Skip to main content

Tetova News

“TIPARET INDIVIDUALE TË STUDIUESIT YMER ÇIRAKU DHE KOHERENCA E BOTËVËSHTRIMIT TË TIJ” (Shkëputur nga libri studimor “Fjalë zemre – studim letrar për krijuesit e Sarandës” 2012)

MINELLA GJONI (Mësues i Merituar)



Mbi krijimtarinë studimore të Prof. Ymer Çirakut


Prof. Dr. Ymer Çiraku është një studiues sistematik i letërsisë
shqipe dhe i krijimtarisë së poetëve që kanë lënë gjurmë në
letërsinë tonë në vite e deri tek brezat e rinj. Ky rrugëtim studimor
ka nisur në Sarandë.
Prof. Çiraku jo vetëm rendit, por mundohet të kapë filozofinë
e kësaj krijimtarie në vite. Vërej se ai e ka mirë parasysh thënien:
“Mos shikoni atë që lexoni, por atë që kuptoni nga ajo që keni
lexuar”. Pikërisht duke u mbështetur në këtë filozofi, futet thellë
në studimin e çdo krijuesi, duke u përpjekur të depërtojë deri në
amën e ngjizjes së krijimit dhe nënshtresëzimeve kuptimore.
Bota është e handakosur dhe e mpakur. Ka në të personalitete
të famshëm, të shquar që i kanë ngritur vetes piedestal. Ka
dhe histori të dukur në muzeume madhështore para të cilëve të
gjithë përulen, por këta persona të shquar e këto muzeume
shërbejnë vetëm për të shenjtëruar botën ashtu siç është e ashtu
siç duket.
Ne jetojmë në epokën e përmbysjes rrënjësore të mënyrës
së vjetër të jetesës, në epokën kur te njeriu po ngjallet ndjenja e
dinjitetit të tij personal, në kohën kur ai po bëhet i ndërgjegjshëm
dhe po e kupton veten e tij si një forcë që e ndryshon me të vërtetë
botën. Këtë ka mundur ta zbulojë studiuesi Ymer Çiraku në veprat
e veta sidomos kur u referohet vrulleve e talenteve letrare. Duket
sikur parafytyrohet vera që zien, që e nxjerr përpjetë tapën dhe
madje e çan vetë shishen.
Ai hedh idenë: “Fusha e shkencës letrare ka ardhur koha të
bëhet më polifonike, kërkohen studime historiko- letrare, të
teorisë së letërsisë, kritikës universitare në kuptimin e
pikësynimit për shqyrtime sistematike, me modele etj.. Ka
gjithashtu vendin e vet dhe eseja që kanë filluar ta lëvrojnë vitet
e fundit sidomos shkrimtarët, duke shmangur dhe ndonjë
paragjykim për të”.

Këndvështrim avangardist i kritikës së Prof. Çirakut në evidentimin e individualiteteve
krijues të letrave shqipe

Studimet e Ymer Çirakut nuk janë përsëritje e askujt. Ato
janë gjykime individuale të një njeriu me një shtrirje të gjerë
mendimi, të një eruditi, sidomos një njohës i mirë i letërsisë
shqipe në shoqërim të historisë së saj. E ka parë krijimtarinë e
secilit në kohën që kanë shkruar e për kohën që kanë shkruar.
De Radës i ka dhënë vendin e rolin e vet të kohës, por Martin
Camajn e ka parë në kohë të reja e moderne, i ndikuar nga rrymat
aktuale të letërsisë botërore.
Sa të vështirë e kanë studiuesit e letërsisë, kur merren
seriozisht me të e shpreh bukur kritiku Adriatik Kallulli:
“Ata të paktë kolegë që janë marrë për vite dhe vite radhazi
me studimet për letërsinë dhe kritikën letrare, e dinë fort mirë
se ç’vështirësi përbën hartimi i një përmbledhjeje, ku të treten
bashkarisht edhe tiparet individuale të një kritiku, edhe
koherenca e botëvështrimit të tij, edhe evolucioni i natyrshëm
që ai duhet të përftojë në pajtim me rrethanat dhe ndryshimet
që ndodhin në mbarë jetën e shoqërisë”. (Adriatik Kallulli “Pema
e jetës” bot. OMSCA 2002, fq. 3)
Vetë Prof. Çiraku shprehet: “Çdo letërsi e vërtetë, në rrugën
e vet, mbartet me misionin e palëkundur për të fituar betejën
me letrarësinë, pra të bëjë të mundur për t’u identifikuar e
hirësuar në të”.
Studimin letrar Prof. Çiraku e ka ngritur në shkallët e kohës,
duke iu larguar disi kritikës tradicionale. Kap fenomene që i japin
shtysë shoqërisë. Nuk është një numërim faktesh, veprash a
ngjarjesh, por hyn thellë në të duke gjetur thelbin e mendimit,
figurën e goditur. Nuk është thjesht një konstatues, por një filozof
mendimi duke e qëmtuar atë, aty ku gjendet në veprat letrare.
Thotë: “Përsa i përket interpretimit të modernizuar, kjo prirje
është ndjerë sidomos në shqyrtimin e letërsisë moderne të shek.
XX... . Emërtimi konvencional “letërsi moderne” është
prezantuar kryesisht me të kuptuarit e një letërsie që i ka
përpunuar në shkallë të lartë nivelet e ligjërimit”.
Penave më të rëndësishme të letërsisë shqipe u ka zbërthyer
kodet letrare, i analizon e jep opinione për ta. E quan Martin
Camajn qytetar presticioz të “republikës së letrave”; Lumo Skëndon
“personalitet të autoritetshëm”, tek i cili mishërohej eruditi i madh
i kohës, publicisti dhe botuesi ekzigjent, përcjellësi i traditës së
Kristoforidhit e Frashërllinjve, përkthyesi dhe analisti; Konicën
“është i pari që zgjodhi modelin kritik përkundrejt modelit mitik”.
Për Poradecin thekson: “Gjithë vjersha i ngjan një kumbimi
simfonik, të kthjellët e paksa të ngadalshëm si në simfonitë
Bethoviane. Është pothuajse një psherëtimë e thellë njerëzore si e
dalë nga zemra e dheut, përshtypje që e krijon jo vetëm fabula e
pasqyruar, por edhe një varg tingujsh e pjesëzash gjuhësore që
transmetojnë këtë gjendje”.
Mund të vazhdonim kështu për shumë figura. Qëllimi i
theksimit të këtyre sekuencave nga unë është të argumentoj se
Prof. Ymer Çiraku është një përcaktues i saktë, i qartë, me
mendim të përzgjedhur për këto figura, pak i kursyer në fjalë,
por ato të japin imazhin e plotë të këtyre personaliteteve të
pangatërrueshëm të letrave shqipe edhe sikur më tej të mos ta
vazhdosh mendimin.
Gëtja thotë tek një poezi e tij “Zotat kur u zgjova nuk m’i
kishin marrë të gjitha” (Gëte “Vepra të zgjedhura” vëll 4 fq. 178
Tiranë 1998).
Edhe pse të cfilitur nga kohët, vendi ka nxjerrë një varg
shkrimtarësh të shquar që na kanë lënë në fondin e letrave shqipe
vepra në thelb të qëndrueshme, me individualitet artistik dhe
me të vërteta të rëndësishme, të cilat herë - herë janë thënë açik
e herë të tjera në guackën e figuracionit e të gjuhës ezopike.
“Asgjë nuk duhet mbytur e mospërfillur”, - thotë studiuesi
Zejnullah Rahmani, ndërsa Sabri Hamiti argumenton se “vetëdija
letrare mund të përcaktohet nga studimi i gjithë korpusit krijues
të shkrimtarit, domethënë dhe nga ajo që është botuar dhe nga
ajo që ka qenë “djepi dhe vorri i tij”. Dhe studiuesi Ymer Çiraku
përpiqet që të jetë gjithëpërfshirës.

Letërsia arbëreshe e jo vetëm, në optikën e studiuesit Ymer Çiraku

Studiuesi i vëmendshëm Prof. Çiraku nuk ka lënë jashtë
gjykimit një epokë letrare më në zë të historisë së letërsisë
shqiptare, atë arbëreshe. Është ndalur në disa veçori të
romantizmit në veprën e De Radës apo krijimtarisë së Lluka
Perone në kontekstin e poezisë arbëreshe, por dhe në rolin e
letërsisë arbëreshe sipas Çabej.
“Që nga brigjet e përtej detit për katër shekuj me radhë u
sollën nga kjo anë zëra të përmallur arbëreshë, të patërhequr e
plot drama. Të rihyje përsëri në këto vise qoftë edhe shpirtërisht,
qenkej tepër më e vështirë se ikja”, - shprehet Prof Çiraku. I
pëlqen të citojë vetë Çabejin kur shprehet: “... paraqesin një pjesë
të botës ballkanike m’u në mes të jetës latine... kjo është vatra
shqiptare... jeta e përditshme nëpër fusha e ara, nëpër bregore
e vreshta me skenat idilike ndanë krojit”.
Prof Çiraku dallon e thekson se “poezia arbëreshe në rrafsh
diakronik paraqitet si fragment i njësisë së universit të letërsisë
shqipe, por në disa aspekte shfaqet edhe si univers më vete,
specifik. Kjo poezi, përveç shpërthimit të natyrshëm talenti, është
dashur të jetë dhe mjet qëndrese në aspektin gjuhësor e kulturor.
Poezia mund të pohohet se ka qenë ai balsam e përkryer që e ka
penguar humbjen e kujtesës etno - kulturore të shumë e shumë
ngulimeve arbëreshe.
Më ka mbajtur peng për disa minuta gjykimi i prof. Çirakut
me studimin “Letërsia greke në shqip- urë komunikimi”. Është
një letërsi e fqinjit tonë, me të cilin na kanë lidhur fatet e historisë
ballkanike, por dhe në ndonjë rast na kanë larguar nacionalizmat
e shëmtuara. “Gjithsesi, - siç shprehet Prof. Çiraku, - ky fat
historik ka kultivuar mjaft elemente të përbashkët nga kultura
materiale e shpirtërore, aq sa shpesh ka qenë e vështirë të
shkoklaviten protoorigjinat e shtegtimeve dhe qarkullimeve
kulturore që gati ngjajnë si lëvizje të përjetshme në hapësirat e
galaktikës ballkanike”.
Vetë e pranon Prof. Çiraku se në letërsi nuk janë distancat
gjeografike që përcaktojnë afritë apo largësitë, por ca shenja të
tjera që globalisht përfshihen në regjistrin estetik... madje këtej
u përcoll që në kohërat antike prania e kulturës gravitacionale
për tërë njerëzimin. “Ballkani nuk ishte thjesht një rrugë kalimi,
por një mitër veprash të reja epokale, që vazhduan dhe më pas
të krijohen”.

Një jetë mes studimesh

Prof. Ymer Çirakut i shkoi jeta mes studimesh me vlera
kombëtare e më gjerë. Pena e Profesorit të nderuar ka shndritur
herët duke rrezatuar në breza të tërë studentësh dashurinë për
letërsinë shqipe e rrjedhimisht për kombin shqiptar. Ka studiuar
shumë vepra e epoka. Për secilin ka dhënë mendimin e vet
shkencor e profesional. Me studimet e tij po le gjurmë në histonë
e letërsisë shqipe. Ato janë bërë pjesë e ndërgjegjësimit të
studentëve dhe të të gjithë atyre që merren me letërsinë. Mes
tyre do të veçoja monografitë “Bota poetike e Martin Camajt”,
“Struktura e një krijimtarie letrare (Monografi mbi dramën e Kol
Jakovës”, “Në zbërthim të kodeve letrare”, “Gjurmime në letërsinë
shqiptare” japin modelin artistik e estetik se si duhet realizuar
një studim serioz me një metodikë shkencore duke u futur deri
në detaj të krijimit e synimit të vetë figurave që analizon.
Prezantimet e tij në konferenca, në simpoziume, në
promovime vlerash brenda kombit e në ato ndërkombëtare e ka
bërë atë një personalitet, akademik, ku pa frikë i referohesh
kompetencës së tij.

Prof. Ymer Çiraku ka shkruar këta libra:
1. Në zbërthim të kodeve letrare (studime, ese)
2. Struktura e një krijimtarie letrare (Monografi mbi dramën
e K. Jakovës) (studim)
3. Bota poetike e Martin Camajt (studim)
4. Gjurmime në letërsinë shqiptare (studim)
5. Letërsia bashkëkohore shqiptare (bashkëautorë: Ymer
Çiraku, Agim Vinca, Bashkim Kuçuku, Natasha Lushaj)
Teksti zyrtar i Letërsisë për shkollat e mesme.
6. Shqyrtime kritike nga Historia e letërsisë shqipe etj. dhe
një numër të konsiderueshëm librash studimorë me
bashkautorë, apo autor i shumë teksteve shkollore të
niveleve të ndryshme.


Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…