Skip to main content

Tetova News

Diskriminim i sertë ndaj monmenteve kulturore shqiptare


Monumentet e trashigimisë kulturore shqiptare në gjithë Kosovën, janë nën presionin e vazhdueshëm dhe sistematik të dhunës fizike dhe keqpërdorimit që nuk kursen as vlerat më të shenjta, sic ka ndodhur, me monumentin më shpirtëror kulturor e historik gjithëshqiptar, me shtatoren e Skënderbeut në qendër të Prishtinës, që është cënuar rëndë, është poshtëruar keq, është përdhosur barbarisht!
  
Shkruan: Skënder Zogaj
  


Kultura në përgjithësi, e në veçanti çështja e monumenteve të kulturës shqiptare, në Republikën e Kosovës, skajshmërisht është e lënë pasdore, dhe  shkarazi vetëm sa për sy e faqe zihet në gojë, kur entet, institucionet dhe asociacionet e kulturës kanë nevojë që të përpilojnë raportet e “punës” dhe të arsyetojnë financat që i kanë shpenzuar. Pra, monumentet e kulturës shqiptare në Kosovë, jenë në një gjendje tejet të palakmueshme: krejtësisht të pambrojtura, të lëna në pamëshirën e stihisë së kohës dhe të faktorit njeri, që me keqardhje duhet ta themi se, është shumë larg nivelit të dëshiruar të vetëdijës elementare kulturore për vlerësimin, mbrojtjen dhe shfrytëzimin shpirtëror të vlerave të gjithmbarshme të trashigimisë material kulturore e historike.

2.

Monumentet e kulturës shqiptare janë nën presionin e vazhdueshëm dhe sistematik të dhunës fizike, janë të injoruara nga pakujdesia masive popullore  dhe neglizhenca e theksuar institucionale, që nuk ka ndonjë qëndrim të formuar përkitazi me mbrojten, trajtimin dhe mirëmbajtjen e monumenteve kulturore shqiptare. Në këtë gjendje janë edhe monumentet që logariten si vlera të vecanta kombëtare të evidentuara si  “nën përkujdesjen shtetërore”, por, as këto nuk e gëzojnë kujdesin dhe mirëmbajtjen minimale institucionale. Prandaj, është krejtësisht normale që monumentet e trashigimisë kulturore shqiptare i kërcënon shpërbërja e sistematike dhe e vazhdueshme,  nga prekjet e ashpra iracionale dhe keqdashëse, por edhe nga “përdorimi” jokulturor i monumenteve me rastin e riteve të ndryshme ceremoniale nga qytetarët, që i cënojnë me mënyrën e sjelljes dhe të përdorimit të vlerës së tyre. Kjo ka ndodhur me monumentet më të lavdishme kulturore, historike e fetare, të cilat brutalisht “qëndisen” me lloj-lloj shenjash dhe cinglash tekanjoze që, nuk përkojnë aspak me karakterin dhe funksionin e monumentit dhe e dëmtojnë vlerën, funksionin dhe e devalvojnë imazhin e monumentit të caktuar. Në këtë gjendje, është e shpjegueshme dhuna sistematike që manifestohet ndaj monumenteve të trashigimisë kulturore shqiptare, në gjithë Ksovën, e cila nuk kursen as vlerat më të shenjta, sic ka ndodhur, me monumentin më shpirtëror kulturor e historik gjithëshqiptar, me shtatoren e Skënderbeut, në qendër të Prishtinës, që është cënuar rëndë, është poshtëruar keq, është përdhosur barbarisht!
Ky rast e shpjegon krejtësisht gjendjen në të cilën ndodhen monumentet kulturore shqiptare në Kosovë.

3.

Kur flasim për monumentet kulurore në Kosovë, cështja e ka edhe anën tjetër të medaljes – ekstrafaqen, që ka të bëjë me monumentet kulturore serbe, për të cilat Kosova ka ndërmarrë masa të jashtëzakonshme për mbrojtjen e tyre! 
Për të qenë sa më mirëkuptues ndaj realitetit kosovar  që vazhdon të jetë në periudhën e tranzicionit shtetëror, duhet ta kemi parasysh pafuqinë shtetërore të Kosovës  për të refuzuar detyra poshtëruese. Mirëpo, në anën tjetër, përkushtimi i zjarrtë dhe efikasiteti brilant i masave të sigurisë për mbrojtjen e monumenteve te trashigimisë serbe, ta turbullon vrerin, sepse paraqet përkushtimin ekstrem të institucioneve për mbrojtjen me cdo kusht, ndërkohë që, monumentet kulturore shqiptare lihen krejtësisht pas dore! 
Për të mos i shprehur emocionet e mllefta për gjendjen, po themi vetëm se, mbrojtja e këtillë e monumenteve kulturore serbe në Kosovë është e pamerituar plotësisht! Problemi duket i vogël për në fakt është tepër i madh, sepse kemi të bëjmë me një diskriminim “pozitiv” të sertë në dobi të serbëve, e në dëm të shqiptarëve!
Përkujdesja speciale shtetërore për monumentet serbe dhe pakujdesia totale për monumentet shqiptare, është absurd i paparë, sepse nuk mund të gjindet në asnjë lloj përvoje botërore, që të shkel vlerat autoktone dhe të mbrojë vlerat e huaja, sidomos kur është fjala për vlera të kultivuara për qëllime armiqësore, sic dihet se janë sajuar monumentet e trashigimisë kulturore serbe në Kosovë! Kjo duhet të thuhet hapur dhe zëshëm, sepse është fakt konkret, i pamohueshëm.
Në këtë situatë, angazhimi shtetëror i Kosovës për mbrojtjen e monumeneve serbe është joserioz dhe i dëmshëm. Pse u dashka që nga buxheti modest i Kosovës të shpenzohen mjete të majme për mbrojten speciale të monumenteve tendencioze të një populli tjetër të ardhur në Kosovë dhunshëm! Pse dhe si arsyetohet angazhimi i 140 policëve të specializuar ekstra, për mbrojtjen e monumenteve kulturore-historike e fetare serbe! Si shpjegohet kjo zemërgjerësi banale, që privilegjon vlerat e huaja në dëm të vlerave të vendase, që janë si mos më keq, pos tjerash, edhe sepse janë sakatuar nga dhuna gjenocidale e vendit dhe popullit që Kososva tash e merr nën mbrojtje special(!). Kjo është e tepërtë, sepse ajo që të duhet në shtëpi, nuk cohet në fqinjësi.
Monumentet kulturore serbe janë problem i Beligradit. Prishtina ka monumentet e veta, dhe ndaj serbëve duhet të merr për obligim garancën e trajtimit sipas konventave ndërkombetare, që i përcaktojnë qartë detyrat obligative. Prishtina biles, duhet të jetë insistuese kategorike e kërkimit të veprimeve reciproke nga serbët për monumentet shqiptare matanë kufirit, sipas standardeve të garantuara dhe jo privilegjimin e kujdoqoftë! Kjo ëshë rruga e zgjidhjes, që duhet të realizohet sot, sepse nesër bëhet vonë.  

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…