Skip to main content

Tetova News

Petro Marko, përkthehet në rumanisht

Në 100-vjetorin e shkrimtarit, një simpozium kushtuar veprës së tij

Petro Marko tashmë mund të lexohet dhe në rumanisht. Marius Dobresku, përkthyesi i njohur i letrave shqipe, ka përkthyer në gjuhën rumune, veprën në prozë “Njerëz dhe ujqër”. Promovimi i këtij libri në gjuhën rumune është shoqëruar me një simpozium kushtuar jetës dhe veprës të këtij shkrimtari të njohur shqiptar, në kuadër dhe të 100-vjetorit të lindjes, i cili u mbajt në kryeqendrën e krahinës së Oltenisë, në Krajova të Rumanisë. Për Dobreskun, jeta e Petro Markos është një pasqyrë e komunizmit në Shqipëri. “Shorti i këtij shkrimtari të talentuar ilustron më së miri karakterin vrasës të komunizmit shqiptar, të komunizmit në përgjithësi: gjithmonë dhe kudo, regjimi likuidoi në radhë të parë fëmijët e vet, ata idealistë që mendonin se ëndrra për një shoqëri më të mirë mund të bëhet realitet. Shqipëria është një shembull domethënës në këtë kuptim: duke filluar nga shokët e luftës antifashiste, e duke përfunduar me kryeministrin Mehmet Shehu, Enver Hoxha likuidoi një brez të çmuar pjesëmarrësish në luftën antifashiste, intelektualë, shkrimtarë etj. Petro Marko ishte një nga viktimat”, tha Dobresku gjatë fjalës së mbajtur në këtë simpozium.  Duke folur për jetën plot peripeci e drama të këtij shkrimtari, Dobresku u shpreh se “vepra e tij jetëgjatë tejkaloi qartazi peizazhin letrar të kohës. Është një vepër e cila, me siguri, do të mbetet në vite, si dëshmi e talentit dhe forcës shprehëse të këtij krijuesi të denjë”. Që në fillim të daljes në dritë, tregimet e Petro Markos gjetën vlerësimin e lexuesit rumun. Në kumtesën e tij, studiuesi i letërsisë, dr. Luan Topçiu, u shpreh se: “Duke qenë një nga pjesëmarrësit në Luftën Civile të Spanjës (1936-1939), duke pasur kontakte të drejtpërdrejta me letërsitë dhe gjuhët perëndimore, Petro Marko ka qenë i mbushur me frymën e kohës dhe nga disa modele kulturore europiane, që kanë pasur një short të ngjashëm. Ishte pikërisht kjo frymë perëndimore që nuk u tolerua nga komunizmi  në Shqipëri, i cili, nuk  fali as veprën e tij, por as vetë shkrimtarin”. “Marko hapi ulli të reja në prozën shqiptare, prozë e asfiksuar nga metoda zyrtare e realizmit socialist, duke i thyer normat e kësaj metode, me fuqinë e fjalës, me lirizmin e tij, me frymëmarrjen e lirisë, që e bëjnë prozën e tij të pëlqyer dhe të lexueshme dhe sot e gjithë ditën”, tha Topçiu.
Në këtë aktivitet, kushtuar kujtimit të Petro Markos, organizuar nën patronazhin e shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë, morën pjesë deputetja Oana Manolesku, si dhe një audiencë e interesuar e përbërë nga shkrimtarë, njerëz të kulturës, gazetarë etj. Aktiviteti u ndoq me interes nga të pranishmit, që manifestuan interes për të mësuar sa më shumë detaje rreth letërsisë shqiptare, rreth krijimtarisë së Petro Markos dhe aspekte të tjera të kulturës shqiptare. Ngjarja u transmetua nga dy stacionet televizive lokale, si dhe nga gazetat më të rëndësishme lokale.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…