Skip to main content

Tetova News

Gjuha shqipe dhe terminologjia mjekësore

Nga Josif RISTO
PHD Candidate, Universiteti Mjekësor Tiranë


Ne kemi një gjuhë mjaft të pasur.  Me anën e gjuhës shqipe ne mund të shprehim më mirë dhe më qartë idetë tona mjekësore qoftë me kolegët, studentët apo lexuesit e thjeshtë ose pacientët. Ndonjëherë termi që përdoret është marrë nga literatura botërore dhe nuk është përshtatur siç duhet. Në pamje të parë mund të mos kuptohet se përse bëhet fjalë, ndërsa në rastin më të keq termi i përdorur krijon një informacion të gabuar. Kjo ndodh, psh, me termin “drogë mjekësore” që përdoret shpesh sidomos në botimet farmaceutike. Terminologjia mjekësore që përdoret në literaturën e përditshme mjekësore nga specialistë të ndryshëm, si në tekstet mjekësore dhe në temat studimore, që botohen në revistat tona kombëtare në disa raste ka nevojë për t’u riparë. Shpesh herë nuk i kushtohet vëmendja e duhur shqipërimit të termave. Ky fenomen në vitet e fundit është bërë në modë nga gazetarët dhe politikanët dhe ndoshta mund edhe të mos na e vrasë veshin. Shpesh herë futja e termave të rinj sipas disa autorëve e pasuron gjuhën. Kjo nuk është gjithmonë e vërtetë, pasi disa terma të rinj të futur në gjuhën shqipe nuk japin kuptimin e plotë në shqip të asaj që duam të shprehim. Dhe për më tepër në shumicën e rasteve ne kemi fjalët shqipe shumë të bukura dhe domethënëse që vinë nga lashtësia e gjuhës dhe traditave të kombit tonë. Kjo është në dorën e përkthyesit dhe në aftësinë e tij për ta përshtatur një fjalë në shqip. Kur bëhet fjalë për terminologjinë mjekësore përkthyesi duhet të njohë mirë terminologjinë (termat) mjekësore  dhe t`ia përshtatë si duhet  gjuhës shqipe, ndërsa një specialist mjekësor këtë do ta kishte më të lehtë. Në literaturën mjekësore përdoret shpesh termi “drogë mjekësore”. Me këtë term në mjekësi kuptojmë pjesë të bimës/kafshës ose bima /kafsha e tërë që ka një veprim terapeutik të caktuar. Përdorimi i këtij termi jo vetëm që nuk përfaqëson siç duhet të gjitha lëndët e para që përdoren në formulimin e  një përgatese farmaceutike (ekstrakt ujor, alkoolik etj.) ose  për principet aktive të izoluara (substancat kimike të veçuara në gjendje të pastër) që zotërojnë një veprimin terapeutik të njohur. Në mjaft raste termi “drogë mjekësore”,  sikurse e kemi konstatuar në praktikën mjekësore krijon një disinformim edhe tek pacientët. Principet aktive që ndodhen tek bimët, siç e dimë mund të jenë substanca të ndryshme që sintetizohen tek bimët si alkaloide, glikozide, flavonoide vitamina. Alkaloidet që sintetizohen tek disa bimë si psh, cocaina, alkaloid i pranishëm në gjethet e bimës së kokës (Erytroxylum coca), ose morfina, është një ndër 25 alkaloidet e opiumit (opiatet). Izolohet nga kapsulat e hashashit (Papaver somniferum). Këto  janë substanca që rëndom quhen “droga” dhe përdorimi i disa prej tyre është i ndaluar. Pra, siç e shohim, termi “drogë mjekësore” përfaqëson një numër të kufizuar bimësh që kanë një veprim të caktuar në organizëm dhe s’ka pse të përdoret për të përgjithësuar të gjitha bimët/kafshët  mjekësore ose organet e tyre që kanë një veprim terapeutik të caktuar. Nga ana tjetër lëndët me natyrë inorganike që përdoren si lëndë e parë për përgatitjen e formave të ndryshme farmaceutike nuk mund të përfshihen në termin “droga mjekësore”. Bimët/kafshët/mineralet janë produkte mjekësore.  Ato mund të jenë të papërpunuara (produktet mjekësore bimore, si çajrat mjekësore) ose të përpunuara (përbërësit kimike të izoluar nga bimët/kafshët ose të prodhuara me sintezë nga industria kimike). Produktet mund të jenë produkte ushqimore, bujqësore, mjekësore etj.  Bimët dhe kafshët janë produkte mjekësore organike, ndërsa mineralet janë produkte mjekësore inorganike.  Produktet mjekësore mund të jenë:Produkte mjekësore bimore. Ato mund të jenë: fara (fructus), lulja (flores), gjethja (folia), lëvorja (cortex), rrënja (radix) ose bima e tërë (herba).Produkte mjekësore shtazore. Mund të jenë: mishi, leshi, kocka, briri ose organe të tjera të kafshëve si pankreasi, zorët, gjëndrat e ndryshme etj.
Përbërësit organike. Mund të jenë substancat kimike të prodhuara me sintezë natyrale(ose kimike) tek bimët/kafshët dhe të izoluara prej tyre dhe të gatshme për tu përdorur në përgatitjen e formave të ndryshme farmaceutike (barnave).
Përbërësit inorganike. Ato  mund të jenë lëndë të ndryshme minerale të përpunuara nga industria kimike si; oksidi i kalçiumit, sulfati i bakrit, bikarbonati i natriumit etj. Si edhe substancat e ndryshme kimike të prodhuara me sintezë kimike, që shërbejnë si lëndë e parë për përgatitjen e barnave
Prandaj, a nuk do të ishte me mirë që në vend të termit “Droga mjekësore” të përdorim termin “Produkte mjekësore”. Të njëjtën analizë mund të bëjmë edhe për shumë terma të tjerë. Të gjithë kolegët që do të lexojnë këtë material besoj se duhet të pajtohen me gjykimin tonë dhe në botimet e tyre dhe punën e përditshme do të përdorin terminologjinë e duhur mjekësore.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…