Skip to main content

Tetova News

Ylljet Aliçka, mes 10 shkrimtarëve më të mirë europianë

Letërsia shqipe e përzgjedhur në projektin “10 shkrimtarë bashkëkohorë prezantojnë arritjet e letërsisë së sotme europiane”.
Ylljet Aliçka
Europa mund të njihet më mirë përmes letërsisë. 10 shkrimtarë të njohur europianë do të bëhen pjesë e projektit ndërkombëtar të Bashkimit Europian “Net të letërsisë europiane 2012-2014”, i cili do të hapë siparin e tij më 21 shtator nga qyteti i Wroclaw për të ndaluar më pas në Bukuresht, Dublin, Lisbonë, Vilnius dhe Pragë. “Netët e Letërsisë Europiane” janë konceptuar mbi idenë se letërsia mbetet medium i vetëm krijues që përqafon zërat e shkrimtarëve bashkëkohorë me vlerat e shoqërive ku ata jetojnë. Qyteti i Wroclaw-it do të marrë më 21 shtator dhe statusin  “Porta hyrëse e letërsisë së sotme europiane”. Shkrimtarët e përzgjedhur janë emra të njohur të letërsisë bashkëkohore nga vende si: Anglia, Gjermania, Spanja, Franca, Republika Çeke, Irlanda. Këtij grupi të përzgjedhur me kujdes, i cili pritet të kthehet në një rrugëtim letrar, ku do të shkëmbehen eksperienca dhe do të hidhen ide mbi atë çfarë letërsia reflekton sot, do t’i bashkëngjitet dhe shkrimtari shqiptar, Ylljet Aliçka. Ai është përzgjedhur si autori që do të përfaqësojë letërsinë shqipe në këtë eveniment. “10 shkrimtarë të njohur bashkëkohorë nga vende të ndryshme europiane, ardhur nga gjuhë e stile të ndryshme, nëpërmjet leximeve të tyre publike, si dhe veprimtarive të tjera promovuese do mundësojnë audiencën të udhëtojë nëpër Europë si dhe të njihet në një formë të re me vlerat e letërsisë së sotme europiane”, thuhet në komunikatën për shtyp të këtij aktiviteti.  Britania e Madhe do të përfaqësohet në këtë aktivitet nga shkrimtarja e njohur, Zadie Smith, e cila ka qenë kandidate e çmimit “Man Booker Prize”. Nga Gjermania do të jetë shkrimtari Ingo Schulze, i cili i ka dhënë jetë në letërsinë e tij, të shkuarës së dy Gjermanive. Spanja do të prezantohet me shkrimtarin e ri, Harkaitz Cano, Portogalia me David Soares. Nga Franca në këtë eveniment do të jetë shkrimtari dhe regjisori i njohur, Philippe Claudel, i cili është fitues i një sërë çmimesh të rëndësishme letrare. Nga Lituania është shkrimtari dhe poeti   Herkus Kuncius, nga Serbia do të jetë shkrimtari Borislav Pekić, Petr Sabach nga Republika Çeke dhe Colm Tóibin nga Irlanda. Colm Tóibin është një nga përfaqësuesit më të denjë të asaj çfarë ndodh sot me letrat irlandeze. Ai ka qenë kandidat i çmimit “Man booker prize” dhe novela e tij e fundit ka qenë në listën e 10 librave më të mirë të vitit nga New York Times. Përveç letërsisë ai merret dhe me kritikë letrare. Shkrimtari shqiptar, Ylljet Aliçka, ka nisur të botojë letërsi më vitin 1996. Libri i tij i parë është një përmbledhje me tregime. Më vitin 2000 ai botoi romanin “Kompromisi”, i cili do ta rendiste ndër autorët interesantë në letrat shqipe pas viteve ‘90. Aliçka ka botuar librat “Parullat me gurë” (2003) i cili do të ekranizohej më pas nga regjisori Gjergj Xhuvani, “Një rrëfenjë me ndërkombëtarë” (2006”. Librat e tij janë përkthyer në frëngjisht, polonisht, anglisht, italisht, e së fundi në gjuhën esperanto. Ai është autor i disa skenarëve me të cilët është vlerësuar dhe me çmime. Çmimin e parë Aliçka do ta merrte në një konkurs të tregimit ndërkombëtar në Itali më 2000-shin, më pas do të vlerësohej me çmimin e dytë në konkursin ndërkombëtar “Arts et Lettres de France”, Francë, 2000; medalje bronzi nga “Academie Internationale de Lutece”, Francë, 2001; “Penda e Argjendtë”, në prozë, nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve, 2001; çmimi i parë, si skenari më i mirë, “Festivali i filmit shqiptar”, 2006, libri më i mirë artistik i vitit, “Akademia KULT”, 2006.


Ingo Schulze 
Ingo Schulze (lindur më 15 dhjetor 1962) është një nga shkrimtarët më të njohur bashkëkohorë gjermanë. Ai ka studiuar filozofi klasike në Universitetin e Jenës, për pesë vite, dhe deri në Bashkimin e dy Gjermanive ka punuar si këshilltar për artet dramatike në Teatrin Kombëtar të Altenburgut, 45 km nga Lajpcingu. Pas ngjarjeve të vitit 1989, Schultze krijoi një gazetë bashkë me miqtë e tij letrarë. Ajo çfarë po ndodhte me Gjermaninë Lindore e frymëzonte atë të bënte shkrime të ndryshme. Ai kaloi gjashtë muaj në San Peterburg, muaj gjatë të cilave ai iu përkushtua letërsisë. Tregimet e shkruara gjatë kësaj periudhe i botoi në përmbledhje me 33 tregime të shkurtra të quajtur “33 momente lumturie” (1995). Ai është fitues i një sërë çmimesh me romanet dhe tregimet e shkruara në njëzet gjuhët ku është përkthyer. Këtë vit ai u nderua me çmimin e madh letrar në Gjermani” Bertolt-Brecht-Literaturpreis”.


Zadie Smith
Zadie Smith (lindur më 25 tetor 1975) është romanciere, eseiste dhe tregimtare angleze. Gjatë vitit 2012, ajo ka botuar katër romane, të cilat janë pritur mirë nga kritika. Në vitin 2003 ajo u përfshi në listën “Granta” mes 20 autorëve të rinj më të mirë, listë në të cilën u përfshi edhe gjatë këtij viti. Ajo është fituese e çmimit “Orange” në fiksion më 2006-n me novelën e saj “Dhëmbët e bardhë”. “Time magazine” e ka renditur këtë libër në 100 librat më të mirë që duhen lexuar nga 1923-2005. Në vitin 2002 ajo botoi romanin “Burri i autografit” i cili do të kishte një sukses në treg, pavarësisht se kritika nuk e priti pozitivisht. Në 2009-n ajo botoi një përmbledhje me tregime “Të ndryshosh mendjen”. Më romanin “E bukura” ajo ishte mes shkrimtarëve kandidatë për çmimin “Man booker prize” më 2006. Zadie është e martuar me poetin dhe shkrimtarin irlandez, Nicholas Laird.


Harkaitz Cano
Harkaitz Cano është një ndër personazhet më të njohura në letërsinë bashkëkohore spanjolle. Përveç librave poetikë ai ka botuar dhe një sërë vëllimesh me tregime të shkurtra. Novela e tij e fundit “Thikat e barit” është pritur mirë nga kritika dhe ka qenë një ndër librat më të shitur. Cano punon si skenarist në televizion.

Philippe Claudel
Philippe Claudel është shkrimtar dhe regjisor i njohur francez. Përveçse shkruan ai është dhe profesor i letërsisë në Universitetin e Nancy-t. Në vitin 2008 ai realizoi filmin “Të desha kaq gjatë”, i cili fitoi çmimin “Bafta” më 2009-n si filmi më i mirë në gjuhën angleze. Romani i tij më i mirë konsiderohet “Shpirtrat gri” me të cilin fitoi çmimin “Renaudot” në Francë dhe ka qenë në shortlistën e “American Gumshoe Award” dhe fitoi çmimin suedez “Martin Beck”.  Në vitin 2003 ai fitoi çmimin “Brodeck’s Report”.

Herkus Kunčius
Herkus Kunčius është prozator, eseist dhe dramaturg lituanez. Krijimtaria e tij letrare shpeshherë është mohuese e shumë formave letrare. Për shumë kritikë ai është një prishës i letërsisë lituaneze, për shumë të tjerë ai është një eksplorues i saj. Libri i tij i parë u botua më 1996. Prej atij viti ai vijon të botojë vazhdimisht romane dhe drama të cilat janë shpirti i Lituanisë së sotme.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…