Skip to main content

Tetova News

Gallatë shkrimtarësh të famshëm

Nga Kostaq Xoxa




Shumë autorë kanë humbur një pjesë të kohës për t’u marrë me tuhafllëqet e
shkrimtarëve italianë e francezë. Përfshihen ndër këta edhe shkrimtari i njohur
Gabriele D’Anuncio me atë veprën “La “Recherche” (Hulumtim) , në këtë rast për
spitullaqët . Por edhe të tjerë janë marrë me paragjykime letrarësh.
Për kohën e lirë, le të paraqesim për kureshtarët shqiptarë një pjesë të qyfyreve.
Disa nga ata që përgojohen nga gjurmuesit e spitullaqëve janë me emër në
letërsinë italiane dhe franceze. Shpesh disa nga gallatat e mbledhura janë edhe
paksa të tepruara. Por dihet, ama, se shumë shkrimtarë janë talente të vërteta
por edhe tuhafë, qyfyret e të cilëve mbulohen nga talenti. Lexuesi ka të drejtë të
mos i besojë 100 % ato që do të lexojë në këtë shkrim. Le t’i gjykojë vetë.
Marsel Proust (Prusti) dhe Xhejms Joyce (Xhojsi), pas një ftese që kishin pasur
për një takim mondan, u bashkuan në hotel “Ritz” të Parisit. Mezi shkëmbyen disa
fjalë. Francezi, që duket se nuk e kishte lexuar “Ulisin” , nuk e kishte hequr peliçen
gjatë gjithë mbrëmjes. Irlandezi, që s’ishte mësuar në ambiente aristokratike,
kishte vajtur pa ‘smoking’. Hipën në të njëjtën taksì, për t’u kthyer në hotel. Zhojsi
hapi dritaren e makinës, se nuk iu durua pa e ndezur cigaren. Për një asmatik si
Prusti, ishte më keq se t’i ngulej një thikë brinjëve...
Grouço Marks, për të lënë një përfytyrim më të pëlqyeshëm në një darkë me
T.S.Eliot-in, vajti i përgatitur: kishte lexuar dy herë “Tokën e shkretuar”. Por
muhabeti mori udhën e të folurit për maçokët e për cigaret...
Tuhafllëqe, antipatira, huqe e teka, kërshërí, trille e grindavecllëqe ndërmjet
letrarëve italianë dhe francezë mbushin faqet e “Entre Nous” (Ndërmjet nesh), që
përmban edhe një tekst të Alen Elkanit, me titullin “Kujtime të një italiani në Paris”.
Duke qëmtuar letra, kujtime dhe dëshmi, Daria Galateria tregon për një
shekull takimesh e tubimesh, mondane ose private, nëpër tavolinat e bareve,
në papafingot apo në shtëpitë botuese. E fillon këtë përmbledhje tiparesh të
jashtme të njerëzve të letrave, në vitin 1900, me Ardengo Soffici (Sófiçin), në
takim me Romen Rolland (Rolanin); nuk ranë dakord në asgjë prej gjëje!
Vepra vijon me Bernard-Henri Lévy (Leví) me Leonardo Sciascia (Sháshian). Tërë
natën folën në restorantin ‘Savini’ të Milanos për vrasjen e Aldo Moros dhe për
psikologjinë e brigatistëve. – “Po të vihej në tavolinë një diktofon, do të mund të
mblidhej lëndë sa për një roman të tërë”,- bën një koment folozófi, me njëfarë
keqardhje.
Lista e emrave është tepër e gjatë. Aty gjejnë vend shkrimtarë tepër të ngjashëm
me librat e tyre, si Koleta e “Chérie-së” (E dashur) dhe me serinë që në atë kohë
u quajt si skandaloze e që kishte për protagoniste Klodinën. Në Romë, me një
mikeshë që luante në një film, qëndronte në dhomë me pallton e madhe veshur,
lakmonte djemtë e rinj dhe i boshatiste kasapët duke kërkuar mushkërí për
maçokët.
Margarita Yourcenar (Jursënar) iu duk Paolo Milanos si e pajisur më një “intelekt
mashkullor”. Tema më e pëlqyeshme për Margaritën, gjatë bisedë, ishte urrejtja.
Ky mllef, sipas autores së “Kujtimeve të Adrianit”, është njëri nga lidhjet më të
qëndrueshme ndërmjet njerëzve”... Bashkëbiseduesi e quajti këtë shprehje si
paradoksale.
Shkrimtarë të tjerë thonë “bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë”.
Filip Tomas Marineti, armik i vezullimit të hënës, i erdhi vërdallë në góndola
vajzës së një pashai egjiptian. Mbase e bëri edhe qejflie makaronash, paçka se
himnizonte kuzhinën futuriste...
Prusti ishte fjalëpakë (Xhojsi, pra, nuk ishte një përjashtim), vishej si mos më keq
dhe Gabriele D’Anuncios iu duk si një mender-borgjez! Ndoshta për inatçillëk
(shkrimtarët përgjithësisht mbajnë mërí,- sipas Marioza Mankuzos), meqë
D’Anuncio kishte lexuar faqen që ironizonte veprimtarinë e Fiumes, që i digjte
paksà italianit: Ky episod është hequr nga botimi i fundit i “Recherche-s”.
“Entre nous”, pas Sallonit të librit ndërkombëtar në Paris (ku Berluskoni refuzoi
të merrte pjesë, edhe po ta lutnin, për shkak të shprehjeve fyese të ministres
franceze të kulturës, Taska.) dhe pas polemikave me “kush po na jepka mend”,
pa harruar edhe romuzet antifranceze të Paolo Kontes. Libri “Midis nesh”,
pra, - trajton njëqind vite admirimesh dhe paragjykimesh, nga të dyja palët.
Elsa Morante, në spital, pas aktit për vetëvrasje, përshkruhet Nga Zhan - Noél
Schifano (Skifanit), me të gjitha veçoritë e një melodrame.
Me kalimin e viteve zhduken tuhafët (ekscentrikët) e mëdhenj, por portretet
mbeten të gjalla, pa përjashtuar edhe disa thashetheme për ta. Mësojmë se Zhan
Giono paska patur një surrat prej zdrukthëtari, ndërsa Albert Camus (Kamysi)
ngjaka me një garazhist! Blaise Cendrars (Bléz Sandrarit) të shëmtuar, që kishte
humbur edhe krahun në luftë, ia paska gjetur nusen miku italian Riciotto Canudo
(Kanudo).
André Gide (Zhidi) e priti në shtëpi Indro Montaneli-n , publicistin e ardhshëm
antikomunist nga më të mëdhenjtë e Europës, me derën e hapur, një trëndafil
dhe një biletë: “Hyr, jam në banjo!”. Koprac gjer ku nuk mban më, shkrimtari francez
hante gjithmonë qyl nëpër restorante: paguanin vazhdimisht të tjerët...
Në shtëpinë e Zhan Cocteau (Koktósë) Ennio Flaiano u pengua me një djalosh që
rrinte ulur, në bisht. Mezi pati kohën ta shohë të ngrihej befasisht e të paraqitej
menjëherë e më shkathësí pranë tij, aktori tepër i njohur në filmat që patën fatin
të jepeshin te né gjatë asaj kohe që s’na vjen mirë t’i përmendim as emrin. Ishte
aktori Zhan Marais (Maré).

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…