Skip to main content

Tetova News

POEZIA KA MBYLLUR LLOGARITE ME MUA (Cikël poetik nga poeti kilian NIKANOR PARRA)


Kilian, bashkatdhetar i nobelistit Neruda.U lind në 1914. Docent matematike në Universitetin e Santiagos në Kili. Vepra e tij është nga më të lexuarat dhe më të debatuarat e Amerikës Latine. Poezia e tij është sa konkrete, aq edhe e abstraguar. Ndjehet në të ironia, zhveshja nga kallëpet poetike, një këndvështrim origjinal poetik. Pikërisht e reja që sjell ai e bën aq shumë të lexueshëm, në kohën që poezia po i humbet përditë ata, megjithëse poetët po shtohen përditë. Vërtetë poetët po shtohen përditë?






***
Nuk jam unë që i jap fund gjithshkaje
sa për këtë jam më se i sigurt
doja të vazhdoja të poezoja
por më shteroi gjithë frymëzimi.
Poezia është sjellë mirë
unë jam sjellë shumë keq.

Çfarë fitoj të them
se jam sjellur mirë
e poezia është sjellur keq
kur e dini që jam unë fajtori.

Mirë të më bëhet, jam treguar
me gjithë mend budalla!

Poezia është sjellë mirë
unë jam sjellë shumë keq
poezia ka mbyllur llogaritë me mua.




AKT PAVARESIE

Pavarësisht
nga projektet e Kishës Katolike
autodeklarohem shtet i pavarur.

Në të dyzetenëntin vit të moshës së tij
një qytetar ka plotësisht të drejtë
t’i rebelohet Kishës Katolike.

Më hëngërtë dheu po qe se gënjej!

Aty ndihem tamam i lumtur
nën hijen e këtyre akacieve në lule
të bëra tamam për trupin tim.

I lumtur aq sa më nuk mund të bëhet
nën dritën e këtyre fluturave fluoreshente
që duken të prera si me gërshërë
të prera tamam për shpirtin tim.

Dashtë të më falë Comite Centrale!

Në Santiago të Kilit
njëzetenëntë nëntor
i njëmijë e nëntëqintë e gjashtëdhjetë e tre-shit
plotësisht i bindur për aktet e mia.


FLUTUR

Në kopshtin që i ngjan një thellësie detare
është e madhe joshja e një fluture:
tërheq fluturimi i saj i thyer
ngjyrat e saj të shndritshme
dhe rrathët që zbukurojnë majat e krahëve.

Tërheq forma e trupit.

Kur rrotullohet në ajër
e ndriçuar nga një rreze jeshilëze
apo kur çlodhet nga efekti
i prodhuar prej vesës e pjalmit
komplet e maskuar në drejtim të një luleje
nuk e humbas nga sytë
e nëse zhduket tutje
matanë portës së oborrit
sepse kopshti është i vogël
apo shpejtësia e saj e madhe
e ndjek me mendje
për disa sekonda
derisa përqëndrimi më kthehet përsëri.


JETE QENSH

Profesor: një jetë qensh.
I kamzhikuar nga kati në kat.
Rrëngjethja nëpër dhëmbë
e gërvishtjes së shkumësit.

Profesori dhe gruaja preçize.
Profesori dhe gruaja tamam.
Ku ta gjesh sot një grua tamam!
Një grua që të jetë ashtu siç duhet
një grua që të mos i ngjajë një burri.

Vuajtja errëson shikimin,
fillojnë të shfaqen rrudhat.
Plakja edhe e vetë nxënësve,
të shumtat mungesa të respektit.
Mënyra e të ecurit nëpër korridore.

E shara mund të durohet akoma,
po jo e qeshura artificiale,
komentet që të bëjnë për të vjellë.

Liceu është tempulli i dijes.
Drejtori i të mbiquajturit tempull
me mustaqet e tij si aktor kinemaje.

Lakuriqësia e zonjës nuse

( shikimi shkon e përplaset te një buf
një xhufkë flokësh shumë të shtrirë)
Duhet eliminuar e puthura në faqe
( më e vështirë se nisja nga fillimi)
sheshi i zjarrit është një shesh lufte.

Gruaja arrin çdo gjë me shalë.

Problemet e pleqve
të jesh përfshirë në një antologji
të provokosh një kontraktim muskuli artificial.

Asgjë në vijë për profesorin:
profesori vëzhgon milingonat.


SA ESHTE ORA

Kur një i sëmurë rëndë
bëhet mirë për disa sekonda
dhe pyet të afërmit për orën
- të mbledhur si me magji
rrotull krevatit të vdekjesme
një prezencë të mugët
që të ngre qimet përpjetë

do të thotë se ka diçka që nuk shkon
do të thotë se nuk ka më shpresë
do të thotë se kemi humbur, pa shpëtim.


MIRUPAFSHIM

Erdhi ora e të tërhequrit
u a di për nder të gjithëve
sa miqve të mi të sjellshëm
aq edhe armiqve frenetikë
figura të pakaraktershme!
Unë mizerje
po qe se nuk do fitoja
antipatinë e tyre të gjithantë:
përshëndetje qenër të lumtur
gati për të lehur në rrugën time!
Jap dorëheqjen prej jush
me kënaqësinë më të madhe të botës.

Faleminderit edhe një herë, faleminderit
e di që po më zbresin lot
do të shihemi përsëri
në det, në tokë, ku të jetë.
Shkruani, silluni mirë
mbështilleni bukën
thurni papushim rrjeta merimangash
u bëj ç’do lloj urimi:
nga majat e mprehta
të pemëve të qiparisit
unë ju pres me dhëmbë e dhëmballë.


KUJDES

Unë nuk lejoj asnjë të më thotë
se nuk kupton antipoezitë
duhet të qeshin të gjithë, të gajasen.
Prandaj shkatërroj trutë
për të arritur te zemra e lexuesit.

Mjaft me pyetje.
Në krevatin e vdekjes
secili kruhet me thonjtë e tij.
Por ka më akoma:
nuk ka perëndi që më mban
kur unë u futem gjërave të dëshpëruara.


LETRA TE POETIT QE FLE MBI NJE
KARRIGE

Kur për një arsye, apo një tjetër,
kam zbritur poshtë
nga kulla ime e vogël prej aksesh
jam ringjitur duke u dredhur nga të ftohtët
nga vetmia
frika
dënimi.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…