Skip to main content

Tetova News

Kur puthemi të dy


Një tufë me poezi që shenjojnë sfidën e përkthimit, por edhe larminë e lirikave kushtuar gjendjes njerëzore si sharm estetik dhe model i larmive stilistikore. Himne të thellësive shpirtërore që dëshmojnë natyrizimin e gjuhës shqipe përballë perlave klasike të vjershërimit


Natë
(Poezia e shkruar në muajt e fundit para se të vdiste më 4 maj të vitit 1967)
Mitrush Kuteli

E çaj stuhinë porsi studi-
Për ju, për ju, o zogjtë e mij.
Nga helm i jetës, që jetën merr,
Ju nxjerr mjaltë dhe sheqer.

Kjo llamb’ e ndezur ndriçon gjer von,
Babaj i krrusur punon, punon.
Ju vriten sytë-kini durim,
Ja edhe pak, pastaj pushim.

Por ja, papritur, nëpër gëdhënj
Ze sharr’ e fjalës: moti u vrënj…
Fjalorët hapen: i zymti qiell
Dalëngadalë sërish u kthiell.

Kalojnë orët, s’dëgjohet zë-
Puno dhe më, puno dhe më,-
Më thotë shpirti. Dhe ja punoj,
Të fundit faqe po e mbaroj.

***

Lutje nën shtypjen e një ankthi të madh
ROBERT BËRNS

O Zot i madh, nuk kam fuqi
që të të njoh kush je,
po Veprën tënde, unë e di,
të dobët Ti e ke.

Krijesa jote është e mjerë
e frika e rrëmben,
përulur rri, dëgjon përherë,
urdhërin tënd suprem.

I plotfuqishëm, dorën mbaj,
inati kur të ndez,
e syt’ të lutem m’i përthaj,
ose m’i mbyll të vdes!

Në do të jem gjithnjë plot vrer,
qëllimit tënd t’i bindem,
forcoma shpirtin, mos ma merr
dhe mos më bëj të grindem!

“Nesër takohemi sërish”

Shqipëroi: Dhori Qiriazi

***

NUSJA
Bella Ahmadulina

Dhe dua të jem nuse
E bukur, kaçurrele,
Nën vello pak e turpshme
E brishtë – luledele.

Dhe duart të më dridhen
Unazave të ftohta
Tek ngren’ shëndet për çiftin,
Tek çoken, zbrazen gota


Tek shtyhen derës miqtë,
Secili me dhuratë,
Secili më ka idhull:
“Me trashëgim e fat!”


Këmisha sjellin, pjata,
Dandela si askurrë,
Më puthin gjith’ në faqe
Gjer hë për hë s’kam burrë


Me pika loti vere –
Fustani im i gjatë.
Rri ulur pas tryeze
E lumtur dhe e ngratë

Me frikë e ngasje rri
Ç’do vijë më pastaj.
Erdh’ koha, ja tani,
Nënoke, ti mos qaj.

… Ky princi im jep urdhër,
Në shtat më shtrin me sy,
Ç’më kap një frikë e bukur
Kur puthemi të dy.

Karriget po kërcasin
Pas murit… u qetua.
Tani diçka do ngjasë
Me ty edhe me mua?

Shqipëroi: Qazim Shemaj

***


ËNDRRA IME E ZAKONTË
Paul Verlaine

Shpesh natën më çudit një ëndërr, më sëmbon,
Një grua që s’e njoh, q’e dua dhe më do,
Që s’është kurdoher’ as fare gjithajo
As fare tjatër, dhe më do, më kupëton.

Më kupëton, dhe zemrën si kristal të kjartë
Ma di vetëm ajo, edhe ma zgjidh problemn’ e saj
Vetëm ajo; ballin e zbet’ e dirsur valë
Vetëm ajo ma alladit me lot’ e saj.

A ësht’ e zeshk’ a blonde ruse? Nukë e di!
Ç’i thonë? Emr’ i saj i ëmbël tingëllin
I dashur dhe syrgjyn prej jetës plot me zi.
Ka sy si të statujës, edhe zën’ e ka
Të larkmë dhe të qetë, plot me rëndësi
Dhe me lezet, si zë që s’bën më shamata.

Përktheu: Fan Noli

***

SHPIRTI MË DHEMB…
PAUL VERLAINE (1844-1896)

Shpirti më dhemb, më dhemb pa cak,
Ngaqë një femër u bë shkak.

Dhe ngushëllim nuk mund të gjej,
Ndonëse me shpirt kam ikur tej,

Ndonëse me shpirt, ndonëse me zemër,
Kam ikur larg nga ajo femër.

Dhe ngushëllim nuk mund të gjej,
Ndonëse me shpirt kam ikur tej.

Dhe zemra ime, kjo zem’r e vrarë
Shpirtit i thotë: – A ka të ngjarë

Të ikë njeriu vrik e përçart
Me zemrën copë dhe ballin lart?

I gjegjet shpirti: – Mos unë e di
Qysh na u ngrit ky kurth i zi,

Që, dhe pse na ndajnë largësitë,
Të jemi prapë me të përditë?


Përktheu: Romeo Çollaku


TRËNDAFILIT
RAINER MARIA RILKE (1875-1926) (nga vjershat frëngjisht)

Për ty nuk po flasim. Sepse je
vetiu diç që s’thuhet me gojë.
Plot lule e stolisin tryezën, porse
pamjen krejt ti e bën të ndryshojë.

Të vendosin diku në një saksi-,
dhe ndryshon papritmas çdo gjë:
është ndoshta po ajo fjali,
por e kënduar prej engjëlli tashmë.

Përktheu: Romeo Çollaku


FATALISTËT
KOSTAS VARNALIS (1883-1974)

Mes tymit poshtë në një gjellëtore,
nëpër të shara e shpoti,
nën klithma veglash muzikore,
po pinim dje si shoqëri,
dje, si gjithë mbrëmjeve të tjera,
të na mëlconte brengën vera.

Shtrënguar rrinim në tryezë,
pështynte një në dysheme,
ah, vuajtje s’paska më të zezë
se kjo e jetës, që s’ka fre!
Dhe në e vrafsh mendjen e shkretë,
një ditë të bardhë s’e gjen në jetë.

O diell, det i kaltëremë
dhe ti plangprishësi qiell blu,
e agut fashëz e verdhemë,
të muzgut karafila ju,
shkëndrini, shuheni matanë
dhe nuk i prekni shpirtrat tanë!

Babai njërit iu shndërrua
nga paraliza në lugat
dhe tjetrit ditëshkurtrën grua
e keqja po ia ha në shtrat;
djali i dikujt ka zënë qelinë,
dikush ka bijën në çmendinë.

- Fajin na ka e fatit rrota!
- Zoti i pashpirt, ai ka faj!
- Para së gjithash e ka gota!
- Dhe kjo rradakja jonë pastaj!
Faji askujt nuk i ka mbetur,
se nuk e kemi ende gjetur.

Kështu, mes territ në gjellëtore,
përmbi karrige biem shtrembër
dhe, gotën pa e ndarë prej dore,
si krimb gjithnjë na shkel çdo thembër;
pa zell, besim e pa kurajë,
presim ndonjë çudi të ngjajë.

Përktheu: Romeo Çollaku

Standard

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…