Skip to main content

Tetova News

Nje anglez zbulon një krim në Perandorinë Osmane

Jason Goodwin/ Një udhëtim nga Polonia për të mbërritur në Stamboll. Bisedat me fermerët dhe priftërinjtë që e shtynë të hynte dalëngadalë drejt qytetit që e kishte joshur teksa e shihte në librat e historisë. “Pema e jeniçerëve”, një rrëfim frymëzues për Stambollin e viteve 1800, dhe për shqiptarët që Goodwin takoi në rrëfimet që nuk i kishte humbur dot koha


Rreth dy dekada më parë, kur vendet komuniste hodhën poshtë liderët e tyre politikë, Jason Goodwin, një historian i ri anglez, vendosi t’i vizitojë në këmbë këto vende. Bashkë me Kate, bashkëshorten e tij të ardhshme, ata ecën nga Gdansk në Poloni, drejt jugut për të mbërritur në Stamboll. Për të njohur më mirë qytetin, duhet të takosh njerëzit e duhur. Si historian Goodwin e dinte se fermerët dhe priftërinjtë ishin ata që mbanin aq të gjallë në kujtesë historinë. Në kafenetë me dritat orientale turke, ai ndante orët e gjata të mbrëmjes duke pirë çaj e duke folur mbi atë çfarë kishte qenë dikur ky qytet kaq i bukur jo vetëm për Turqinë, por për gjithë Europën Lindore. Stambolli kishte qenë gjithnjë lidhja e madhe mes kontinenteve i quajtur dikur kryeqyteti i botës, ai ruante ende joshjen, e cila grishej më shumë prej bisedave që gjithnjë linin shijen e një misteri. Shijen turke ai e kishte ndier qëkur mbërriti në Hungari, e cila ishte pushtuar nga turqit në shekulli XVI. Kafja që ata shijuan bashkë me Kate ishte krejt ndryshe nga ajo çfarë kishte pirë në vendet e tjera ku kishte ndaluar. Kishte më shumë ngjyrë e më shumë shije. Në rrugët që dukeshin sikur nuk kishin fund të Stambollit, ata hidhnin vështrimin tej, duke parë dritat e argjendta të perëndimit teksa binin mbi minare. Mëngjeset ishin aq dehëse teksa shihnin anijet që rrëshqisnin përmes qytetit, dhe Bosforin që shkëlqente nga rrezet e para të diellit. Për Jason dhe Kate, Stambolli është një qytet i cili nuk të lë të ikësh pa krijuar historinë tënde, një histori e cila do të mbetet gjithmonë aty, si mijëra histori, të fshehura mes dy botëve, asaj aziatike dhe asaj europiane. Por ndërsa historinë e tij, ia besoi qytetit, një tjetër histori kishte marrë formë në mendjen e tij, të cilën do të ulej ta shkruante vetëm pak ditë pasi ishin kthyer në Londër. Ishte historia e Jashimit, një personazhi detektiv që për herë të parë e kishte hasur në një libër i cili fliste për Stambollin e vitit 1830. “Jeniçerët ishin forca e Perandorisë Otomane”. Kjo fjali e dëgjuar në një nga bisedat e pafundme që pati me historianë, por dhe njerëz të thjeshtë të Stambollit, do ta bënte Goodwin, t’ia kushtonte rrëfimin e tij të ardhshëm pikërisht jeniçerëve, një roman triller i cili do të rikthente në kohë një nga masakrat e në Perandorinë Osmane, pikërisht shfarosjen brenda një nate të një ushtrie të tërë jeniçerësh. Goodwin as që mund ta mendonte më parë se ai mund të shkruante një roman të stilit Agata Kristi. I lindur në një shtëpi të mbushur me libra, Jason e kishte ndjerë qysh herët tërheqjen e tij ndaj të shkruarit. Babai i tij është shkrimtari i njohur anglez i librave fantastiko-shkencor John Mishell, ndërsa nëna është Jokastra Ines, shkrimtare dhe grua e njohur në ekranet angleze, për mendimet e saj të lira dhe novatore. Prindërit e tij u divorcuan para se ai të lindte dhe Jason do të takohet për herë të parë me të atin kur ishte 28 vjeç.
E ëma dhe bashkëshorti i saj, producenti i njohur Richard Goodwin, do të ishin një shtysë e rëndësishme në karrierën letrare të Jason. Kur i pasigurt mbi rrjedhën e ngjarjeve që po merrte historia e Jashimit, ai kishte vendosur të ndërpriste punës, Jokastra ishte ajo që e bëri t’i kthehej sërish punës. Jokastra Ines, kjo femër e rrallë sipas mediave angleze, ka vetëm 8 muaj që është ndarë nga jeta. Jashimin ai ia dedikon pikërisht asaj gruaje të mrekullueshme, e cila nuk lodhej së treguari histori kur ishte i vogël dhe kur u rrit e frymëzoi me jetën e saj. Por le të ndalemi te Jashimi, historinë e parë të të cilit ai e tregoi në librin “Pema e jeniçerëve”, i cili këto ditë ka dalë në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “Saras”. Fabula ku Goodwin vendos personazhin Jashimi nuk është e lehtë. Një natë të përgjakshme në Stambollin e vitit 1986, një vajzë e re mbytet në haremin e sulltanit dhe një ushtar i ri vritet në rrugët e Stambollit. Detektivi Jashim ka vetëm dhjetë ditë kohë për të zbuluar komplotin dhe për të shmangur një vrasje, e cila mund të gjunjëzojë Perandorinë Osmane. Në rrugëtimin e tij për të zbuluar vrasjet, Jashimi na zbulon Stambollin e atyre viteve, njerëzit e thjeshtë dhe të devotshëm që i shërbenin Portës së Lartë.
Një rrëfim i jashtëzakonshëm, i cili na njeh me shqiptarët e famshëm në Turqinë e shekullit XIX, një prej të cilëve ishte edhe Ali Pashë Tepelena, i cili njihej si një dhelpër e vërtetë…

Jason Goodwin u magjeps nga Stambolli, ndërkohë që studionte histori bizantine në Cambridge University. Para pesëmbëdhjetë vjetësh, pas suksesit të librit “Kopshtet e Barutit: Udhëtime përmes Indisë dhe Kinës në kërkim të Çajit”, ai bëri një udhëtim përmes Europës Lindore, për të arritur për herë të parë në Stamboll. Këtë udhëtim e përshkroi te libri: ”Më këmbë deri te Briri i Artë”, me të cilin në vitin 1993 fitoi çmimin “John Llewellyn Rhys/Mail”. I befasuar nga ndikimi i gjatë i Perandorisë Osmane mbi Europën Lindore, Jason filloi të bënte kërkime dhe të shkruante librin “Zotër të Horizonteve: Një Histori e Perandorisë Osmane”. Jan Morris e quajti librin një “vepër madhore”. “Pema e Jeniçerit”, libri i tij i parë me personazhin misterioz, të quajtur Jashim, u bë një bestseller ndërkombëtar dhe në vitin 2007 fitoi Çmimin “Edgar Allan Poe” për novelën më të mirë. Vazhdimi i kësaj novele “Guri i Gjarprit”, u përzgjodh si konkurrent për çmimin “CWA Ellis Peters Historical Crime Award”. Seritë, të cilat përfshijnë edhe librin tjetër “Karta Bellini”, janë përkthyer në tridhjetë e shtatë gjuhë. Jason është martuar me Kate, bashkudhëtaren e tij në Stamboll. Ata jetojnë në Dorset bashkë me katër fëmijët e tyre.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…