Skip to main content

Tetova News

Milena SELIMI - Nata e një gruaje


Gjithçka vjen edhe bëhet e pakuptueshme. Komunikimi, seksi, miqësia, njerzillëku dhe ndjesia. Përfundimisht ata, të gjithë njerëzit jashtë meje (sa do të doja të ishin brenda!), janë mësuar me shprehjen “hajde dru me prè”, pa dallim feje, krahine dhe ideje.
Dy shalë, minifund – epshndjellës, cicë-dekolte, copë mishi e ngritur, një vrimë e qullur, edhe natën e mirë, edhe gjumin e ëmbël.

Ato-femrat ndjehen të sigurta dhe krenare për “prenë”, se pre mbetesh, i shkreti burr’, sidoqoftë. Ata-burrat, gjuajtësit e përjetshëm të asaj gjëje misterioze, që të sjell pastaj pushtimin idiot të vrimës. Dhe kaq. Kaq fare! Kot! Kot fare!

Sinqerisht nuk e di se çfarë më mungon, nuk e di fare. Di që kam një shije të humbur të diçkaje, që s’ia gjekam dot as emrin tani për tani.
Por jam e sigurt që është e humbur përgjithmonë.
Përpiqem të gjej ndonjë burrë edhe ta idealizoj, ndonjë formë njeriu që të mund t’i vesh ca hire të papara në jetën e përditshme, ca si pak fisnikëri, apo ndonjë pikëz shpirt, apo pak frymë rebeli (që të mos jetë si gjithë të tjerët, se ç’u pa pastaj!).
Qesh me veten që nuk u rrita kurrë, që s’arrita të jetoj në këtë botë të bukur me engjëj dhe djaj, me gënjeshtra pafund dhe të vërteta çudibërëse, me shumë shanse për të qenë i lumtur dhe me pak raste për ta kuptuar lumturinë.
Vërtet, si nuk mësova kurrë asgjë?
Të isha pak më shumë egosite për veten time? E çuditshme, vërtet!
E di ku është e bukura? E bukura është se të gjithë ta fusin, miq, shokë, të dashur, të padashur, armiq, femra-kuçka dhe piçkëllonja interesante adoleshente, komshinj, kushërinj dhe ish-njerëz të të shkretit shpirt.

Mezi i ke futur deri atje, me shkelma dhe zvarritje (sa për të thënë se edhe aty ke numra, që të mbash inventar, kur të plakesh prej vërteti), e sapo ua mbyll derën, nxjerrin kokën edhe të pyesin: Pse, këtu do të rri, në shpirt?!
.................................................................................................................................
Jooooooooo, është e pamundur, le që më zihet fryma, por nuk jam mësuar kështu, më bën keq për lëkurën dhe për flokët! Po ti rritu, rritu se ke kohë ende!

Dhe unë i lë të ikin. Vërtet, si mund ta mbash të panjohurin, të uriturin, bukëshkalën brenda vetes, njeriun që s’di si të vërtitet në botën e madhe dhe, për ta mposhtur frikën e tij, bën të kundërtën e normales. Si mund ta mbash brenda atë, që nuk di të falë pa kushte.
Ah, po askujt më asgjë nuk i bën përshtypje. Asgjë. Çdo anormale është kthyer në normale.
Dhe, në këtë kaos të madh pështjellimi, po pyes: A nuk jam edhe unë një vrimë?
Përse nuk e sheh askush vrimën time?
Si duhet ta tregoj që e kam edhe unë?
Pastaj qesh dhe më kujtohet një mikja ime. Ajo pi që të dehet edhe t’u kujtojë burrave se është një vrimë e përdorshme. Ata vetëm atëherë e shohin dhe qeshin të nesërmen me të, se... se pra, ndodhi ngaqë ishin të dehur.
Hahahaha! Të zinjtë burra! S’kuptojnë kurrë asgjë. Dhe kanë kaq shumë nevojë për vrimën!
Unë pi dhe s’dehem. Deri më sot, të kuptohemi.
Çfarë fatkeqësie! A thua mund të dehem nesër?
Kam humbur përgjithmonë një gjë, por Zoti na ruajtë, ia paskam harruar edhe emrin gjësë.
Vërtet, si e quanin?! Mos ia thonin emrin shpirt, apo ngatërrohem?!
???????????????????????????????????????????????????????????????????????????
.....................................................................................................................................

Grua! Të shoh çdo mëngjes dimri. E heshtur pret autobusin, ke mbaruar detyrimet e mëngjesit familjar, u ke dhënë një të krehur flokëve dhe pak buzëkuq të shpejtë për të ndriçuar fytyrën.
Pranë vetes ke shtrënguar dorën e fëmijës, është ftohtë dhe ti ia ngroh me frymën tënde.
T’i shoh rrathët e syve dhe nuk kam guxim të pyes. Mendoj:
Po nata, nata jote si ishte?
Ku është shpirti yt?
Ku humbi ajo gruaja e bukur e dikurshme, ajo që ëndërronte kaq shumë dhe nuk ngopej së jetuari?
Është mbytur apo ka vdekur?
Çfarë ndodhi mbrëmë, ishe vetëm, e lumtur, e braktisur, e dhunuar?
Ku është kufiri i fundit?
Çfarë do të bësh sot për veten tënde?
Apo njësoj si dje, si nesër, njësoj!

Artur Rembo thotë se, kur gruaja do të jetojë për vete dhe me veten, ajo do të bëhet poete. Ndërsa ti jep shpirt çdo ditë, u jep frymë të tjerëve pak nga pak, duke u fikur.

Brenda një nate shpirti i gruas shpërbëhet në copëza qelizash të lira, të cilat udhëtojnë natën dhe prekin zgjimin çmendurisht të brishta.
Vetëm magjia e natës mund të shpërthejë dhe të shpërbëjë të padukshmen e një gruaje, ato pjesë që flenë gjatë ditës dhe presin natën t’i humbë...

Një natë me hënë, diku, asgjë nuk ndodh rastësisht.

Shpirti i një gruaje mund të vdesë dhe të ringjallet, të dashurojë dhe të urrejë, të bëjë atë që do dhe atë që duhet, të çmendet pas të paekzistueshmes e të paprekshmes, dhe sërish t’i rikthehet mëngjesit me një vetvete të copëzuar e të shpërbërë...

I rikethet mëngjesit shpirti, shpërbërë në grimca qelizash të lira. Kërkon zgjimin vetvetja dhe pjesët çmendurisht të brishta.

Një natë shemb ngrehinën e shpirtit, e fundos thellësive, thjesht, qetësisht, si anijet e mbytura në rërën e fundetit.
Mund të dëgjosh edhe zhurmën e plotë të fundosjes, ashtu si ndodh edhe fundosja drejt çastit të magjishëm, atij çasti që vetëm shpirti i një gruaje mund ta kuptojë dhe ta ndjejë, ta quajë përhumbje, ta quajë ëndërr...

Një natë shemb çastin, përhumbjen, ëndrrën.

Një grua mund të falet brenda një nate, por ti do të pyesësh veten çfarë ishte, do të jesh përgjysmë pastaj, do të ndjehesh i zënë në grackë, do të kërkosh me forcë përgjigjen që të qetëson, do të duash ta zotërosh atë emocion, atë grua.
Do të këmbëmgulësh të ndodhë, pastaj do të kujtosh se je gabuar dhe do të ikësh.
Do të çthurësh rrjetën ku ke mbetur dhe, përunjësisht, do të presësh që të ndodhë... edhe një natë... edhe një herë të vetme.
Do të kërkosh pasionin që ndez shpirtin, mendjen, trupin.
Do të qeshësh me fytyrën tënde të shfytyruar në pritjen e përjetshme.
Vonë do ta pranosh se ke humbur shansin për të kuptuar të paktën një grua, atë që dashurove pasi u largove prej saj.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…