Skip to main content

Tetova News

Burimi poetik i Rembosë

Nga Luan Rama

Mbi një shkrim të panjohur dhe një fotografi të zbuluar tani vonë të poetit Artur Rembo


Eshtë e vërtetë se kur i lexova për herë të parë poezitë e Rembosë (Arthur Rimbaud) në moshën 20 vjeçare kisha humbur në një lloj bryme pa mundur ta shijoja vargun e tij poetik, pa mundur ta deshifroja siç duhej dhe të shijoja poezinë e një ndër poetëve më të mëdhenj të botës. U desh të kalonin shumë vite, kur rastësisht, duke iu rikthyer poezisë së tij në kërkim të pikëtakimeve të tij me Migjenin dhe veçanërisht në përmbledhjen e tij të dytë Një stinë në ferr, befasia ime ishte e jashtëzakonshme. Vetëm atëherë fillova të zbuloj “ngjyrat e zanoreve” të tij, tingujt e “katedraleve në qiell”. Ishte një përplasje e papritur ballë mrekullisë poetike çka më shtyu të vihem në kërkim të poezisë dhe jetës së tij, çka më çoi në shkrimin e një libri të dhimbshëm Rrugëtimi i mbramë i Arthur Rimbaud-së, pasi ky poet, i cili shkroi veç pesë vjet poezi në rininë e tij, dhe që në kohën e moskuptimit të madh, për vetë natyrën e tij rebele, e braktisi poezinë, ai u vet-syrgjynos në brigjet e Abisinisë, për tu kthyer më së fundi me një këmbë të gangrenizuar pesëmbëdhjetë vjet më vonë.
Ky poet ishte nga ai lloj poetësh që Bodleri e Verleni i quanin “poetë të mallkuar”, “poètes maudits”, pasi ata nuk pranoheshin nga poetët e artistët akademikë dhe se ishin poetë të Fleurs du mal, (Luleve të së keqes)… Kështu, poeti i madh rrugëtimin e tij e përfundoi në një spital të Marsejës për të vdekur brenda atij viti në krahët e motrës së tij. Pas librit që botova mbi poetin e Anijes së dehur, në shtypin parizian u botua si një zbulim, një shkrim i poetit kur ai ishte veçse 16 vjeçar, shkrim që ai e kishte botuar në vitin 1870 në një gazetë krahinore, atëherë kur Parisi kërcënohej rrezikshëm nga trupat prusiane të kancelarit Otto von Bismarck.
Ja teksti që kishte botuar djaloshi nga Charleville-Mezières: Ëndrra e Bismarkut (Fantazi) 1870. “Mbrëmje. Në çadrën e tij, në heshtje e ëndërrim, Bismarck-u mendon me gishtin mbi hartën e Francës. Gishti i tij tregues e grabitqar shket mbi letrën prej velini nga Rhin-i në Moselle, nga Moselle në lumin Seine; me thoin e tij ai e ka shuar dhe bërë të pa dallueshëm vendin rreth Strasburgut; pastaj gishti shkon tutje. Në Sarresbruk, në Wissembourg, në Sedan, gishti i vogël grabitqar dridhet; ai përkëdhel me të Nancy, gërvisht Bitche dhe Phalsbourg, shuan Metz dhe shënon linja të thyera e pastaj ndalon… Triumfues, Bismarku ka mbuluar me gishtin e tij tregues Alsace dhe Lorraine. Oh, ç’delire nën kafkën e tij të verdhë! Ç’shtëllunga të këndshme tymi përhapen nga pipa e tij e lumtur”.

+ + +

Bismarck-u mediton. Ja një pikë e madhe e zezë ku duket se ndalon gishtin e tij tregues e fregëllues.
Është Parisi. Pra ai thua i vogël e i keq kërkon të shuaj e të shuaj mbi letër, andej e këndej, ashtu me tërbim e më së fundi ndalon… Gishti qëndron aty gjysmë i përkulur, ashtu palëvizur. Paris! Paris! E pastaj ky burrë që aq shumë ka ëndërruar syhapët, më së fundi përgjumja e kapit: balli i tij përkulet mbi hartë dhe mekanikisht zjarri xixëllues i pipës së tij që i shkëputet nga buzët bie mbi atë dreq pike të zezë. Ah, i varfëri!, “Povero”, hunda që i ikën asaj koke të shkretë, hunda e Otto von Bismarck, bie mbi atë zjarr që e djeg. Ah, “povero”! I varfëri ti, shko në atë zjarr të pipës që djeg! Povero! Gishti i tij tregues ishte mbi Paris. Ëndrra e tij e lavdishme mbaroi.
+ + +
Oh, sa fine, spiritual dhe aq e lumtur ishte hunda e plakushit, e këtij krye diplomati! Fshijeni, fshijeni këtë hundë! Eh, kështu miku im i mirë, kur ju hyni në pallat për të ndarë “shukrutën” mbretërore, me krime… zonjë…(?) në histori, ju do ta kini hundën tuaj përjetësisht të karbonizuar, atë hundë mes dy syve idiotë. Ja pra, s’duhej shkuar me ëndrra të kota!”  (Arthur Rimbaud)

+ + +

Kur e vura këtë prozë poetike në “Facebook” për miqtë e mij, miku im i vjetër regjisori e operatori Gavrosh Haxhihyseni, kur e kishte lexuar, më kishte dërguar një shënim konçiz: “Kush e di në ç’gjendje emocionale do e ketë parë ky Bismarck-u hartën e Shqipërisë: Një shprehje gjeografike!”…
Dhe unë, i frymëzuar nga ai tekst, shkrova: “Dy duar të mëdha lëshohen rëndë mbi hartën e madhe të Evropës. Gishtërinj të ftoftë, gishtërinj vrasës në ngjyrën e plumbit. Dy duar kancelari, që quhet Otto von Bismarck, të cilat qëndrojnë pa lëvizur, kërcënueshëm në atë heshtje të gjatë. Dhe ja ku syri i tij me një dritë të verbët lëviz mbi hartë, mbi popuj, shket mbi shtete e kombe, kapërcen vargmale dhe lumenj të mëdhenj, në një fragment të sekondës. Duar nervoze që shtyhen drejt flamujsh të vegjël që nisin të lëvizin mbi hartë, të shkulen, të ngulen gjetiu tjetër, vrazhdësisht. Të tjerë flamuj të përmbysur ringrihen në toka të tjera, në heshtjen e madhe të zisë së një gryke topi që vigjëlon. Tunel i pafund, i ftohtë, mortor. Syri i kërcyer i kancelarit mbi mustaqen e dendur e të lagësht, shuan si me një gomë kufij, emra krahinash, qytetesh… Një flamur të ri mbi Serbi, një tjetër mbi Malin e Zi… Një perandori ngrihet. Porta kombesh mbyllen rëndë nën hijen e çizmeve te hekurta që ngrenë veç pluhur të zi.
Dhe ja tek dikush pranë tij e pyet: - “Po Shqipëria?!… “Hëm, – mërmërit nëpër dhëmbë kancelari…. Shqipëria?… Shqipëria është thjesht një shprehje gjeografike! – dhe kancelari kishte shfryrë duke zgjatur duart mbi hartën e tij. Më së fundi, duart e kancelarit u ngritën pas një kolle të rëndë:
- Shkojmë! – tha më së fundi kaska e hekurt dhe me thikën e mprehtë që i ngrihej lartë. Ishte një thikë e frikshme dhe vezulluese. Lufta ka filluar. Maskat e errësirës dhe topa që gjëmojnë në kambanat e botës.
“Macht geht von Recht!”… “Pushteti mbi te Drejtën!” Emblemat dhe kryqet e hekurt ngrihen lart dhe e kuqja e gjakut bije si një pllangë viskoze dhe e ngurtë mbi Evropën. Është gjaku i mpiksur që bie mbi Evropën e vjetër, mbi Vjenën, Sedanin, Alsace-Lorraine, Parisin, është shpallja e Perandorisë gjermane në “Galerinë e Pasqyrave” në Versajë, është gjakderdhja e një lëngate të re dhe të gjatë që fillon. Kaska Bismarck humbet tashmë në errësirë. Është një kaskë imperiale që marshon, e ndjekur nga qindra mijra të tjera kaska të një aliazhi “mefistofelik”, ndërkohë që një komb i tërë pa mbrojtje bije në errësirën e “shprehjes gjeografike”…

+ + +

Pothuaj dhe pas 150 vjetëve biografët dhe historianët e letërsisë janë gjithnjë në kërkim të shkrimeve tê humbura të Rembosë, shumë prej të cilave ai i dogji në oborrin e shtëpisë së tij, para se ta braktiste poezinë, edhe pse ishte i bindur që ishte një poet modern dhe novator. Në fotografinë e gjetur në valixhen e një antikuari, e cila ishte sjellë nga Abisinia, specialistët e Rembosë zbuluan së fundi fytyrën e poetit të vet-syrgjynosur në Aden, në Harare dhe në pllajat e nxehta të Abisinisë.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…