Skip to main content

Tetova News

MODERNÍJA E SAMIUT – AJO QË NA DUHET

Ledi Shamku-Shkreli

Historia e trazuar e vendit dhe thyerjet e forta social-kulturore që e përndoqën jetën kolektive të shqiptarëve, sollën për pasojë ndërpremjen e herë-pas-hershme të vazhdimësisë me kulturën dhe mendimin e trashëguar. Ndaj njohja jonë joshet tashmë të udhëtojë edhe në kah të kundërt me kohën, për thyer vegullinë (iluzionin) se çdo ide e vjetër është doemos e vjetëruar.
Qëllon të bëhen shtysë për ta ndërmarrë këtë udhëtim të kundërkohshëm pikërisht kremtet a jubiletë e figurave të rëndësishme të kulturës; e në çdo ravgim të tillë, të shoqëron ndjesia se mendimtarët e vyer të shqiptarisë kanë ushqyer pasione të njejta edhe në paçin rrojtur në kohëra të ndryshme.
Këtë mot është qindvjetëshi i lindjes së Selman Rizës, njërit prej punëtorëve të Shqipes që dëshmoi vijimisht se unifikimi shpirtnor i shqiptarëve brenda e jashtë kufijve nuk mund të mendohej pa një unifikim të mbarë e sidomos të natyrshëm të ligjërimeve tona. Syzimi (sprova) i shkurtë, “Sami Frashëri 1850-1905”, që Riza bëri për nxjerrjen në pah të tiparit primar të kontributit gjuhësor të Sami Frashërit, atë të normimit të butë të gjuhës shqipe, është një ndalesë e spikatshme në itinerarin shkencor të tij; kjo ndoshta edhe për faktin se ai ndante me Rilindasin të njejtin pasion. E meqë çeshtja e një shqipeje të përbashkët po përvijohet ende si një punë e pazgjidhur mirë, menduam se vlen të shqyrtohet ca më tej arsyetimi i Sami Frashërit gjuhëtar - duke e riparë çështjen aty ku e la Riza me shënimet e tij.

Ato çka janë thënë deri më sot për kontributin Sami Frashërit në gjuhësinë shqipe janë në fakt disa përfundime praktike të nxjerra nga veprat e tij “Alfabetare e gjuhësë” dhe “Shkronjëtore e gjuhës shqipe”. Por nëse synohet të shfrytëzohet, e mandej të vijohet, përvoja e dikujt, afërmendsh që krahas deduksioneve praktike, duhet shestuar doemos metoda e zbatuar prej tij; e po ashtu, duhet ndërmarrë edhe ndarja e stadeve të punës, për të kuptuar s’andejmi rendin e brendshëm që ndjek shkencëtari.
Këto zbërthime nis të bëjë Riza në shënimet e veta për veprat e lartpërmendura të Samiut. Ai vëren me të drejtë se Sami Frashëri e përvijon punën e tij në gjurmë të Kristoforidhit, filologut që i pari pat mëtuar bashkimin e dy Koineve, paçka se ky bashkim, sprovë parake, rezultoi më tepër mekanik se harmonik. Duke parë arsyetimet e Rizës mund të sendërtojmë, tashmë, si parimet ashtu edhe rendin e punës normuese të Samiut. Bën përshtypje pohimi i tij që “vërtet as Samiu nuk u shkëput dot nga ë-ja post tonike, të cilën Kristoforidhi e pat tejbartur mekanikisht nga gegërishtja e vjetër në të renë. Mirëpo për toskërishten Samiu konstatoi haptazi mospajtimin e shqiptimit gojor me këtë traditë grafike”. Dhe këtë mospajtim në punë të toskërishtes, që Riza vëren, e ilustron me një fragment po të Samiut, i cili shkruan se “...gjuha [këtu toskërishtja e folur] e do aq fort të xgjaturit në rrokjen që është përpara të fundit, sa në të folurë i presinë më shumë të zëshmetë –ë që vijnë pas saj. Kështu në vendit të hekurtë, thoshinë, motërë, punënë, themi hekurt, thoshin, motrë a motër, punë etj”.

Analizojmë me radhë të dyja shestimet, duke filluar nga i Rizës. Prej arsyetimit të tij të mësipërm, por edhe prej vështrimit të “Shkronjëtores”, mund të thuhet se Sami Frashëri e nis punën me normimin e një entiteti më të vogël se gjuha shqipe, ai ushtron fillimisht normimin e toskërishtes. Për atë kohë, gjatë së cilës siç ka verëjtë gjetiu vetë Selman Riza “...dy djalektet t’ona ishin bamë gjuhëna shkrimi para se ta kishim nji gjuhë t’përbashkët letrare”; ndaj ky përshkallëzim i Frashërit nga më e vogla drejt më së madhes, është një hap i saktë - sa modern aq edhe pragmatik. Kur thuhet toskërishtja e folur dhe e shkruar, natyrisht nuk nënkuptohet një korpus monolit e uniform, por ajo paradigmë që përbëhet nga të trija nëndialektet, m’atë kohë po ashtu të folura e të shkruara (pa zënë ngoje variantet arbërishte, edhe këto letrare), të cilat duke u lënë veçmas e në punë të vet, do të vinin duke u larguar gjithnjë e më fort., duke bërë kështu edhe më të mundimtë punën për një shqipe të përbashkuar.
Duke synuar fillimisht normimin e toskërishtes, për hir të së vërtetës pa mëtuar ta ngrejë atë në rang kombëtar, Samiu-gjuhëtar, rezulton prekursor faktik i Konicës (vështruar brenda koinesë toske), ndërsa vështruar në raport me Parimet dhe Metodat drejt një gjuhe të përbashkët kombëtare, ai rezulton në pikëpamje teorike edhe si prekursor i vetë Komisís Letrare, themeluar pas tri dekadash. Tekembramja, a nuk e shtroi kështu punën edhe kjo Komisi, duke synuar fillimisht, në fazën e vet përgatitore, stabilizimin e dy koineve të Shqipes?
Është mbresëlënëse modernìa me të cilën Samiu arrin të shkëputet nga fobia e bjerrjes së pasurisë gjuhësore që mund të shkaktohej nga normimi i një koineje (përmes shkrirjes dhe thjeshtimit të prurjeve nga ligjërime brenda llojit).

Aq më fort bie në sy kjo modernì e tij, po të kihet parasysh fakti se fobi të tilla atbotë nuk haseshin vetëm tek diturorët shqiptarë, por në mbarë mendimin filologjik europian të fundshek. XIX. Lidhur me këtë kahje vetjake të mendimtarit mbi ndërveprimin e ligjërimeve dhe trupëzimin natyral mes tyre, citojmë një fragment nga punimi i tij “Lisân” (Gjuha), botuar në Stamboll më 1886, ku shkruan se “...sidoqoftë ky është një përparim. Për një gjuhë, qëllimi themelor është krijimi. Të vegjlit janë thelbi, baza e jetës së të mëdhejve dhe të dobtët janë thelbi a baza e jetës së të fuqishmëve”. Parime të tilla, që ngrihen natyrshëm mbi të ashtuquajturat “fobi glotofage” - e na mësojnë se entitetet nuk humbasin aspak, por thjesht shndërrohet në unitete jetësore të një entiteti më të gjerë - do t’i hasim në gjuhësinë moderne europiane vetëm nga fundi i shek. XX, nga vitet e 80-ta të tij, pra pas plot një shekulli. M’anë tjetër, pragmaticiteti i Samiut që vlerëson si parësor në gjuhë funksionin dhe jo formën, përkon në thelb me atë të një bashkëkohësi të tij amerikan, Whitney-t (1883) i cili qe i pari që iu kundërvu hipergramatizmit të asaj kohe, duke pohuar se “gjuhët janë bërë për ne, që të na ndihmojnë për t’u kuptuar e për të shprehur gjithë çka duhet të shprehim në një moment të caktuar”.
Duke e vijuar më tej hulumtimin mbi syzimin e Rizës, risjellim në kujtesë fragmentin e Samiut se: “...gjuha [këtu: toskërishtja e folur] e do aq fort të xgjaturit në rrokjen që është përpara të fundit, sa në të folurë i presinë më shumë të zëshmetë –ë që vijnë pas saj”. Këtu do ndalur e vërejtur diçka që nuk mund të anashkalohet. Para këtij ilustrimi, Riza thekson që Samiu e pat konstatuar qartë mospajtimin e shqiptimit gojor me traditën e atëhershme shkrimore të toskërishtes dhe e modernizoi toskërishten në “Shkronjëtoren” e tij, saku një diversion të tillë nuk e pat ndërmarrë aspak për gegnishten e trashëguar nga lënda e Kristoforidhit. Ky përvijim arsyetimesh të Samiut dhe Rizës, mund të këqyret në dy fokuse. Së pari: fakti që Samiu nuk pat ndërmarrë thjeshtime fonemore mbi gegnishten, ndërsa i pat shkuar me vesh tingëllimit të toskërishtes si idiomë amtare, dëfton qartë se te ky gramatikan modern qe kristalizuar qartë mendimi se arketipi gjuhësor, ai që formohet i pari si gjuhë amtare në mjedisin familjar, ka edhe rolin kryesor në përcaktimin e një gramatike funksionale (si pasqyrim i ligjësive të brendshme të gjuhës së folur). Edhe në këtë çështje themelore, dhe krejt të re për gjuhësinë ndërkombëtare, Samiu përkon sërish me Whitneyn bashkëkohës, i cili shkruante: “... Secila gjuhë ka skeletin e vet, ku dallimet kanë zënë vend dhe shquhen qartë, ashtu siç ka edhe llojet dhe format vetjake të të menduarit. Qenies njerëzore që nis ta mësojë këtë gjuhë fillimisht si idiomë amtare, ky skelet specifik i formëson përmbajtjen dhe produktin e mendjes, bagazhin e mbresave, pra me fjalë të tjera e udhëheq në ekskursin për të njohur botën. Cilado qoftë idioma e parë që mëson dikush, ajo zë vend si shtegu i natyrshëm dhe i nevojshëm përmes të cilit individi flet dhe mendon” (The life and growth of language – 1885).
Roli themelor që Sami Frashëri i caktoi këtu e 125 vjet të shkuara gramatikës funksionale, si pasqyrim i ligjësive të gjuhës së folur, në praktikat e normimit gjuhësor nuk paraqitet vetëm në ushtrimin mësipërm praktik. Atë e gjejmë të formuluar edhe si teori gjuhësore të mëvetësishme tek studimi i tij “Gjuha”, i cili u hartua në të njëjtin vit me “Shkronjëtoren”. Në kreun “Përparimi dhe ngecja e zhvillimit të gjuhës” ai shkruan se “çdo gjuhë ka në vetvete një pëparim të veçantë, i cili ndahet më dysh: njëra anë e tij është e natyrshme, natyrore e tjetra e sajuar, artificiale [...] Përparimi i sajuar dhe letrar, për nga aspekti gjuhësor, është fare pak i rëndësishëm, kurse gjendja e natyrshme e gjuhëve meriton shumë më tepër peshë”.
Cilido që njeh zhvillimet e gjuhësisë si shkencë, do të pikasë fill në këtë formulim të Sami Frashërit teoritë më moderne të kohës kur u shkruan, madje edhe vetë thebin nistor të gjuhësisë së përgjithshme. Kjo kahje mendimi e Samiut-gjuhëtar, i cili në 1886-ën konsideroi si parësore gjuhën e folur në një kohë kur zhvillimet e gjuhësisë përqëndroheshin vetëm te dokumentet e shkruara, përkon në koncept me teoritë që F. de Saussure do të formulonte dy dekada më pas në “Cours de linquistique générale”. E pikërisht në 1905-ën Saussure nisi t’u shpjegojë studentëve të tij se “të konsiderosh parësore gjuhën e shkruar ndaj asaj të folur, është njëlloj si të thuash se për njohjen vlen më shumë fotografia e një personi sesa ai vetë”.

Në përfundim të këtij shestimi të shkurtër mund të pohohet plot gojë se limeri i mendimit gjuhësor shqiptar nuk ka qenë aspak një hurdhë uji e veçuar dhe aspak inferior (në kohë e moderní), por pjesë përbërëse e mare magnum-it të përbotshëm të gjuhësisë si shkencë. Profile gjuhëtarësh si S. Frashëri, N. Mjeda, J. Rrota, N. Gazulli, M. Kruja, S. Riza, E. Çabej, dëshmojnë pikërisht këtë bashkëkohësi. Kjo shkencë, e vyer për një komb gjuhësor si yni, e ruajti me mundim vetëm diçka nga lidhja e saj organike me moderninë e mendimit rrotull nesh, deri aty nga vitet Shtatëdhjetë, derisa u shuan të mbramit përfaqsues të gjuhësisë para-ideologjike.
Sot kanë kaluar 125 vjet nga koha e formulimeve të Samiut, dhe thuajse dy dekada nga rënia e mureve ideologjike. Gjuhësia shqiptare do t’i rivendosë lidhjet e saj me veten dhe mendimin rrotull vetes; jo për hir të saj, por për hir të objektit të çmuar që ajo ka në vështrim: gjuhën shqipe. Është e pafalshme për ne, gati e mbrapshtë, dhe krejt anakronike që ende sot, 125 vjet pas aplikimeve thjeshtuese të Sami Frashërit, apo një shekull pas lindjes së gjuhësisë përshkruese, mendimi ynë linguistik vijon të mbajë sytë dhe veshët mbyllur ndaj atij regjistri gjuhësor mbarëkombëtar që po flasin e shkruajnë shqiptarët e që praktikisht po paraqitet si riformulim e vetërregullim i Standardit të imponuar përdhuni. Ky neostandart që tashmë është përvijuar thekshëm po e kërkon shëlbimin e vet pikërisht te freskia dhe larmia e kodit të folur; po e kërkon pasi vetë shqiptarët dhe komunikimi i lirë e kërkojnë. “Ndryshimi ndodh në kohë, ndërsa dallimi krijohet në hapësirë”, thotë Whitney, dhe sot kurrkush nuk mund t’ua ndalë më shqiptarëve kohën e t’ua rrudhë hapësirën. Rimëkëmbja dhe gjallërimi i shqipes, ndryshe nga sa thonë dogmat e ngulta, vjen duke ja hapur dyert pasurive gjuhësore; vjen po për mes atij shtegu që e mendonte Sami Frashëri. Duke i hapur këto dyer, rilidhen fijet e metodës sonë gjuhësore aty ku ideologjia i këputi. Koliqi shkruante: “Kur fryma, zâni, âmsimi, ngjyra e pâlci i fuqís shprehëse i çdo kandi të Shqipnís do të gjindet i derdhun në shqipe, atëherë kombi i ynë mund të thotë se zotnon nji gjuhë të përshtatun me qitë në dritë në menyrë të dêjë pasunín e ndiesíve njerzore të ndryme në zemrën jetike por përherë të ré të tij”.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…