Skip to main content

Tetova News

Patosi heroiko-tragjik i një romani

Nga Prof. Dr. Klara Kodra




“Shtatori i gjëmës së madhe” ka një veçanësi, nuk bën pjesë në romanet e shumta që dalin sot në qarkullim dhe vënë në qendër formën si një kod që qëndron më lart se mesazhi, është një vepër që na transmeton një mesazh të rëndësishëm, aktual, dënimin e dhunës dhe terrorizmit, afirmimin e vlerave njerëzore në një kohë kur sundojnë kundërvlerat. Është një roman që përshkohet si prej një rryme të brendshme nga ngrohtësia njerëzore. Personazhet e kësaj vepre luftojnë për të mirën dhe nuk janë aspak heronj të jashtëzakonshëm si në traditën romantike apo në skemat e realizmit socialist, po njerëz të zakonshëm që me trimërinë, stoicizmin dhe solidaritetin e tyre ngrihen në një lartësi heroike. Autori synon që mesazhin e vet ta mishërojë në formën e duhur, në karaktere të gjalla. Kjo vepër i përket llojit të romanit – dokument ku realja ndërthuret me trillimin artistik. Është një roman në thelb realist, ndonëse shfrytëzon teknika moderniste si monologun e brendshëm dhe reduktimin e kronotoposit (ngjarjet përqendrohen në dy ditë, një ditë maji dhe dita e kobshme e njëmbëdhjetë shtatorit dhe zhvillohen në dy kullat binjake dhe njërin nga avionët e shtënë në dorë nga terroristët). Vepra të kujton edhe tragjeditë greke për patosin tragjik, kondensimin e ngjarjeve brenda një kohe të shkurtër, kalimin nga lumturia në fatkeqësi të personazheve kryesore, gazetarit Stiv, së fejuarës së tij Zhaklinës, si edhe personazheve shqiptarë ku përfshihen edhe një kosovar dhe një arbëresh. Ngjarjet në roman kanë një tragjicitet të tillë që e kalojnë çdo fantazi të mundshme shkrimtarësh. Në raste të tilla shkrimtarit i duhej të qëndrojë në lartësinë e realitetit të përshkruar dhe Skifter Këlliçi ka arritur ta bëjë duke e ndërtuar subjektin me një tension dramatik që sa vjen e rritet, duke gërmuar në shpirtin e personazheve dhe duke zgjedhur episode që zbulojnë aspekte të caktuara të karakterit të tyre si vigjilenca e Sokolit që mund ta parandalonte ngjarjen tragjike, episodin e solidaritetit të thellë njerëzor kur arbëreshi Marko përpiqet ta shpëtojë shokun e vet Besim, ajo telefonatë nga ferri që i bën ky i fundit familjes, heroizmi i heshtur i Stivit që kryen detyrën e vet si gazetar në një kohë që sapo ka humbur të fejuarën. Ndonëse disa personazhe luftojnë për triumfin e së mirës dhe disa të tjerë janë bartës aktivë të së keqes autori nuk i ndan personazhet në mënyrë manikeiane në pozitivë dhe negativë. Protagonistët – Syivi dhe Zhaklina, personazhet e rreshtuar krah tyre, Sokoli, Besimi dhe Markoja, shoqet e tyre të jetës, siç thamë, janë njerëz të zakonshëm me zemër të madhe që e duan jetën dhe gëzimet e saj, po që dinë edhe të luftojnë kundër dhunës dhe ta presin vdekjen me stoicizëm. Bartësit e filozofisë së dhunës, terroristët që zënë vend në dy avionët dhe Bin Ladeni jepen edhe ata me botën e tyre shpirtërore, një pellg errësire, po që qartësohet disi në sytë e lexuesit, fetarizmi i tyre i skajshëm për të cilin janë gati të flijojnë veten dhe të tjerët, një filozofi e vdekjes që i kundërvihet filozofisë së jetës. Te terroristi që pendohet në çastin e fundit vihet re fillimi i një kthese, një lloj ndriçimi shpirtëror që mund ta rigjeneronte, po qe se s’do të vritej nga shokët e vet. Te figura e Bin Ladenit nënvizohet me të drejtë ambicia dhe etja për pushtet që maskohen nga sloganet fetarë të përdorur me mjeshtëri, por ndofta është i diskutueshëm vizatimi i këtij personazhi me tiparet e një mashtruesi të ndërgjegjshëm më tepër se me ato të një fanatiku ekstremist. Ky personazh mund të ishte më psikologjikisht po të jepej duke u besuar edhe vetë gënjeshtrave të veta dhe të mos shfaqeshin tek ai simptoma të ndërgjegjes së keqe që shfaqen në makthin në të cilin vetë Muhameti e dënon. Një fanatik fetar zor se do ta sfidonte me ndërgjegje profetin. Më e besueshme do të ishte sikur ai t’i mbushte mendjen edhe vetes se ishte ai luftëtari i guximshëm për fenë e vet që besojnë bashkëbesimtarët se është. Një figurë e goditur negative është ajo e burokratit që i kundërvihet Sokolit dhe që zhduk çdo mundësi shmangieje të katastrofës. Ky personazh ngjan po aq i neveritshëm sa terroristët. Autori di t’i kombinojë dialogët sa të natyrshëm aq edhe shprehës me monologët e brendshëm. Në një moment të caktuar Këlliçi ndërthur imagjinarin me realen në episodin e kthimit imagjinar të Zhaklinës që sikur lidhet me legjendat popullore shqiptare dhe i ka rrënjët psikologjike në pamundësinë për të pranuar vdekjen e njerëzve të dashur. Vlera e këtij romani qëndron te forca emocionale që shkon krah për krah me thjeshtësinë dhe qartësinë. Kjo vepër dëshmon për mundësitë që fsheh ende realizmi (kuptimplotë është një farë rilindjeje e realizmit në letërsinë evropiane pas post-modernizmit). Romani dëshmon edhe për një rritje të pjekurisë artistike të autorit dhe bën pjesë në veprat dinjitoze që u frymëzuan nga një ngjarje skajshmërisht tragjike. Jo më kot titulli i zgjedhur nga Skifter Këlliçi të kujton një roman tjetër edhe ai i frymëzuar nga një ngjarje historike që shprehu qartë përçarjen e të ashtuquajturit “kamp socialist” dhe izolimin tragjik të Shqipërisë nën diktaturë, “Dimri i vetmisë së madhe”. Dhuna si kuçedër me shumë koka, ka forma nga më të ndryshmet, diktaturat e djathta ose të majta dhe terrorizmi – individual ose në grup. Letërsia, që siç ka pohuar Romen Rolani, i kundërvihet vdekjes (“Ku është vdekja arti s’është. Të krijosh do të thotë të mundësh vdekjen”) duhet dhe mund të luftojë kundër saj me armën e fuqishme të fjalës.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…