Skip to main content

Tetova News

Njëqind trëndafila të ngrirë


Tregim nga ROLAND GJOZA

ROLAND GJOZA

Ajo ishte siç e donte ai. E gjatë, e mishtorme, e qeshur, këpuste broçkulla. I pëlqente deti.
Të jepej me gjithë shpirt. E ndieje nën vete si një balenë, rrëqethej e fërgëllonte, shqip
tonte fjalë të pista, ta merrte mendjen e ta bënte dru. Me të të rrinte dru.
Më lutej, qante si një fëmijë, më kërkonte diçka që s’bëhej. Kishte qenë lojtari im. 7-ta e
famshme, që bënte gola të mrekullueshëm nga kornia. Shkëlqeu me Panathinaikosin një sezon.
Pastaj ndodhi tragjedia, ose më mirë prototragjedia.
Ka ulur kokën, ka mbuluar fytyrën me duar, qan pa zë. Ai bie shpesh në dëshpërim. Krizat e
tij janë të shpeshta. Më tregon paratë. Bëje për mua, më lutet. Ti më fyen, i them. Edhe pse je
katandisur në këtë gjendje, ti je prapë ylli im. S’më duhet, pëshpërit me pakënaqësi, më ndihmo,
të lutem, më ndihmo.
Kërkonte ta xhiroja në një skenë intime me një modele. Në pishinë. Jepte një shuk me para,
një gol të UEFA - s nga kornia. I gjori, kërcëllinte dhëmbët nga zhgënjimi.
Çudi, si kishte ndodhur aq shpejt. Po shpejtonte të blinte një tortë me luleshtrydhe për bukuroshkën
e tij që e priste në motel në rrugën Aristofani.Vetëm ajo e kënaqte. Ishte krijuar enkas
për të. Tani ishte zhveshur, kishte bërë dush, e mbështjellë me peshqir, me flokë të lagura që i
varen poshtë krela-krela, shkel rëndë-rëndë në dyshemenë prej pishe që kërcet dhe flet kot për
gjëra që s’kane lidhje dhe shkulet së qeshuri.
Ai e merr tortën e madhe me luleshtrydhe dhe njëqind trëndafilë të ngrirë, e fut në bagazh
dhe niset me shpejtësi të bjerë në krahët e saj. I rri dru. O zot, ç’është kjo femër që më tundon dhe
në gjumë? E vendosi, nuk mund të takohej me të fshehtas nëpër motele, siç takohej rëndom me
kurvat, donte ta kishte pranë, fare pranë, se kështu nuk po duronte dot më. Në një tregtizë
mondane bleu unazën prej platini me diamant. Më në fund! Të dilte ku të dilte. Zoti qoftë me
dashnorët. Unazën do t’ia vinte te pjata e tortës. Bleu qirinj dylli natyral, se ajo vdiste për qirinj.
Një parfum të shtrenjtë, më të shtrenjtin. Iu dukën pak. Ç’t’i blinte tjetër?
BM-së së tij i kërcitnin skapamentot, aq me shpejtësi po shkonte drejt saj. Ah, akulloret,
akulloret me vanilje, ajo linte mendjen për akulloret me shkop që i lëpinte e i kafshonte me të
qeshura e fjalë pa kuptim. Një tronditje e tmerrshme dhe humbi ndjenjat. Aksident i rëndë në
mes të Athinës. Qëndroi në spital dy muaj. Tani qan në karrocën e paraplegjikut, qan me dënesë,
sepse e do atë kuçkën me një dashuri prej të marri.
Ajo e ka lëne, se atij nuk i punon më. Nuk është për asgjë. Ia ka thënë në telefon. Ajo është
bërë më e mirë, pasi ia prishi gjithë paratë e Panathinaikosit dhe lindi një vajzë me të, për dreq
është bërë më e mire. Shkon me të tjerë, bën jetën e vet. Po ai ka një të metë, se në pjesën më të
madhe të kohës e mban veten 7-ta i dikurshëm, që bënte gola të famshëm nga kornia.
Për atë bukuroshe gati sa nuk përfundoi në burg. Vodhi paratë e shoqatës së paraplegjikëve,
se i kishin thënë që në Danimarkë të bënin një operacion në kolonë për atë punë. Ajo dreqkë i
kishte thënë në telefon, se po të qëndroi përpjetë, eja, po t’u var poshtë, puthu me Milon.
Më në fund e xhirova në pishinë duke u puthur me një modele shumë të bukur dhe lashë të
kuptohej se po bënin dhe seks. S’ka më tmerr kur bie. Ai kishte rënë.
E harrova yllin tim paraplegjik. Kisha shumë punë në atë kohë. I bija Shqipërisë kryq e tërthor.
Dy herë qeshë në Itali dhe Greqi për të xhiruar filma dokumentarë për emigrantët. Ç’t’iu them; ai
shtynte me duar karrocën nëpër sheshin Omonia. Ishte ligur e tretur, hante sanduiç, i përlyer me
lyrë. I fola. E ftova në kafe. Ç’kemi miku im? Jam i lumtur, tha, ajo do të vijë të më marrë. Kësaj
rradhe më kanë ndihmuar paraplegjikët grekë. Më nxorrën paratë e udhëtimit. Kur do të vijë? E
pres që në mëngjes.Të kujtohet ajo unaza prej platini me diamant? Si s’më kujtohet. Do t’ia jap
sot.Kur të vijë për të më marrë,te ajo tregtiza atje do t’i marr dhe tortën me luleshtrydhe e njëqind
trëndafilë të ngrirë. Ajo vdes për tortat e ngrira. Nuk e di pse m’u duk gati e pabesueshme kjo gjë.
Ai i lajthitur vazhdonte ta mbante veten për 7 -tën e famshëm të Panathinaikosit.
Ç’bën ajo miku im? e pyes duke e parë drejt në sy. Nuk i ka ecur. Grave të bukura nuk u ecën.
Të dy mashtrues. I treti, një grek i krimbur me para, një garderobë e vjetër e 40 - tës, i qëlloi
homo, e la ajo. Bën punë nëpër motele. Sonte do të më marrë në dhomën e saj, unazën në gisht
dhe pastaj na pret kisha. Ajo vdes për kishat. Bëri punë ai filmi? e pyes.
E hëngri. Pas filmit më bëri telefon dhe më shau. Kujt ia hedh ti ato, më tha. Lidhe me një hu
si ato që u venë pemëve për të qëndruar drejt. Flet broçkulla. Ku e keni lënë të takoheni? Këtu te
Omonia, te ky vend afërsisht, rri atje, më tha, ku shiten gazetat shqiptare.
U ndava me të pasi i dhashë darkë. Qofsh me fat miku im. Ika. Pas tri ditësh u ktheva përsëri
atje. E gjeta në po atë vend. Më të ligur dhe më të tretur. Zhul,i krimbur në pisllëk.
Ç’kemi? U takuat? Jo,ajo nuk më beson, më duket. Të thashë që e rregullova me paraplegjikët
rumunë, ata bënin një gjilpërë në kolonë dhe e kishin dru për dy orë e ca. Ia kaluam mirë
atje. Kam marrë me vete një kuti me shiringa dhe nja njëzetë flakone me ilaç. Po nuk po duket,
nganjëherë më shkon mendja për keq. Çfarë përshembull? T’i gjej atë mut shtëpie ku e ka, t’i bëj
zë dhe t’ia tregoj, pasi të kem bërë gjilpërën. Këto gjëra asaj i pëlqejnë. E di unë, ajo vdes për
budallallëqe, po nuk e bëj dot, se jam i njohur, kam luajtur me Panathinaikosin, kështu ul prestigjin
e skuadrës sime të dashur. Torta ka tri ditë në frigorifer. Vdes për tortë. Për unazën nuk i
kam thënë asgjë. Dua t’ia bëj surprizë. Mbuloi fytyrën me duar dhe qau.Nuk kisha parë njeri më
fatkeq.E ke numrin e saj të telefonit? Si se kam, po ajo s’përgjigjet, lërë mesazh, thotë. Të bëj një
provë. Ia mora numrin dhe u futa në hotelin tim, Marriot me pesë yje. Më ndihmo, i thashë një
maxhordomi,nga ata që shoqëronin miliarderët dhe u gjenin taksi, me të cilin pija nganjëherë
uiski, merre këtë numur dhe ofroi punë. Gjithçka u rregullua për një gjysmë ore. Ajo erdhi në
mbrëmje. Ishte vërtet një balenë e bukur me seks të bujshëm, po e telekosur, e vrarë nga jeta.
Ecte pak si e çaplyer. Ai vërtet i ofroi punë, që ajo e pranoi me kënaqësi, duke bubulluar me një
të qeshur pa cipë. I dhamë të pinte dhe ia mbushëm mendjen ta merrte në shtëpi Panathinaikosin.
Atë të marrin, kam kohë unë të shtyjë karron e tij? Atë s’e ke për asgjë. Sa e ke një natë, e pyeta.
Varet, me ju pershembull 2000, po meqenëse më gjetët goxha punë...Lëre, sa do t’i merrje atij?
1000. Ia numurova në dorë. Ajo pranoi. Ai sa nuk luajti nga trutë kur e pa, ajo u përkul dhe e
puthi në buzë. A nuk është gruaja më e bukur në botë, të thashë që do të vinte? I përcolla. Kur u
ktheva, ndalova në një bar të vogël dhe piva, piva për mikun tim, për yllin tim të fikur. E ç’është
jeta? Një përqeshje, një tallje. Eh,sa dhimbje kishte Athina atë natë.
E dija që të nesërmen do ta shikoja përsëri në sheshin Omonia duke pritur. Nuk më bënin
këmbët të shkoja atje. Ai do të ishte tejet i dëshpëruar. Do ta kishte kuptuar më në fund se c’punë
bënte ajo.
Ai ma bëri me dorë nga larg. Ç’kemi? Kaluam një natë të mrekullueshme. Ia vura unazën në
gisht,ndezëm qirinjtë me dyll natyral dhe hëngrëm tortën. S’ka si ajo! Si ishte Panathinaikosi në
shtrat? e pyeta duke e ngacmuar. S’dolën gjë ato gjilpërat. Më lanë në baltë. Po ajo u soll mirë
me mua. Sidomos ajo torta me luleshtrydhe dhe trëndafilë të ngrirë e kënaqi pa masë.
Ai s’kishte kuptuar asgjë.

Nju jork, 2012

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…