Skip to main content

Tetova News

Vashë… për ç’hire ruan thellë!

 Dionisis Solomos është, pa asnjë diskutim, poeti më i madh i Greqisë së Re, shembulli tipik i të papërkthyeshmit. Duke synuar përsosmërinë, nuk arriti të mbaronte asnjë nga poemat e tij të mëdha. Elitis ka thënë: “Nëse perëndimorët do të mundeshin ta lexonin Solomosin në origjinal, do ta vendosnin menjëherë mes pesë poetëve më të mëdhenj botërorë të të gjitha kohëve”. Sjellim disa poezi të përkthyer nga mjeshtëria në shqip e Romeo Çollakut



Dionisis Solomos (1798-1857)

EURIKOMA

«Kur do ta shoh, o det, sërishmi Eurikomën e bukur?
Nga sytë e mi u bë kaq kohë që humbi pa u dukur.
Sa herë prirem te shkëmbi duke vështruar përtej,
shkumën e detit nuk di a shaminë e saj në vërej.
Sillma», thotë Tirsi, «sillma, pra, se nuk duroj më dot».
Pa merr ujë deti në grushta, e puth dhe qan me lot.
Dhe fare mendja nuk i shkon se puth valën gjëmëzezë,
që vashës tashmë i qe bërë dhe vdekje dhe varrezë.

PËR ZOTIN GEORGE DE ROSSI
QË NDODHET NË ANGLI

Veç varrin, pasi të vini,
do gjeni prej atit tuaj;
para tij jam e ju shkruaj,
dit’n e parë të majit sot.

Me majin do zbukurojmë
gjithë parzmet e paligsht,
se në gjumë të zotit Krisht
sonte ra për jetë e mot.

Gjer në më të tejmin çast
ish i paqt’ edhe i qetë,
si trup’ i tija pa jetë
që dergjet tashti këtu.

Veç, tek matej për të ikur
ku i qiellit nderet visi,
pakëz gishtin e lëvizi
që t’ lutej ndofta për ju.

E DIELA E MADHE

Një diell dritëkulluar i agullimës
i proshkëti po ndillte yll’ i tejmë,
qiellit prej resë a qoftë prej brymës
gjurmë kurrkund n’ asnjë kind të gjithandejmë;
mbi fytyrë ëmbëlsinë gjithë ne të frymës
një puhize të lehtë si ledhatim e ndjejmë
gjetheve të zemrës thua se u thotë:
Vrer është vdekja, ndërsa mjalt’ kjo botë.

Krishti u ngjall! Pleq, çunakë e çupëlina,
gatituni të gjithë, të mëdhenj e kalamaj;
dhe ku deng është kisha mbushur me dafina
dritën rretheqarkoni të haresë së saj;
qafoni shoshoqin ndër këngë e violina
mu para Engjujve dhe puthuni pastaj;
armiq e miq, buzë më buzë, ëmbëlsisht,
njëzëri U ngjall thoni Zoti Ynë Krisht.

Nëpër varre me lule çdo rrasë u mbulua
dhe nënat në krahë foshnja të hijshme bartin
sy pa shqitur çast nga ikonat e pikturua-
ra në gjithë anët, zëëmbël, psaltët psaltin;
shndrin floriri, shndrin ergjëndi, ndodh thua
nga shkëlqimet gjithë t’ thëthijnë më të lartin;
i jep dritë e çel dhe çehren më të vrerët
qiri’ i shenjtë që mbajnë në duar të krishterët.


MOJ MËMË SHPIRTMADHE…

Moj mëmë shpirtmadhe gjithsaherë në dhimbje e në lavdi,
paçka se misterit të fshehtë jetojnë fëmij’t e tu,
me mendim edhe me ëndërr, prej sysh ç’hare që rrjedh,
të të vështronin këta sy tek shkon pyllit të shkretë,
ndërsa këmbët e pavdekshme ai t’i gjethëron
me fregulla Pashke, pa shih, me fregulla dafinash.
Çapin tënd të perëndishëm s’e pashë, nuk e dëgjova,
e paqtë porsi qielli, me gjithë hiret që ka,
me vise që syri i sheh dhe plot të tjerë që s’duken!
Porse nuk mundem unë, hyjneshë, zërin të ta dëgjoj
që botës greke mbasandaj t’ia fal ta ketë përfare,
lëvduar guri i saj i zi dhe bari i tharë lëvduar.

PËR FRANCISKA FRAIZERIN

Vashës një profet i vogël dikur i hodhi sytë
dhe tha i nginjur ngazëllim mendimesh fsheharakë:
«Edhe për këmbët, Hijeshi, edhe për flokun tënd,
zambakë guri po të çelte, kurorë të artë dielli,
ata nuk kanë dhuratë për Ty, për ç’hire ruan thellë.
Botë e bukur e kaq fisnike, shenjtërisht e mbrujtur!»

Përktheu Romeo Çollaku
Standard

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…