Skip to main content

Tetova News

Kulla: Kadareja, nga gjenia krijuese te raporti me diktatorin

Botohet e para biografi analitike për shkrimtarin e madh.

“Ylli i shkrimtarit”, një libër mbi jetën dhe veprën e kandidatit për “Nobel”


Të shkruante një biografi për Kadarenë ishte një ëndërr e hershme, të cilën ai e ushqente në heshtje. U desh të shkonin vite që të kalonte nëpër duar veprat e mendimtarëve të parë shqiptarë, të zbardhte veprën e albanologut italian At Zef Valentini, që më në fund të nxirrte në dritë librin kushtuar autorit, që e kishte ushqyer me fantazi qysh se ishte fëmijë në qytetin e lindjes, Delvinë.
 “Ylli i shkrimtarit”, kështu titullohet vepra biografike kushtuar Ismail Kadaresë nga studiuesi dhe botuesi Ndriçim Kulla. Në një bisedë për “Panoramën”, ai tregon se përse duhej një vepër e tillë në shumësinë e botimeve kushtuar shkrimtarit të madh shqiptar.

Si e mbani mend kontaktin e parë me figurën e Ismail Kadaresë?

Kontakti im i parë mendor me jetën dhe veprën e Ismail Kadaresë daton në subkoshiencën time qysh në adoleshencë, në vitet e fillores, atëherë kur unë lexova me endje poemën e tij të parë “Princesha Argjiro”. Gjirokastra e Argjiros ishte në vijë ajrore veçse disa kilometra larg shtëpisë sime, atje prapa Malit të Gjerë, ku unë fëmija fluturoja dhe lozja me flatrat e imagjinatës pranë kështjellës së saj. Ka qenë gati një kontakt fantazmagorik që më dilte gjithmonë në ëndërr, ndoshta nga arsyeja se ishte i pari libër që lexoja prej tij. Po i tillë ishte edhe kontakti me mbiemrin e autorit, që, duke qenë i rrallë, më dukej si i dalë nga lashtësia e nuk më thoshte gjë prej gjëje se kush ishte ky njeri, aq më tepër që s’e dija se ishte gjirokastrit, pra bashkëvendës me Argjironë, heroinën e miturisë sime. Më vonë do ia njihja globalisht si veprën, ashtu dhe jetën e tij, por në atë periudhë ato ishin për mua të largëta, të panjohura. 

Cilin roman veçoni si kulm në korpusin e veprave të tij?

Në sfondin e propagandës bajate antikombëtare mund të jetë paradoksale po të deklarosh me kënaqësinë më të madhe estetike e kombëtare se romani që përbën kryeveprën e tij, është “Dimri i vetmisë së madhe”, një roman ky që është sulmuar më shumë prej Salierëve të Kadaresë si vepra më e politizuar dhe ideologjizuar e korpusit të veprave të tij. Gjithnjë sipas këndvështrimit tim, romani “Dimri i vetmisë së madhe” është një roman epiko-historik me një temë me një rezonancë të gjerë universale, që kapërcen çdo kufi. Ai rrok fatin e përjetshëm të kombeve të vogla, i cili është aktual edhe sot në shekullin e globalizimit, por edhe të neoperandorive. Në raftin tim, “Dimri i madh” është përherë aty, si llamba e Aladinit që më ndriçon në mjegullat e shpeshta të trazirave ideologjike dhe politike të botës përqark. Përveç universalitetit të temës, që qëndron si bizhu në opusin e tij, ajo që më josh pa masë është edhe bukuria estetike e linjave të romanit, që, si perla të paoksidueshme, shkëlqejnë me një novitet të paarritshëm si në asnjë vepër tjetër të letërsisë shqipe.

Si lindi ideja për të shkruar këtë libër?

Nuk mund të them se lindi në një moment apo stad të caktuar. Ai ka qenë si ato embrionet që ngjizen dhe presin gjatë në mendjen e studiuesit, në pritje për të lindur të shëndetshëm një ditë dhe të aftë për të përballuar jetën e polemikave të përhershme të shqiptarëve. Ismail Kadare tërheq si me magnet inatin e dështimit të një bote të vjetër, që edhe këto kohë e momente kërkon të marrë me vete fatin e Shqipërisë. Më 29 korrik u bë një shekull që kur në Londër u njoh Shqipëria. Prej asaj dite, ne jetojmë një shekull të ri. Vargu i Migjenit “Na të birt e shekullit të ri” është një medaljon për Kadarenë. Pikërisht në agimin e ri të shekullit tjetër unë mora vendimin që t’ia shpreh atij publikisht, në gazetën tuaj prestigjioze ku dhe shkruaj,  dëshirën për një biografi analitike të jetës dhe veprës së tij letrare. Gjeta mirëkuptim dhe “Në rrugë dola”, siç thotë Dritëro Agolli.

Vazhdimisht është cekur raporti i shkrimtarit me diktatorin Hoxha, çka ju e rimerrni në veprën tuaj, përse?

Sepse ky raport është lajtmotivi mjeran i një zhanri shkarra-shkruesish, që vijnë nga thellësitë më të errëta të puseve të mendimit. Marrëdhënia e Ismail Kadaresë me diktaturën më të sofistikuar të Europës është marrëdhënia më e ndërlikuar që një bard i mendimit të lirë mund të ketë ndërtuar me një despot komunist. Ku ka ndodhur që tirani i një shteti dhe shkrimtari më i shquar i tij me prejardhje nga një rrugicë e vetme e një vendlindjeje të përbashkët të bashkëjetojnë për mbi 40 vjet me radhë, duke qenë sfidues aktivë të njëri-tjetrit. Njëri vazhdonte të shtypte me zjarr dhe me hekur një popull të tërë, kurse tjetri vazhdonte t’i jepte ushqim shpirtëror popullit të vet. E kjo sepse i pari kishte iluzionin, që rezultoi katërçipërisht i rremë, dhe i dyti do ta përjetësonte në letërsi me një imazh po aq të rremë. Në realitet edhe ato 40 faqe për diktatorin në 500 faqet e “Dimrit të madh” nuk janë veçse një mashë për të, gjë që publiku e kuptoi mirë qysh atëherë. Prandaj, në qendër të këtij libri është një marrëdhënie njerëzore që i mundësoi Kadaresë të ishte i lirë në pjesën tjetër të veprave, për të na dhuruar ato perla letrare që njohim sot, por që nga ana tjetër i shkaktoi disa nga plagët më të dhimbshme shpirtërore në jetë.

Çfarë e dallon botimin tuaj nga tërësia e studimeve për Kadarenë  të botuara gjatë këtyre viteve?

Ka më shumë se pesë dekada që për veprën letrare të Kadaresë  janë shkruar me qindra studime të të gjitha formave dhe llojeve të ndryshme, por në këtë mozaik shumë të pasur autorësh mungonte një fragment i rëndësishëm për t’i plotësuar portretin: biografia e tij. Në konceptin integral të veprës së tij ndihej një zbrazëtirë, që ishte mungesa e njohjes së kuadrit të plotë ku ai  jetoi dhe punoi. Në librin tim “Ylli i shkrimtarit” besoj se ia kam arritur të plotësoj me sukses atmosferën që shoqëron shkrimtarin në çdo hap të moshës, përjetimet që ai ndien para çdo vepre të madhe që nxori pena e tij, trysninë e epokës në trajtimin e krijesave të tij letrare, për të mundësuar kështu fotografimin historik të gjithë jetës së vet krijuese. Nga ana tjetër, mënyra e të rrëfyerit të librit është e një gjinie të veçantë, diçka midis disertacionit të vërtetë shkencor dhe esesë së gjatë narrative.

Në librin tuaj, ju përballeni edhe me takuesit e Kadaresë, cilët janë ata më të ashprit?

I gjithë aktiviteti i Kadaresë është sulmuar vazhdimisht, saqë mund të themi se në çdo kilometër të rrugës së tij ka pasur një peng. Por në tallazin e goditjeve kriminale do të veçoja tri momente. Momenti i parë ka të bëjë me fushatën denigruese pas “Dimrit të madh”. Rrallë ndonjëherë në ndonjë vend socialist mund të ketë ndodhur që një masë e madhe njerëzish, të ndërsyer nga Sigurimi i Shtetit, të jetonin me ëndrrën e diarresë gojore mediatike kundra Kadaresë. Njëlloj sikur të ishte shpallur ndonjë konkurs kombëtar se kush të shpifte më shumë. Shpifnaja propagandistike u çel nga Sigurimi i shtetit dhe u përmbyll nga Enver Hoxha. Momenti i dytë është pas sekuestrimit të poemës “Pashallarët e kuq”. Megjithëse e pabotuar, ajo i kushtoi atij një poshtërim të madh shpirtëror. Dënimi ishte një kinezëri e tipit të dërgimit të tij në skëterrën e një kooperative bujqësore në kënetën e Semanit, në një periudhë kur do të linte pa kujdesin e duhur prej biri dhe do të humbiste një krijesë të shenjtë për të, babain. Momenti i tretë është akoma dhe më tragjik, ndëshkimi për “Pallatin e Ëndrrave”. Ankthi i shtohej edhe më shumë pas arrestimit të mikut të tij, Bashkim Shehu. Çdo natë në qeli mikun e tij e pyesnin se çfarë dinte për Kadarenë. Kërcënimi për arrestim në Plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve ishte më se i vërtetë, por vetëm rëndimi i shëndetit të diktatorit ndoshta mund ta ketë shpëtuar fatin e tij. 

Kadare për Nobel, i preferuari i kritikës botërore

Kritikë dhe shkrimtarë botërorë shprehen për trofeun e Nobelit, që shpallet të enjten e ardhshme. Midis të preferuarve, emrat më të përmendur janë Kadare, PhilipRoth dhe Murakami.

Ngjante si një shaka. Vitin e shkuar, shkrimtari kinez Mo Yan mori çmimin Nobel për letërsinë dhe shitësit e librave mblodhën supet. MoYan, kush është ky? Dekadën e fundit, çmimi Nobel në vitin 2010 për Mario Vargas Llosa-n ishte ai më i afërti për një vepër të njohur. J. M. Le Clezio (Nobel 2008), Herta Muller (2009) dhe Transtromer (2011) ishin emra të vështirë për t’u shqiptuar dhe, librat e tyre, të vështirë për t’u gjetur. Pas marrjes së çmimit, veprat e tyre filluan të botoheshin dhe, të paktën, u kuptua se çmimi Nobel ka një efekt komercial: ndihmon që laureatët e tij të shiten. Por përtej kësaj, çmimi Nobel, që është ndoshta çmimi më i madh në botën e letërsisë, çmim që është dhënë duke filluar nga viti 1901 nga Akademia Suedeze, e ka humbur njëfarësoj relevancën e vet. Kritikat përsëriten para zgjedhjes së laureatit të ri, i cili do të shpallet javën që vjen, sipas traditës së dhënies së lajmit nga Stokholmi të enjten e dytë të tetorit. Faktori gjeopolitik është një nga kritikat më të shpeshta: Vargas Llosa e mori çmimin 20 vjet pas meksikanit Octavio Paz. A do të duhet të kalojnë dy dekada të tjera që një shkrimtar latino-amerikan të marrë çmimin? Komponenti ideologjik është një tjetër faktor: kritiku Harold Bloom ka thënë se Philip Roth (1933), i cili nuk botoi më pasi kishte shkruar 31 vepra, dhe nuk do të botojë më, sepse “shumë pak korrekt politikisht ndërsa Akademia është kaq korrekte politikisht, saqë ngjan e pamundur”. Në vitin 1993, Toni Morrison ishte autori i fundit që iu dha çmimi. Këtë vit, lista udhëhiqet sërish nga Murakami. Për “Guardian”-in, autori i Tokios është një nga romancierët më të mëdhenj të ditëve të sotme. I parapëlqyeri i dytë në radhë është autori amerikan, Joyce Carol Oates (1938) dhe më pas dramaturgu e romancieri hungarez, Peter Nadas (1942).

Të munguarit

Kritika kryesore për Akademinë Franceze, të përbërë nga 18 anëtarë të përjetshëm, ndër të tjera, është se nuk ka nderuar figura kyçe të letrave, si Tolstoi, Prusti, Xhejms Xhojsi, Kafka, Nabokovi dhe Borgesi. “Tolstoi u skualifikua si pesimist”, tha Kjell Espmark, ish-kryetar i Komitetit për çmimin Nobel, në librin e tij “Çmimi Nobel për letërsinë” (2008). “Nëse nuk ia jepni kurrë çmimin Borgesit, atëherë nuk dua t’ia di fare se kush e merr çmimin Nobel”, thotë autori amerikan, Francisco Goldman. Skepticizmi dhe pakënaqësia ndaj Akademisë shtohet. Këtu, një sërë shkrimtarësh dhe kritikësh japin mendimin e tyre për të parapëlqyerin e tretë në radhë. A do të jetë ai vallë emri i të cilit do të shpallet të enjten në Stokholm? Shqiptari Ismail Kadare dhe amerikani Cormac McCarthy janë të preferuarit e autorit salvadorian, Horacio Castellanos Moya. “Megjithëse shumë të ndryshëm për nga tematika, që të dy kanë një vepër komplekse, që zbulon marrëdhëniet e ndërlikuara ndërmjet njerëzve. Secili nga të dy e meriton çmimin”, thotë ai. Kritiku i “The New Yorker”, James Wood, gjithashtu i ka hedhur “fishat e bastit të vet” për Kadarenë. Në librat e tij më të famshëm, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Nëntori i një kryeqyteti”, autori pasqyron kohërat e turbullta që përjetoi populli shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Më pëlqen për alegoritë e tij të errëta, zbavitëse, frikësuese dhe komplekse për efektet e deformimit të tiranisë së shtetit tek individi”, thotë Wood-i, i cili veçon titullin autobiografik “Kronikë në gur” (1970) të Kadaresë. “Është një tablo shumë e bukur e një qyteti shumë fetar të fëmijërisë së tij”, shton ai. Nëse Nobel-i do të rezultojë sipas këtij sondazhi, ata që kanë grumbulluar më shumë vota janë Philip Roth dhe antipoeti kilian, Nicanor Parra. Për autorin amerikan, të vetmin shkrimtar të gjallë të botuar nga “The Library of America”, kritiku spanjoll Ignacio Echevarria thotë: “kanë të drejtë ata që sugjerojnë se ai nuk do të zërë asnjëherë vendin e mjeshtrit të vet, Saul Bellow, në tablonë e letërsisë së madhe”. Kritiku peruan, Julio Ortega, dhe kiliani Marcelo Soto zgjedhin autorin e “Poema dhe antipoema” dhe shtojnë edhe Echevarrian. “Parra jo vetëm që e meriton çmimin Nobel, por Nobel-i nuk ka kuptim pa të”, thotë Ortega. Nobel-in e vetëm për Izraelin e ka marrë Shmuel Yosef Agnon në vitin 1966. Kandidati i përjetshëm ishte izraeliti Amos Oz. “Vepra e tij është një testament për historinë e rajonit dhe një eksplorim brilant i gjendjes njerëzore”, thotë kolumbiani Santiago Gamboa. “Mendoj se është koha për t’ia dhënë çmimin një shkrimtari kanadez”, thotë Edmundo Paz Soldan, i cili përzgjedh Alice Munro dhe Margaret Atwood.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…