Skip to main content

Tetova News

Harold Bloom Nobeli: çmim për idiotë!


Harold Bloom, kritik letrar amerikan, rrëfen për erudicionin e tij, për autorët që i do dhe për ata që i urren, për Nobelin


Alessandra Farkas

Harold Bloom

“Një vit më parë jam rrëzuar dhe i kam thyer të gjitha vertebrat e shpinës. Doktorët më patën quajtur të vdekur, ama ja ku jam”. Sytë e çeltë - të ndryshueshëm të Harold Bloomit janë dëng me trishtim të përzier me turp derisa mundohet ta justifikojë atë bastun, tashmë të pandashëm, me të cilin mbahet për t’i duruar barrën e viteve dhe angaritë e një fiziku që s’do t’ia dijë në ndjekjen e ritmeve ende frenetike të mendjes së tij të jashtëzakonshme.
“Ajo që sot më dhemb më së shumti është se s’mund të udhëtoj më”, shpjegon autori i kanunit perëndimor, “Ankthi i ndikimit” dhe i 30 librave të tjerë që e kanë revolucionarizuar historinë e kritikës letrare botërore. “Kam çuar një jetë të hallakatur, duke pirë, duke tymosur cigare dhe duke lënë anash ushtrimet fizike”.
Enciklopeditë e përshkruajnë si “kritiku amerikan me më influencë”. “Pishtari i kulturës perëndimore” që në epokën e internetit merr mundimin të shkruajë me penë stilografike “ngase – shpjegon ai – një dridhje e moçme në duar më pengon ta përdor tastierën. Mirëpo, mendja ime është më e zgjuar se kurrë, falë gjeneve. Prindërit e mi ishin hebrenj shumë të varfër gjysmanalfabet, me prejardhje nga shtetet e Evropës Lindore. Megjithatë kam pasur të parëlindur studiues të Talmudit: një disiplinë që kërkon një kujtesë të hatashme”.
M. H. Abrams, studiuesi i njohur i romantizmit, mentor i tij, e përcaktoi: “Studenti më i talentuar që kam pasur ndonjëherë” dhe “i vetmi i zoti ta lexojë një libër me të njëjtën shpejtësi si atëherë kur e shfleton. Kultura e tij është enciklopedike”.
“Kam preferuar gjuhën origjinale në vend të përkthimeve. Lexoj në greqisht dhe hebraisht – antike dhe moderne – latinisht, yiddish, anglisht, frëngjisht, spanjollisht, gjermanisht, portugalisht dhe italisht…”, thotë Bloom.
Italia, për të, mbetet njëri nga djepat letrarë më të gjallë. “Jo vetëm Dante, Petrarca e Bocaccio – shpjegon - po edhe Manzoni, njëri nga romancierët më të mëdhenj në botë. Pirandello, më inovativ se Çehovi e Beceketti. Campana, që mund të bëhej Whitmani italian po të mos kishte vdekur aq i ri. Pastaj shumë i madhi Leopardi, një poet në nivelin e Keatsit, Shelleyt dhe Wordworthit, të cilin e kam futur në librin tim të ri Living Labyrinth. Literature and influence”.
Po të kthehej mbrapa, Bloomi s’do ta përpilonte më listën famëkeqe. “E urrej dhe s’ka arsye të jetë. Efekti i saj i vetëm ka qenë se e ka rritur numrin të njerëzve të pagdhendur që e lexojnë listën por jo librin. Ashtu siç, nga ana tjetër, bëjnë përherë kritikët letrarë”. Bloom është bërë një ikonë letrare. “Më mbysin me telefonata dhe email-e. Më konsiderojnë farin e tyre, më lusin të zbres përsëri në fushë. Po unë jam i lodhur. I kam harxhuar të gjitha betejat e mia e atë që duhej ta thosha e kam thënë: nëse një punim nuk përmban shkëlqim estetik, forcë njohëse dhe origjinalitet autentik, nuk ia vlen ta lexosh. Letërsia është një epifani individuale dhe s’duhet të ketë asnjë valencë shpërblese socio-politike. Ky afrim estetik te letërsia më ka shndërruar në një paria (njeri i kastës së ulët) në të dy anët e Atlantikut. U kam shpallur luftë tezave feministe, marksiste e post-strukturaliste që prej vitesh kacafyten nëpër universitete, jo vetëm në Amerikë... Autorët e mi të preferuar mbeten Dante, Shakespeare, Servantesi, Faulkneri, Homeri, Prousti dhe Wildi, sepse zgjerojnë vetëdijen tonë pa e deformuar. Dhe prekin individin, pa mëtime për ta ndryshuar botën”.
Kryqëzatat e tij anti-Nobel janë bukur të njohura. “Ja kanë dhënë çdo idioti të kategorisë së pestë – qahet – Doris Lessing-ut që ka shkruar një libër të vetëm, dyzet vite më parë, Le Clecio-s që është i palexueshëm, Dario Fo-së, që është thjesht qesharak. Nobelët e merituar? Harold Pinter, një zë autentik, edhe pse dishepull i Beckett-it”.
Ndër bashkëkohorët urren J. K. Rowling-un, Stephen King-un dhe Adrienne Rich-in, ndërsa e do Cormac McCarthy-n (Meridian gjaku, është një libër i jashtëzakonshëm), Philip Roth-in, Thomas Pynchon-in dhe Don DeLillo-n.
Tepër i ashpër? “Kritika letrare s’mund të jetë impersonale. Për dallim nga T. S. Elioti, mendoj se duhet të jetë personale, e pasionuar dhe e thellë. Po të socializohesh me autorët që i recensionon është gabim. Më mirë t’i njohësh nga veprat e tyre. Nëse nuk flasim ne keq për të vdekurit, kush do ta bëjë?”.
Mes adhuruesve, Bloom përmend edhe Papa Wojtyla-n. “Miqtë e përbashkët më patën thënë se i kishte lexuar dhe çmuar të gjitha librat e mi dhe se do të më takonte po të shkoja në Romë. Pata refuzuar”. Shkaku nuk ishte i natyrës personale. “Krishterimi është sinonim i antisemitizmit, siç e dëshmojnë të gjitha tekstet çelës të Testamentit të Ri, duke u nisur nga Ungjilli i Gjonit”.
Raporti i tij me Zotin? “Nuk mund ta kuptoj një Zot të fuqishëm dhe të gjithëdijshëm që ta ketë lejuar Aushvitzin dhe skizofreninë”, thotë Bloom, djali i parë i të cilit është i prekur nga një formë e rëndë skizofrenie që nga lindja.

“The Time”, 2009 

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…