Për Dritëroin...


Nga Ke Jung* 
 

...Gjatës verës Prof. Zheng më telefonoi dhe më kërkoi që të them diçka për D. Agollin në këtë takim. Agolli është një nga shkrimtarët më të shquar në letërsinë shqipe moderne. Megjithëse nuk ka atë njohje ndërkombëtare sa të I. Kadaresë, prapë mund të themi që arritjet e tij nuk janë më të pakta. Mirë e ka thënë kritiku letrar Kadri Ujkaj që "Të flasësh për Dritëroin është vërtet një privilegj total: Sa profesional, sa moral, sa estetik. Sikur të fisnikërohet jo vetëm fytyra, por gjithçka brenda teje." Prandaj ia pranova kërkesën me plot dëshirë Profesorit Zheng. 
Dritëro Agolli lindi në vitin 1931 në Devoll, një krahinë kufitare në juglindje të Shqipërisë. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Leningrad, pra në Sankt-Peterburgun e sotëm të Rusisë. Pastaj ka punuar për 15 vjet gazetar në gazetën "Zëri i popullit". Që nga viti 1973 deri në fillim të viteve '90-të ka qenë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. 
Dritëro Agolli është figura më me ndikim e poezisë shqipe moderne. Duke ndjekur Naim Frashërin dhe duke ruajtur disa prej vlerave më të arrira të poezisë së traditës, ai krijoi një gjedhe të re vjershërimi. Krijimtaria e Agollit, në thelbin e vet, është liriko-epike, ndryshe nga ajo tradicionale, që mbahej kryesisht si epike. Gjatë gjithë rrugës së vet krijuese më se gjysmëshekullore, Dritëro Agolli ka qenë dhe është poeti i dhimbjes njerëzore dhe i filozofisë së jetës. I vëmendshëm ndaj dramave të mëdha të popullit, ai është bërë njëherësh edhe poeti i dhimbjes vetjake të njeriut. Në vitet '60-'80 Agolli shkroi poezi që përshkohen nga kulti i vendlindjes, i tokës, i bukës, i parmendës, i familjes, i prindit, i babait. Nga librat me poezi që ka botuar në këtë periudhë mund të përmendim "Hapat e mija në asfalt" (1961), "Devoll-Devoll" (1964), "Mesditë" (1968), "Baballarët" (1969), "Nënë Shqipëri" (1974), "Fjala gdhend gurin" (1977) dhe "Udhëtoj i menduar" (1985), ndër të cilat vepra më e njohur është "Nënë Shqipëri" , ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet dhe me vendosmërinë për të përballuar çdo pengesë e armik. Pavarësisht se kuptohet qartë ideologjia e kohës kur janë krijuar këto vepra, përmes një gjuhe të latuar si prej një të urti përvojëplot, lexuesi përthith aty vlera të gjithëkohëshme. 
Agolli njohu një ringjallje poetike në dy dekadat e fundit. Me vëllimet poetike "Pelegrini i vonuar", "Lypësi i kohës", "Fletorka e mesnatës" autori shpall sfidën e tij të re të mjeshtërisë. Në këto vëllime shfaqet poeti me ideal të tronditur, që duhet të gjejë vlerën dhe kuptimin e jetës së vet dhe të brezit që përfaqëson në kushtet e tronditjeve të mëdha të shoqërisë dhe të ndryshimeve rrënjësore të rrugës drejt së ardhmes së saj. Duke lexuar vjershat e tij pas viteve '90, të cilat janë përfshirë edhe në këtë libër që kemi në dorë, ne mund të shohim sesi e përballoi, me dinjitet, D. Agolli, sfidën për t'i dhënë vlerën e merituar lirisë. 
Krijimtaria e Dritëro Agollit është e larmishme për nga gjinitë. Vepra e tij më e hershme në prozë është "Zhurma e erërave të dikurshme" (1964), që u prit keq nga kritika zyrtare dhe u hoq nga qarkullimi një vit pas botimit. Këto tregime, një pjesë e të cilave u ribotuan në fund të vitit 1980, janë të mbushura me personazhe atipike. Në to heronjtë paraqiten bashkë me cenet e tyre, duke iu shmangur skemës për heroin tipik pozitiv. Ky tipar i Agollit duket qartë edhe në romanin "Komisari Memo" (1970), i cili më vonë u kthye në filmin "I teti në bronz", që njihet mirë nga kinezët e viteve '70. Në vitin 1975 D. Agolli botoi veprën "Njeriu me top", që flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mendësinë e njerëzve. Zot e rob i armës, i magjepsur dhe marrosur prej saj, personazhi qendror i librit bën çudira e marrëzira nga më të pabesueshmet. Kjo vepër pasqyron raportin e veçantë të njeriut shqiptar me armën dhe është pëlqyer edhe nga shumë lexues të huaj. 
Kontributi më i rëndësishëm letrar në prozë i Dritëro Agollit konsiderohet "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo" (1973). Kronikë e karrierës së palavdishme të një zyrtari, romani është, në të njëjtën kohë, pasqyrë e pozitës së pandashme të vartësit të tij. Produkt i njeri-tjetrit, dy personazhet kryesore, Zyloja dhe Demka, janë pasqyrë e anës qesharake dhe dramatike të burokratizmit. Në thelbin e kësaj vepre, si dhe te romani "Arka e djallit", qëndron antiskematizmi. Për këtë arsye, "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo" ka qenë nën vëmendjen ideologjike të autoriteteve zyrtare. 
Duke pasur parasysh karakteristikat e krijimtarisë së Agollit, nuk do ta kemi të vështirë të kuptojmë pse profesor Shaban Sinani e ka titulluar librin e tij kushtuar autorit në fjalë "Njerëzit e krisur" të Dritëro Agollit. Studimet e Shaban Sinanit provojnë se "njerëzit e krisur" nuk është thjesht një metaforë për karakteret që ka krijuar Dritëro Agolli. Ato janë karaktere që në të vërtetë i rrinë për shtat përcaktimit shqip "i krisur" dhe përcaktimit anglisht "crazy". Sa për ilustrim, komandant Rrapoja përdor darët për t'u shkulur dhëmbët partizanëve të pabindur dhe ia refuzon Partisë dy komisarë skematikë. Mato Gruda, në mesin e zjarrit të luftës, rrëmben topin e ushtrisë fashiste dhe instruktohet si artiljer për të larë hesapet me plakun Mere për një gjak të pashlyer. Shoku Zylo këndon himnin e flamurit, pasi është shkarkuar nga detyra. Cute Babulja ia provon me dëshmi mikut të ri grek se nuk quhet Sotir dhe se është bërë synet. Në letërsinë e D. Agollit mund të gjejmë lloj-lloj njerëzish të krisur, të cilët pasqyrojnë humorin e pasur të autorit dhe njohjen e tij të thellë për realitetin. 
Vjet në Shqipëri u festua 80-vjetori i lindjes së D. Agollit. Ajo që u bë simboli i jetës së tij është titulli i një novele të tij të hershme, "Njeriu i mirë". Dritëro Agolli nuk e ka pasur të lehtë të qëndrojë "njeri i mirë" në të gjitha dekadat nëpër të cilat ka kaluar jeta e tij. Por ai ia ka dalë. Ia ka dalë të ketë në opinionin publik një pranim të gjerë dhe gati konsensual. 
Sot, me rastin e ditëlindjes së tij, ne jemi mbledhur këtu për të nderuar Dritëro Agollin, njeriun e mirë dhe të madh të Shqipërisë dhe mik të sinqertë të Kinës. I jemi shumë mirënjohës z. Zheng Enbo që ka bërë një punë të mrekullueshme, duke përzgjedhur, përkthyer dhe botuar poezitë më të mira të Dritëro Agollit. Tani në Shqipëri është mesnatë. Shpresoj që, edhe pse në gjumë, z. Agolli të ndiejë gëzimin tonë këtu në Pekin dhe t'i shtohet e t'i ëmbëlsohet jeta nga ky përkthim dinjitoz i mikut të tij Zheng Enbo. 


*Ky është fjalimi i mbajtur me këtë rast nga znj. Ke Jing, me rastin e 20 tetorit, ditëlindjes së autorit. Artikulli është përgatitur në shqip autorja.


Milosao