Skip to main content

Tetova News

NJË MESHË PAQEJE ME FJALË POETIKE (Mbresa nga Manifestimi: “Trekëndëshi Poetik i Paqes”, Edicioni III, Dunav – Gjilan)

PËLLUMB GORICA
HYQMET HASKO


Rrugëtimi drejt Kosovës, tashmë të rilindur si Feniski nga hiri i kujtimeve të trishta, dhimbjeve, brengave, zhgënjimeve e traumave kolektive, është gjithmonë një rrugëtim mbresëlënës dhe zbulon çdo herë diçka të re e magjike. Sidomos me poetë, të cilët e kanë të pastër shpirtin e zbulimit dhe mrekullimit, teksa mblidhen së bashku, e i shkrijnë emocionalisht kufijtë artificialë me pasionin e fjalës së bukur shqipe.

Rrugëtuan së bashku me ne edhe poetët nga Durrësi: Nikolla Spathari, Agim Bajrami,në mesditë, me një diell të nxehtë nëpër Rrugën e Kombit, e këto rreze na dërgonin mesazhe frymëzuese, saqë makina sikur ngjante në një dhomë poetike lëvizëse, teksa recitonim poezitë tona. Në këtë metaforë poetike ndjenjash drejt manifestimin“Trekëndëshi Poetik i Paqes”, në Dunav, Gjilan, në këtë krahinë të Shqiptarisë me një ftesë për të bashkuar shpirtërat në altarin e shenjtë të poezisë. Nuk ka festë më të bukur se të “mbledhesh” poetët në manifestime të tilla, që janë vërtet të veçanta, mbreselenëse dhe për t’u admiruar, e që aq bukur ata nuk “ngopen”. Por të ndash emocionet e veçanta me miqtë e të përshkruash atmosferën frymëzuese, është një tjetër vlerë. Natyrisht që ka hapësira pa fund për të përçuar këto vlera.

Në mbrëmje arritëm në Gjilan dhe shijuam peizazhin mahnitës, teksa tifozët që kishin mbushur sheshin kryesor të Gjilanit, me rastin e ndeshjes së Kombëtares sonë me Norvegjinë, brohorisnin për fitore, të mbuluar me flamurin kuq e zi. Ishte një tablo mbresëlënëse që tregonte vitalitetin e botës shqiptare, jo vetëm për një akt të tillë sportiv, por ende më shumë për një akt të mirëfilltë shqiptarie. Kafen e mëngjesit e pimë së bashku në një nga lokalet në qendër të Gjilanit, ku Sabit Rustemi, kryetar i Ars Clubit “Beqir Musliu” të Gjilanit dhe Lindita Ramushi, sekretare, na pritën me përzemrsi. Ishin këtu emra të njohur poetësh: Nexhat Rexha, Rozeta Krëste, Arsim Halili, Bilall Maliqi, Sinan Sadiku, Musa I Ahmetaj e Greta Qyrku. Të tjerë, të ardhur nga Tirana, Saranda, Berati, Shkupi, Kumanova, Prishtina, Presheva, Bujanoci e qytete të tjera të Kosovës kishin nisur karvanin poetik drejt Grykës së Karadakut. Të kap një emocion i beftë, kur para syve të shfaqet Gryka e Karadakut, ku u organizua “Trekëndëshi Poetik i Paqes”, një veprimtari e bukur si përkushtim për Ditën e Lirisë, për Paqen e fituar dhe për Poezinë e shkruar. Gjelbërimi i Grykës së Karadakut të ngop sytë, të rrëmben vështrimin e të shlodh me ndërtimet, tokat e mbjella, drurët, duke të dhënë mundësinë t’i sodisësh kalimthi nën rrezet e diellit. Gryka e Karadakut, legjendë ku kanë humbur pa nam e nishan mijëra sllavë, armiqtë historikë të kombit shqiptar, gryka simbol e Idris Seferit, e Agim Ramadanit, e mijëra shqipeve me fletë që vunë shpirtin e tyre të paepur në themel të Republikës së re të Kosovës, të një kombi, me një gjuhë të shenjtë. Këtu, në këtë vend të bekuar, fle përjetësisht historia e flamurin e tundin dallgët e kohërave të rrepta e ku çdo palë e tij në shtëpitë flet me bujarinë e mikpritjes shqiptare.

Në ambientin e gjelbëruar të restorantit “DUNAVI”, Dunav, gostia e vargjeve, gjëmoi nga ritmi i daulleve dhe surlaxhiut, u zbukurua nga veshjet popullore të traditës së Karadakut. Aty e shijoje jo vetëm bukurinë e natyrës por edhe të artit. Në hapësirën e gjelbëruar, midis tavolinave si sofra shtruar, vareshin në trungjet e drurëve piktura, një mini ekspozitë surrealiste e piktorit të njohur gjilanas, Jetulla Haliti. Pastaj nisi hapja zyrtare nga mr. Tahir Arifi, i cili theksoi se manifestimi që organizohet për të tretin vit, vlen për të njohur karakteristikat jetike dhe historike të kësaj ane të Karadakut. Një presion artistik për të komunikuar më shumë me Maqedoninë për hapjen e pikës kufitare në Stançiq. “Trekëndëshi Poetik i Paqes”, në Dunav organizohet me mbështetjen e MKRS të Kosovës, Komunës së Gjilanit. Me anë të fjalës së tij, Veton Nevzadi, drejtor i kulturës të Komunës së Gjilanit në emër të institucioneve të saj e përshëndeti manifestimin. Ai u ndal në angazhimin e komunës së Gjilanit e posaçërisht e kryetarit Qemal Mustafa, i cili duke qenë gjithmonë pranë këtyre veprimtarive të kësaj natyre me angazhimin e mbarëvajtjen e tyre në dimensione vlerash.Sabit Rrustemi, kryetar i Ars Clubit “Beqir Musliu”, pasi falenderoi të pranishmit, e sidomos të ardhurit nga Tirana, Durrësi,Saranda, Kumanova, Prishtina, Presheva, Bujavnoci, Medvegja e nga emigracioni e cilësoi këtë manifestim momentin e kënaqësisë për lirinë që gëzojmë sot, për 12 Qershorin, Ditën e Lirisë së Kosovës, për ditën e çlirimit të Gjilanit. Ky manfestim i përkushtohet kësaj date dhe ne jemi këtu me moton për lirinë, për paqe me poezi. Kjo është ajo që e kemi dëshiruar dhe ajo që e kemi dhe e përjetojmë”.Dom Lush Gjergji bëri një kungatë paqëtimi, për të mbledhurit në këtë tubim të bukur për të dhënë bekimin e fjalës poetike. Ai e quajti poezinë një mesazhiere të paqes e të dashurisë hyjnore, një zë që na thërret së brendshmi për të ndryshuar dhe për t’u bërë më të mire. “Krijuesit, njerëzit e penës, mendjes, në takime të tilla shpirtërore na japin mundësi të njihemi më mirë me njëri – tjetrin, që të gjejnë frymëzimin tonë, jo vetëm për bukuritë natyrore, të cilat zoti i madh i ka krijuar dhe dhuruar dhe lirinë për t’u flijuar. Ashtu siç thoshte e lumturumja jonë, Nënë Tereza: “Dashuria dhe flijimi janë vlera dhe virtyte”. Dhe ne këto dëshira i përjetojmë me bukurinë e lirisë, e kulturës, e cila nuk njeh e nuk pranon kufij. Recitimet përshëndetëse të tre poetëve, tre përfaqësues, të tre kufijve artificial, të rrethuar me shqiptarë, kishin një mesazh, mesazhin e paqes, mesazhin e dashurisë njerëzore. Një nga Kosova, Albina Idrizi nga Gjilani, nga Kumanova e Maqedonisë, Sunaj Rahimi, dhe nga Lugina e Preshevës, Bilall Maliqi. Poezitë e një niveli kualitativ me aromën e fjalës shqipe, fjalës së përmallimit, fjalës që si xixëllonjë vere vërtitej në qiellin e kohërave barbare, e digjej si shandan në buzët e etura për dashuri kombëtare të poetëve.

Pastaj nis rrugëtimi drejt kishës së Shën Anës. Atje, ku Ora e Madhe Letrare, Koha e Poezisë, u mbajt në ambientet e brendshme të saj, një simbol humanizmi i botës shqiptare. Një rrugëtim vërtet i lodhshëm, por mbresëlënës. Një lloj pelegrinazhi poetik në këtë cep të Shqiptarisë, ku në çdo majë kodre, dru e gur ka një histori për të treguar, një këngë për të kënduar, një mesazh trimëror për t’ua përcjellë kohëve dhe breznive… Rruga gjarpëronte kodrës nën freskinë e gjelbërimit. Buzë saj jeshilonte bari e aty- këtu tufëza lule e diku më tutje pemët e larta në një virgjëri shekullore me shkëlqimin e peizazhit ishin si një prehje e këndshme dhe dehëse, që të çlodhnin e të magjepsnin, duke e zbutur efektin e lodhjes së këmbëve, teksa ngjiteshin. Janë mbi dy kilometra rrugë më këmbë. Ajri i bymyer nga lagështira, retë e dielli që shfaqeshin në të çarat e tyre dhe ecja në brendësi të këtij peizazhi, të futej në mushkëri me fuqinë e ripërtëritjes. Poeti dhe shkrimtari i mirërnjohur Agim Gjakova, megjithëse mban mbi supe rreth tetë dekada jetë dhe gjashtëdhjetë vite krijimtari, ecën si djalë i ri dhe nuk pushon së rrëfyeri për mrekullitë e botës shqiptare. Nuk mungon në asnjë veprimtari poetike e kulturologjike, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, në Maqedoni e Mal të Zi, kudo ku e thërrasin për të ndezur një qiri dashurie, në meshën e bukur të fjalës hyjnore shqipe… Kisha e fshehur mes pyllit dhe në një nga kodrat e larta të Karadakut, të magjeps me arkitekturën. Heshtja apostolike e saj u përzie me ritin e fjalës shqipe, me hovet e shpirtrave poetikë që blatonin diçka nga vetja në meshën e Shqiptarisë. Këtu, në këtë ambient romantiko-mistik vallëzoi e u lazdrua fjala poetike e bukur e plot finesë. Ishte një akt bekimi, që përcillte paqe në çdo shpirt e zemër dhe poetët më shumë se kushdo tjetër e ndejnë nevojën e këtij reflektimi së brendshmi… Begatuan frymëzimet dhe krijimet e tyre të afro 50 poetë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Presheva, Medvegja e Bujanoci, e midis tyre edhe Nasi Jani, Jeton Kelmendi, Fehmi Korça, që kishin ardhur nga emigracioni, si mjaft poetë të tjerë të njohur që iu bëjnë nder letrave shqipe: Agim Gjakova, Ramadan Mehmeti, Agim Mato,Nikolla Spathari, Agim Bajrami, Prend Buzhala, Ibrahim Kadriu, Sabit Rustemi, Pandeli Koçi, Mimoza Erëbara, Nehas Sopaj, Buranedin Xhemaili, Nebih Bunjaku, Xheladin Mjeku, Isak Ahmeti, Avni Rudaku, Rexhep Abazi, Namik Selmani, Albina Idrizi, Nexhat Rexha, Sinan Sadiku, Sarë Gjergji, Drita Bekteshi, Izet Avdyli, Musa Ahmetaj, Engjëll Koliqi, Demush Mehmeti, Arsim Halili edhe më të rinjtë Rudi Berisha, Sevdail Demiri, Lindita Ramushi, Ormira Dibrani, Aida Kamerolli.

Ky edicion ndër më të bukurit. Folëm e shkëmbyem përvojë… U çmallëm me vëllezërit tanë poetë të një gjuhe e të një gjaku. Një manifestim i mrekullueshëm poetik dhe të gjithë së bashku shpresojmë ta mbajmë ndezur qiririn e dashurisë sonë vëllazërore, në Tiranë, Shkup, Prishtinë, Gjilan, Sarandë, Kumanovë e kudo ku paqja e dashuria kanë vetëm një emër… Të mos mungojnë kurrë manifestime të tilla me shumë vlerë në dobi të kombit, në rrezatimin e ndritjen aq të dashur e domosdoshme për ne, me fjalë shpirti, fjalë ndjenjash e përjetimesh të magjishme, me aromë të veçantë Shqiptarie…!

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…