Skip to main content

Tetova News

Përfaqësues të kulturës apo të antikulturës?!

Në përgjigje të replikave të K. Jorgos, Th. Gjikës dhe K. Kodrës
BAHRI BECI

Gazeta “Shqip” e datës 13 gusht 2013 botoi, me nismën e saj, fragmente nga libri im me titull “Një libër që nuk do të doja ta shkruaja”.
Në ato fragmente, ndër të tjera, vija në dukje se ka disa gjëra të paqarta ose enigmatike lidhur me personin e J. Bulos. Dhe thelbin e shqetësimit tim e shprehja përmes pyetjeve si këto:
Si erdhi, pse erdhi, kush e pruri në Institut? Si e mori atë shtëpi aq të madhe, në atë vend, në atë kohë të vështirë për strehim? Si mori dy grada shkencore përnjëherë me një punim? Si u bë drejtor i Institutit aq shpejt, kur në atë Institut kishte plot të tjerë që e meritonin atë vend? Përse kishte mbështetjen e përhershme dhe pa kushte të numrit një të Akademisë, profesor Luan Omarit, në të gjitha momentet dhe për çdo gjë? Si u ribë drejtor i Institutit pas ngjarjeve të dhunshme të vitit 1997, kur nuk e kishte titullin profesor? etj.
Tre kolegë të sektorit të drejtuar prej tij: K. Jorgo. Th. Gjika, po edhe K. Kodra, kanë botuar si reagim artikujt me tituj bombastikë : “Të vërtetat e antikulturës” (K. Jorgo, 12 Shtator 2013, “Shqiptarja.com”), “Shkencëtari i vërtetë nuk i mohon vlerat e kolegëve” (Th. Gjika, 10 shtator 2013 “Shqip”), “Prof. Beci derdh mllef dhe insinuata për kolegun tonë Jorgo Bulo” (K. Kodra, 8-15 shtator 2013, “Nacional”.
Të tre reagimet, siç shihet, janë bërë pas një muaji dhe pak a shumë në të njëjtën datë. Rastësi apo reagim kolektiv?!
Kristaq Jorgo, pyetjet e shtruara prej meje më sipër lidhur me shokun J. Bulo (pra, njeriun J. Bulo dhe jo studiuesin J. Bulo) i quan të pavërteta, sajesa e gënjeshtra.
Pyetjet, shoku Kristaq, sido që të jenë janë pyetje, pra, nuk janë as të vërteta, as të pavërteta, as sajesa, as gënjeshtra, janë vetëm pyetje.
Ju nuk kënaqeni me kaq po i vlerësoni ato si “kulturë e përbaltjes në emër të idealeve të larta (!)”; si “mediokritet shpirtëror”, si “kulturë e antikulturës”.
Ju përsëri nuk ndaleni dhe vazhdoni: “Thjesht nuk e do, e urren profesor Bahri Beci profesor Jorgo Bulon”.
Shkoni shumë larg shoku Kristaq? E pse? Vetëm sepse kam “guxuar” të shtroj disa pyetje ose po deshët pikëpyetje për idhullin e tuaj, shokun Jorgo.
Po çfarë duhet të them unë për ju që në vitin 1993, ndër të tjera, keni shkruar për dy shokët e sektorit të tuaj, Dilaver Dilaverin dhe Enver Muhametin se janë të paaftë dhe se për këtë arsye aktivizimi i tyre në drejtimin e punëve të sektorit dhe të institutit ka qenë një marrëzi siç e quanit ju individuale dhe kolektive.
Pra, shoku Kristaq, me “ndershmëri njerëzore e intelektuale” idhullin e vetë e ngre në qiell, kurse dy kolegët e tjerë, po të atij sektori, i quan të paaftë. Çfarë ta quaj unë këtë “kulturë e përbaltjes në emër të idealeve të larta (!)”; “mediokritet shpirtëror”, “kulturë e antikulturës”?!.
Ju shoku Kristaq keni dy standarde, të tjerat vetëkuptohen.
Në atë shkrim ju kërkoni gjithashtu që unë të paraqes “një kronikë besnike të asaj çka ndodhi në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë gjatë periudhës 1992–1997 (sidomos në fillimet e saj)”, kohë në të cilën unë isha emëruar drejtor i institucionit”.
Dakord, po libri im është një kronikë e përjetimeve të mia në periudhën 1958-1990. Kështu që kronika e përjetimeve të mia pas vitit 1990, logjikisht vjen pas saj. Pra, mos më kërkoni të përmbys rendin kronologjik dhe logjik të përjetimeve të mia.
Po ju më habisni kur shtoni se, me urdhrin tim, na qenka shpërthyer vandalisht zyra e drejtorit të deriatëhershëm të Institutit, Jorgo Bulos. Më vjen keq, po zyra e drejtorit nuk kishte sepse të shpërthehej; ajo nuk ka qenë e nuk kishte pse të ishte e mbyllur meqenëse kalimi te drejtori bëhej përmes sekretarisë. Sekretarja kishte çelësin edhe të drejtorisë, kurse dokumentet ishin të gjitha në sekretari. Çdo gjë tjetër është përpjekje për të krijuar insinuata që nuk të bëjnë nder.
Edhe Th. Gjika pyetjet e shtruara prej meje në artikullin e tij i quan nënvlerësime të hapura, për të mos thënë hedhje balte, mbi dy personalitete shkencore të Institutit të Gjuhësisë dhe të Historisë… (e ka fjalën për A. Kostallarin dhe J. Bulon).
Sipas tij, Bahri Beci i ka zili arritjet e J. Bulos (ç’zili mund të kem unë për njerëz që kanë funksionuar më shumë si njerëz ideologjikë se sa si shkencëtarë?!).
Sqarimet tuaja lidhur me pyetjet e mia (pra ke pranuar se janë pyetje) ngjajnë si dy pika uji me ato të K. Kodrës, rastësi apo diçka tjetër?!
Po çfarë nevoje ka të bëheni zëdhënës të shokut Jorgo, kur ai është gjallë dhe gëzon shëndet të plotë.
Po pse nuk e lini shokun Jorgo të japë vetë sqarime për pyetjet a pikëpyetjet e mia. Si mundem unë dhe opinioni publik, po edhe vetë shoku Jorgo t’ju pranojë ju si zëdhënës të tij.
Më vjen keq për K. Kodrën që e ka futur a vendosur vetën në këtë vorbull, po kjo është punë e saj.
Shoqja K. Kodra pyetjet e mia i vlerëson si akuza a zhvlerësime të veprimtarisë shkencore të J. Bulos dhe e shqetësuar lëshon kushtrimin se “kur do të vijë më në fund dita që studiuesit shqiptarë të jenë objektivë në vlerësimin e njëri-tjetrit?” ose “si do të mund të vlerësojmë paraardhësit, kur nuk vlerësojmë bashkëkohësit që i njohim më mirë?”.
Në fragmentet e botuar nga gazeta “Shqip” ka vërtet dy vlerësime të bëra nga ana ime, po njëri është për romanin “Çlirimtarët” që e kam quajtur pavlerë dhe tjetri për vendimin e këshillit shkencor të Institutit që i dha asaj doktorate dy tituj për një herë, të cilin e kam quajtur të paargumentuar. Sa jeni ju dakord kjo është çështje tjetër. Fakti që ajo doktoratë nuk është e botuar besoj se nuk flet në të mirë të pikëpamjes suaj.
Pra, pyetjet e shtruara edhe pse nuk ju tingëllojnë dashamirëse për kolegun a idhullin tuaj nuk synojnë vlerësimin e veprimtarisë së tij shkencore. Lexoni librin dhe do të bindeni për këtë.
Prandaj mos harxhoni mund dhe letër për të më treguar mua dhe opinionit “sukseset” në punën shkencore të askujt; këto t’ia lëmë kohës, ajo është gjykatësi më i mirë i arritjeve tona në ato kohë të vështira të diktaturës. Pra, t’ua lëmë brezave vlerësimin përfundimtarë të punës së bërë dhe rezultateve të arritura në fusha të ndryshme të dijes, përfshirë edhe ato për letërsinë.
Pra, unë shtroj disa pyetje për njeriun, qytetarin a shokun J. Bulo idhullin e Kristaqit, Thanasit po edhe të Klarës dhe ato më vërsulen me gjithë arsenalin e “kulturës” së tyre.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…