Skip to main content

Tetova News

Flet Shkrimtarja dhe gazetarja Raimonda Moisiu

Intervistoi Ori Lahe
Raimonda Moisiu
Raimonda Moisiu, bën pjesë në grupin e shkrimtareve dhe gazetareve të letërsisë postkomuniste të Diasporës. Jeta e saj mes Shqipërisë dhe Amerikës e bën aktive në botën e shkrimtarisë dhe gazetarisë pavarësisht largësisë. Në karrierën e saj mes të tjerash numërohen disa çmime kryesisht të para. Poezia e saj përzgjidhet çdo vit në takimin e poeteshave në Vushtri të Kosovës. Aktualisht ka në proces botimi romanin me titull “S’i them askujt”. Sot ajo jeton në Hartford shtetin e Connecticut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu është bashkëpunëtore me statusin e gazetares në disa gazeta shqiptare mes tyre dhe Tirana Observer. Krijimtaria ime në të treja zhanret është vlerësuar dhe janë mbi dhjetra  çmime kombëtare, ballkanike, ndërkombëtare që unë kam marrë në poezi, në publicistikë e prozë. Veten më të realizuar e të emocionuar e ndjej në poezi e publicistikë. Poezia, është bashkëbisedimi mitik dhe intim me veten, lexuesin dhe kohën, është një  univers  poetik i lirisë së shpirtit e ndjenjës njerëzore, i gabimeve të bukura me forcë tërheqëse të paparë për t’i përsëritur”
Ju keni zgjedhur një rrugë të bukur por njëherësh pak të vështirë. Çfarë do të thotë për Raimondën të jesh në të njëjtën kohë shkrimtare dhe gazetare?
Një pyetje mjaft interesante që vërtet të mrekullon. Dallimi thelbësor  mes shkrimtarit e gazetarit është se i pari krijon një univers  dhe karaktere që ekzistojnë në mendjen e imagjinatën e tij. Shkrimtari  shpreh  botën e tij ideale, veti kjo që mbart identitetin unik të botës së brendshme të autorit, emocioneve e përvojave jetësore  me brishtësinë dhe intensitetin e tyre. Gjithashtu, ka raste që shkrimtari është  parashikues  për të ardhmen e   shoqërisë në të cilën ai jeton. Me ndjenjën e thellë e të hollë të përulësisë e ndërgjegjësimit , shkrimtari është përgjues pas bravës së  realitetit e sfidave të jetës, përballjen e tyre, për t’i bërë  ato të njohura nëpërmjet talentit, pasionit e artit që ai ka dhunti e zotëron. Gazetaria ka guximin e kurajon për të hedhur në letër atë që synon të jetë  e vërtetë, informacionin profesional në kohë. Raporti njerëzor mes shkrimtarit e gazetarit  i përkasin  njerëzit e thjeshtë – intelektualët, politikanët, shkrimtarët, njerëzit e medias, të artit e kulturës, jetës social –ekonomike. Në një roman, tregim apo novelë   personazhet, natyra,  gjeografia dhe rrëfimi  kanë kuptimin  dhe ekzistencën e tyre nëpërmjet shkrimtarit. Në gazetari personazhet  dhe rrethanat janë më të kufizuara dhe ata  fitojnë  domethënien, kuptimin e vërtetë nëpërmjet penës së  gazetarit. Personazhet ekzistojnë në qenien aktuale,  si kundër bëni ju apo sikundër bëj unë dhe nuk janë personazhe të imagjinatës, por  ato ekzistojnë në të përditshmen njerëzore. Gazetaria në të vërtetë është portretizimi apo përshkrimi i realitetit, të etjes sonë për çfarëdo fakti ose njohuri,  nëpërmjet artikujve, reportazheve, profileve, opinioneve, analizave, eseve, intervistave. Gazetaria efektive  ka nevojë për makinën narrative, është forca e gravitetit që tërheq lexuesin nga fillimi deri në fund. Në raportin shkrimtar –gazetar ekziston konfuzioni, konfrontimi i drejtpërdrejtë. Më kujtohet një thënie e  shkrimtares Isabela Aljende: “Çdo histori më intereson shumë; disa prej tyre më ndjekin pas derisa t’i hedh në letër”. Kombinimi i së tashmes me të kaluarën, kombinimi i letërsisë  me gazetarinë në fushën e letrave përbën bazën e letërsisë së suksesshme, paçka se është  një teknikë e vështirë për ta pasqyruar në letër, por jo e paarritshme. Perceptimet gazetareske dhe reale, të cilat unë i përjetoj si gazetare, duke vënë në dukje njohuritë e mia në sfond kur kjo është absolutisht e nevojshme,  më japin mua shansin e madh për ta jetuar një ngjarje a histori, para se unë ta hedh në letër, por  janë edhe  baza e suksesit të një proze-romani, tregimi apo novele. Po të lexosh tregimet  e romanet që unë kam shkruar përqindja më e madhe e tyre janë të bazuara në ngjarje të vërteta, nga përvojat jetësore, nga ngjarjet reale  të ndodhura. Një tension i brendshëm qëndron në zemër të secilës prej këtyre pjesëve të gazetarisë tradicionale e profesionale.
Pjesë e krijimtarisë për ju është dhe publicistika e cila nuk ka një lëvrim të gjerë. Pse pikërisht zgjedhja juaj i përket këtij zhanri?
Gjëja më e rëndësishme dhe forca ime më e madhe është  lidhja e ngushtë e pasionit tim për publicistikën, më lidh dashuria, malli e dhimbja, për atdheun dhe bashkëkombësit e mi. Kompromisi që unë kam bërë me traditën, historinë, kulturën, vlerat tona kombëtare e identitetin shqiptar. Publicisti është ndërmjetës midis profilit të lartë  të vlerave njerëzore, qytetare e intelektuale, atdhetare e kombëtare, të njerëzve të thjeshtë e të shquar që kanë bërë e bëjnë historinë. Publicisti është largpamës dhe zbulon detajet më të imta, përkthen emocionet e një situate në mënyrë të drejtë e reale thellësisht te lexuesi,  për të kultivuar imazhin e afërt të mesazhit apo vlerave që ai përcjell nëpërmjet penës publicistike. Publicisti operon në kushte të ethshme me sakrilegjin e vetvetes dhe të pavarësisë intelektuale për lirinë e fjalës, jo për t’u bërë i famshëm,  por i sinqertë me lexuesin, me “kockë të fortë intelektuale” dhe shpinën e mendjes, ai na sjell pjalmin e jetës,  nëpërmjet shkrimeve publicistikë,  reportazheve, opinioneve, eseve, profileve, analiza politike, sociale, shoqërore e kulturore, intervistave me njerëz të profileve të ndryshme, si dhe shkrime të veçanta studimore në fushën e letërsisë, monografi,  kritikës letrare,etj. Lëvrimi i publicistikës bashkëkohore më ofron mua privilegjin për të shprehur ndjenjat e mija ndaj kombit dhe bashkëkombësve të mi, me jep “luksin” e lirisë për të prekur idealizmin e qytetarisë  e inteligjencës shqiptare për progres e zhvillim,  të përcjell mesazhe të thjeshta e komplekse,  që sigurojnë identitetin tonë kombëtar dhe janë  drita që lemë pas,  për të bërë të njohur atdheun dhe vlerat e një kombi. Janë, me qindra e qindra shkrimet nga unë kam lëvruar në  publicistikë të  botuar gjerësisht në shtypin shqiptar e në Diasporë. Disa prej tyre i kam përmbledhur në libra dhe të tjerë presin radhën të botohen. Kam botuar librin me 61 intervista në shqip dhe anglisht, me titull “Letrat shqipe këtej e përtej Atlantikut” i vlerësuar shumë  nga kritika e kohës; si ura e bashkimit midis Diasporës e Atdheut! Janë 61 personalitete të profileve të ndryshme në jetën social-ekonomike-politike, në fushën e artit, kulturës, muzikës e letërsisë, intelektualë e qytetarë shqiptarë, shqiptaro-amerikanë dhe amerikanë, të intervistuar prej meje. Jam në proces intervistimi për vëllimin e dytë me intervista, “101 Intervista” dhe do të ketë një surprizë në këtë vëllim; intervistimi i një personaliteti të rëndësishëm e të shquar të politikës e jetës amerikane.  Unë lëvroj edhe publicistikën amerikane që e pëlqej shumë dhe kam sjellë epokat presidenciale dhe presidentët që i kanë bërë këto epoka që nga- Teddy Ruzvelt,-njeriu që themeloi Amerikën moderne dhe superfuqinë e botës, Franklin Delano Rusvelt –themeluesi i Lidhjes së Kombeve , njeriu i epërsisë dhe veprimit, presidenti që fitoi Luftën e Dytë Botërore, Gerald Ford Jr.-një figurë imponuese në histori, Xhorxh W.Bush, aureola dhe personaliteti i Ronald Regan dhe Barack Obamës, Churchill, Condoleza Rice, Kofi Anan, Mbretëresha Elisabetë e Dytë, Ariel Sharon. Të botuar jo vetëm në shtypin shqiptar, në gazetën Albania Daily News dhe njëherësh në librat e mi të botuar.
Vlerësimet kanë qenë të konsiderueshme në fushën që ti ke zgjedhur. Ku e keni ndjerë veten më të realizuar dhe emocionuar?
Krijimtaria ime në të treja zhanret është vlerësuar dhe janë mbi dhjetra  çmime kombëtare, ballkanike, ndërkombëtare që unë kam marrë në poezi, në publicistikë e prozë. Veten më të realizuar e të emocionuar e ndjej në poezi e publicistikë. Poezia, është bashkëbisedimi mitik dhe intim me veten, lexuesin dhe kohën, është një  univers  poetik i lirisë së shpirtit e ndjenjës njerëzore,  i gabimeve të bukura me forcë tërheqëse të paparë për t’i përsëritur. Në poezi çdo moment je vetvetja, është metafora më e bukur dhe e ndjeshme për t’u shprehur, flet thellësia e shpirtit dhe e zemrës, flet intimësisht dashuria,  e ngrohtë dhe emocionale  me njerëzit, botën dhe ëndrrat, me magjiken dhe realen,filozofiken, diçka që unë shoh e prek me mendje e zemër, diçka që unë e përjetoj; natyrën, muzikën, mjerimin, varfërinë, mirëqenien, kamjen e skamjen, dhunën, zogjtë, historia, gjeografi, heronjtë, atdhedashuria, dashurinë e dhimbjen, grotesken, gëzimin dhe dëshpërimin, vlerën e antivlerën,apo ide që vijnë në mendje, gjithçka jetësore brenda njerëzores të gërshetuara në vargje. Ndërsa në publicistikë, aty fillon gjeneza e erudicionit dhe identitetit kombëtar, vlerave tona kombëtare, rritet erudicioni intelektual, qytetar, krijues,  patriotik e atdhetar. Vlerësimet nga kritika e kohës qëndrojnë në faktin se puna krijuese është lexuar e vlerësuar, mesazhi ka shkuar te lexuesi,  dhe kjo të jep muzë,forcë e kurajo, frymëzim, dashamirësi dhe përgjegjësi profesionale për më tej.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…