Skip to main content

Tetova News

Një buzëqeshje pa të keq



Meri LALAJ

Arbeni dhe Anila kishin katërqind e shtatëdhjetë e pesë ditë e net që jetonin për njëri-tjetrin. Kudo bashkë: në kafene, në restorant, nëpër ekspozita, koncerte dhe librari. U qëllonte netëve, zakonisht në fundjavë, të parkonin diku makinat dhe të gdhiheshin rrugëve, duke shëtitur të kapur përdore. Profesionet i kishin të ndryshme, ai ishte fizikant dhe ajo mjeke. Ishin takuar në fillim fare rastësisht në aeroportin e Frankfurtit, që atje tej, si me nuhatje midis udhëtarëve të shumtë, e kuptuan se në atë katrahurë vetëm ata të dy ishin shqiptarë.
Pas gjithë atyre ditëve të dashurisë, Arbenit iu krijua mundësia për një specializim tjetër gjashtëmujor në Paris. Dhe u nis. Anila do të shkonte atje pas tre muajve për një konsultë dyjavore. Ai u nis në mes të dhjetorit dhe përditë, ndodhte tri herë në ditë, i telefononte asaj duke i rrëfyer për bukuritë e Parisit, për punën me të cilën merrej, i thoshte se po e priste me mall. Më gjashtë janar Anila dëgjoi një mesazh prej Arbenit në sekretarinë telefonike: “Mirupafshim! Mirudëgjofshim! Tungjatjeta!” Dhe në ditët që vijuan asgjë, veç heshtje. Celulari i tij ishte i mbyllur dhe ajo as nuk e merrte, as nuk mund t’i dërgonte mesazh. Së fundi, e alarmuar, i dërgoi një imejll të shkurtër: “Lajmëro shëndetin.” Sërish heshtje. Edhe Anila vendosi të heshtte, ndonëse mezi mbahej prej ankthit. Duke qenë e dashura e tij, e drithëruar për të, duke qenë mjeke, mendonte njëmijë e një të zeza, që mund t’i kishin ndodhur: nga aksidentet në rrugë, deri te ndonjë goditje cerebrale apo atak në zemër, i vetëm atje në atë qytet mes të panjohurve.
Pas tridhjetë e tetë ditësh heshtje, një pasdite, ndërsa Anila ishte si e përgjumur, tingëlloi dy herë telefoni dhe u ndal, pastaj ra zilja përsëri.
- Alo...
- Jam unë...
-Shpirti... - e ngriti zërin e drithëruar Anila.
- Të kam tradhtuar, o Anila, - foli ai me një zë të zvargur.
Asaj i fërgëlluan krejt muskujt e trupit, ndjeu një si goditje në kokë, edhe brenda barkut, por nuk e bëri veten, iu përgjigj:
- Nuk ka gjë... Po ku je tani?
- Jam këtu.
- Ke ardhur në Tiranë?
- Jo, jo jam në Paris... Nuk guxoja të të rrëfeja të vërtetën... e lexova dhe imejllin tënd.
- Sikur ta dish se sa merak jam bërë për ty, mendoja se mos ke pësuar gjë. Gjithë ajo heshtje. Sot është Shën Valentini.
- Oh, këtu nuk ndihet fare, festohet në intimitet, jo siç bëjmë në Tiranë, atje vërsulemi ku të mundemi, restoranteve, kafeneve, lëndinave... Më ka humbur dhe celulari...
Folën gjatë të dy. Arbeni i tregoi se ishte lidhur me një pianiste shqiptare, që jetonte në Paris me dokumente të rregullta, ajo ishte e bukur, zeshkane, e re në moshë. Kishte ndërmend të vendosej edhe ai atje. I tha se Anilën e kishte mike të çmuar, se nuk do ta harronte kurrë. (Përse duheshin gjithë këto shpjegime tani, kur dikur i kishte thënë asaj aq fjalë të bukura dashurie?! Mos vallë kish gënjyer veten ap Anilën?!)
Atë natë, pas bisedës telefonike, Anila e bëri gjumin copa-copa, fli e zgjohu, madje e pa në ëndërr Arbenin, e pa fare pranë fytyrën e tij dhe ai dukej i qeshur, i këndshëm si më parë. U kujtua se ish vetëm ëndërr. Ndoshta si dashuria e saj, veç një ëndërr e bukur.
Të dielën, Anila ishte roje njëzetekatërorëshe në spital, në pavijonin e saj të sëmundjeve të brendshme. Pasdite e lajmëruan se e kërkonin me ngut në urgjencë. Aty kishin sjellë dy vajza gjashtëmbëdhjetëvjeçare, gjimnaziste, të cilat kishin dashur të helmonin veten. Vajzave u kishin bërë shpëlarje të stomakut, nuk kishin më të vjella dhe Anilën e thirrën për t’u konsultuar me të dhënat laboratorike për ndonjë dëmtim të mëlçisë. Ato ishin dy vajza të bukura me trupa të hajthëm, njëra me flokë kaçurrela të zeza dhe tjetra me flokë të verdhë të drejtë. Fytyrat i kishin të zbehta e buzët e thara, por rrezikun për jetën e kishin kaluar. Edhe prindërit e tyre ndodheshin aty, mbledhur grusht në një cep të korridorit. Nënën e njërës vajzë e kishin shtrirë në një shtrat të sallës së urgjencës, ku po i bënin qetësues, ngaqë i kishte rënë të fikët, kur kishte parë të bijën e vetme në atë gjendje.
Në oborrin e spitalit vërtiteshin shokët e shoqet e tyre, të gjithë me pantallona të ngushta xhins. Vajzat kishin qarë të lebetitura, duke lajmëruar njëra-tjetrën me celular, por tani rrinin serioze tok me çunat, që u dukej vetja të burrëruar, me ato flokët përpjetë të ngrirë me xhel. Të vërtetën e dinin vetëm ata, çuna e goca, dhe nuk ua treguan as inspektorëve të policisë, që erdhën për t’i pyetur pasi zbritën nga një makinë me sirenë ulëritëse. Ada dhe Eda të klasës së dytë B dashuronin të njëjtin djalë, Besartin, te klasa e tretë A. Ky ishte shkaku që u helmuan, duke u bërë xheloze shoqja për shoqen. Ai, në të vërtetë, nuk donte asnjërën prej tyre, sepse i ishte fiksuar në tru një shitmendse në vitin e parë, e cila i sillte çunat rrotull me një të tundur të flokëve.
Të nesërmen, nga ora dhjetë paradite, Anila dorëzoi rojen dhe zbriti në oborr për të marrë makinën, që të kthehej në shtëpi. Vështroi nga hyrja kryesore e spitalit dhe i njohu dy pacientet e ditës së shkuar. Po dilnin nga spitali. Ajo u ul në ndenjësen e makinës, i dha gaz dhe u nis. Ndërsa makina e saj rrëshqiste ngadalë nëpër rrugët e tejmbushura të Tiranës, Anila mendonte për Arbenin, që po bashkëjetonte me atë tjetrën dhe, për çudi, nuk ndiente xhelozi. Mendonte me qetësi se, ndoshta, vetëm aq i kishte takuar të merrte prej asaj dashurie. Pastaj, teksa kujtonte vajzat që kishin dashur të helmonin veten, vuri buzën në gaz e murmuriti pa të keq: “Sa budallaqe, ato nuk e dinë se sa dashuri të tjera i presin në jetë!”

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…