Skip to main content

Tetova News

JETA E DJALOSHIT AHMET ZOGU NË VJENË


"Një mbret në Shqipëri” titullohet romani i botuar nga Jean-Luc Tourenne, sjellë në shqip nga shtëpia botuese “Uegen” me përkthimin e Dashnor Kokonozit. Autori është një psiko-analist parisien. Natyra e tij prej udhëtari jo të zakonshëm e shtyu atë të vizitojë edhe Shqipërinë më 1985-ën. Këtu, mësoi për historinë tonë, e më tej bëri një punë të madhe kërkimore për vendin tonë.

“Ky është një roman. Disa emra janë ndryshuar, të tjerë jo. Faktet historike dhe pjesa më e madhe e ngjarjeve kanë ndodhur me të vërtetë, ndonjë është fryt i imagjinatës. Dhe një gjë e tillë, besoj, është privilegj i romaneve historike”, shkruan ai në hyrje të librit. Pjesa që botojmë më poshtë, është shkëputur prej tij...


*** Mos më thërrisni zoti kolonel. Nuk jemi në front. Unë jam shqiptar. Quhem Ahmet bej Zogu. - Nuk parashikoni një karrierë ushtarake? - Nuk parashikoj asgjë më tej se njëzet e katër orët e ardhshme. -Po ju? - Unë? Unë do të jem mbret. Shpërtheva në të qeshura. - Ide e shkëlqyer! - i thashë. Në fytyrë iu përvijua një buzëqeshje e tehtë. Mbushi dy gota dhe ngriti të tijën. I trokitëm për mbretërinë e tij. Më 11 nëntor 1916, një delegacion shqiptar, ku bënte pjesë koloneli i ri, ishte i pranishëm në Vjenë, sikundër shumë të tjerë, për të marrë pjesë në varrimin e perandorit Franc Jozef. I rraskapitur nga lufta që nuk kishte të sosur, perandori kishte vendosur të vdiste mu në mes të saj. Po të kishte jetuar, as që do të kishte pasur ndonjëherë delegacione. Unë do ta kisha mbyllur atë natë dhjetori në ndonjë kabare, i shoqëruar nga dy artiljerë, do të isha harruar në krahët e ndonjë biondeje dhe do të kisha vdekur në fushën e nderit gjashtë muaj më pas. Me të mbaruar ceremonia, Ahmet bej Zogu ishte bërë gati të kthehej në vendin e tij, një rrip i ngushtë toke në bregun perëndimor të Ballkanit, për të cilin nuk dija asgjë. Por që të ikte nga Vjena doli se ishte punë e vështirë. Gjithçka filloi me arsyetime koti. Lufta kishte ndërprerë rrugët e transportit, hekurudhat nuk ishin të sigurta, Ballkani kishte marrë zjarr. Pastaj në disa zyra të larta nisën t’i flasin për arsye të errëta diplomatike. Së fundi i lanë të kuptojë se as që bëhej fjalë që ai të largohej nga Vjena. Derisa shqetësonte në këtë fare feje perandorinë austriake, ai duhej të qe shumë më tepër sesa një kolonel i thjeshtë. Ahmet bej Zogu kishte lindur në Burgajet, midis maleve të Matit, në Shqipërinë Veriore. Ai ishte trashëgimtar i një fisi të vjetër prijësish luftarakë, emrat e të cilëve i ngatërroj edhe sot e kësaj dite. Zogu i Madh, Zogu i Vogël, Xhelal pashë Zogu, të gjithë njerëz të plotfuqishëm të një feudalizmi malësor, i cili vazhdonte që nga shekulli i pesëmbëdhjetë. Në atë Mesjetë moderne që zotëronte në vendin e tij, Ahmet Zogu u rrit dhe u bë prijës fisi kur i vdiq i ati. Kishte qenë vetëm trembëdhjetë vjeç.- Nuk kam pasur shumë raste të tregoja se çfarë isha i zoti të bëja, - më rrëfeu ai. Ahmeti kreu studimet në Liceun francez të Gallata Sarajit, pastaj ndoqi kurse për oficer në Manastir. Mbase jo edhe aq gjatë sa të përligjte suporet austriake, por mjaftueshëm që të udhëhiqte njerëz në luftë, gjë që nuk mungoi ta bëjë më pas. - Kjo nuk na afron shumë me Vjenën, - i thashë me padurim. Ai mbushi përsëri gotën time. - Ju më ndërprisni pareshtur... - Jam i prirë të djeg etapat, më falni. - Një zakon i kalorësisë! Është përparësia që ka këmbësori mbi kalorësin. Ai përgatitet, pret e pastaj godet në çastin e duhur. Nuk desha të futem në një diskutim çështjesh strategjike, por po bëheshin tre vjet që këmbësori nuk priste më asgjë, mbase as që ta ndërronin, atje ku ishte ulur galiç, në baltën e transheve. Për të goditur në çastin e duhur, më parë ai duhej të kishte në dorë fatin e tij, të bënte zap të ftohtit, shiun, morrat e të ruante kokën nga loja vdekatare e predhave. Ua vura fajin gradave të sapomarra, për moskuptimin që ai kishte rreth asaj lufte që e cilësonin moderne. Mbase ishte ushqyer me imazhet e dala nga faqet e historisë, ku ende vdisje midis lavdisë, i veshur me të bardha dhe i mbuluar me ar. Do të kalonin kohë që të kuptoja që ai arsyetonte si malësor dhe që një burrë i cili zinte pritë në shkëmbinjtë e zhveshur të Matit, vlente sa për dhjetë të tjerë mbi kalë. Ahmeti vazhdoi të tregojë. Rebel, i pavarur, ai ishte mësuar të dëgjonte prej kohësh se ishte prerë për t’u ngjitur shumë lart. Që fëmijë ai i kishte shkelur zotërimet e familjes në krah të të atit. Ishte përshëndetur e brohoritur. Në vitet kur ishte larg vendit të tij, këto përshëndetje nuk i shqiteshin nga kujtesa. Pak si vagëllimthi mbante mend një ngjarje të largët të fëmijërisë, që fliste për lidhjet me tokën e tij. Një ditë, ndërsa po kalonin përmes një fshati, një turmë malësorësh ishte lëshuar mbi ta. Ahmeti pa të atin tek nxori koburen, i gatshëm ta mbronte. Fëmijës iu duk se ishte vdekja që kishin përpara. Kujtonte fytyrat e ngërdheshura, gra që ngrinin duart nga qielli. E ndërsa kali u ngrit kas, turma u vu të thërrasë. Xhelal Pashë Zogu, futi armën në brez dhe u afroi fshatarëve fëmijën. Ata e morën dhe e ngritën lart, duke e mbajtur mbi supe. Ishte hera e parë që trashëgimtari i prijësit të fisit takonte popullin e tij. - Mbase, - e mori prapë fjalën ai, - ishte tamam atë ditë që kuptova se çfarë ishin ata njerëz për mua. Shprehja e tij m’u duk argëtuese, por në fund të fundit ajo i shkonte një mbreti... - Është një borxh, një borxh në të cilin ju hyni që në lindje dhe asnjë syrgjyn nuk mund ta lajë. *** - Ai nuk di të bëjë gjë tjetër, - shtoi Ahmeti, - veç shkresave nuk njeh asgjë. Ahmeti pra, vazhdoi rrëfimin në të thatë. Përveç gjuhës dhe zakoneve otomane, gjatë qëndrimit në Kostandinapol kishte përvetësuar edhe vlera të tjera. Aty kishte marrë mësimet e para të politikës e të diplomacisë e mbi të gjitha kishte mësuar strategjinë, diçka krejt tjetër nga ajo luftë instinktesh që ushtronin njerëzit e tij në Shqipëri prej shumë brezash. Duke qenë pranë lëvizjes së Turqve të Rinj, ai kishte ndjerë lëkundjen që kërcënonte të përmbyste perandorinë. Nuk linte t’i shpëtonte asgjë, përfitonte nga gjithçka që shikonte, që lexonte, kërkonte të dinte nga të gjithë, duke e shndërruar qëndrimin aty në një mjet për të kuptuar botën. Por njerëzit e Zogut ishin të varfër. Kur të hollat po i shteroheshin, rojet shqiptare të pallatit të sulltanit nisën të heqin diçka nga rroga për t’i lejuar Ahmetit të vazhdonte studimet. Ai nuk do ta harronte gjithë jetën këtë. Pa ndihmën e atyre njerëzve anonimë, atyre mërgimtarëve që dikur i kishte përbuzur sepse kishin zgjedhur të viheshin në shërbim të turqve, ambiciet e tij do të merrnin fund nga mungesa e të hollave. Ndërkohë që ai vazhdonte shkollimin, Perandoria Osmane u shkërmoq pak e nga pak. Fronti shqiptar u hap më 1909, para se reformat e Turqve te Rinj të mbërrinin në vend. Një vit më parë, Bosnjë-Hercegovina ishte ngritur kundër perandorisë dhe kishte fituar pavarësinë. Një ekspeditë u dërgua kundër Shqipërisë dhe shtyu fiset malësore drejt Malit të Zi, armikut të tyre shekullor. Pesëdhjetë mijë ushtarë otomanë shkelën vendin dhe vendosën rendin sipas mënyrës turke... Në Kostandinapol menduan se rreziku kaloi. Por më 1911, kur ishin dobësuar nga luftërat në shumë fronte dhe ndërkohë që Italia po u kafshonte territoret në Libi, përsëri Shqipëria nisi t’u dalë nga kontrolli. Diçka më pak se dy vjet para fillimit të Luftës së Parë Botërore, vendet e Ballkanit lanë mënjanë kacafytjet e lashta dhe u bashkuan kundër otomanëve. Rajoni mori flakë. E gjendur midis dy zjarreve, luftës kundër turqve dhe synimeve grabitqare të fqinjëve, Shqipëria ndihej më e rrezikuar se kurrë. Ahmeti nuk kishte më shumë se shtatëmbëdhjetë vjeç, por e parandiente se ora e tij kishte ardhur. Ka disa çaste kyçe në jetën e gjithkujt, disa çaste që nuk duhet lënë të ikin edhe kur ndodhesh në gjendjen më të mjerueshme, - më tha duke vështruar gotën e zbrazët. Pastaj shtoi: - Vetëm se shumica e njerëzve nuk dinë t’i shohin. Në mos, pëlqejnë t’i lënë të kalojnë. Ahmeti qe kthyer në vendlindje. Aty lufta bënte kërdi, një luftë që thuhej se bëhej për të fituar pavarësinë e humbur në tallazet e shekujve. Kreu i shqiptarëve në mërgim, Ismail Qemal beu, kishte bërë thirrje të rrëmbeheshin armët kundër turqve, por edhe kundër vendeve ballkanike që përsëri kishin vendosur të ndanin midis tyre vendin. Në krye të njerëzve të tij Ahmet bej Zogu u ndesh me trupat serbe e malazeze, të armatosura dhe të stërvitura më mirë se malësorët e Matit. Por ajo që ndikoi në fund ishte vendosmëria e shqiptarëve. Ata burra që ishin rritur me frymën e kapedanëve, të njohur si nacionalistë e grabitqarë të panënshtruar, luftonin verbërisht për nder, për fjalën e dhënë. - Nuk e njohin frikën, - saktësoi Ahmeti jo pa një grimë krenarie. - Ajo nuk bën pjesë te kultura e tyre. Ndenja disa çaste në mëdyshje, pa mundur të kuptoj nëse koloneli i zbukuronte disi ngjarjet që tregonte apo nëse ky popull i panjohur ishte në të vërtetë Sparta e Ballkanit. Sot, duke pasur në ndihmë përvojën time shqiptare, besoj se e kam kuptuar që nuk është më shumë kultura sesa mungesa e saj që i bën të mos e njohin frikën. ...- Deri atë çast isha veçse biri i tim eti. Ismail Qemali e të tjerë burra kishin respekt për fisin tonë, se qenë ngritur të parët kundër turqve. Ishim një simbol, por jashtë historisë së familjes unë nuk isha i njohur si dikushi. Të paktën jo përpara se të njihja zjarrin e armëve. Kështu, pra, në moshën kur djemtë e familjeve vjeneze mësojnë të kërcejnë valsin, Ahmet bej Zogu hynte për herë të parë në faqet e Historisë. Nuk mësova më shumë për rolin e tij në ngjarjet që pasuan Pavarësinë, as për fatin e atij vendi në pështjellimin ballkanik. ...U kthyem te viti 1916. Në fillim të vitit, ushtria austriake kishte hyrë në Shqipëri me qëllim që të vendoste rendin, pas trazirave të reja. E shkelur nga serbët, e kontrolluar nga francezët, e vënë nën zgjedhën e Esad Pashës, ai vend i vogël e kishte të vështirë ta kapte veten pas atyre regjimeve të njëpasnjëshme që e kishin sunduar pas shpalljes së Pavarësisë. Vjena i hidhte vështrime joshëse Ahmet Zogut, e ardhmja e të cilit dukej premtuese. Fjala ishte për të respektuar asnjanësinë e vendit, rivendosjen e sovranitetit, emërimit të një qeverie të pavarur. Dorën e shtrirë të perandorisë prijësi i ri nëntëmbëdhjetëvjeçar e kapi me ndrojtje dhe frikë se mos vendi gllabërohej përsëri dhe shndërrohej në një vijë të parë të frontit austriak. Ai nxitoi të mbërrinte para aleatëve në çlirimin e Krujës, pastaj krijoi një Asamble Kombëtare, ku për herë të parë u bëri thirrje shqiptarëve ta ndiqnin. Austriakët nuk ishin gabuar; ata shpallën gjendjen e shtetrrethimit në Elbasan, ku duhej të mblidhej asambleja. Më fort se të nënshtronte Zogun me forcë, Vjena i qëndroi besnike traditës së saj diplomatike dhe vendosi ta thërrasë atë në Vjenë e ta mbulojë me nderime. Pas Kostandinapolit, ishte radha e Vjenës të përpiqej të bënte për vete malësorin kokëfortë dhe të kanalizonte energjinë e tij kombëtariste në ingranazhet e makinës perandorake. - Uniforma u pëlqen grave, - saktësoi ai jo pa humor, duke i hedhur një vështrim kalimthi kamerieres që po fshinte midis tryezave. Edhe duke mbajtur ngjyrat e uniformës së tyre, Zogu u qëndronte me kryeneçësi aleatëve dhe shpalli se ata nuk kishin asnjë të drejtë të përziheshin në punët e vendit të tij. Vjena kërcëlliti dhëmbët. Pa u kthyer hapur kundër fisit të matjanëve, ajo u përpoq t’i çarmatosë malësorët. Të çarmatosësh një shqiptar është njëlloj si t’i këpusësh krahun. Këtë unë nuk e dija ende. Në atë vend ku vrasja përbën një institucion më vete, zakoni e do që djalit të sapolindur, për të pasur fat në jetë, i vënë nën jastëk një kobure të mbushur... Këtë, forcat austriake në Shqipëri nuk e dinin, por me kohë do ta mësonin në kurrizin e tyre. Kështu trupat perandorake mundën të mblidhnin një pjesë fare të vogël të armëve të trupave të Zogut. Më 11 nëntor 1916, plaku Franc Jozef pati idenë e shkëlqyer të japë shpirt, duke e detyruar vasalin e tij shqiptar të niset për t’i bërë nderimet e fundit. I pritur me të gjitha nderimet, Ahmeti kuptoi se ai nuk mund të dilte nga Austria po aq kollaj sa kishte hyrë. Ditë të tëra u përpoq të mundte Goliatin, duke shtyrë me forcë portat e ministrive e duke bërtitur se kjo e gjitha ishte një skandal diplomatik. Kur kuptoi se ajo botë e kredhur në luftë nuk ishte fort e ndjeshme ndaj kërkesave të një prijësi fisi të maleve të Shqipërisë, ai u bë më i durueshëm, shndriti dekoratat e tij dhe u vu të zbulonte qetësisht ëmbëlsinë e jetës vjeneze. Në mesin e asaj kasaphane botërore, në Vjenë njerëzit vazhdonin të valsonin. Gratë ishin të bukura dhe sa më shumë që burrat e tyre ishin të zënë me mbytjet me gaz, aq më të ndjeshme ishin ato ndaj pranisë sonë. - Nuk duhet të besoni se unë vizitoj vetëm këto lloj lokalesh, - tha Ahmeti, duke hedhur sytë nëpër sallën e zbrazët. Më ftojnë edhe në sallën perandorake ku jepen ato ballot madhështore, sekretin e të cilave e keni vetëm ju austriakët. Perandoria i trajton aleatët e saj me nderimet më të mëdha. Me gjithë gradat dhe historinë e jashtëzakonshme të jetës së tij, Ahmet bej Zogu kishte frikë se mos unë e merrja për një nga ato kolonat që mbanin tavanin e tavernës. E sigurova se nuk ishte ashtu. Si oficer i ardhshëm që isha, edhe unë i frekuentoja me shpirt ato ballo madhështore, ku ne tashmë ishim të domosdoshëm. Damave u mungonin kërcimtarët dhe ne ishim kavalierë, si në kuptimin e vërtetë, ashtu edhe në atë figurativ. Dhe shërbenim jo vetëm si kërcimtarë. Sa e sa zonja të nderuara e lëshonin me dëshirë veten gjatë atyre përkëdheljeve të shpejta pas automobilit ndërsa ktheheshin nga Opera? Nëse gjatë atyre muajve që pasuan, Ahmeti kalonte nga një histori dashurie te tjetra, ai asnjëherë nuk pati të njëjtën shije sikundër unë, për ato kanapetë në dhomat e pasme të lokaleve. I shqetësuar për figurën që bënte, atij i pëlqente të shoqërohej hapur me vajzat e atyre familjeve që kthenin kokën ta shihnin. Kostandinapoli i kishte dhënë këtij prijësi fisi shijen e hollë të edukatës së elitës, që më vonë do t’i hynte në punë shumë më shumë se valset vjeneze... - Po tani, - e pyeta, kur ai përfundoi së treguari. - Pres... Vjena nuk është aq e pakëndshme. - Vendim i matur. Ata do t’ju lënë të ikni një ditë, qoftë dhe për të liruar adjutantin tuaj. - Veberi i shkretë! - ia bëri duke qeshur. - Ia kam nxirë jetën. E megjithatë ai përpiqet më shumë të më ndihmojë sesa të më vrojtojë. Me siguri më mallkon çdo ditë. I hodhi një sy orës. - Sidomos në këtë orë! - Mund ta kishte punën më pisk, - i thashë duke ngritur supet. - Në front do të kishte ngrënë ndonjë plumb. Ra një çast qetësie. Kujtimi i gjithë atyre ngjarjeve e kishte ngrysur disi vështrimin e kolonelit të ri, po qe se një gjë e tillë nuk ishte shkaktuar nga alkooli. E theu qetësinë duke më shprehur dëshirën se mbi të gjitha donte të shihte sa më shpejt Shqipërinë. Çdo ditë, çdo javë që kalonte në Vjenë e largonte nga fati i tij. Ai besonte fort se autoritetet perandorake e pengonin me të gjitha mjetet, madje do të vinin në veprim një batalion trupash të zgjedhura, po qe se ai do të përpiqej të ikte. Unë nuk u bëra mizor për t’i thënë se e ardhmja e veriut të vendit të tij të vogël nuk bënte pjesë në përparësitë e Shtatmadhorisë. - Është çështje javësh, - i thashë për ta siguruar, por pa menduar që ai do të kalonte edhe dy vite të tjera në Vjenë. - Me të mbërritur në vend, ju mund të shtini në dorë frerët e fisit tuaj. - Kam në kokë diçka më shumë se kaq. - Më shumë? - Mos më thuaj se harrove. Ahmet bej Zogu nuk bënte shaka kur thoshte se do të bëhej mbret. Ky djalosh nëntëmbëdhjetëvjeçar, peng në një vend të huaj, që nuk njihte në Vjenë njeri tjetër veç një adjutanti dhe një studenti të shkollës ushtarake të kalorësisë, thoshte me sigurinë më të madhe se një ditë do të vinte mbi kokë kurorën e Shqipërisë. Po sikur historia e tij e çuditshme të mos ishte gjë tjetër veç një thurje e fantazisë dhe ai të qe, ashtu siç mendova në fillim, biri i ndonjë ministri a bankieri që kishte lindur në Graz dhe ishte shkolluar në ndonjë shkollë fetare? Po qe se kjo qe e vërtetë dhe nëse ai do të kishte shans t’i shpëtonte azilit të të çmendurve, atëherë mund të thuhej se rruga e tij si shkrimtar me të vërtetë që ishte e hapur... Pastaj Ahmeti më paraqiti parimin e projektit të tij; asgjë më pak se bashkimi i të gjitha krahinave shqiptare në një komb të vetëm. Vetëm një mbretëri mund të mobilizonte energjinë e duhur për të bashkuar të gjitha fiset e vendit, vetëm një mbretëri mund të përligjte një forcë të pakundërshtueshme që do t’u mblidhte rripat edhe më kokëngjeshurve. Pavarësia e arritur më 1912 mund ta çonte vendin drejt një shteti të fortë, por ai mund të përfundonte edhe në anarki. Emri i familjes së tij, i njohur që nga shekulli i pesëmbëdhjetë, roli i saj në luftërat për pavarësi, nderimi dhe mbështetja që gëzonte nga Ismail Qemali, përgatitja e tij ushtarake e diplomatike bënin që ai të ishte një mbret ideal. Për këtë ishte i bindur fuqimisht. I vetëm, para një shisheje të zbrazët në atë tryezë, pa pasues e ushtri, pa para e mjaft i ri, ai në sytë e mi, megjithatë, ishte pothuaj i besueshëm. - Kam nevojë shumë për kuadro, për njerëz si ju, të përgatitur për luftë, të ditur e të zotë të drejtojnë. Në Shqipëri gjithçka duhet ndërtuar nga e para. - Keni filluar të pajtoni njerëz? - e pyeta i pataksur. - Ka një luftë për të bërë në vendin tim. Dhe unë nuk mund ta fitoj atë i vetëm. E shikoja, pa besuar në ato që thoshte. Bota e gjithë ishte në flakë dhe ai më fliste për luftën e tij, një luftë malësorësh, një kacafytje fshatarësh. Po të qe një kohë tjetër do t’i kisha qeshur në sy këtij koloneli të rremë, që rekrutonte funksionarët e tij në përfundim të natës, në një kabare. Por lufta krijon hapësira jashtëkohore, ku na pëlqen të besojmë të pabesueshmen. Megjithatë, e pyesja veten nëse kishte një shans sado të vogël që ai të vinte në kokë kurorën që ëndërronte. Drita e agimit nisi të duket përmes dritareve. Diku në një qoshe të sallës po dremiste, me kokë të mbështetur në tryezë, kamerierja e fundit që kishte mbetur. Ajo dukej si e vdekur, në vetminë e saj. Ahmeti e vështroi dhe buzëqeshi. - Çfarë më propozoni, - e pyeta, jo pa një grimë ironie, -postin e ministrit të Brendshëm? - Çfarë ju propozoj? Tani për tani t’i bashkoheni delegacionit tim këtu në Vjenë. Kalimthi po ju them se në të kam mbetur vetëm unë. Por po të këmbëngul pranë Shtatmadhorisë, besoj se nuk do të më refuzojnë një ndihmës. - Ahmet, këtu ju jeni peng. - I ftuar, ju lutem. Është një detaj i hollë i shpirtit vjenez, që ndryshon gjithçka në statusin tim. Le të themi kështu... - Nëse propozimi im nuk iu tërheq, e lëmë këtu e nuk flasim më. Mbase ju keni projekte të tjera për vitet që vijnë? Jo, unë nuk kisha projekte. Nëse do të kisha ndonjë, do të qe të bashkohesha në varreza me mijëra të tjerë. Kasaphana e madhe e kishte përcaktuar tanimë fatin e dy brezave. Pas ndonjë muaji unë do të merrja suporet e oficerit, shpatën time të paradave dhe urdhrin për t’u nisur në fronte. Një leje-kalimi zyrtare për në varr. Mora vendimin pa e vrarë mendjen shumë, sikundër firmoset një marrëveshje me djallin. - Jam njeriu juaj. Ahmeti u ngrit me një ndriçim kënaqësie në sy. Veshi mantonë, vuri kapelën dhe dorëzat. - Te ne, një shtrëngim dore ka vlerën e marrëveshjes. - U krye. Duke kaluar para vajzës që po flinte, ai la disa kartëmonedha në pëllëmbën e saj, aq sa do të mjaftonin për të paguar dhjetë shishe. Besova se ishte i pasur, por ai qe vetëm një mbret para kohe. U ndamë në të dalë të tavernës, ndërkohë që dita po vinte. Më kujtohet se kishte rënë shi gjatë gjithë natës dhe kalldrëmet ishin të lagura. Ato çaste ishte e vështirë të kuptoje nëse mbretëria për të cilën sapo kisha firmosur, nuk qe gjë tjetër veçse një jerm të dehurish. Drita e mëngjesit e bënte pothuaj të pabesueshëm betimin e çuditshëm për vasalitet që kisha bërë me atë të panjohur. E vetmja gjë e sigurt ishte se më mbetej diçka më pak se një orë që të kthehesha në kazermë, të rregulloja uniformën dhe të paraqitesha në thirrjen e mëngjesit. Një javë pas asaj natës së tavernës, komandanti im më vinte në dijeni se ‘për arsye diplomatike’ isha caktuar t’i bashkohesha delegacionit shqiptar në Vjenë. Tashmë në një farë mënyre unë isha shqiptar. /gazetashqiptare/

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…