Skip to main content

Tetova News

“SI TË SHKRUAJMË SHQIP”, NJË LIBËR I DOMOSDOSHËM PËR SHKOLLAT SHQIPTARE (Me autor, prof. dr. Gjovalin Shkurtaj-akad. as.)




Nga: Dr. Anila Kananaj,

në Qendrën e Studimeve Albanologjike-Tiranë




Gjuhëtarët shqiptarë nuk kanë rreshtur kurrë së shkruari e së foluri për mbrojtjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të kulturës shkrimore të saj, si një element përbashkues identifikues, i domosdoshëm për të gjithë shqiptarët, veçanërisht në këtë kohë të tranzicionit të kulturës shqiptare. Me këtë qëllim parësor bashkohet edhe libri “Si të shkruajmë shqip” (Baza të shkrimit akademik), i prof. dr. Gjovalin Shkurtaj –akad. as. Ai u përurua më 15 mars 2013, në një takim me studentët e Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, organizuar nga  Zyra e Karrierës së këtij Fakulteti, në kuadër të përgatitjes sa më të mirë të studentëve për një punë të suksesshme.

Ky libër, në fakt, vjen në këtë botim të përmirësuar, si rrjedhojë e kërkesave për të, pas tërheqjes së shpejtë të dy botimeve të mëparshme, më 2008 dhe 2012. Autori e ka “latuar e lëmuar” librin, duke u mbështetur edhe në këshillat e mendimet e shprehura për të, nga lexuesit dhe kryesisht pedagogët, që zgjodhën të përdornin dy botimet e mëparshme të tij, si bazë për ligjëratat dhe seminaret me studentët, në universitetet shqiptare, publike ose jo.

“Si të shkruajmë shqip” (Baza të shkrimit akademik) është hartuar me një penë tërheqëse dhe profesionale, nga profesor Gjovalin Shkurtaj, gjuhëtar i pasionuar e i palodhur për gjuhën shqipe. Libri ka në qendër të vëmendjes domosdoshmërinë e përvetësimit të bazave të shqipes, si nga studentët, dhe profesionistët e rinj shqiptarë të specialiteteve të ndryshme. Nevoja bëhet edhe më e ngutshme po të merret parasysh se këta të rinj ndjehen të papërgatitur për t’i qëndruar ndikimit dhe presionit të vazhdueshëm të gjuhëve të huaja, sidomos të anglishtes, italishtes e greqishtes. Në 310 faqe të tij, teksti  në fjalë jep njohuri themelore: për hartimin,  redaktimin, gatitjen e punimit shkencor, shkrimin e recensioneve, raporteve shkencore, rekomandimeve, cv-ve dhe shkrimeve të tjera profesionale. Por ai jep edhe njohuri bazë për drejtshkrimin e shqipes. Vlen të theksohet aspekti zbatues i këtij libri, që do të thotë se studentët mësohen si të shkruajnë sa më mirë shqip, nga përvoja e gjatë e një prej studiuesve dhe njohësve më të mirë të gjuhës shqipe. 


Njohuritë teoriko-formuese, të dhëna në tetë kapituj të këtij libri, shoqërohen gjithandej me shembuj të shumtë të karakterit shkrimor, por edhe teknik. Shumë ndihmues në këtë drejtim është edhe treguesi i fjalëve të huaja, që mund të zëvendësohen plotësisht ose pjesërisht, si dhe shqipërimi i një sërë prapashtesash të huaja, të dhëna në fund të lëndës së trajtuar. Rëndësi i është kushtuar edhe zgjedhjes së fjalëve dhe termave të ligjërimeve specifike për profesione të ndryshme. Me këtë libër, autori synon të ndreqë dhe shumë pasaktësi e ngatërresa të panevojshme në përdorimin e termave të ndryshëm. Përmendim këtu vetëm një prej ilustrimeve të dhëna nga profesor Shkurtaj. Është fjala për përdorimin e termit shqipfolës, në vend të termit shqiptar. Me të drejtë, autori sqaron se, në rastin e bashkësive shqiptare në trojet kompakte ballkanike, ka “shqiptarë, universitete shqiptare dhe flitet shqip; pra, ka bashkësi shqiptare dhe jo shqipfolëse”.

Serioziteti i këtij botimi dëshmohet dhe nga gjuhëtarët e njohur, që kanë bërë recensimin e tij: prof. dr. Tefë Topalli e prof. prof. dr. Valter Memisha. Një recension të gjerë për këtë libër ka shkruar edhe prof. dr. Ali Jashari, dekan i Fakultetit të Mësuesisë, në Universitetin e Korçës “Fan S. Noli”. Ndër të tjera, ai shprehet se “ky libër u vjen në ndihmë të gjithë atyre, që duan të rregullojnë penën për të shkruar “shqip, thjesht, bukur, qartë dhe lehtë, sepse vetëm kështu i bëjmë nder vetes dhe kombit tonë”. Më tej, prof. dr. Jashari vazhdon: “Madje, veç të mira do të kishte futja e një lënde mësimi, me titull “Si të shkruajmë shqip”. Ky libër është dhe një gjedhe për t’u ndjekur nga gjithë hartuesit e teksteve shkollore...”. Vlerësim të lartë, për librin e profesor Gjovalin Shkurtajt, jep edhe prof. dr. Avni Presheva, titullar i logjikës në Universitetin e Prishtinës. Gjithashtu, ky autor këshillon që “ai libër duhet të përfshihet në programin mësimor të të gjitha shkollave të larta të hapësirave shqiptare, brenda e jashtë Shqipërisë”.

Bashkohemi me këto e të tjera vlerësime, të shprehura për këtë libër, i cili ndryshon shumë nga përkthimet shabllon të bëra nga gjuhët e tjera, për nevojat e mësimdhënies së lëndës “Shkrim akademik”, në universitet. Vërtet lënda e shkrimit akademik mësohet në të gjitha universitetet botërore sot, por secili mëson të shkruajë në gjuhën e vet. Siç dihet, çdo gjuhë ka rregullat dhe specifikat e veta, të cilat nuk mund t’u montohen gjuhëve të tjera. Pikërisht këto lloj përkthimesh përbëjnë dhe një prej faktorëve dëmtues të gjuhës shqipe në kohën e tanishme. Këtu nuk është fjala thjesht për përdorimin e pikave ose të presjeve, a të ë-ve, siç tentohet të mendohet shpeshherë, në këto raste. Ajo që përbën vërtet shqetësim, është ruajtja e strukturës morfologjike e sintaksore të shqipes, gjë të cilës profesor Shkurtaj i kushton vëmendje të veçantë, në librin e tij.

Me pak fjalë, në radhë të parë, duhet të mendojmë shqip, të shkruajmë shqip dhe qartë. Vetëm atëherë do të jemi në gjendje të bëhemi profesionistë të vërtetë, pavarësisht se cilës fushë i përkasim. Nuk mund të kemi kurrë juristë, psikologë, mësues etj. të suksesshëm, nëse flitet një një gjuhë, e cila është gjysma shqip e gjysma në ndonjë gjuhë tjetër.

Veçanërisht në këtë kohë, kur shumë familje emigrantësh po kthehen në atdhe dhe po i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat dhe universitetet shqiptare, ndihet domosdoshmëria e një lënde me karakter të përgjithshëm formues, për shkrimin profesional shqip, në përputhje me strukturat morfologjike-sintaksore dhe rregullat drejtshkrimore të gjuhës së sotme shqipe. Dhe ato, botimi “Si të shkruajmë shqip” (Baza të shkrimit akademik), i  prof. dr. Gjovalin Shkurtaj-akad. as. i plotëson më së miri. Ai përbën një libër pune të përshtatshëm për mësimdhënien e lëndës së Shkrimit akademik dhe të Kulturës së gjuhës, por edhe për të gjithë korrektorët dhe redaktorët e rinj të gjuhës shqipe, për studentët universitarë e pasuniversitarë dhe për mësuesit e gjuhës shqipe, në të gjitha hapësirat, ku shqipja flitet dhe mësohet, gjuhë amtare.

Tiranë, 23 maj 2013



(Kontaktet me autorin e librit: shkurtajg@yahoo.com; Tel: 0035542367126; Celulari: 068 632 4785 e 069 663 0713)

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…