Skip to main content

Tetova News

“NUSE NË DERËN E HASMIT”, ME AUTOR PANDELI SIMSINË, PRURJE E RE NË LETËRSINË TONË


Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë


 
Nga e djathta: B.Xhama, P.Simsia e M.Gecaj



1.

Të  martën paradite, në sallën “Tefta Tashko”, të Ministrisë së  Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u organizua përurimi i romanit “Nuse në derën e hasmit”, me autor Pierre-Pandeli Simsia, banues familjarisht në Nju Jork. Kishin ardhur familjarë, kolegë e miq të autorit, shkrimtarë, poetë e publicistë, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj.

Tubimin e rastit e hapi Irena Toçi, drejtoreshë e SHB “Toena”, e cila foli shkurt për këtë botim të ri të autorit P.Simsia, në vazhdim të botimeve të mëparshme. Më konkretisht për këtë roman, foli redaktori i tij, shkrimtari Bardhyl Xhama-“Mësues i merituar”. Ai e përshkroi shkurtimisht subjektin, i cili rrëfen për një plagë të rëndë shoqërisë shqiptare, siç është gjakmarrja. Në vazhdimësi, rreth vlerave letrare të kësaj vepre, sidomos për gjuhën e pasur letrare,  u ndal shkrimtari tjetër, Gaqo Bushaka. Po kështu, e përshëndetën autorin për librin e tij, shkrimtari Fatos Kongoli dhe publicisti gjerman, Fritz Shulc.

Nga një shënim, në Internet, për përmbajtjen e këtij romani, lexojmë edhe këto radhë: “Në këtë libër do të gjeni grimca të jetës suaj: realitet, dashuri, sakrificë, dhimbje, por mbi të gjitha shpresë dhe njerëz, që dinë të falin. Ngjarjet janë të vendosura në dy realitete: Shqipëri dhe Amerikë, ku personazhet kryesore janë dy të rinj shqiptarë, që jetojnë në Amerikë dhe rastësisht takohen në vagonët e një treni dhe, falë bisedave të tyre, lindi një shkëndijë dashurie. Por romani nuk mbaron këtu. Personazhe dhe rrethana të tjera, shtjellimi i dukurisë së gjakmarrjes, i trajtuar me mjaft mjeshtëri nga autori, do ta mbajë pezull vëmendjen e lexuesit”.

Në mbyllje të kësaj veprimtarie të bukur dhe mbresëlënëse, si folësit e pjesëmarrësit, i falënderoi autori i romanit Panadeli Simsia, për të cilin një diskutant  tha se ky “erdhi dhëndërr në shtëpinë e tij”. Pastaj, të pranishmit bënë fotografi së bashku me atë dhe morën pjesë në një koktej të rastit.


Kopertinat e romanit të ri…






2.

Isha “njohur” me këtë autor të talentuar librash përmes Internetit. Ndërsa ai, me tipin e tij të njeriut dashamir, të respektueshëm dhe të afrueshëm me të tjerët, në verën e vitit të kaluar, më telefonoi nga Durrësi e më tregoi se kishte ardhur atje me familjen, nga Nju Jorku. Pa e zgjatur, ai u nis menjëherë me bashkëshorten dhe arritën në kryeqytet. Ishte një takim befasues e i mirëpritur për të dyja palët. Tashmë, ne u njohëm nga afër, ku në shoqëri me ne ishte edhe publicisti i njohur e autor i disa librave, Albert Zholi. Sigurisht, me atë rast, bëmë disa fotografi të përbashkëta, që i kemi kujtim, nga ai takim. Shënoj këtu se, kështu, u njoha më mirë dhe me jetën e krijimtarinë letrare të shqiptar-amerikanit Pierre-Pandeli Simsia. Sigurisht, përurimi i romanit, për të cilin folëm më lart, ku isha i pranishëm sot, e forcoi edhe më shumë lidhjen tonë, formuar ndërmjet krijuesish.


Pamje nga salla, ku u organizua përurimi




Pandeliu ka lindur në qytetin e Beratit, më 21 qershor 1960, nga një familje farmacistësh. Gjatë shkollimit të tij në vendlindje, i lindi dashuria për muzikën dhe më fort pasioni për letërsinë. Edhe pas diplomimit për ekonomi-financë, nuk u shkëput asnjëherë nga krijimtaria letrare e publicistike.  Pas vitit 1990, emigroi familjarisht në Greqi dhe që nga viti 1997 jetojnë në Nju Jork, fitues të llotarisë amerikane. Atje nisi bashkëpunimin me gazetën shqip-anglisht  “Illyria”, por dhe me shtypin në Shqipëri, si: “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Sot”, “Tema,”Dita” e “Tirana Observer”. Gjithashtu, bashkëpunon rregullisht me faqe të ndryshme Interneti.

Një pasion i veçantë i  P.Simsisë është krijmtaria letrare. Pas botimit të tij të parë, pra vëllimit me tregime "Le të jem unë, Zamira..." (Tiranë, 2005),  një vit më vonë doli para lexuesve me romanin interesant, "Një dashuri e vrarë"(Tiranë, 2006). Janë shkruar artikuj e janë dhënë mendime vlerësuese për të edhe nga lexues të ndryshëm, ndër të cilët janë shprehur, me shkrim: Afërdita Lika, studentët Arian Delia e Neritan Miftari, Gueset-Dragoti, Tatjana Strumi etj. Përmbajtja kryesore e tij është krimi tepër i shëmtuar i trafikimit të femrave shqiptare, një plagë e re dhe e hapur kjo, për shoqërinë tonë. Më tej, botoi librin me tregime “Kafeja”(Tiranë, 2010) dhe “Faleminderit!”(publicistikë). Me mjaft inters është monografia “Dr.Selahedin Velaj, legjenda vlonjate në Amerikë” (Tiranë, 2012), libër i cili u përurua dhe u vlerësua shumë, gjatë përurimit të tij, në korrikun e vitit të kaluar, në qytetin e Vlorës. Për krijimtarinë e tij është nderuar me disa çmime, në SHBA, si: “Pena e artë”, “Petro Marko” etj. Për këto merita, ai është zgjedhur sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë-Amerikanë.

…Përurimi i romanit të ri, të kolegut e mikut e, tashmë, shkrimtarit të afirmuar, Pierre-Pandeli Simsia dhe venja e tij në duart e lexuesve shqiptarë, është një arritje e re për të, por dhe prurje tjetër me vlerë, në fushën e letërsisë sonë. Me këtë rast, e përshëndesim dhe e urojmë nga zemra atë: për shëndet të mirë, krijimtari sa më të frytshme, begati dhe lumturi familjare!

Tiranë, 21 maj 2013

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…