Skip to main content

Tetova News

Të harrosh një burrë

Antonia White/ Jeta e një prej shkrimtareve më të njohura angleze të shekullit XIX. E krahasuar me Jane Austen dhe Xhejms Xhojs, Antonia White u takon atyre shkrimtarëve që nuk e shkëputën dot jetën e tyre prej letërsisë

 Alda Bardhyli


Kur Robert u kthye sërish në jetën e saj, ajo nuk e mendonte më ikjen e tij. E dinte se gjithçka që me aq mund kishte mundur ta rimëkëmbte brenda saj, do të shkërmoqej një nga një e do t’i duheshin ndoshta vite të jetonte sërish… Në apartamentin e vogël ku ndanin ditët, asaj i mjaftonte veç fryma e tij dhe librat. Burri të cilin Antonia White e kishte njohur në një nga shëtitjet e saj mbrëmjeve rrugëve të Londrës, kishte gjithçka që ajo kishte dashur tek një burrë. I pashëm, me flokët e verdha të prera shkurt, Robert i kishte rrëmbyer zemrën kësaj gruaje e cila besonte se nuk mund të kishte më jetë pas tij…. Tregimet e saj të shkurtra dukeshin për burrin si udhëtime në të tjera kohë, të cilat ata të dy i shkelnin sa herë ishin pranë njëri-tjetrit. Pasioni i tyre jetonte në çdo moment me rrezikun, që një luhatje e vogël mund të përmbyste çdo gjë.
“Jeta me Antonian ishte e bukur por dhe e frikshme…”, kujton Robert kohë më vonë. Një mbrëmje me shi tetori, ai i la një shënim në shtrat, futi rrobat në valixhen që rrinte gjithnjë pas derës dhe e puthi për herë të fundit në krah. Kohë më vonë, ai nuk arrin ta kuptojë pse bëri këtë zgjidhje. Janë disa momente në jetën e secilit prej nesh, kur na tremb dhe lumturia, dhe zgjedhim të ikim prej saj… Antonia e mbajti gjatë në dorë letrën ku me shkrim dore ai i kishte shkruar se “s’do ta harronte asnjëherë, dhe lamtumirë”. As shirat që ranë për ditë të tëra nuk i terën lotët e kësaj gruaje për dashurinë. Ajo u end çdo mbrëmje rrugëve të Londrës për ta kërkuar, me shpresën se kur Big Ben të lëshonte tingullin e përhershëm, ai do të shfaqej aty pranë saj, për t’i thënë se e gjitha “ishte një ëndërr”.
Për një javë, Antonia White u shndërrua nga një grua plot sharm, në një grua të vogël. Sytë e saj u bënë blu, ndërsa trupi merrte pamjen e një fëmije. Ajo nuk mund të shkruante më, as nuk mund të lexonte… Robert kishte ardhur në jetën e saj pas një martese të dështuar më vitin 1921. Lidhja mes tyre i ngjante romancave që ajo kishte lexuar në klasikët anglezë të shekullit XVIII. Kjo ndarje do të ndryshojë përgjithmonë jetën e një prej shkrimtareve më të njohura të shekullit XX në Britani. Tek ajo do të shfaqeshin shenjat e para të një sëmundjeje të gjatë nervore, nga e cila nuk do të shpëtonte më asnjëherë.
“Unë e kisha humbur veten, bashkë me Robert”, tregonte ajo më vonë. Për më shumë se tre muaj, ajo qëndron në spital, për të marrë mjekimin e duhur. Ajo e quan sëmundjen “bisha” dhe bën një luftë të madhe për të shpëtuar prej saj. Shpëtimi i vetëm ishte dashuria, por asnjë burrë që do të takonte më vonë nuk do të kishte forcën për ta shpëtuar përfundimisht. Kur shëndeti i saj kishte nisur të përmirësohej, ajo nisi të frekuentonte sërish jetën letrare në Londër ku njihet me Eric Earnshow Smith.
Ishte 30 vjeçe kur ai iu afrua një mbrëmje dhe i tha se i pëlqenin librat që ajo shkruante… Një vit më vonë, ata do të martoheshin, martesë e cila sërish do të përfundonte në divorc pa mbushur vitin. Gjatë martesës, White kishte pasur lidhje jashtëmartesore me dy burra dhe kur mori divorcin, i duhej të zgjidhte. Ajo zgjodhi Tom Hopkinson, një burrë i pashëm që shkruante skenarë filmash, me të cilin pati dy vajza, Linda dhe Susan, të cilat më vonë do të shkruanin biografinë e nënës së tyre. Martesa me Topkinson më 1931 do ta ndihmonte White të vazhdonte pasionin e saj për të shkruar. Ai ishte mik i ngushtë me shkrimtaren më të njohur amerikane të shekullit XX, gruan e cila do të kthehej në ikonë të modernitetit në letërsi, Djuna Barnes.
Miqësia mes Barnes do ta ndihmonte White të shihte me një këndvështrim tjetër gjithë ato çfarë kishte shkruar deri në atë moment. Ishte koha kur ato shoqëroheshin bashkë, koha kur White shkroi romanin “Nightwood”, ku flitet për një lidhje dashurie mes dy lesbikeve, e cila shkon keq. Romani është i bazuar në lidhjen e dashurisë mes Barnes dhe Thelma Wood. Në vitin 1933, White shkroi romanin e saj të parë që do ta bënte menjëherë të famshme, “Të humbur në maj”, i cili tregon mbi përvojën e saj në një shkollë katolike femrash.
Pas këtij libri, letërsia ishte stacioni ku White u ndal dhe pse sëmundja e gjatë mendore e pengonte që të përqendrohej për të krijuar historitë e saj. Romanin e saj të dytë ajo do ta botojë pas 15 vitesh, “Udhëtarët e humbur”, më 1950. Pesë vitet e mëpasshme, ajo iu nënshtrua një terapie intensive për kurimin e sëmundjes dhe përfundoi një trilogji e frymëzuar nga marrëdhënia e saj me prindërit. Trilogjitë janë quajtur si një rrëfim autobiografik. Në vitin 1966, ajo botoi në një libër një koleksion me letra drejtuar njerëzve të rëndësishëm të kohës, por dhe të jetës së saj. Komedia “Tre veta në një dhomë”, do ta çonte prozën e White në një tjetër dimension, ku tonet dramatike zëvendësohen me doza humori.
Karriera e saj si shkrimtare ka qenë e shtyrë nga ndjenja për të përballuar sëmundjen mendore. “Tmerret e vjetra kthehen shpesh dhe më paralizojnë dëshirat, besimin… Është një luftë e madhe që unë bëj për t’iu kthyer sërish librave që kam shkruar, e për t’i thënë vetes se janë shkruar nga unë dhe që unë mund t’ia dal sërish…”. …Vajza e një familjeje protestante angleze, White do ta niste shkollimin e saj në një shkollë katolike femrash. Në moshën 14-vjeçare, ajo vendosi të befasonte të atin duke shkruar një novelë. Që atëherë, jeta e saj iu kushtua të shkruarit. White u takon atyre shkrimtarëve që nuk e shkëputën dot letërsinë nga jeta që bënë.
Udhëtimi përmes errësirës për të gjetur dritën, përshkon gjithë veprën e saj, një udhëtim që i ngjason jetës që ajo bëri, ku përpjekjet për t’u çliruar nga makthi i frikës përfunduan vetëm kur u largua përgjithmonë nga jeta më 10 prill 1980. Në parathënien që i bën librit “Të humbur në maj”, kritikja Elizabeth Bowen e përshkruan këtë roman si një libër shkollë. Ajo e përshkruan stilin e White të ngjashëm me atë të Jane Austen. Sipas Bowen, një stil të tillë mund ta gjejmë vetëm tek “Portreti i një artisti të ri” nga Xhejms Xhojs. Ky krahasim e bën White një nga shkrimtaret më realiste dhe më moderne të shekullit të XIX.

Popular posts from this blog

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…