Skip to main content

Tetova News

KUJTIME, QË MBETEN KURDOHERË TË PASHLYERA…

 (Libri “Përjetë me Shefikun”, nga Urti Osmani-“Mësuese e Popullit”)
Nga prof. Murat Gecaj

1.
Nuk është hera e parë, që marr në dorë libër me kujtime e mbresa, nga një bashkëshort. Tani, p.sh., më kujtohet se, një botim i tillë, ishte edhe libri me poezi, që shkroi e publikoi, afër dy vjet më parë, kolegu e miku i paharruar, i ndjeri Skënder Hasko. I njohur nga lexuesit tanë për shumë botime të gjinive të ndryshme, pas ndarjes përgjithnjë nga jeta të bashkëshortes, ai thuri disa poezi. Në kujtim të saj, ato i tuboi në librin “Më iku Shanja, gjysma ime”…
Ndërsa në këto pak radhë dëshiroj të flas diçka për një libër të ri, me autore Urti Osmanin-“Mësuese e Popullit”. Sigurisht, lexuesit e njohin emrin e saj përmes mjaft botimeve të ndryshme pedagogjike, pra për arsimin dhe edukimin. Një vend të merituar ato kanë zënë edhe në ndihmë të fëmijëve të bashkatdhetarëve tanë, në diasporën shqiptare. Ndërsa kësaj here, ajo u ul e shkroi libër të një natyre tjetër. Atë e hartoi me dashuri, dhimbje e mall të pashuar, me disa kujtime të zgjedhura, për bashkëshortin dhe bashkëpunëtorin e jetës, prof. Shefik Osmanin, i cili u nda përgjithnjë nga jeta, më tepër se një vit më parë. Rasti e solli që unë, ashtu si dhe kolegë e miq të saj, të bisedonim me të gjatë kohës, kur vendosi t’i hidhte në letër kujtimet e saj. Ajo shprehej e mallëngjyer dhe e merakosur: “Vallë, a do të mundem unë, që t’i shkruaj të sakta dhe ashtu si duhet e si e meriton, kujtimet e mia të një jete, me Shefikun e shtrenjtë?”.
2.
Pas një pune disamujore, këmbëngulëse e të pasionuar, mësuesja veterane e arsimit tonë kombëtar, Urti Osmani, arriti ta mbaronte librin e saj, të cilit i vuri titullin domethënës, “Përjetë me Shefikun”. Në kushtimin e saj, ajo shkruan: “Shefikut, bashkëshortit tim të paharruar, me mirënjohje të thellë, për kujdesin e jashtëzakonshëm, që ka treguar dhe për dashurinë e pakufishme, që më ka dhuruar”.
Libri në fjalë u përgatit për botim nga Shtëpia Botuese “Filara”, Tiranë dhe u shtyp, me një teknikë të lartë, nga Shtypshkronja “Mileniumi i Ri”, po në kryeqytet. Ai është ndërtuar sipas një strukture të menduar me kujdes të posaçëm. Hyrjen e librit e ka shkruar prof.dr. Tomor Osmani-“Mjeshtër i Madh”, pedagog në Universitetin e Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”. Ndërsa në parathënie ka shkruar pak radhë, vetë autorja, Urti Osmani. Më tej, vijojnë 7 kapituj të librit, secili më i bukur e domethënës, se tjetri.
Një vend parësor i ka kushtuar autorja njohjes dhe mbresave nga jeta bashkëshortore, duke dëshmuar për lexuesit edhe fakte të prejardhjes së tyre, mbresa nga jeta arsimore e pedagogjike, në Shkodër e Tiranë etj. Po, për këto të fundit, ka shkruar më hollësisht në pjesën “Ngjarje të shënuara”. Veprimtaria e gjerë, arsimore dhe pedagogjike, e prof. Shefik Osmanit ishte e mbushur me veprimtari të shumta e të paharruara, si brenda dhe jashtë vendit. Dëshmitare e tyre ishte kudo vetë Urtia, si në udhëtimet e bëra në Zvicër, Kosovë ose Suedi. Ndërsa më hollësisht flitet për këto në pjesën “Shënime dhe mbresa nga udhëtimet” jashtë Shqipërisë, si në Itali, Gjermani, Holandë, Iran, Dubai dhe Arabi Saudite.
Për punën e përkushtuar atdhetare, arsimore e pedagogjike dhe për botimet e shumanshme, prof. Shefik Osmani është çmuar, vlerësuar e nderuar. Për këto, autorja shkruan e dëshmon edhe me mjaft fotografi, se ai mori “Çmimin e Republikës”, të shkallës së tretë, për “Fjalorin Pedagogjik Shqiptar” (1984); titullin “Mësues i merituar”(1989) dhe titullin “Drejtues kërkimesh”(1995), i barabartë me “Profesor”.
Një pasuri e çmuar, për të ndriçuar jetën dhe veprimtarinë e prof.Shefik Osmanit, janë edhe kushtimet e vlerësimet e sa e sa personaliteteve, kolegëve e miqve të tij, të cilat autorja i ka vendosur në pjesën e pestë të këtij libri. Ndërsa në pjesën e shtatë janë pasqyruar, përmes fotografive, pjesëmarrjet dhe ligjëratat e mbajtura nga ai, si brenda e jashtë vendit. Mendoj se ky “mikroalbum” përbën një libër më vete, domethënës e kuptimplotë.
Vëmendjen e lexuesit e tërheq edhe pjesa “Heshtja, dhimbja që nuk durohet”, përmes radhëve të dhimbshme të së cilës Urti Osmani e kujton plot dashuri e mall të pashuar, bashkëshortin dhe bashkëpunëtorin e një jete të tërë, prof.Shefik Osmanin. Plot sinqeritet, me mendimin e një lexuesi, ajo i përgjigjet edhe pyetjes së kureshtarëve, nëse ai kishte patur ndonjë të metë: “Urtia e ka përshkruar Shefikun ashtu siç ka qenë. Ndërsa, nga marrëdhëniet e tyre bashkëshortore, ne kemi marrë shembull”.
3.
Në tërësi, këtë botim e bëjnë më të lexueshëm pjesët e shkurtëra nga autorja, të cilat lidhen natyrshëm e organikisht me njëra-tjetrën. Veçori tjetër dalluese është përdorimi i sa e sa fotografive, shprehëse e domethënëse. Ato i japin kuptim tërë përmbajtjes së një jete, ndërmjet dy bashkëshortëve e bashkëpunëtorëve të ngushtë, në punë, studime e botime në fushën e arsimit kombëtar shqiptar.
Mund të shkruaja e të flisja edhe më gjatë për vlerat e domethënien e këtij botimi. Ndërsa, po përfundoj me mendimin e shprehur nga një mësuese dhe edukatore, Katerina Zhuri. Ndoshta, ishte e para që e lexoi librin “Përjetë me Shefikun” dhe, përmbledhurazi, ajo u shpreh me këto fjalë: “Është shembulli më i mirë e më i bukur, përkushtimi më bindës dhe emocionues, që mund t’i bënte ajo bashkëshortit të saj të dashur, të nderuar dhe përgjithnjë në mendjen dhe zemrën e vet. E përgëzoj, e uroj dhe shprehi mirënjohjen time ndaj saj, për këtë “lapidar prej floriri”, që i ngriti atij. Pra, i lumshin mendja e duart!”

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…