Skip to main content

Tetova News

George STEINER - E mundur apo e pamundur?


Në filozofinë e gjuhës mund të shtrohen dhe janë mbrojtur dy pikëpamje radikalisht të kundërta. Njëra thotë se struktura e nëndheshme e gjuhës është universale dhe e përbashkët për gjithë njerëzit. Ndryshimet ndërmjet të folurave njerëzore, në esencë, janë të sipërfaqshme.
Përkthimi është i mundur pikërisht se këta universalë të thellë, gjenetikë, historikë, shoqërorë, prej të cilëve rrjedhin të gjitha gramatikat, mund të përcaktohen e të njihen si veprues në çdo idiomë njerëzore, sado origjinale ose të çuditshme qofshin format e saj sipërfaqësore.
Të përkthesh do të thotë të zbresësh në pabarazitë e jashtme të dy gjuhëve, për të sjellë në lojën e jetës parimet e qenies së tyre, që janë ananaloge e madje në thelb të përbashkëta. Këtu pozicioni universalist lidhet ngushtë me intuitën mistike për një një gjuhë primare të humbur, apo paradigmatike.
Pikëpamja e kundërt mund të emërtohet “monadiste”.
Ajo mbron tezën se strukturat e thella universale ose nuk mund të arrihen nëpërmjet studimeve logjike a psikologjike, ose janë aq abstrakte e të përgjithshme, sa të bëhen pothuaj trivale.
Që të gjithë njerëzit që njohim, e përdorin gjuhën në ndonjë formë, që të gjitha gjuhët që njihen janë në gjendje të emërtojnë objektet e përceptuara dhe veprimet, këto janë të vërteta të pakundërshtueshme.
Por, meqë këto të vërteta i përkasin “klasës”, “të gjithë anëtarët e një lloji kërkojnë oksigjen për të jetuar”, ato nuk na ndriçojnë veçse në kuptimin abstrakt formal, për natyrën e vërtetë të të folurit njerëzor. Kjo natyrë është kaq e larmishme, historia e zhvillit të saj centrifugal është aq çuditërisht e ndërlikuar, ajo shtron aq shumë probleme kokëforte të llojit ekonomik e social, sa në rastin më të mirë modelet universale janë të padobishme, ndërsa në rastin më të keq të rreme.
Pozicioni i skajshëm “monadist” - ka poetë të mëdhenj që e mbrojnë - të çon logjikisht në bindjen se përkthimi real është i pamundur.
Ai që quajnë përkthim, është vetëm konvencion analogjish të përafruara, një ngjashmëri e trashë, vështirësisht e tolerueshme edhe kur dy kultura të rëndësishme kanë lidhje, por krejtësisht çorientuese kur bëhet fjalë për gjuhë pa ndonjë afërsi e për ndjeshmëri krejtësisht të ndryshme.
Mes këtyre poleve mund të vendosen mjaft pikëpamje ndërmjetëse, cilësore.
Asnjë prej pozicioneve të mësipërme nuk është mbrojtur me rigorozitet absolut. Ka hije të karakterit relativ në gramatikat universaliste të Roger Bacon-it, te specialistët e gramatikës së Port Royal-it dhe, madje, në gramatikën gjenerative transformuese të Chmosky-t.
Nabokovi, i cili pothuaj të gjitha përkthimet ndërgjuhësore i konsideron mashtrime dhe evitime mendjelehta të pamundësive radikale, vetë është mjeshtër i përkthimit ndërgjuhësor.
Përktheu Lluka Qafoku

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…