Skip to main content

Tetova News

Enigma Nobel…!


Flora NIKOLLA

Akademia suedeze, sikundër çdo vit dhe kësaj here, mund të shpallë çmimin Nobel në letërsi në javën e dytë të tetorit. Sipas të gjitha gjasave, do të jetë një e enjte dita kur do të bëhet i ditur emri i madh që sipas fjalëve të themeluesit të këtij çmimi legjendar, Alfred Nobel, "duhet t'i dorëzohet çdo vit autorit, i cili ka arritur të prodhojë në fushën letrare, veprën më të shquar dhe më korrekte". "Ne shpesh mendojmë për shkrimtarë që vijnë nga zona të ndryshme dhe që kanë bërë revolucion me veprat e tyre", janë shprehur funksionarë të lartë të Akademisë suedeze.

Si çdo vit edhe kësaj here, shumë emra janë lakuar për Nobelin enigmatik.

Anketimet tregojnë se shkrimtari izraelit Amos Oz është shkrimtari më i favorizuar për të fituar këtë tetor çmimin Nobel të Letërsisë. Mbas izraelitit ndodhen algjeriania Assia Djebar dhe spanjolli Luis Goytisolo.

Në fakt, Oz ("I njëjti det") është një kandidat i zakonshëm tashmë i çmimit. Të tjerë të favorizuar janë amerikanët Joyce Carol Oates dhe Philip Roth, të ndjekur nga siriani Adonis, italianët Antonio Tabucchi dhe Claudio Magris, japonezi Haruki Murakami dhe amerikani Thomas Pynchon, që plotësojnë kështu 10 kandidatët më të kërkuar. Megjithatë, historikisht deri në momentin e shpalljes gjithçka mbetet vetëm hipotetike në lidhje me identitetin e autorit që do të marrë një diplomë, një medalje ari me profilin e Alfred Nobel dhe një çek prej 10 milionë korona suedeze (diçka më shumë se një milion euro). Në fakt, ky lajmërim përbën pikën kulminante të një proçesi selektimi që ka zgjatur tetë muaj, por që në përgjithësi zgjat për disa vjet dhe kjo për faktin se asnjë nga shkrimtarët nuk mund të marrë këtë çmim që në vitin e parë kur prezanton kandidaturën e tij. Komiteti Nobel ka një grup korrespondentësh në të gjithë botën, të cilët ngarkohen të dërgojnë sugjerime, lajme, raporte mbi shkrimtarët që mund të hyjnë në listat e kandidatëve. Çdo raport i dërguar verifikohet dhe diskutohet më parë. Dhe i gjithë ky dokumentacion është shumë konfidencial.

Në datën 31 janar kur mbyllet lista, komiteti realizon seleksionimin e parë ndër 2000 letra, nga të cilat përzgjidhen 200 kandidatura. Mbas këtij momenti fillon vlerësimi nga komiteti që mblidhet në qendrën e Akademisë, një ndërtesë e shekullit XVIII, shumë pranë pallatit mbretëror, në zemër të qendrës historike të Stokholmit.

Në fazën e parë të seleksionimit që zgjat deri në maj, mbeten vetëm 5 deri 10 aspirantë. Në këtë moment fillon selektimi i vërtetë dhe nga qershori deri në gusht akademikët lexojnë veprën e plotë të kandidatëve.

Mbas përfundimit të kësaj faze, përcaktohet një short list me tre finalistët dhe në shtator hapen debatet, që në fakt vazhdojnë deri një javë përpara shpalljes së çmimit. Vendimet e argumentuara ruhen paskësaj në zarfe të mbyllura për gjatë 50 vjetëve.

Kështu për të ditur pse asnjëherë nuk mori Nobelin, Jorge Luis Borges, do të duhet të kalojë një gjysëm shekulli nga kandidatura e tij e fundit. Dhe kjo kohë i bie të jetë në vitin 2035.

Rydquist është një nga personazhet me më influencë në këtë proces. Si përgjegjës i një biblioteke, që ka më shumë se 200.000 libra në të gjitha gjuhët, ai merret me mbledhjen e bibliografísë së plotë dhe dokumentacionit që përdorin anëtarët e Komitetit Nobel, për të marrë vendimin. Si anëtar i Komitetit Konsultativ, ai ndërhyn në fazat eliminatore.

Një tjetër njeri kyç është kritiku suedez dhe historiani i letërsisë Horace Engdahl. Nga vendi i tij strategjik, si sekretar i përhershëm i Akademisë suedeze, ky dandy, 60 vjeç, drejton komitetin prej pesë anëtarësh që zgjedh çmimin Nobel të Letërsisë.

Por atribuimi i Nobel-it në Letërsi i është përgjigjur në shumë raste tendencave estetike të komitetit: mes viteve 1901 dhe 1912, idealizmit tradicionalist i personifikuar nga Rudyard Kipling; në dekadën e viteve '20, i parapriu humanizmi bujar nga Henri Bergson; në vitet '30, dalloi letërsia me karakter popullor me eksponentë si Pearl Buck dhe Roger Martin du Gard-; mbas Luftës së Dytë Botërore, u privilegjuan shkrimtarët novatorë si Ezra Pound, Ernest Hemingway apo Albert Camus dhe mbas viteve 1978, u hap periudha e mjeshtërve të panjohur si Gabriel García Márquez, Kenzaburo Oé, Gao Xingjian apo Elfriede Jelinek.

Atribuimi i çmimit të hungarezit Imre Kertész në 2002 dhe më pas afrikano-jugorit J.M. Coetzee në 2003, treguan interesin e Akademisë për letërsi, që është një testament i një realiteti. Burime pranë Akademisë suedeze kanë vënë në dukje më shumë se një herë se, vitet e fundit zgjedhjet e Akademisë nuk kanë rregulla dhe jo rrallë herë ato janë të paparashikueshme. Tre vjet më parë, Nobeli në Letërsi mbërriti në Ballkan me shkrimtarin turk Orhan Pamuk, duke provuar se gadishulli i përkthyer me një nga gjuhët e tij "mjaltë edhe gjak" di të ndërtojë letërsi-testament, sikundër pohuan në prag të këtij Nobel-i, funksionarë të Akademisë suedeze.

Shkrimtari turk Orhan Pamuk, i konsideruar si nyje lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit, u proçedua në vendin e tij kur përmendi në një intervistë vrasjen e armenëve dhe kurdëve nga turqit në 1915. Por Akademia suedeze e cilësoi autorin: "Me një shpirt melankolik për qytetin e tij të lindjes" dhe "që ka zbuluar simbole të reja për lidhjen mes kulturave". Vepra e tij e fundit, një libër për Stambollin, është një autobiografi me të cilin ai dëshmoi plotësisht talentin e tij në letërsi: të shkruash mbi qytetin ku ke jetuar që kur ke lindur, vendosur mbi një memorie perfekte, mbi mendime dhe filozofi. Ky është libri "Stambolli. Qyteti dhe kujtime".

Ka qenë shkrimtarja britanike Doris Lessing, e cila ka fituar Nobelin e Letërsisë për vitin 2007, sipas Sekretarit të përhershëm të Akademisë suedeze, Horace Engdahl, i cili njoftoi fituesin e Çmimit Nobel në Letërsi duke vazhduar edhe një vit më parë, traditën e mbajtjes në heshtje të plotë të emrit të kandidatit të mundshëm.

Pavarësisht shumë polemikave, shkrimtari i njohur latin, peruani Mario Vargas, thotë se, duan apo nuk duan, është letërsia dhe ajo që shkruan, që të pozicionon në letërsinë e përbotshme... Një kritik italian, kur çmimi Nobel koinçidoi me një bashkatdhetar të tijin, Dario Fo, në 1997 tha: "Një të enjte jepet një lajm. Një ditë më pas thuhet OK ose JO nga bota".

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…