Skip to main content

Tetova News

Përballë maestro Kodrës...

Visar Zhiti

- Ku është tryeza jonë? – pyeti Adriani kushërirën e vet, që ishte kameriere.
- Ja, përballë është e Maestro Kodrës.
- Shkëlqyer, - fërkoi duart Evgjeni. – Ka verë të mirë, se sot ishte dhe Dita e Kosovës, - tha me zë të lartë. Sa ishte tretur Profeti. Dhe si i gdhendur dukej. Në duar ruante të prekurin e tij. Pa pranga. Mjaft! Në tryezat më tej kishte gra, dukeshin të bukura. Llërë, dorashka të bardha, të zeza, gjinj, dekolte, kapele, gjunjë, uli sytë, çizme... Një riprodhim me numur serie e një totemi-muzikant të Kodrës. I qeshur ndërkohë siç janë veprat e tij. I fundmi postkubist i botës, mendoi Evgjeni. Ca shkallë të drunjta, kati i dytë i lokalit dhe muzikë klasike, mjaft ulët. Isha shqiptar sot, në qelë...
- Vilma, të thashë, janë miqtë e mi, Evgjeni dhe Martini.
- Gëzohem. Këtë e kam parë, më duket, po, po, - dhe tregoi ajo Martinin. Na erdhët në shtëpi, kur kërkonit... Ka ndonjë lajm?
- Jo, jo.
- Të gjithë humbim, - psherëtiu Vilma. – Unë e kam vënë njoftimin në xham, që na dhatë atë mbrëmje, ja...
Ku se kishte shpërndarë Martini atë, që në ditët e para, kur erdhi, shtonte vendet dhe pakësonte shpresat. E çua ta lexonte dhe Evgjeni ...kërkohet informacion, nëse di ndokush për Gjergj Guraziun dhe Afërdita Malon... vendndodhjen, nëse i keni pare ndonjëherë, njërin ose të dy, jeni të lutur të njoftoni në numrat telefonikë… Adriani bëri dy hapa më tutje me kushërirën e vet, si është Luti, ashtu, njëlloj, kam bërë një lutje, mbase e marrin parasysh. Ta nxjerrin dhe të kthehemi. Ti kur ikën, vëllaçko? Për nja 10 ditë. Do të jap ndonjë gjë, edhe për xhaxhain. Por, po munde, pyet nga ministritë se ç’mund të bëhet, vetëm, aman, mos u thuaj gjë në shtëpi ku është Luti. Do takohemi prapë para se të iki. Mirë, vëlla, ja sa të shkoj te ajo tavolina tjetër, ju vendosni ç’do të porosisni.
Adriani po ulej në karriken e tij, ndërsa Evgjeni me Martinin po vazhdonin bisedën, sikur të themelonin një shoqatë “Miqtë e Afërditës dhe të Gjergjit”, që të bashkonte shqiptarë dhe italianë kundër harresës, të kishin si qëllim t’i gjendeshin tjetrit, të kërkonin të humburit. Të jetë shoqata e sensibilizimit për përgjegjësitë e barabarta, të gjithë kemi përgjegjësi. Po, po, pse jo. Adrian, bëje dhe ti në Shqipëri, të jetë e përbashkët, deti në mes, përgjegjësia në mes. Kemi juristë dhe...
- Po vjen Maestroja, - tha Vilma, është me një shok.
Piktori plak ecte rëndë-rëndë, tamam siç shkruanin gazetat “Zhan Gabeni i ngjyrave”. Xhaketë me kuadrate të bardha, pantallona me kuadrate të zeza, kapele me kuadrate të verdha, shall blu, të mëndafshtë rreth qafës, flokë të rralla, por me pak bisht pas, e kam shpikur unë, thoshte, pastaj u bë modë, këpucë me tre ngjyra të tjera. Ç’ishte ajo te këmbët, kone e vockël? Jo, i kishte rënë llapa e njërës prej çorapeve. Veshur vërtet në mënyrë piktoreske. Gjithë mirësi në fytyrën e rreshkur, me rrudha të shumta, me një hundë të madhe e buzë të trasha, e poshtmja pak e kthyer, sytë e vegjël, të qashtër. Në gishta unaza të shumta si të arixhinjve, byzylykë dhe zinxhirë të florinjtë
- Bah, duket që është i madh, - u entuziazmua Evgjeni. – Mitik dhe ky... - Sa pleq të mirë ka Shqipëria, tha me vete, veçanërisht kur janë mërgimtarë! Po im atë si po plaket?
Maetroja u drejtua për në tryezën e vet, tërhoqi karriken... Tjetri, që i shkonte nga pas, ishte burrë i ri, një poet italian, tha Vilma. Meraku i tij është nëse i shkon xhaketa me sherrin me gruan që bashkëjeton, kështu thotë. Kamerierët e dinin se ç’duhej të sillnin si fillim.
Maestroja hante pa u ngutur, me sqimë, i mbushte vetë gotat me verë, të kuqe patjetër, jo vetëm që s’të bën dëm, por mirë gjithmonë, nga pak, se Zoti na e ka dhënë përjetësinë, njerëzit s’dinë dhe vdesin, thoshte Kodra dhe dëgjonte ç’thoshte tjetri, tundte kryet i qeshur, fuste lugën e madhe në tarator, i bërë për qejfin e tij. Mbaroi më përpara se tjetri në tryezë. Ti ha, i tha, peshku duket shumë i mirë, ka fosfor, të bën mirë për kujtesën, merr dhe ëmbëlsirë. E di ti që kam botuar në “Corriere della Sera” në faqet “Salute” për ushqimet dhe shëndetin, çfarë të forcon njëra dhe çfarë tjetra dhe si duhen përdorur? Vëri re frutat, çdo prodhim, ka formën e një organi të njeriut, të atij që i bën më mirë. Molla i bën mirë zemrës. Po edhe domatja, prite dhe shiko si është e ndarë na 4 xhepa si zemra. Se, po s’e gjete ngjashmërinë së jashtmi, ndaje frytin, autopsi... shiko një rrotëz karrote, është si irisi, se i bën mirë syrit. Dardha, patëllxhani, ka formën e seksit të gruas, atë e ushqejnë më shumë si fiqtë që i duhen burrit të hajë, përnjiment e kam, farzat brenda ndihmojnë farzat. Dhe më vinin letra nga gratë, kërkonin të dinin se çfarë u bënte mirë... deri dhe për qerpikët më pyesnin. Pisha, thosha, të zjesh halat e tyre. Dhe qeshi.
Maestro, pse s’je martuar? Kam patur raste shumë, nuk u thosha unë ikni, iknin vetë, të duan të gjithin ato, unë dhe vazhdoja të punoja. Maestros i sollën një pije tjetër me pak akull brenda. Duhej të ishte e fortë. Heshtëte dhe shikonte pa u kuptuar se po kqyrte përreth. Dhe kthente herë pas here gotën.
Dhe filloi mrekullia. Ai nisi të bëjë atë për të cilën kishte ikur herët nga shtëpia, që para luftës, nga fshati i tij, nga atdheu, përshkoi qytete e shkolla dhe moshën e vet e u bë piktor, ndër më të njohurit, shkonte kudo me ekspozita, në të gjithë kontinentet, por vetëm në atdhe s’mund t’i çonte veprat e tij. Ishte i ndaluar ai lloj arti, modern, abstrakt, kubist, hermetik. Erdhi një herë në Tiranë dhe tha se donte të vizitonte burgjet, por s’ka burgje tek ne, i tha shoqëruesi. Pse, ç’i bëni ata që i dënoni, pyeti. Jo, i kritikojmë në mbledhje në lagje dhe u mbajmë nga rroga, një ditë, dy ditë pune, kaq. Ashtu, kishte thënë Kodra, s’e dija, se kam ca miq në burg, s’më kishin thënë gjë. U mbani ditë pune apo vite jete? Tani i zhdukin, Maestro, sikur të mos kenë qenë kurrë.
Ai po vazhdonte të vizatonte mbi një gazetë çfardo. Ngadalë. Me qejf. E shikonte fletën e madhe, përllogariste shkronjat, vizat e tij, e anonte, hidhte sytë nga tryezat përtej. Nxori një tjetër tip stilolapsi nga xhepi i madh i xhaketës, me majë të trashë. Ik më merr një gjethe nga ajo vazoja atje, i tha atij që kishte pranë, jo, jo, atë tjetrën. E mori gjethen, e bëri shuk me gishtat e trashë dhe e ngjeshi mbi vizatimin. E kaloi disa herë lart e poshtë deri sa ajo lëshoi ngjyrë aq sa donte, një e blertë natyrale.
Demokracia më e mirë është ajo në natyrë, kishte thënë Kodra në një intervistë, njëlloj janë palmat në Afrikë me palmat në Vlorë dhe ato s’u bëjnë gjë mollëve. Edhe bari s’ka frikë nga ullinjtë. Bëj një apel, Maestro, i tha gazetari, që në Shqipëri të votojnë për... Po pse që këtej do t’i mësoj unë se ç’duhet të bëjnë shqiptarët, e ndërpreu, ata e dinë vetë se ç’duhet të bëjnë.
Maestro, kanë kapur bashkatdhetarë të tu në stacion të trenit me drogë... S’kanë faj emigrantët, tha ai i qetë, por qeveria, pse s’u jep shtëpi e punë.
Vazhdonte të vizatonte. Portret gjysmë i blertë dhe gjysmë natë dhe lajmet e botës. Nënshkrimi poshtë, për të cilën Pikasso i kishte thënë: firma jote është një vizatim më vete, shqiptari im. I bëri shenjë kamerieres. Iu afrua një shoqe e Vilmës. Çoja, të lutem, atij, i tha më zë të urtë. Uaa, sa bukur, kush e bëri, po bisedohej në tryezën tjetër, ai plaku, kush është kush?... Po, e kemi dëgjuar, faleminderit shumë, ç’kujtim, do ta vë në kornizë.
Ndërkaq Kodra po fshinte me cepin e shamisë së tij një pjatë të bardhë porcelani. Shko tek ajo gruaja matanë, i tha prapë shokut të tryezës, merri pak të kuqin e buzëve. Dhe po vizatonte i ngazëllyer mbi pjatë me të kuq buzësh. Sy, flokë, buzëqeshje, qafa e mjellmët. Çoja... ç’mrekulli, sa me fat sonte! Uaa, che bello, a mund ta marr pjatën, i tha kamerieres gruaja e vizatuar. Po, po, urdhëri i Maestros. Dhe ajo sikur donte të thoshe diçka tjetër, po hapte çantën, të paguante të paktën verën a të porosiste ndonjë gjë tjetër, jo, jo, i tha Maestroja moskokçarës. Dhe ajo e puthi në faqe. Plaku u skuq. Mori pjatë tjetër bosh. Po shikonte nga salla.
- Është e kotë t’i lutesh, - po thoshte Vilma, - nuk dëgjon, vizaton atë që do ai, kush ta ketë fatin.
Po grumbulloheshin njerëz përreth tij. Është Kodra i madh, po thoshin. E shikonin me adhurim si punonte. U afrua dhe Evgjeni. I doli nga pas. Si e lëviste dorën e trashë si degë të zhveshur. Maestro, sa rron ky vizatimi në pjatë? Jo dhe aq, nja 50 vjet, buzëqeshte.
Një si zhurmë karrikesh, shtyrje dhe zëra, hapuni, ej, dhe dy burra të çuditshëm përballë, njëri me një gotë wisky në dorë dhe tjetri me një revole të gjatë në brez.
- Bëja portret një zotnias tim, shpejt, këtu, - urdhëroi me një italishte çapraz ai i revoles. Tjetri me gotën e wisky-t ktheu karriken duke nxjerrë shpinoren e saj nga përpara, u plandos mbi të dhe fill po pozonte i kreshpëruar. Dhe po gajasej. Duhej të ishin ca çakërrqejf nga pija.
Heshtje dhe ankth. Dhe një revole në brez. Dukej.
- Një sheik arab me shoqëruesin, vijnë shpesh këtu, - u dëgjua të shpjegojë njëra nga kamerieret si për të qetësuar gjendjen. - Ishin lart. Panë vizatimet dhe morën vesh se na paskësh ardhur një piktor i madh.
Plaku Kodra s’tha asgjë. Pa u shqetësuar e vërejti shejkun si të ishte tigër pas hekurash. Mori një pjatancë, e rrotulloi dhe nisi të vizatojë. Në fillim mustaqet e pakta alla frënga. Shejku u zgjat që nga karrikja dhe buzëqeshi. Linja e gjatë e fytyrës, sytë... Prapë shejku lëvizi, iu afrua vizatimit, hetoi atje dhe u rregullua mbi karrike. E kishte harruar pozicionin e parë. Mjeshtri priti pak. Dhe po zhgarraviste flokët. Shejku qeshi dhe u ngrit përgjysmë. Piu një gllënjkë nga gota që i dridhej. Njëri vesh... Tjetri. Shejku u përkul përsëri mbi vizatimin dhe qeshi sikur e gjithë kjo punë të ishte meritë e tij. Pa nga njerëzit më këmbë përreth karrikes së tij, piu dhe një gllënjë tjetër dhe...
- Don’t move! – bërtiti Maestro Kodra. Se si i doli zëri, si i kuajve. Sheiku ngriu. Shoqëruesi i tij vuri dorën mbi revolver, priste urdhërin. Martini u bë gati t’i hidhej. Njerëzit panë njëri-tjetrin. Eja, futu në kuzhinë, i mërmëriti Vilma Adrianit. Vetëm piktori plak ishte i qetë dhe po vazhdonte të vizatonte sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Evgjeni shikonte i mrekulluar sheikun e ngrirë. Nuk lëviste sikur t’i kishin bërë magji. A merrte frymë? Atij, siç duket, nuk i bërtiste kurrkush, zevzek siç duhej të ishte, vetëm urdhëronte. Dhe i plotësohej çdo dëshirë prej pasurisë që mund të kishte. Dhe ja, për herë të parë një plak në vend të huaj i klithi: mos lëvis! Dhe ai u pataks. Me sy të palëvizur shikonte piktorin. Zbuloi se kishte patur mall t’i thoshin një gjë të pazakonshme për të, aq e zakonshme për të tjerët. Pra, kishte më të fuqishëm se ai dhe kjo e bënte që të besonte, se herë-herë kishte patur frikë nga fuqia e vet, të gjithë në jetën e tij prisnin prej tij dhe i bindeshin. Dikush e urdhëroi, Allah, Allah, bekuar qoftë! Edhe unë qenkam si të tjerët dhe kjo s’është pak.
Vizatimi mbaroi. Emri në fund si me shkronja arabe. Gjindja përreth duartrokiti. Bravo, Maestro!

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…