Skip to main content

Tetova News

RUSHDIE DHE FATVA

Rrëfim për fatvën dhe arratinë. Shkrimtari indiano-britanik Salman Rushdie nuk ka qenë deri tani i gatshëm të flasë për jetën e tij në ilegalitet. Sot është ndryshe. Një takim në festivalin e letërsisë në Berlin.
"A është vend i sigurtë ky këtu?" Një gazetare përkulet përpara dhe pëshpërit: "Dua të them, a vlen ende fatva, apo?” Në shtëpinë e festivalit ndërkombëtar të letërsisë në Berlin prisnin të shtunën (14.08.2013) gazetarë, fotografë dhe kameramanë? Pas pak minutash romancieri indiano-britanik, Salman Rushdie, del në konferencë shtypi. Në vitin 1989 Ayatollah Khomeini shqiptoi kundër tij në Iran një fatva, e cila e dënoi atë me vdekje dhe me një jetë në arrati, duke e detyruar të ndryshojë vazhdimisht strehimin, nën mbrojtjen e policisë dhe me një identitet të ri.

Çështja e sigurisë
Pseudonimi i tij për më shumë se dhjetë vjetë në ilegalitet, "Joseph Anton", është edhe titulli i autobiografisë së tij, të botuar në vitin 2012, e cila trajton atë kohë. Kontrollet e sigurisë para konferencës së shtypit dhe gjatë leximit të mëvonshëm, që pritet me duartrokitje dhe brohoritje, janë megjithatë minimale.

Kontrolle çantash? Policë? Asnjë. Megjithatë, kur e pyesin, nëse ndihet i sigurt, autori 66-vjeçar reagon dukshëm i irrituar: "Nëse ju mendoni se keni nevojë për siguri, atëherë ju duhet të merrni masa." Ai thotë se ndjehet për mrekulli. Dhe shton "më duket me të vërtetë dëshpëruese, që dy pyetjet e para, që ju më bëni, janë siguria dhe terrorizmi." Rreth fatva-së, që u shqiptua mbi 20 vjet më parë e që megjithë kundër-fatva-të e dijetarëve tjerë islamikë është ende në fuqi, ai nuk do të flasë dhe këtë e bën mjaft të qartë. "Do të ishte mirë, po të më bënit tani disa pyetje letrare." Fjalën "fatva" ai nuk e përdor.

Jeta në ilegalitet
në librin e tij autobiografik Salman Rushdie përshkruan vitet, kur fshihej, se jeta e tij ishte në rrezik.
Dhe gazetarët i bëjnë pyetjet, megjithëse me hezitim: Përse ka zgjedhur titullin „Joseph Anton“ për autobiografinë e tij? Rushdie buzëqesh. Pseudonimi tregon sa e "çuditshme" ka qenë ajo kohë. E kishin këshilluar që të zgjidhte një emër, që nuk tingëllonte "indisht". "Unë duhej të hiqja dorë njëkohësisht nga identiteti dhe nga prejardhja ime etnike." Në fakt ështe në natyrën e tij të trillojë tregime, thotë ai. Por autobiografia e tij bazohet në fakte dhe shifra. Këtë ai e sheh si detyrë të tijën, fundja ai ka qenë për një kohë në qendër të një "ngjarjeje, që përbënte lajm historik".

Djegje librash dhe kërcënime me vdekje

Shkas u bënë "Vargjet satanike", një roman, që ishte "kundër islamit, profetit dhe kuranit," Kështu e argumentonte Ayatollahu iranian Khomeini thirrjen e tij për vrasjen e Rushdiut. Kjo u pasua nga djegja e librave dhe nga kërcënimet me vdekje, madje edhe ndaj përkthyesve dhe botuesve, që guxonin të shpërndanin librin. Me pak fjalë, "përvoja më e keqe e jetës sime", shprehet shkurt Rushdie. Por edhe në vitet në arrati "shkrimtari i vogël brenda meje më rrinte ulur mbi sup dhe më pëshpëriste se kjo është një histori vërtetë e vlefshme për t'u shkruar." Rushdie qesh. Megjithatë: "sigurisht që do të dëshiroja shumë, që e gjithë kjo të kishte qenë vetëm imagjinatë." Atij i është dashur një kohë e gjatë për ta përpunuar historinë dhe për të gjetur distancën e duhur: "Fillimisht doja të kisha kontrollin e plotë mbi materialin", thotë Rushdie. "Nuk doja të shkarkoja emocionet e mia mbi faqe". # B #
Me ndihmën e ditareve të vjetër nga ajo kohë kam sajuar tregimin. Kam ndryshuar vetëm emrat e më shumë se 100 policëve, të cilët më kanë shoqëruar dhe mbrojtur në atë kohë dhe disa ngjarje dhe sekuenca kohore i kam ngjeshur. "Problemi i jetës së vërtetë është se ajo nuk i përmbahet standardeve të një dramë interesante. Ngjarjet ecin ngadalë përpara dhe janë të ndërlidhura."

"Të çosh një jetë normale"
"Joseph Anton", autobiografia e Salman Rushdie u botua në vitin2012
Rushdie, i cili tani jeton dhe punon në Nju Jork, i janë dashur katër vjet për autobiografinë e tij", në një kohë, kur isha në një gjendje shumë të keqe shpirtërore, për shkak të materialit, me të cilin më duhej të merresha. Tani ai ka nevojë të shkruajë një libër, që "është tërësisht i trilluar." Më shumë ai nuk do që të tregojë. Vetëm kaq: "Libri im i ardhshëm është ndoshta libri më surealist, që kam shkruar ndonjëherë." Dhe komik gjithashtu, shton ai. Së paku kështu ka thënë botuesi i tij, që i kanë lexuar 100 faqet e para.
Një gazetare ngre dorën dhe e pyet: a është penduar ndonjëherë që ka shkruar "Vargjet satanike"? Rushdie merr frymë thellë. "A e dini se këtë pyetje ma kanë bërë çdo ditë në 12 vitet e fundit?" Jo, përkundrazi, ai ka qenë madje krenar për librin e tij dhe për mënyrën se si i ka mbijetuar këtij "sulmi të jashtëzakonshëm": Sot, thotë Rushdie, 'romani i tij thjesht lexohet dhe studjohet nga njerëzit. Disave u pëlqen libri i tij, të tjerëve jo, por kjo ështe „jeta normale" e një libri“, thotë ai. "Më në fund ai mund të çojë një jetë normale, që nuk ka mundur ta bëjë për aq shumë kohë", thotë Rushdie dhe ndoshta nuk e ka fjalën vetëm për librin e tij./dw

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…