Skip to main content

Tetova News

Kadare: Në tekstet e letërsisë, njerëz të Sigurimit

“Naimi” boton “takim me shkrimtarët” nga Fiona Kopali.

“Reklamohen si disidentë, nga ata që kanë qenë vrasës të pështirë, ata me plumb pas koke”



Një faqe fletoreje e shkruar me shkrim dore, një dokument i shtypur në makinë shkrimi, një fotografi e vjetër…
 Gjithçka merr një vlerë të veçantë në një album kushtuar shkrimtarëve. Në fillim ishte një ide e mësuesit të tyre të letërsisë, Arshin Xhezo dhe, pas kësaj, erdhi entuziazmi i takimit me shkrimtarët. Nuk ishte edhe aq e thjeshtë të intervistoje njerëzit e famshëm të letrave shqipe, t’u incizoje zërat, të mblidhje relikte, foto, dorëshkrime apo autografe të tyre… Kishte edhe nga ata të vështirët, pas të cilëve iu desh të rendnin për muaj me radhë… Nga një projekt i shkollës së gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, ai u kthye në një libër me autore Fiona Kopalin, tashmë studente për Jurisprudencë. Projekti nistor u pasurua me materiale të tjera edhe të autorëve që nuk jetojnë më, që zbulojnë një pjesë të karakterit apo të jetës së shkrimtarit. Në të përfshihen autorë, si Faik Konica, Fan Noli, Gjergj Fishta, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Luljeta Lleshanaku, Matteo Mandalà, Shaban Sinani, por edhe përfaqësues të letërsisë botërore, si Ernest Heminguej, Gabriel Garsìa Markez, Rudyard Kipling. Takimin me shkrimtarët shqiptarë ajo e ka përshkruar krejt natyrshëm, ashtu siç ka ndodhur, pa fshehur dozat e naivitetit apo të padurimit të një të riu. Ja një fragment nga përshkrimi i takimit me Kadarenë në shtëpinë e tij:
“…Ju jeni gjimnaziste, ë? Po, te “Gjuhët e huaja”. Nxënësve u ka rënë ca interesi për të studiuar gjuhë të huaja. Në Shqipëri dëgjoj kudo: “ka rënë, ka rënë…”. Çfarë është ngritur në Shqipëri?! Epo, i thamë, nxënësit nuk njohin vargjet e Poradecit, por dinë përmendësh këngë mediokre. Kjo është një dukuri e njohur botërore, por është për të ardhur keq. Brezi i ri po helmohet nga ky bombardim. I takon atij ta ndryshojë këtë Shqipëri. Nga ky brez pritet. Por, kur ky ushqehet me banalitete…”.
Nga libri “Takim me shkrimtarë”, botim i shtëpisë botuese “Naimi”, po shkëpusim intervistën me shkrimtarin Ismail Kadare, ku ai ka shuar kuriozitetin e të rinjve për tekstet e letërsisë, për ato në diktaturë dhe ngutjen e të rinjve për t’u bërë pjesë e tyre.


Sipas jush, ku qëndron misteri apo magjia e letërsisë, që, me gjithë “bombardimin” e TV-ve, kompjuterit, internetit, kinemasë etj., përsëri letërsia mbetet ajo që ka qenë?
Natyrisht që unë si shkrimtar do ta mbroj letërsinë në të gjitha rrethanat. Megjithatë, jam i bindur se letërsia dhe libri gjithmonë do të kenë vendin e vet të parapëlqyer te njerëzit. Në këtë botë ka disa gjëra të pazëvendësueshme.
Si e kujtoni letërsinë dhe lëndën e letërsisë kur ishit gjimnazist? Po shokët e klasës, të shkollës dhe profesorët tuaj, si i kujtoni?
E kujtoj me shumë gëzim gjithçka që lidhej me letërsinë dhe librat. Ishte një nga gëzimet e sigurta, nga ata që nuk të braktisin kurrë.
Kemi dëgjuar që gjithmonë keni treguar vëmendje e shqetësim për tekstet e letërsisë në shkollë. Madje, në kohën e diktaturës i keni denoncuar edhe në shtyp zyrtarët e lartë, përgjegjës për cilësinë e tyre të dobët. Ç’mendoni për tekstet e sotme?
Kjo është e vërtetë. Shumë njerëz kanë qenë të shqetësuar për tekstet e letërsisë. Ky shqetësim lidhej me të tjera, shumë më dramatike. Ngandonjëherë, çështja dukej tepër e ndërlikuar, gati-gati e pazgjidhshme. Te tekstet pasqyrohej një krizë e ndjeshme morale, pavarësisht nga optimizmi i tyre i jashtëm. Tekstet e sotme nuk më ka qëlluar t’i ndjek.
Në tekstet tona të letërsisë ka një protokoll dhe hierarki të ngrirë prej dekadash dhe në to nuk përfshihen poetë e prozatorë të talentuar të rinj, siç vazhdojnë të quhen, por që janë pesëdhjetëvjeçarë. Ç’mund të na thoni?
Ky është një problem që ngjan i përjetshëm. Në tekstet shkollore të shumicës së vendeve shkrimtarët e rinj hyjnë me vështirësi. Mendoj se nuk është aq dramatike sa ç’duket. Vetvetiu letërsia kërkon një farë kohe për të shfaqur vlerat e veta të qëndrueshme. Natyrisht, nuk është mirë që tekstet të jenë arkaike, me shkrimtarë që koha nuk i përligj më. Por, edhe te nguti i shkrimtarëve për të hyrë në tekstet shkollore nuk shoh ndonjë gjë për t’u lakmuar. Një shkrimtari të ri, të talentuar, nuk besoj se i rri në mendje nëse ka hyrë apo s’ka hyrë në tekstet shkollore. Fati i tij si shkrimtar nuk varet aspak nga kjo.
Profesori ynë i letërsisë mendon se për të gjykuar një vepër letrare nuk ka kurrfarë rëndësie jeta e autorit, meritat, veset, bindjet politike, vendi apo koha kur është krijuar. Cili është mendimi juaj?
Përgjithësisht ka dy mendime lidhur me këtë problem. I pari, se autori duhet kërkuar kryesisht te vepra, pavarësisht nga gjithçka tjetër jashtëletrare. Mendimi i dytë është se vepra dhe jeta e autorit janë të pandara.
Këtë mendim të dytë e ka bërë më të theksueshëm shekulli XX, me dy rrebeshet kryesore te tij: fashizmin dhe komunizmin. Ishin një provë e rëndë për njerëzimin, pasojat e të cilëve ende nuk janë kapërcyer. Mendimi im është se pasqyra themelore e një autori është në radhë të parë vepra e vet. Ndërkaq, rrebeshet që përmenda më lart kanë kushtëzuar, gjithashtu, peshën e moralitetit në jetën e shkrimtarit. Jemi ende pranë tragjedisë, ndaj është herët, e ndoshta do të jetë gjithmonë herët, për të thënë se ne jemi shpërfillës për tmerret që kanë ndodhur. Qytetërimi europian, ai qytetërim ku ne bëjmë pjesë, nuk e lejon kapërcimin e kufirit të gjykuar prej tij të pakapërcyeshëm. Thënë shkurt, shkrimtarët që, pa u detyruar nga rrethanat (torturat etj.), kanë futur në burg kolegët e tyre, ata që kanë marrë pjesë në krime drejtpërdrejt, e kanë humbur të drejtën e të qenët qytetar i Republikës së Letrave. Por ju s’duhet të bëheni merak se thesari botëror ose thesari ynë shqiptar i letrave nuk rrezikon të humbasë ndonjë vlerë kushedi çfarë.
Historia ka treguar se talentet e mëdha nuk kanë marrë pjesë kurrë në krime të tilla të neveritshme. Një poet i madh, ndoshta më i madhi i gjuhës angleze, Ezra Paund, zë kreun e vendit midis të dënuarve pas rënies së fashizmit. Ai u dënua mizorisht, ndoshta me shumë se ç’peshonte faji i tij. Ishte kjo arsyeja që kolegët e tij në gjithë botën kërkuan falje për të. Faji i tij ishte se pati fatkeqësinë të pranonte fashizmin dhe të fliste në Radio Roma në kohën e Musolinit. Ishte, natyrisht, e rëndë për një poet të njohur. Por ishte, megjithatë, shumë larg atyre që kanë vrarë njerëz me duart e tyre, madje me plumb në kokë. Te ne në Shqipëri ka një çoroditje lidhur me këtë problem. Kërkohet ose dënimi i skajshëm, ose falje e skajshme. Kështu, për shembull, në emër të një liberalizmi të tepruar janë futur në tekstet tona shkollore, madje të reklamuar ndonjëherë si disidentë, bashkëpunëtorë të Sigurimit, e që kanë qenë vrasës të pështirë, ata me plumb pas koke. Kjo është e padurueshme.
Shumë studiues letërsie, shqiptarë apo të huaj, e kanë shprehur dhe po e shprehin mendimin e tyre. Po mendimi juaj për ta cili është?

Shkrimtarët, zakonisht, nuk japin mendime për studiuesit, e sidomos studiuesit që merren me të. Mendoj se bëjnë mirë.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…