Skip to main content

Tetova News

PËRUROHET VEPRA E PROF.MATEO MANDALA, RRETH LIBRIT TË DYTË TË SHQIPES SË SHKRUAR

Nga: Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë


Prof. Mandela, duke folur…(Tiranë, 24 tetor 2013-Foto: M.Gecaj)

Së bashku me z.Sadulla Zendelin-Daja, studiues dhe zv.kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë, “Papa Klementi XI –Albani”-Suedi, morëm pjesë në përurimin e veprës së  arbëreshit, prof.dr. Matteo Mandela, “Lekë Matranga: njeriu, koha, vepra” (Rreth botimit kritik të varianteve- dorëshkrim e të shtypur- të veprës, “E mbësuame e krishterë-1502”).
Tubimi u organizua në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave dhe merrnin pjesë: akademikë e profesorë, punonjës të arsimit, kulturës e shkencës, poetë e shkrimtarë, nga media e shkruar dhe ajo elektronike e të tjerë. Gjithashtu, ishin kryetari i Akademisë së Shkencave, prof. Muzafer Korkuti-Akademik dhe drejtori  i Muzeut Historik Kombëtar, prof.dr. Luan Malltezi.
Në fjalën e hapjes, prof.dr. Valter Memisha, nga Instituti i Gjuhësisë e Letërsisë, theksoi se kjo vepër i kushtohet librit të dytë të historisë së shqipes së shkruar. Ai u botua vetëm 40 vjet pas “Mesharit” të Gjon Buzukut, hartuar nga një autor i Horës së shquar Arbëreshe. Me atë janë marrë studiues të ndryshëm shqiptarë, si Kolë Ashta, Selman Riza, Dhimitër Shuteriqi e të tjerë.  Ndërsa punimi i prof. Mandelasë është më i plotë e më përfshirës, duke u ndriçuar shumica e çështjeve, që kanë mbetur të hapura ose të pazgjidhura, nga studiuesit paraardhës. Me këtë rast, folësi shprehu edhe nderimin e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë arbëresh, prof. Francesko Altimari.  Ndërsa dr. Gëzim Gurga, i cili diskutoi në këtë tubim përurues,   ka bërë mjaft shqipërime të kësaj vepre.


Pamje nga salla, ku u bë përurimi…(Djathtas: Murati, Daja, F.Dado etj.)

Me interes u ndoqën edhe diskutimet rreth kësaj vepre të prof. Mandelasë, paraqitur nga akademikët  Et’hem Lika e Floresha Dado, prof. Shaban Sinani, prof.Anila Omari e prof. Evalda Paci. Një studim rreth kësaj vepre kishte dërguar edhe prof.dr. Bardhyl Demiraj. Ata nënvizuan se vepra e Matrangës paraqet një realitet gjuhësor të kohës dhe  libri i Mandelasë, për të cilin punoi me ngulm 20 vjet,  është një model i studimeve albanologjike. Në mbyllje të diskutimeve, autori prof. Mandela i falënderoi folësit e pjesëmarrësit dhe shprehu mendimin se lipset një rilindje në studimet e autorëve të vjetër të shqipes.
 Në hyrjen e librit të tij, venë në qarkullim nga SHB “Ombra GVG”-Tiranë,  ai ka shkruar se interesi për studimin e veprës së Matrangës i kishte lindur qëkur ishte student, në vitet 1980-1984, pra gjatë kërkimeve të zhvilluara prej tij në Arkivin historik të eparkisë së Horës së Arbëreshëve dhe të dioqezës së Monreales. Për herë të parë, libri u botua në Itali, në vitin 2004. Autori bëri krahasimin e të dhënave të mbledhura prej dy burimeve: arkivore dhe tekstore. Atij iu desh të kapërcente edhe studimin e botimit të shtypur, që rëndohej më shumë nga e vetmja ksombël, që njihej deri atëherë dhe që ruhej në Bibliotekën e Vatikanit. Po kështu, ai u përball edhe me vështiraësi të tjera, të cilat i kaloi me vullnet e këmbëngulje. Në këtë punë mjaft të frytshme, ai pati bashkëpunim e shkëmbim mendimesh me disa studiues të njohur arbëreshë, të cilëve iu drejtua me mirënjohje.

Kopertina e librit

x x x

Matteo Mandala është profesor i letërsisë shqipe dhe drejtues i studimeve albanologjike, në Universitetin e Palermos-Itali. Janë të njohura disa vepra dhe studime të tij, një pjesë e të cilave ndodhen edhe në Bibliotekën Kombëtare-Tiranë. Përveç  veprës, që përmendëm më lart, shënojmë këtu se ai është autor i disa librave dhe studimeve të rëndësishme për historinë, kulturën dhe letërsinë arbëreshe, në veçanti dhe atë shqiptare, në tërësi.
Me studimete e tij filologjike, ka arritur të zgjidhë çështjen e Kodikut të Kieutit, të botimit shkencor të veprës së Xhuzepe Skiroit e  të veprës së Gavril Darës, si dhe të shumë autorëve të tjerë arbëreshë. Disa muaj më parë, ai përuroi në Tiranë veprën tjetër të tij, “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe”, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti Italian i Kulturës, Tiranë dhe shtëpia botuese “Naimi”.


Tiranë, 26 tetor 2013

Popular posts from this blog

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…