Skip to main content

Tetova News

Pas gjysmë shekulli vjen në shqip libri i romancierit amerikan Kerouac


Kur u botua për herë të parë në vitin 1957, shkaktoi një shkundje të vërtetë të shoqërisë amerikane dhe personazhet e tij u bënë një model jetese për dhjetëra-mijëra të rinj, të cilët nuk e gjenin veten te rregullat e ngurta morale të Amerikës së para luftës. Kanë kaluar 56 vjet që atëherë dhe vetëm tani libri “Në udhë” i Jack Kerouac (Xhek Kerouak) vjen në shqip nga shtëpia botuese “OMSCA 1”, nën përkthimin e Zef Shalës. Në mars 1950, Xhek Kerouaku arriti të botonte librin e tij të parë të titulluar: “Qyteza dhe Qyteti” (The Town and The City), i cili, megjithëse i siguroi njohje në rrethet letrare, kaloi pa ndonjë bujë te lexuesit dhe është shkruar me një stil konvencional, që ai e braktis shpejt. Romani “Në udhë” doli më 4 shtator 1957, pasi kishte fjetur për gjashtë vjet në sirtarët e redaksive, i konsideruar si i pabotueshëm për shkak të papërshtatshmërisë me moralin publik dhe mosdëshirës së Kerouakut për ta rishikuar, dhe që të nesërmen e vuri Xhek Kerouakun në qendër të vëmendjes. Kritikët dhe gazetarët u përqendruan veçanërisht te termi “Beat generation”, një term i krijuar nga vetë Kerouaku dhe ku, siç shprehet ai vetë, fjala “beat” nënkupton një gjendje etheje, shkrirjeje me gjithësinë dhe ekzaltimi permanent, të ngjashëm me atë të shenjtorëve, të cilët përjetojnë një nivel më të lartë vetëdijeje. Romani “Në Udhë” (On the Road) u hodh në letër në një shpërthim të vetëm trejavor shtypshkrimi në prill 1951, por vetë shkrimtari mbante shënime të vazhdueshme në copëza letre gjatë të gjithë periudhës së rrugëtimeve të tij nëpër Shtetet e Bashkuara dhe udhëtimin e fundit në Meksikë, të ndërmarra nga 1947 deri më 1950. Siç tregojnë studiuesit e veprës kerouakiane, goditja e tasteve të makinës së shkrimit dëgjohej 24 orë në 24 dhe nuk kuptohej nëse autori ka vënë gjumë në sy gjatë hedhjes së rrëfimit në kartë. Në dhomën e tij të punës, mbushur me tym duhani, qenë nderë të katër cepave bluzat e squllura nga djersa. Vetë Kerouaku tregon se gjatë procesit të shtypshkrimit, për të qëndruar zgjuar, qe i detyruar të pinte kafé pa mbarim. Kjo, me qëllim të mosndërprerjes së rrjedhës dhe ritmit të rrëfimit, çka është tepër e rëndësishme për shkrimtarin. Po për këtë qëllim, Kerouaku përgatiti një rodhan letre të pandërprerë, në mënyrë që të shmangte ndërprerjet që do të duheshin për ndërrimin e fletës sa herë që mbaronte. Në përfundim të tri javëve, një shirit letre prej 120 këmbësh (37 metra) ishte shtypur, i cili ruhet edhe sot, duke u ekspozuar herë pas here për të pasionuarit e jetës dhe veprës së Kerouakut.

Libri
Titulli:         NË UDHË
Autori:         Jack Kerouac
Përkthyes:     Zef Shala
Shtëpia
Botuese:     OMSCA-1
Faqe:         384
Çmimi:         1000 lekë

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…