Skip to main content

Tetova News

Tre princa të rremë për shqiptarët - Nga Faik Konica

Ca kohë më parë, kënduam te fletorja e Parisit “L’Européen”, një artikull të zotit Guillaume Apollinaire, nën titullin: Deux faux princes d’Albanie, do me thënë Dy princa të rremë të Shqipërisë.
Zoti Guillaume Apollinaire flet më parë për Aladron, dhe për kërkimet qesharake të tija, dhe dëfton se si Aladrua nuk mund të zbresë prej Skenderbeut, duke qenë se i fundit zbritës (pasardhës) i derës së Kastiotëve u vra në luftë të Pavies, më 1525.
Pastaj Zoti Guillaume Apollinaire na rrëfen, sipas një libri të shtypur më 1786 n’Amsterdam historinë e çuditshme të një të vetë thëni “Princ Kastioti” në fund të shekullit XVIII.
Një puntor vendikas i quajtur Anton Zamuvich kish fituar nje “faraon”, duke lozur me hile, një shumë të madhe, dhe për të shpëtuar nga thonjtë e autoritëve, iku nga Venediku dhe u hodh në Pastroviq të Shqipërisë veneciane. Djalin e tij, Stepanin e vuri në një manastir. Kallogjeri i ri nuk qëndoj shumë kohë i mbyllur, shpejt dolli andej dhe nisi një jetë gënjeshtrash të sjellura me aq mjeshtëri sa janë për çudi edhe sot.
I motuar vetëm 17 vjeç, Stepan Annibali i bëri malazezët ta njohin për kryetar dhe për patrik të tyre, duke thënë se ishte Pjetri i III, cari i Rusisë.
Gojë-mulli, i gatshëm dhe i flaktë në fjalë, deshi të provojë me ca “mrekulli ” se ish i dërguar i Perendisë. “Të fshehta e kimisë”, thotë baroni Kloots, historian i Stepan Annibalit- janë çudira në Mal të Zi. Prinic i ri u ngrit të predikojë duke mbajtur në dorë një trëndafil të zbadhur me tym squfuri. Zë të flasë me fjalë të flakta.
“Perendia më dërgoi t’ju shpie në luftë e t’i shuajmë anëtarët e se pabesës Katerinë. Hapni dritaret.Shpirti i shënjtë do të zbrezë mbi mua” .
Dhe më të vërtetë, era e freskët i jep ngjyrën e parë trendafilit dhe kombi i tërë bie në këmbë të bajlozit qiellor. Princi mbodhi edhe besnikët në flamuj të tij dhe u derdhet rusëve, duke vrarë malazezët që nuk i zinin besë. ”
Pas kësaj pune, nuk kish më pengesë që ish i zoti ta mbante Stepan Aniballin. Baroni Kloots jep titujt që kish marrë “princi”:
“Kastriot, Princ i Shqipërisë, Kapedan i Përgjithëhsmë i Malazezëve, Partik i Kishës Greke, Bari i vjetër, Manjat i Polonisë, Princ i Perandorisë së Shënjtë Romane, Dukë i Shën Sabës, Dukë i Hercegovinës, Fisnik Venedikas, I Madh i Spanjës i Rëngut të Parë, Kryelutës i Maltës, Kryemadh i Urdhërit të Shën Kostandinit etj dhe Pasardhës i njëmbëëdhjetë i Skenderbeut”
Vini re se disa nga këto tituj kundërshonin njëi tjetrin. Si mund kryelutësi i Maltës (katolik) të ishte edhe patrik ikishës greke ? Por janë njerëz për të gënjyer të tjerët dhe sado kundërshti të kenë në të thënat e tyre, aq më tepër verbohet bota.
“Princ Kastrioti” nis të udhëtojë nëpër Evropë, dhe kudo pritet me nder të madh. Mëson gjuhët e perendimit, shkruan libra, Historinë e Skenderbeut,Kuranin e Princësve etj.
Piqet me Volterin, me Rusonë e më të tjerë shkrimtarë të njohur. Piqet me Frederikun e Madh, me të birin e tij, princin e Prusisë, lidh një miqësi të ngushtë. Merr anën e Polonisë, çudit polakët, u shtie datën rusëve. Bën një dy trimëri, shton njëqint.
Guxon të rrefejë punë të pangjara fare.Tregon se “mundi 15.000 venedikas që kishin topa të mirë dhe ishin nën urdherine kontit të Ëirzburgurt”
Kur Hollanda u rrëmbyue me perandorin,”princ Kastrioti” si “Patrik i Kishës Greke” u dha urdhër subjekteve shpirtrore të tij të mos marrin armët në shërbim të perandorit.
Nga na tjetër Hollanda i fali 20.000 shqiptarë për ndihmë, në qoftë se ky vend kishte nevojë. Dhe si u bë paqia, princi shkoi në Hollandë ti kërkojë qeverisë një milion për atë ndihmë.
Një nga titujt që kish marrë Kastrioti i rremë ishte Baba i Amerikës,se,thosh, Kongresi i kish dhënë fjalën ta bënte mbret. Përveç kësaj, kish shpresë të merrte edhe kurorën e Polonisë.
“Princi Kastriot” fliste kështu për shqiptarët:
“Bashëkatdhetaret e mij janë diamante të pagdhendur të cilët nuk presin veçse dorën e skalitësit për të zënë vend pranë të shkrinjtorëve të medha të Athinës, të Romës, të Parisit” Thoshtë se mbretëria e Shqipërisë, me klimën e mirë të dhe ne tokën e mirë që ka ” do të ndrinjë një ditë në mes të shteteve të qytetëruara”
“Princi Kastriot” shpërndante poste e pozita me të dy duart në Mbretërinë Shqiptare. Baronit Kloots i kishte kërkuar të bënin bashkë një udhëtim në këmbë : Qëllimi i Stepan Annibalit ish ta vriste që ta vidhte baronin, i cili ishtë shumë i pasur. Fatmirësisht për Klootsin, udhëtimi mbeti pa u bërë dhe miqësia për princin u shtua më shumë. Stepani i kish premtuar Klootsit një pozitë të lartë në Mbretërinë Shqiptare…
Por çdo gënjeshtër e ka një fund.
Një anije nga Ragusa, ndodhi të shkojë në Amsterdam dhe kapedani tregoi se “Princi i Shqipërisë, Duka i Hercegovinës,Patriku i Kishës Greke, Kryelutësi i Maltës etj, nuk ishte tjetër përveç se një gënjeshtar i çuditshëm i shekullit të XVIII.Them i çuditshëm se, tregimi për batakçillëqet e vogla të Giuseppe Balsamos, të vetquajtur: kont “Caliostro” janë foshnjarake perpara punëve të Stepan Annibalit.
“Princi Kastriot” kish rënë për herë të parë në burg në qytetin e Hamburgut : Kish marrë pranë vetës dy djem të atij qyteti si “kalorës nderi” dhe i kish ligështuar në një mënyrë që s’thuhet: kur e gjykuan, pati paturpësinë t’i thotë kryegjykatësit se kish për t’ia bërë atij ashtu si ua kish bërë djemve !
Kur e zunë në Amsterdam dhe e plasën në burg Sterpan Annibalit i gjetën një brez plot me gjithfarë helmesh si dhe një thikë të helmuar: Këto armë i mbante gati për të vrarë veten në kohë të një rreziku të pashpresë. Mbasi e kapën, Stepani vrau veten duke prerë damarët me thonj.
Zoti Guillaume Apollinaire mbaron më një të vëne re fort të kripur:
“Duke kënduar këto ngjarje, shumë shqiptarë kanë për të menduar se nëqoftëse fronkërkuesi Aladro rrjedh nga Skënderbeu, do të kish rrjedhur duke kaluar nëpër të njëmbëdhjetin pasardhës të tij, i cili vdiq më 1786 në burgun e Amsterdamit”.
Kjo e vënë re e Zotit Guillaume Apollinaire e shënojmë më të dy duart-por diç duhet shtuar : Aladrua vërtet rrjedh nga Skënderbeu me anë të Stepani Annibalit, vetëm se i shkreti Aladro s’është perveç se një gënjeshtar i vogël, me të cilin qesh gjithë shoqëria e lartë e Parisit dhe e Madridit; por stërgjyshi i tij, Stepan Annibali, mund me një mënyrë që quhet Njeri i Madh. Merreni pak me mend : Një fshatar sllavo-shqiptar i Venedikut, i lindur më 1751 dhe i rritur pa dije, arrin që më 1768, (kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç), e deri më 1786 kur vdiq, të lozë një lodër të çuditshme,arrin të mësojë vetiu mjaft sa për të shkruar libra që bien në sy dhe që i siguruan miqësinë e Frederikut të Madh; arrin, i rritur në një katund, të marrë mënyrat e oborrëve aq mirë sa të shkojë për princ në sy të princëve të vërtetë; më një fjalë arrin të tallet më Evropën tetëmbëdhjetë vjet pa pushim.
Përpara një njeriu të tillë, ç’janë gënjeshtrat qesharake të Aladros ?
Shkrimtari francez, Aleksander Dyma-”markez” i Shqipërisë !
Ka qenë një Kastriot i tretë i rremë, për të cilin Zoti Guillaume Apollinaire nuk ka dëgjuar.
Ky “princ” u çfaq më 1879-1880, në kohën e Kongresit të Berlinit, kur Fuqitë e Mëdha dërgonin anije lufte për të goditur me topa Ulqinin.
“Kastrioti” i asaj kohë, jo vetëm thonte se shqiptarët “e kishin zgjedhur për mbret”, po kishte nisur edhe të sillet “mbretërisht” duke shpërndarë pozita dhe tituj. Një shkrimtari të madh francez, Aleksandër Duma, i fali titullin “markez” .
Paturpësia e këtij “princi” pak nga pak arriti të mos ketë kufi. Guxoi të bëj, në Angli, bankota të “Bankës Mbretërore të SHQIPËRISË”. Zëvëndësin e tij e zunë në Londër dhe e plasën në burg si vjedhës, ndësa për “princin” s’dihet se çfarë u bë. Kemi shpresë të mund një ditë ta shkoqisim punë e këtij “Kastrioti”
Mësimin e këtyre ngjarjeve mund ta heqë sejcili. Sa njerëz deshën me gënjeshtra, të dalin “princa” dhe “fron kërkues” mbaruan në burg, dhe ata që dini sot të nisur në atë udhë, ta dini me siguri se do të kenë po atë fund.
(“Albania”,viti VIII,1904, nr. 8, f. 160-163)

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…