuese
lëshuar nga shkretëtira sysh…

Shelgjet në breg kërciten eshtrat. Kaq dhe liqeni
u thye, hija - gjoks i shqyer me thikë
në formë yjesh.

Erdhën zogj të zinj. I morën copëzat në sqep
dhe fluturuan në jug.


E pashë kur u zhyt

E pashë hënën kur u zhyt në ujë
U drodh një herë dhe zverdhi
fushën e shkretë përtej lumit

mos më lër të gëlltis së prapthi
këtë gjarpër te zi asfalti -
zemra ime e rëndë.

Dy krahë u zgjatën nga lumi
Dy pëllembë që dot s’më mbajtën
e m'u varën rreth qafës, ashtu
si shall pikëllimi…


Një grua e mbuluar në tragetin e pasditës

grua syzeze mbi ujra të kaltra
fashuar deri në vetulla:
a s’mund të duhemi larg librit të shenjtë
qoftë dhe një pasdite…

qyteti afrohet, kullat e larta shtrijnë
hijen deri te sytë tanë…Njëlloj
të zinj, sikur ngjyer me shkrumb
ëndërrimesh.

do të thahet mbështjella e bardhë
e ti do të bëhesh flutur
pa rënë ende nata…

grua syzezë -
për ajrin e mbrëmjes
jemi dy plagë që djegin,
njëra fashuar
e tjetra hapur në erë…


Nyje

…muret përkulen
e s’më lënë
të hap portën e hekurt...
të vjetër – befas -
shtëpia, qeni;
çdo njeri që njoh - minutë e flakur
jashtë kohe; memecë,
të palexueshëm -
shpina
që ikin
mbrapsht...

ah, ankthi
i dyerve të mbyllura
si merr
dalëngadalë
hijen e të zotëve


* * *
Kur të vija ora e supesh të hedh
Pelerinën e ikjes,
Tunduar nga misteri i gurit
të varur në ajër,
Bëmë vetëm një shenjë e
kujtomë se Meka, simotër
e shkretëtirës është,
E të shenjtë
vendet dhe njerezit që
s’u kuptuan kurrë…


Ditëlindje…

Kërkoj zemrën me gishta -
Veshur me avull të kuq, ajo
nuk sheh si rrëzohet një zog e qan...


Në rrethin e dymbëdhjetë…

Këtë mëngjes korriku jemi të dy në një mendje:
gjithë ky i nxehtë vjen nga lindja, kushedi sa shpejt
pulson një zemër atje, Kushedi si grah jeta,
zbathur mes predhave. Por këtu brenda
rrethit të dymbedhjete
ajri i freskët na fal përfytyrime të gjelbra,
sa e ëmbël paqja me zemrën, rruazat e qafës…
sa hijshëm lekunden kokat tona mbi to.

Në më zente ky i nxehtë përtej rrethit
do shkrihem si qelq, do bëhem
gotë shampanje e mbushur
buzë më buzë - si burri me ankth,
kur gruaja shndërrohet në njeri...

dymbëdhjetë rrathë janë shumë për qafat e shkurtra
lëkundet harmonia me sendet, zemrën, mëlçinë...
Heshtim si ky mëngjes korriku;
kinse degjojmë zërat e huaj matanë murit,
zërat e fqinjeve, po aq të panjohur
sa vetja.



Një ikonë më pak

Po humbas ujë.
Retë jane varur në një kular të ajërt,
të nxira lëkunden pa frymë. Vdesin
herë si luan e herë si një kukull Barbie.
Qielli ka krizat e tij. Dëshmorë dhe viktima.
Trishtohem për luanin
(asnjë shans të jem si ai);
Hetoj Barbien si shformohet
në nje grua plot celulit e tule të rëna,
dhe marr frymë thellë: Një ikonë më pak,
Një grusht ujë më tepër.



Pat filluar stina…

Pat filluar stinës së ujit të munguar. Erë nuk frynte
nga kodrat; e kaq nxehtë, befas korriku pat fryrë...
kur drita e lodhur e pasditës mbi shpine i pat ndalur,
në një letër të bardhë ngjiti një lutje të kuqe:
mos rri më larg se katër gishtërinj.
Kështu dhe frida kahlo një shekull të shkuar
pothuaj pat bërë me diego riveren:
- po me fikesh në duar… përjetë e Jotja e fjalë të tjera
përzierë me lule të verdha e xixëllonja vere... por zarfi
arriti shumë vonë në Meksikë,
si vjen në tokë shkëlqimi i një ylli prej kohësh shuar
e frida pat kohë të duhej me dritat e parisit; e t’i shihte
poezitë yjore thjesht si epitafe.

Mirëpo për V-në pat nisur korrikun e dritës së pakët
i kish parë në ëndërr të dy, ç’rëndësi se cilin të parin,
ç’rëndësi se cili me i lumtur, perse-të janë gurë
në llastiqe femijësh, tendosur gabimisht drejt vetes;
i pat parë dhe kish vjellë lëngjet e hidhura
te stomakut dhe fabulën e verdhë të ëndrrës
por ujë s’kish dhe mbetën në qyp për tërë natën; dhe drita
s’pat e s’mund t’i rishkruante fjalët...
nga kjo Trini - dritë, ujë, njeri
çfarë i mungonte më tepër...

Asnjë fije ere nuk frynte nga kodrat; e kaq i nxehtë
korriku mbi të pat fryrë: kurrë vetëm e vetes
përgjithnjë e askujt...

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…