Skip to main content

Tetova News

Bardhyl Londo me Jezusin në Itakë

AGRON GJEKMARKAJ
Bardhyl Londo


Kur Bardhyl Londos iu botua në Kosovë vëllimi poetik “Vetëm Itaka”, në vitin 1988, ai njëherësh kishte sjellë në letërsinë shqipe një koncept qytetërimor polisemantik, që asokohe duket se nuk lejoheshin ta interpretonin.

Itaka është vendi i fillesave, i frymëzimit homerian dhe personazhi i tij Odise vetë njohja e botës, nisja dhe kthimi si vektor i dijes, Itaka si “terram patriam”, por edhe si vendi i ngjizjes se procesit krijues. Homeri, Itaka, Odiseja vetë zanafilla e identitetit europian, term ky që askush nuk mund ta zinte në gojë, vërtiteshin nga Prishtina për të ardhur në Shqipëri si megametaforë e një poeti që poezinë e tij nuk ia nënshtroi pothuaj aspak socrealizmit.

Revokimi i “Itakës” më vjen natyrshëm pas leximit të librit “Shën Shiu”, botuar pak kohë më parë. Gjithashtu ky vëllim është i ndryshëm nga bashkëkohësia e tij edhe për simbolikën e fortë biblike që e karakterizon. Kjo prani kristiane nuk është thjesht përthyerje e teologjisë në poezi me qëllime moralizuese si te Noli, por shenjë identitare dhe filozofi universale e përqafuar me dashuri dhe dilema në përpjekje për ta racionalizuar besimin dhe jo për ta pranuar apriori si mister.

Ajo shfaqet si anësi qytetërimore, por edhe si mistikë e  raportit të qenies humane me tjetrin që është i ndryshëm. “Shën Shiu” vjen si sintezë tragjike e konflikteve që karakterizojnë humanizmin.

Londo te loja skajore me fjalën, te cilësia e përzgjedhjes, te vendosja fizike e saj ravijëzon tiparet dalluese të stilit të tij. Përjetimi i historisë dhe doktrinës së krishterë, si një akt rebelimi ose si akt rikonvertimi intelektual sintonizohen me këtë stil. Poeti një ngjasim me Nolin e ka, atë të identifikimit me kryepersonazhin. Ai përshkon bashkë me Krishtin rrugën për te kryqi dhe kryqëzimi, binom ky që e shpie njeriun drejt një lavdie të dhimbshme e tragjike të imponuar nga vullneti i të gjithëpushtetshmit.

Ka justifikuar tradhtinë e Pjetrit se kishte fëmijë, është identifikuar me Simonin nga Cirenea si i vetmi që e ndihmoi Krishtin në rrugën e mundimeve, Judë Iskarioti nuk mund të duronte anonimitetin, ndaj zgjodhi tradhtinë pa thënë nëse e meriton faljen. Dy mijë vjet nga kryqëzimi, gurët nuk bien më mbi Maria Magdalenën, por mbi virgjëreshën. Londo e di se çfarë i takon Cezarit, po jo çfarë na takon ne, siç di se turma gjithmonë  kryqëzimin e vet brohoret.

Poezia e Londos është lartësisht simbolike me një forcë vizioni  që kalon nëpërmjet një instinkti mistik.

E përshkon atë një ekstazë e mrekullueshme, e trazuar, herë si pohim e herë si thirrje, herë si dorëzim e herë si shëlbim, herë si ulërimë e herë si bindje që profeti (poeti) nuk çmohet në Jerusalemin e tij dhe këto dikotomi e bëjnë “Shën Shiun” instrument të njohjes së psikikës njerëzore, strehë të  eksperiencës autobiografike, ku kujtesa ka rol themelor në krahasim.

Shiu, kjo shpikje e Zotit për të pastruar botën, vjen si një ferment kozmopolit i formës dhe gjuhës, si tërësi lirike, si  përshpirtje kristiane, si një poetizim në kapërcyell ndërmjet kohës-ëndrrës-kujtesës, por edhe si këngë dashurie.

Nostalgjia si një ndjesi e painterpretueshme për kohën që nuk kthehet, si provokacion e sensualitet, rikthimi i fëmijërisë si pikë takimi me moshën e epërme, dashuria e idealizuar, pastaj natyra si vend, ku njeriu rikthehet në paqe për të mos dëgjuar zërin e njeriut, por veç thirrjen e zotit, trupëzohen në poezitë e “Shën Shiut”.

Të poetizosh është të dëgjosh zërin e brendshëm, ndërsa të lexosh poezi është të marrësh diçka që gjithmonë ka qenë e jona e që  pret vetëm të rizgjohet, të mirëpritet, të ushqehet me ndjenja që të shndërrohet në trashëgimi.

Nga Londo e marrim atë çka na përket

Poezia e Londos përfaqëson gjithë këto e në të njëjtën kohë shumë më tepër sipas metabolizmit të lexuesit të tij. Poezia e tij paraqitet pabesueshmërisht si e tillë, pabesueshmërisht e bukur.  Në këtë mes të jetës Londo pas Itakës ka rigjetur Jezusin që në rini duket i panevojshëm, madje qe i ndaluar e i tallur me fuqinë e të cilit ka konvertuar së paku Itakën e tij, duke e veshur letërsinë që ka bërë me mantelin e identitetit europian.   Ndërkohë me një gotëz në dorë, i qetë pret të dëgjojë brohoritjen e turmës poshtë ballkonit të Ponc Pilatit, i përgatitur për kurorën me ferra dhe falë kësaj vetëdije antike, ai mbetet modern.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…