Skip to main content

Tetova News

Leximtari, një himn kundër keqardhjes

AGIM BAÇI (Shënime për romanin “Leximtari” të shkrimtarit gjerman Bernard Shlink)


 Për çfarë duhet të na shërbejë një lexim? Të kuptojmë veten? Të kuptojmë botën? Të kuptojmë se kur duhet të ndalim, apo pse mundemi për më tutje? Bernard Shlink ka mundur të lexojë një nga gjërat më të rëndësishme për secilin nga ne: rrugën për të respektuar krenarinë e tjetrit. Sepse ç’mund të jemi ne pa krenarinë tonë, pa atë që kemi menduar se na bën të jemi vetvetja? Dhe a mund të besojmë ne se do të mundemi të mbajmë sërish një mik pranë nëse nuk kemi arritur të respektojmë krenarinë e tij? Përmes një rrugëtimi që vjen nga e brendshmja jonë, Shlink ka përdorur çdo gur të përditshmërisë për të ndërtuar një barrikadë ndaj gabimit të vetëm që s’duhet të bëjmë ndaj një personi që e duam, që është i rëndësishëm për ne. Të mos e lejojmë veten të na vijë keq për të. Sepse keqardhja është fundi, është pamundësia më e madhe për një dashuri, për një mik. Nëse do të shkatërrosh një lidhje, nëse do të kesh shkërmoqur një miqësi, atëherë shpreh keqardhje. Por Shlink nuk ia lejon këtë personazhit të tij, Mikaelit, i cili hap pas hapi kupton se, për hir të krenarisë, një njeri pranon ndëshkim duke besuar se ashtu do të mundet të jetë vetvetja e duke pasur shansin kështu që një ditë do të mundet të jetë atje ku ka ëndërruar. Por pa u mëshiruar. Ai dhe Ajo mund të jenë Mikaeli dhe Hana, siç i ka quajtur Shlink, por mund të kenë edhe emra pa fund. Një histori e secilit nga ne mund të na qëndrojë pas duke pritur se si do t’ia japim zgjidhjen, se çfarë duhet të vendosim të bëjmë me të shkuarën tonë. Dhe ata me të cilët duhet të besojmë veten tonë, janë rëndësia e të rëndësishmes. Ai mund të kishte publikuar të fshehtën e saj, që ajo nuk dinte të lexonte, dhe kështu ta shpëtonte atë nga burgu. Por çfarë do të ishte ajo më paskëtaj, që kishte pranuar ndëshkimin me burg më mirë se sa të pranonte këtë çalim të së shkuarës së saj? E ç’kuptim ka një dashuri nëse ne nuk mundemi të jemi respektuesit e krenarisë? Përmes një zgjidhjeje filozofike, Mikael kupton se ai do ta rrëzonte nëse do të vendoste të fliste në emër të saj. “Kur e dimë se çfarë është e mirë për tjetrin, duhet t’ia bëjmë patjetër të qartë. Duhet t’ia lëmë atij fjalën e fundit, duhet të flasim me të dhe jo me dikë tjetër apo prapa kurrizit të tij”, i sugjeron i ati filozof i Mikaelit, duke na dhënë ndoshta një nga zgjidhjet më të rëndësishme të raportit me miqtë, nëse ne duam vërtet t’i kemi të tillë, atë të bisedës me to nëse mendojmë se kemi kuptuar diçka të mirë për to. Përmes një ndjesie që kalon nga dashuria e raporti njerëzor pa vendosur kufij, Shlink ka ngritur kështu përmendoren kundër keqardhjes, sepse keqardhja është fundi i çdo ndjesie. Ne mund ta ndihmojmë dikë për të cilin ndiejmë keqardhje. Mund të bëjmë shumë gjëra për të. Por zor se mund ta duam, se mund të jemi sërish miq. Sepse keqardhja mund të rrënojë themelin e çdo marrëdhënieje të vërtetë, e mbi të gjitha dashurinë. Çfarë duhet të lexojmë te ky libër? Krenarinë me të cilin dikush ka ngritur portretin e vetvetes. Jo krenarinë që nuk na lejon të shikojmë, por atë që na bën të ëndërrojmë se cilët mund të jemi. Hana është e lumtur në ëndrrën e saj. Asnjë qeli nuk mund ta vërë poshtë, përveç qelisë së keqardhjes. Madje ajo nuk e pranon atë liri ku keqardhja mund të qëndrojë si një lak për ta zënë brenda pamundësisë për të qenë e lirë në krenarinë e saj. Gjatë gjithë leximit shumëkush mund të jetë irrituar me mungesën e letrës së Mikaelit në drejtim të Hanës, ndërsa kjo e fundit i shkruante thuajse për çdo gjë nga burgu, duke treguar gëzimin e pafund të kapjes së ëndrrës, atë të mësimit të leximit. “Djalosh” e kish cilësuar në njohje. “Djalosh” e thirri shumë vite më vonë, për të treguar se në cilën sekondë i kishte ndalur ora njerëzore brenda vetes. Një thirrje për të ndalur kohën. Të vetmen kohë të cilën e donte. Të vetmen kohë që e bëri të ëndërrojë duke shpërfillur çdo lloj dënimi. Sepse kur e dimë se ç’gjë vlen, nuk ka çmim për ta mbajtur gjallë. Përveç keqardhjes, e vetmja që mund ta rrëzojë pa i dhënë as më të voglën mundësi të ringrihet. Të lexojmë dikë është e rëndësishme. Te lexojmë atë që duam, duke parë brena vetes, duke parë tjetrin e duke mos i lejuar vetes që për atë që duam të na vijë nëpër mend keqardhja. Jo, kurrë. Sepse ajo shemb çdo urë drejt dashurisë. Këtë mesazh e lë Shlink në dorë të lexuesit, për të parë rreth vetes, për t’i bërë pyetjen e vetme: a mund t’i ruash miqtë nga keqardhja? Për t’i kthyer përgjigje duhet të lexojmë së pari vetveten. Pastaj të lexojmë tjetrin dhe të mos presim vetëm të na ruajnë, por më parë t’i ruajmë ne. Sepse ata që duam, miqtë e vërtetë, janë libri që duhet të lexojmë dhe rilexojmë, nëse do të vijojmë të themi se ëndrra ia vlen, pavarësisht se cila pengesë deshi ta shmangë atë në përditshmërinë tonë.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…