Skip to main content

Tetova News

Ekspozita kushtuar Federico Garcia Lorkës në New York

Gjekë Gjonlekaj/ New York
Kohë më parë Biblioteka Qendrore e New Yorkut në bashkëpunim me Fondacionin Federico Garcia Lorka hapën ekspozitën kushtuar poetit të madh spanjoll, vrarë në Luftën Civile të Spanjës. “Kthehem Nesër” ishte titulli i kësaj ekspozite, sepse ato kishin qenë fjalët e fundit që Lorka i kishte thënë botuesit. Kjo ekspozitë qëndroi e hapur disa muaj. Atje ishin vendosur shumë nga poemat e tij origjinale, pastaj disa vizatime dhe piktura. Kishte shumë relike të Lorkës, bile edhe kitarën e tij.
Më 19 qershor 1929, në kohen kur shkrimtarët e ri dhe piktorët kishin dëshirë të jetonin në Paris–Federico Garcia Lorka (1898-1936), poeti më i madh modern i Spanjës dhe një dramaturg i shquar e theu këtë traditë dhe u nis me anije për New York. Nëntë muaj në këtë qytetet amerikan dhe tre muaj në Havanë të Kubës bënë ndryshime të mëdha në vizionin e tij poetik dhe në rolin shoqëror të Lorkës si artist.
Pavarësisht se Lorka kishte ardhur në Amerikë për të studiuar gjuhën angleze, ai u përqendrua më shumë në krijimtarinë letrare dhe shkroi veprën “Poeti në New York”, që ishte një thirrje kushtrimi kundër urrejtjeve raciale, shpenzimeve të mëdha të klasës së mesme dhe kundër adhurimit amerikan për teknologjinë moderne që sipas kritikut Pritchet ishin fëlliqësi dhe tela me gjemba. Vepra e  Lorkës depërton përtej New York-ut, përtej asaj kulle shkallmuese te Babelit-deri në thellësitë e psiqikës, në kërkim të tërësisë dhe çlirimit.
“New Yorku më duket qytet i tmerrshëm, dhe jam kurioz për të shkuar atje, shkruante Lorka” dhe kështu është titulli i një shënimi në këtë ekspozitë.
Në pranverën e vitit 1929,Lorka pësoi një krizë emocionale. Lidhjet e tij të dashurisë me Emilio Aladrën nuk përfunduan mirë dhe kishte rënë në agoni rreth mossuksesit të “Baladës së Jevgut” që u kritikua ashpër nga miqtë e tij artistët vangardë, Louis Bunuel dhe Salvadore Dali, se gjoja kishte qenë tepër tradicional, i lidhur dorë e këmbë pas artit të poezisë së vjetër. Lorka nuk kishte qenë asnjëherë jashtë Spanjës dhe kishte dëshirë për të parë vendet e tjera sidomos New Yorkun, prej ku i dërgoi letër familjes në lidhje me përshtypjet e tij te para për këtë qytet. Përshkrimi më i gjallë i tij kishte qenë udhëtimi në Coney Island të Brooklyn-it për festën amerikane të pavarësisë, 4 korrikun. Ky ishte takimi i tij i jashtëzakonshëm me turmat e mëdha popullore, pasi që në atë fund jave kishte parë në bregdet më shumë se një milionë njerëz, përvojë kjo për një vizion të hatashëm poetik.  Për Lorkën ishte: “Peizazh që vjellë turmë”.
“Kam ecur nëpër rrugët e Ishullit Manhattan”
Duke fërkuar krahë me atë turmë të madhe, duke menduar për poetët përpara tij dhe përplasjet e tyre: “Askush nuk mund të imagjinojë si duken turmat e New Yorkut, përveç ndoshta Walt Whitman-it, i cili kërkonte vetminë dhe T.S. Eliotit i cili kishte shtryllur ato masa popullore si limonin në poemën e tij (Toka e Braktisur). Lorka e adhuronte Allan Edgar Poe-n dhe kishte bërë shumë përpjekje për të recituar poemën e tij “Annabel Lee”, por pa sukses. Një ditë Lorka eci nëpër Urën e Brooklyn-it dhe u takua me poetin Hart Crane, i cili në atë kohë po shkruante poemën e gjate ”Ura”. Lorka dhe Crane ishin  frymëzuar nga Whitmani, bile Lorka i kishte kushtuar këtij poeti një vjershë lirike për vizionin e tij të dashurisë mes meshkujeve dhe për ëndrrat e parealizuara të Whitman-it për Amerikën.
“Po Wall Street-i”
Rënia e bursës dhe fillimi i Krizës së Madhe Ekonomike mjegulloi admirimin fillestar të Lorkës për ”qytetin më të fortë dhe më modern të botës”. Në panikun e madh të Enjten e Zezë më (24 tetor 1929), ai ngutej për të shkuar atje. Lorka shkruante se kishte qenë me fat që e kishte parë me sytë e tij rënien katastrofike të bursës se New York-ut. Atë ditë në Wall Street ishin humbur  disa miliarda dollarë, gjithë ato para të vdekura po derdheshin në detin e pafund. Burrat shanin e ulërinin si kafshë, ndërsa gratë qanin thotë Lorka. Disa vargje të “Poeti në New York”, midis tyre edhe “Vallja e Vdekjes” dënonte kapitalizmin e pashpirt, të shfrenuar dhe çka është më keq se në këtë katastrofë shkruante Lorka e pësojnë keq fëmijët e varfër.
“Në Universitetin Columbia”
Në qershor të vitit 1929, Lorka u regjistrua për të mësuar gjuhën “anglishte për fillestarët”. Në këtë shënim i bën një përshkrim të hollësishëm këtij universiteti, shkruan për  zezakët që drejtojnë ashensorët, operatorët telefonikë në katin e poshtëm dhe mënyrën si ata u përkuleshin shërbëtorëve. Lorka hoqi dorë menjëherë nga mësimi i gjuhës anglisht. Kishte mësuar vetëm disa fjalë të thjeshta. Në vend se të mësonte gjuhën e vendit, ai shkroi veprën “Poeti në New York”, ku përshkruante përshtypjet e tij për studentët amerikanë të cilët thotë Lorka shtrihen e gogësijnë me pafajësinë e kafshëve, teshtijnë pa nxjerrë nga xhepi shamitë e tyre, dhe bëjnë zhurmë të madhe  por janë të hapur e miqësorë. Ata gëzohen kur bëjnë mire”.
“Në kërkim të Duende”
Poezitë e shkruara në New York shënojnë largim nga vargu i mëparshëm, shumë nga të cilat të frymëzuara nga poezia spanjolle tradicionale – balada, këngë popullore, lirikat e Flamencos dhe nga shkëlqimi metaforik i barokut spanjoll. Në veprën “Poeti në New York” në skenarin “udhëtim në hënë” dhe në dramën homoerotike ”Audienca”, të gjitha të shkruara në Amerikë, Lorka vë mënjanë ”enigmën e metaforës” dhe kërkon në vend të saj për imazhe që kundërshtojnë analizën logjike. “Imagjinata, Frymëzimi dhe Shmangia” të dhëna në spanjisht në Columbia, argumentojnë në favor të “instinktit të pastër” të poezisë që mund të gëlltisë realitetin si një lule mishngrënëse, gjatë kohë kur recitonte poezitë e tij në New York.
“Kërkomë në Kubë” është titulli i një pjesë tjetër të ekspozitës.
Me 2 mars të vitit 1930 Lorka ishte përgatitur për një ligjëratë në lidhje me poezinë moderne spanjolle në Librarinë e New Yorkut, por ata që kishin shkuar për ta dëgjuar ishin zhgënjyer. Në minutën e fundit Lorka kishte kërkuar nga miku i tij Damaso Alonso profesor në Hunter College të ligjëronte në vend të tij. Lorka ishte nisur me anije për në Kubë. Tre muaj në Kubë kishin qenë ditët më të lumtura të jetës. Në qoftë se ndonjëherë humbas, “më kërkoni në Andalusia ose në Kubë”. Punën  në librin e poemave e mbaroi për pak kohë sepse kishte filluar ligjëratat e takimet me piktorët dhe shkrimtarët kubanë, duke përjetuar thellë edhe përvojën muzikore. Në Kubë ligjëronte poezinë e Gongora dhe Baroque dhe poetin Nicolas Guillen afro-kuban që kishte zënë vend në poemën e Lorkës, ”Poeti në New York”.
“Ku ëndrra u përplas me realitetin”
Lorka la tre lloj dëshmish nga udhëtimi i tij në New York: një seri letrash të hershme dërguar familjes në Granada; poezitë të cilat filloi t’i shkruajë menjëherë pas mbërritjes; dhe një ligjëratë lidhur me mënyrën si shkruante. Të krahasosh këto dokumente me të dhënat historike të bën të mrekullohesh me forcën e tij të imagjinatës dhe përplasjen e ëndrrës me realitetin. Në shtator 1929, Lorka kaloi disa javë me shokët e tij në një shtëpi në  fermën e  vjetër në Bushnellsville në New York.
“Në Harlem është ngrohtësia njerëzore” thotë një titull  në këtë ekspozitë.
Pas disa ditësh Lorka e zbuloi lulëzimin kulturor të Renesancës së Harlemit dhe urrejtjet ndaj afrikano-amerikanëve. Atij i pëlqente Harlemi, sidomos ngrohtësia njerëzore dhe zhurma e fëmijëve. Atje bëri miq shumë intelektualë afro-amerikanë, duke vizituar klubet e natës dhe këtu shkroi poemat “Parajsa e Zezakëve” dhe “Mbreti i Harlemit”, që ishin thirrje inkurajuese për solidaritet. Qëllimi i tij ishte të shkruante një poemë për zezakët e Amerikës Veriore. Lorka ishte nga Granada, ku ishin persekutuar jevgjit, zezakët, hebrenjtë dhe muret.
“Kthehem Nesër” ishte një shënim tjetër.
Në verën e vitit 1936, Lorka po përgatiste për shtyp librin: “Poeti në New York”, ku kishte veçuar disa kapituj. Nuk i kishte përfunduar të gjitha. Në korrik të atij viti, e kishte lënë dorëshkrimin e përfunduar në tryezën e mikut Jose Bergamin dhe shënimin: ”Pepe isha këtu për t’u takuar me ju, por besoj se kthehem nesër”. Lorka nuk u kthye më kurrë. Ai u vra në Granada. Bergman u arratis, por mori me vete atë dorëshkrim, që kishte humbur  në mënyrë misterioze për shumë dekada. Më në fund u gjet dhe u botua, për herë të parë në Meksikë dhe më vonë në New York.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…