Skip to main content

Tetova News

NGJYRIMI PERSONAL I POEZISË

Ahmet Selmani


Në rrafshin e krijimtarisë poetike në një mënyrë thuajse çdo gjë vetvetiu personalizohet dhe bëhet një metaforë individuale. Edhe nëse kjo dromcë nuk është aq reale, brenda kontekstit artistik patjetër bëhet e tillë esencialisht. Dhe, megjithëse në aspektin krijues kjo është krejt e parëndësishme, prapëseprapë nevojitet të theksohet për shkak të lidhshmërisë që kanë gjërat midis tyre. Në fund të fund, mbase duhet ta kemi të qartë se zanafilla e çdo gjëje vjen nga jeta e njeriut, nga qenia e tij, nga përjetimi. Dhe e gjithë kjo më pastaj bëhet përfytyrim imagjinativ i cili është thelbësor për artin poetik.
Pra në radhë të parë duket se poeti është njeri që pushtohet nga ndjenjat e tij, nga vizionet, perceptimet, gjykimet etj. Si rezultat i kësaj mund të thuhet se edhe poezia është dëshmi artistike e gjithë asaj çfarë përjeton ai në një moment të caktuar jetësor.
Prandaj, edhe në momentin kur e lexojmë vëllimin poetik “Për ty Lerta” të autorit Xhemajl Rudi, gjithsesi krijojmë një përshtypje të ngjashme, e cila duket sheshit se kap përmasa të gjera personale në kuptimin e një metafore artistike. Në këtë rast, duke qenë i vetmi preokupim dashuria, pra e dashura e tij me emrin Lerta, ai qaset me tërë energjinë dhe përqëndrimin e vet për ta shpalosur atë me një fuqi të jashtëzakonshme emocionale. Teksa e lexojmë nga njëra poezi në tjetrën, në tërësi vërehet se kemi të bëjmë me një lloj ditari lirik për këtë ndjenjë të vazhdueshme e të pavdekshme, e cila manifestohet me trazime të mëdha shpirtërore, me përplasje të njëpasnjëshme, me ballafaqime ëndërrimtare etj., të cilat nuk mund t’i zbojë dot edhe sikur të dojë, por vetëm i lartëson me një pasion të pashoq.
Në këtë kuptim rrjedhimisht arrin të konceptohet bota dhe jeta e tij, ku në qendër të vëmendjes medoemos është Lerta, ëndrra dhe realiteti që transformohen gjithë kohën e lume, herë duke u shfaqur njëra e hera tjetra, si dy situata të pashmangshme jetësore të autorit. Thjeshtëzimi ose përqëndrimi i jetës personale kryekëput vetëm brenda kornizave të dashurisë që identifikohet me vashën e quajtur Lerta, është një dimension poetik shumë i theksuar të cilin autori e shtjellon deri në fund të këtij libri. Pra sido që të shikohet shtrirja e lëndës poetike, gjithmonë do të kuptohet se dashuria është një ekskluzivitet poetik, se Lerta është gati një kryeperëndi, çdo gjë i përket vetëm asaj, sepse ato ia dhuron vetë poeti si qenie e dashuruar deri në skajshmëri.

t’i fala të gjitha
edhe netët
edhe ditët
edhe zemrën
ta fala frymën e nesërme

Autori ekziston vetëm për të dhe për asgjë tjetër, prandaj është zotuar që ta krijojë metaforën më personale dhe më të çiltër për sa i përket të dashurës. Dhe në bazë të kësaj ai e përcakton të tashmen dhe të ardhmen e tij, duke zhbiruar çdo kujtim të ngulitur në kokë, duke shprehur çdo dëshirë të zjarrtë, sepse kjo është një rrugë e gjatë dhe e mundimshme, një barrë përplot dhembje e ankth. Dhe gjithmonë emërues i përbashkët i kësaj odisejade shpirtërore mbetet Lerta për të cilën gjallon ai deri në përjetësi. Ajo është vizion i gjallë që nuk e lë të qetë e gjakftohtë, por e rrëmben dhe e pushton thellësisht. Atë e identifikon kudo; në natyrë, në gur, në qiell, në ujë. Me një fjalë, çdo gjë që e sheh gjithandej hapësirës, thjesht i duket se e ka vetëm hijen dhe aromën e saj, çdo zë që e dëgjon, po ashtu i duket se flet ajo. Pra Lerta është dhembje dhe krenari, është brengë dhe lumturi, është jetë dhe vdekje, është kohë dhe hapësirë etj. Prandaj edhe bredhja nëpër kohë është bredhje pas saj. Edhe kur ajo s’është, ai dëshiron ta ribëjë, ta rigjejë, ta risjellë ashtu siç e ka parë, siç e ka përjetuar.
Pikërisht kjo distancë bëhet aq më joshëse, aq më nxitëse, më torturuese. Duke qëndruar në këtë pozicion hiperaktiv, ai aq më shumë e potencon atë brenda poezisë, për ta fuqizuar në mënyrë artistike ndjenjën që ka për të si qenie e dashur. Gjithçka shpërthen si një delir personal duke e lënë shpirtin të vijëzohet lirshëm përgjatë ecurisë së shprehjes. Në këtë kuptim dashuria është bërthamë themelore, identifikim i vazhdueshëm, ushqim i brendshëm që e mba gjallë njeriun dhe poetin. Vetëm duke qëndruar brenda orbitës së saj ku sillet Lerta si frymë dhe si vizion, ai arrin t’i japë kuptim të vërtetë ekzistencës njerëzore.
E gjithë kjo flet qartë se poezia e Xhemajl Rudit është tepër shpirtërore, e shkulur nga thellësia e qenies dhe e shndërruar në metaforë. Nëpërmjet kësaj trajte lirike ai ndërton një ditar të dashurisë personale, lë një testament emocional për të që si e si të mbetet si perceptim filozofik dhe artistik. Prandaj, në bazë të kësaj mund të konstatohet se poezia e tij mbetet forma më e pastër dhe dëshmia më e besueshme e një qenie njerëzore që dashuron marrëzisht dhe denjësisht.  Pra prej saj kuptojmë se dashuria ekziston vetëm për njeriun, por edhe anasjelltas, njeriu ekziston vetëm për dashurinë. Jashtë kësaj lidhsmërie dialektike, nuk ka kuptim jeta njerëore. Xemajl Rudi na e sjell këtë përjetim nëpërmjet vargjeve poetike të cilat kanë ngjyrim të thellë personal.


Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…