Skip to main content

Tetova News

Bisedë e shkurtër për artistë sllovenë

Nga Ndue Gjika


Dikur për ne ishte larg fshati i lindjes, por sot jo vetëm janë hapur kufijtë por po shemben gradualisht edhe muret shpirtërore që na ndanin me fqinjët në një kohë kur kemi bashkëngjitur jetët e shekujt me ta. Është poetja Ifigenija Zagoričnik Simonoviç e cila na nxiti e do të na ndihmojë të hedhim shikimin te disa nga ngjarjet dhe evenimentet letrare e artistike të Sllovenisë.
Efigenija (lindur më 24 mars 1953) vetë është poete sllovene, eseiste, shkrimtare, redaktore dhe artiste e aplikacionit në porcelan (poçeri).
Ka lindur në Kranj- Slloveni në vitin 1953. Ajo ka studiuar në degën e letërsisë krahasuese dhe Sllavistikë të Universitetit të Lubjanës. Gjatë viteve 1978-2003 ka jetuar në Londër, ku ndoqi shkollën e artit dhe ka punuar si artiste e aplikacionit në porcelan (poçeri). Në vitin 2009, iu dha në Slloveni çmimin Rožanc për përmbledhjen më të mirë të eseve për librin Konci in kraji, i cili  ka lidhje me udhëtimet që ajo ka bërë. Libri i Simonoviç është historia e sinqertë e një gruaje që endet përreth botës, në kërkim të peizazheve, qyteteve, vendeve, njerëzve dhe ndodhive që do t’i përshtateshin vetmisë së saj. Megjithëkëtë, këto udhëtime gjithmonë të kthejnë te  fillimet e saj – te zemra e saj, e cila është kudo ku ajo gjen fjalë për të ndërtuar peizazhe të reja, vende të reja, çka i ka justifikuar këto zgjedhje te krijimtaria e vet ashtu si edhe Juria që i akordoi çmimin në fjalë. Shkrimtarja Simonoviç është e vërtetë dhe e thjeshtë, por në të njëjtën kohë solemne, që tejkalon çdo kornizë. Është kjo arsyeja pse “ajo i jep të ngjethura edhe lexuesit më të ftohtë”, siç është shprehur me të drejtë juria.
“Ndryshe nga poezitë që më vijnë papritur, ka shpjeguar autorja në intervistën pas çmimit, Ese-të më shfaqen në intervale dhe struktura e të fiksuara qartë. Nuk jam shumë e guximshme, vetëm kam kurajën të shpesh e të zbuloj gjëra të vetes sime duke i thënë hapur, pa teprime dhe me respekt.
Fondi Marjan Rožanc, ka emrin e Marjan Rožanc (1930-1990), njërit prej shkrimtarëve më të mirë eseistë të Sllovenisë. Ky çmim është dhënë për herë të parë në vitin 1993. Dorëzimi i çmimit për fituesit e vitit 2009, ishte organizuar qëllimisht në Rasica, se ishte vendlindja e babait të gjuhës sllovene, Primoz Trubar (1508-1586).
Ifigenija ka botuar pesë përmbledhje me poezi Postopna razbremenitev, Te pesmi, Drevesa so se takrat premikala in sem pomešala njihova imena, Krogi in vprašanja, Kaj je v kamnu dhe  Konci in kraji, përmbledhja me eseistikë. Gjithashtu ajo ka edhe një vëllim poetik për fëmijë Kaj je kdo rekel in česa kdo ni dhe dy libra përrallash me zana.
Por shkaku për t’u njohur me autoren ishte një vepër tjetër shumëvëllimëshe e titulluar (Poezi nga burgu) dhe (Këngët e lirisë) përmbledhja me shtatë vëllime me krijime të autorit slloven, Vitomil Zupan.
Na bashkoi Shkupi. Pesëdhjetëvjetori i Qendrës P.E.N. të Maqedonisë, u kthye në një takim vërtetë të bukur ballkanik artistësh. Tema ishte “Fjala dhe Liria”, ku u bënë trajtime shumë interesante dhe u sollën probleme e arritje nga secili vend. Ifigenija, përfaqësonte Slloveninë, dhe në përfundim të fjalës së saj solli si dhuratë përmbledhjen luksoze që folëm më lart. Menjëherë u ngacmova sepse edhe ne kemi pasur poetë, shkrimtarë e artistë të mëdhenj jo vetëm të burgosur, të internuar e të privuar nga pena, peneli, apo tastiera por edhe të pushkatuar. E ky ngacmim bëri që të nesërmen ajo të drekonte me grupin tonë të shqiptarëve. Ftesën e priti me kënaqësi dhe e vlerësoi si miqësi e respekt për vete dhe Slloveninë. Atje mësuam që ajo kishte punuar për gjashtë vjet për të nxjerrë dhe evidentuar atë autor. Gjashtë vjet nga koha e një krijuesi nuk janë pak. “Puna ishte tej mase e vështirëm aq sa edhe vetë autori nuk e kishte deskriptuar, as nuk shpresonte se mund t’i botohej. Ishin poezi të shkruara në copëra të vockla letrash, fletë cigareje, gazeta të zhubrosura, letra higjienike, e çfarëdo mjeti i këso dore që kishte pasur të mundshëm.” Pastaj i folëm edhe për punën analoge që ka bërë Sadik Bejko me ndihmën e Bedri Blloshmit, për të nxjerrë nga groposja e veprave dhe jetëve të shuara të dy autorëve; Vilson Blloshmi e Genc Leka. Për punën e Petrit Palushit kushtuar autorit kuksianë, Ivzi Nelaj të dënuar me varje në vitin 1988; kujdesin e vetë autorëve ish të dënuar për veprat e tyre si dhe mjaft studiuesve seriozë që janë angazhuar me vite, për të mbushur atë boshllëk që krijoi diktatura komuniste. U fol dhe për mangësi në mbështetjen financiare, një problem që po zvarritet qeveri pas qeverie, në një kohë kur nuk mungon luksi për fushata e festime të çmendura politike.
Të kthehemi te autori slloven, Vitomil Zupan (1914-1987). Pas burgut shkroi me pseudonimin Langus. Ai ishte poet, dramaturg eseist dhe skenarist. Ai vlerësohet si një prej autorëve më të rëndësishëm në gjuhën sllovene të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të. Pas kryerjes së studimeve universitare u end me punë të ndryshme nëpër gjithë Mesdheun; si marinar, bojaxhi, boksier, instruktor skish deri sa u kthye në atdhe nga fundi i viteve ’30. Si aktivist i rezistencës popullore sllovene kundër pushtimit fashist u arrestua dhe u internua në kampet e përqendrimit, nga ku më 1943-in, ia doli të arratisej e të bashkohej me partizanët. Fillimisht ishte luftëtarë e pastaj e kaluan në seksionin kulturor të rezistencës. Atje, ai ra në kontakt me filozofin dhe teoricieni letrar Dušan Pirjevec Ahac, me të cilin ai krijoi një miqësi të fortë. Bashkëpunoi me eseistin dhe dramaturgun Jože Javoršek, poetin dhe romancierin Matej Bor Igor Torkar, etj.
Pas luftës deri në vitin 1947 punoi si kryeredaktor i programit kulturor të Radio-Lubjanës. Atë vit ai fitoi edhe çmimin më të lartë për arritjet kulturore e artistike të Sllovenisë, Prešeren. Në vitin 1948, ai dhe ish bashkë-punëtorët e tij në Radio Lubjanë u arrestuan nga autoritetet e sigurimit komunist. Zupan ishte gjykuar nga disa akuza të rënda, duke përfshirë veprimtari spiunazhi, veprimtari antipatriotike, konspiracion antiqeveritar, akte imorale, vrasje dhe përdhunim në tentativë. Në një gjykim show (si gjyqet popullore te ne), që e dënoi me 18 vjet burg. Ai u lirua në vitin 1955. Duke filluar nga viti 1960 e në vijim mundi të botojë me pseudonimin Langus. Disa prej tyre fituan njohje të gjerë. Në vitin 1980, romani i tij Menuet za Kitaro (Një minuet për kitarë) është përdorur si bazë për filmin ” Shihemi në Luftën e Ardhshme” (Nasvidenje v naslednji vojni). Në vitin 1984, atij iu akordua çmimi i dytë Prešeren në vlerësim të punën dhe jetës së tij.
Në vitet 1940 dhe 1950, ai shkroi me një stil shumë të veçantë dhe si bohem ai mban qëndrim antikonformist dhe si i tillë nuk ishte pritur mirë nga kritika e ngushtë e regjimit komunist. Puna e tij është kritikuar ashpër nga Josip Vidmar, një nga kritikët më me ndikim të asaj kohe, ndërsa Boris Ziherl, ideologu zyrtar kulturor i Partisë Komuniste të Sllovenisë, i akuzonte shkrimet Zupan-it se ishin shembulli i dekadencës e cinizmit, glorifikim i së keqes, amoralitetit dhe nihilizmit.
Vepra e Zupan-it pati një ndikim të rëndësishëm te Generation of ’57, një grup autorësh alternativë sllovenë që sfiduan politikat e ngurta kulturore të ish-regjimit komunist. Ai në veçanti ka influencuar te poeti Borut Kardeli.  Ndikim të rëndësishëm patën shkrimet e tij te teoricienët letrarë dhe mendimtarët Dušan Pirjevec Ahac dhe Taras Kermauner.  Jehona e vitalitetit dhe antikonformizmit të Zupan-it mund të shihet në veprat e shkrimtarit dhe eseistit Marjan Rožanc, veçanërisht te eseja mbi novelënRoman o knjigah (A Novel on Books, 1983) të Zupan-it.
Ifigenija Simonoviç është evidentuar si poete moderne e kohës te revista Modern Poetry in Translation (MPT) , që është themeluar nga Ted Hughes dhe Daniel Weissbort në vitin 1965. Ajo del në Londër dhe boton poetë bashkëkohorë nga vende të ndryshme të botës. Në të përfshiheshin edhe disa poezi të Ana Ahmatovnës, etj.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…