Skip to main content

Tetova News

Anxhela Peza: Çdo shkrimtar është pak psikolog

Anxhela R. Peza është poete, shkrimtare dhe psikologe, me buzëqeshjen sekrete ndër buzë dhe për vetë karrierën e saj që ajo po ndërton, është bërë tashmë një nga më të njohurat në udhën e bukur të përpjekjeve, të cilat burojnë prej mendimit artistik, letrar, psikik e filozofik, për të fuqizuar dhe identifikuar talentet e reja të artit e letërsisë bashkëkohore në botën shqiptare. Sot për sot shkrimtaren e re dhe psikologen Anxela R.Peza e shohim me një ritëm mbresëlënës, që të jep ndjesinë e një procesi poetik, në prozë dhe publicistikë, por edhe në rolin e këshillueses mediatike në psikologji. Është autore e librave me poezi “Verbëri Kotësie”, 2009, dhe “Zemër me Kock” 2013. Në proces botimi ka romanin “Monolog Neuroze”. Prej dy vitesh e gjysëm njihet në media si psikologe këshillimi dhe si shkrimtare. Me detyrimin ndaj audiencës së lexuesve, Anxhela, nuk i shet librat e saj, ajo vetëm jua dhuron institucioneve sociale dhe pikërisht më 1 qershor të këtij viti i ka dhuruar fëmijëve të ngujuar dhe jetimë, 100 libra. Së shpejti ajo do të jetë pjesëmarrëse në dy konkurse për poezinë, një në Trieste dhe një në Sarajevë. Në këtë intervistë Anxhela shpalos ëndrrën dhe pasionin e saj për letërsinë, për poezinë e prozën, dhe lidhjen mes psikikes, artistikes e filozofikes.
Bisedoi: Raimonda Moisiu
Kam lexuar mbresa, mendime, komente të shumta për krijimtarinë tuaj, veçmas për librin tuaj të parë me poezi, me titull “Verbëri kotësie”. Si jeni ndjerë rreth këtyre vlerësimeve? Çfarë ju shtyhu ta titulloni me këtë titull?
Librin e parë e kam shkruar për t’ia bërë dhuratë familjes time, pasi ata investonin për arsimimin tim. Asaj kohe si 18 vjeçare mendova që talentin e spikatur nga 8-vjeçarja dhe gjimnazi ta shfrytëzoja në formë dhurate për ata. Komentet kanë qenë të shumta pasi ai libër u pasua nga tjetri pas 5 viteve. Madje disa komente i ruaj ende, janë të shkrimtarëve, të poetëve, kritikëve letrarë, pedagogëve, të afërmve të mi, njerëzve të thjeshtë, librarive, mediave të ndryshme etj. Kuptova në një mënyrë më serioze se talenti im ishte i dukshëm. Por duke studiuar psikologji më vuri në dyzim fakti se ishte vërtetë talent apo frymëzim i moshës siç ndodh zakonisht. Për të diferencuar këtë gjë, e lashë veten të rrija disa kohë, të cilën e prëcolla duke shkruar gjithmonë pafund kudo dhe ngado. Jam fanatike për titujt, më të bukur dua të jenë ata sesa vetë poezia. “Verbëri Kotësie” është mesazh për njeriun i cili përpiqet aq shumë në jetën e tij, por e gjithë magjia qëndron tek liria që ka. Duke patur lirinë s’ka as pse të fustrohet, të ndrydhet, të ndjek  norma, tabu, zakone pa dashur, është i lirë, lumturia aty ndodhet.
Cilat kanë qenë përfytyrimet më të hershme se një ditë do të bëheshit shkrimtare? Kush ka qenë dashuria tuaj e parë? 
Mbase e kam ditur gjithmonë që do bëhem shkrimtare qysh në vegjëli. Ma kanë induktuar zyshat gjithmonë, “do bëhesh shkrimtare, se shkruan shumë bukur”, krijoja vazhdimisht vjersha, shkruaja ese paksa filozofike në përputhje më moshën. Vendimin e prerë e kam marrë pasi krijova poezinë “Injoranti”. Dashuria imë e parë është dhe do mbetet poezia, nuk do isha unë nëse nuk do e shkruaja atë gjithkund.
Kush ka ndikuar në mënyrë të veçantë që ju ka frymëzuar apo inkurajuar për të shkruar një poezi?
Askush s’më ka inkurajuar, ajo është diçka e cila buron nga një vend që as unë nuk e di. Shkrimtarët shpesh thonë nga shpirti, por jo çdo shpirt prodhon. Qëndron përtej të panjohshmes burimi i saj. Kthjellohem pasi e kam shkruar poezinë aty e kuptoj se çfarë kam bërë.
Cilat janë shprehitë tuaja kur shkruani një poezi, tregim apo meditim… . Dëgjoni muzikë apo dëshironi qetësi?
Ma kanë bërë shpesh këtë pyetje. Qetësi, verë të kuqe, muzikë smooth jazz, Waldack, Yann Tieresen, Yiruma, të gjitha meloditë e pianos, i adhuroj më akomodojnë për të shkruar. Këto janë kushte që i krijoj unë vetes kur e marr me të mira. Realisht unë shkruaj ku të jetë, ku të vijë. Zgjohem në mes të natës e hedh diçka mbi letrën që qëndron në tavolinë, në faturën e kafesë, duke pritur në takim, madje edhe kur bisedoj me ndonjë person e lë pauzë 3 -4 minuta.
Çfarë është një “muzë”. Është aftësi gjenetike sipas mendimit tuaj?
Gjithsecili nga ne nuk i shpëton dot gjenetikës se tij. Por mjedisi luan një rol më se të rëndësishëm në jetën e njeriut. Pa pasur ngacmim nga shqisat e mia s’do mundja dot. Çdo fjalë që më prek qenien, çdo fije bari e deri tek zogu lart në qiell shndërrohet në muzë. Shkrimtari e njeh dashurinë e zemrës dhe falë kësaj ai ka muza plot.
Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj, -prindërit, artet, letërsia apo njerëzit e thjeshtë, qoftë edhe një person i vetëm që ka luajtur një rol të veçantë në frymëzimin tuaj?
Për ti dhënë dhe një përgjigje më të detajuar pyetjes më lart, mamaja ime dhe dashuria parë kanë luajtur një rol të madh në frymëzimin tim. Pastaj gjithçka tjetër më ka ndihmuar në frymëzim, romanet, fshati, kështjellat, deti, mali, gjyshërit në përgjithësi, pikturat e femrave nudo, skulpturat e 1700, qoftë dhe milingona me thërrime buke sipër më jep frymëzim. Edhe një bisedë me një të panjohur lë mbresa më shumë se të veçanta.
Ju jeni poete. Dhjetëra vargje poetike dhe poezi të përmbledhura në vëllimin poetik botuar këtë vit “Zemër me Kock”. Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional, nivel e cilësi artistike-letrare?
Nëpër shkrime të poezisë e kam quajtur atë të “dashurin tim të parë”. Të them se unë përkushtohem shumë në poezi s’mund ta them këtë gjë, pasi ajo qëndron brenda meje, kur do të dalë jashtë meje vjen në formë shkrimi në letër. Nuk e kam imponuar ndonjëherë veten që të ulem e të shkruaj poezi. Ajo kur qëndron brenda teje, nuk e zgjedh momentin se kur do të dalë. Libri me poezi “Zemër me Kockë” erdhi bashkë me vendosmërinë se unë s’do ndahem më prej shkrimeve. Do vazhdoj ta bëj publike poezinë time apo romane qofshin. Kam zgjedhur pikërisht këtë titull duke e njohur më mirë qenien njerëzore nëpërmjet profesionit që ushtroj, jo gjithkush ka një zemër me tul, ku mbart vlera njerëzore, norma, mirësi, dashuri, e drejtësi mbi të gjitha, e pra ka dhe nga ata që e kanë me kock ku e rëndësishme është qëllimi s’ka shumë rëndësi mënyra.
Kur shkruani cili është vendi tuaj më i preferuar, në studio, në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?
Gjithkund ashtu siç u shpreha dhe më lart, në çdo vend nëse ndjej se duhet të hedh diçka në letër, e bëj. Çantës sime nuk i mungon ndonjëherë letra dhe lapsi, e po nuk pati gjej mjete rrethanore për të shkruar diçka.
Ju ndjek vazhdimisht në krijimtarinë tuaj, duke qenë kështu një lexuese e rregullt. Kam lexuar disa fragmente nga romani juaj në botim “Monolog neuroze”. Në prozën tuaj ka mall, protestë, revoltë, dhimbje, psikikja me shpirtin artistik, dashuri, mesazh tolerance e paqe, ton qytetar e intelektual … A keni ndonjë ndjesi të veçantë që ju e shfaqni nëpërmjet artit të të shkruarit..?
I gjithë romani flet për psikologjinë e një femre adulte ku shpeshherë e vë në paralel ish-dashurinë e saj me dashurinë e një vajze adoleshente. Një copë dashurie e ndjerë ndryshe vjen në formë neuroze, tek shpreh se dashuria është e pafund e ndjesia e njeriut ndryshon nga gjithkush tjetër. Edhe pse historitë tona ngjajnë me tregimet e të tjerëve. Tregon se dashuritë kanë fytyra të ndryshme, dhe ti gjatë jetës mund të shikosh dhe provosh mbase disa prej tyre dhe mund të arrij faza që shikon se kush të ka pëlqyer më shumë e kush ka qenë më me rëndësi për ty. Shekuj më parë dashuria e madhe e fortë e kanë quajtur dhe sëmundje sa e vërtetë është ende kjo nëpërmjet fjalëve urbane të njerëzve, kjo ende s’dihet duhet provuar dashuria dhe të flasësh për të. Unë mbetëm ende partizane e fjalës që të dashurosh është një luks që jo gjithkush mund ta ketë.
Ju jeni psikologe këshillimi në media. A ka lidhje psikologjia me letërsinë? Si ja dilni ta shfaqni atë nëpërmjet artit të të shkruarit? Cila është lidhja mes gazetarisë e letërsisë?
Vërtetë kam më shumë se dy vjet tashmë që jam pjesë e pandashme e medias si psikologe dhe shkrimtare. Të dyja kanë lidhje, çdo shkrimtar është pak psikolog, për të mund të përcjellë personazhin e tij më së miri. Mendoj se e kam të pashmangshme të shkruaj mbi psikologjinë e njeriut. Gazetaria me letërsinë kanë lidhje të tjera, në rolin gazetaresk unë nuk hyj shumë pasi figura ime publike televizive vjen si specialiste e psikologut më së shumti, e më pas si shkrimtare.
Pra, sfida për të shkruar një roman qëndron në  përballjen me ndërtimin e strukturës së tij, duke e krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve. E paraqisni personazhin nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën apo anasjelltas?
Romanin tim të parë e kam shkruar gjatë periudhës që kam qenë në Firence të Italisë. Por nuk kam vendosur ende ta botoj. ‘Monolog Neuroze ‘është i treti në numër. E dua më fort se dy të parët, ndaj dhe dua ta sjell tek lexuesit. Kjo mund të vijë dhe si një shtysë e madhe nga pasja e shumë klientëve adoleshente që mbartin probleme emocionale mbi dashurinë. Libri ka vetëm një personazh. Dedikimi vjen për të gjitha ato femra që një herë në jetë janë ndjerë të tilla.
Kush apo çfarë ka qenë ndikimi juaj më i madh si poete, romanciere apo psikologe? Cilat janë sfidat më të mëdha për ju në lëvizjen feministe si autore?
Ndikimi si poete ka qenë vet vetja ime. Ajo më shtyn vazhdimisht të shkoj drejt letrave të prodhoj është më e fortë se unë. Një poezi është një roman i tërë. Për të qenë psikologe e kam dëshiruar që 16 vjeç shumë herët e çdo herë e më shumë e kultivoja veten për të qenë e tillë në të ardhmen. Pa këto të dyja s’do isha unë. Lëvizjen feministe e shikoj brenda të dy profesioneve. Si shkrimtare përcillet gjithçka emancipim, revolt, sfidohet nëpërmjet risisë që ajo sjell krijimi yt, emri i madh të qëndrojë mbi një femër jo gjithnjë në meshkuj. Por botës i duhen dhe disa dekada të lindi një Shekspir femër. Si psikologe çdo femër që ulet përball meje rimëkëmbjen e identitetit të saj, të buzëqeshjes, të guximit.
Keni qenë e suksesshme vitet e fundit si shkrimtare dhe psikologe në media duke gëzuar kështu edhe admirimin nga lexuesit e shumtë? A jeni habitur kur ju kanë vlerësuar? Si ju bën të ndiheni kjo gjë si autore femër?
Normalisht shumë mirë. Vlerësimi është domethënës se tregon për mënyrën se si përcillesh në publik, tek lexuesi, modeli që përcjell gjithçka ka rëndësinë e saj. Rrethimi me dashuri dhe pozitivitet të jep kurajo që mos të zhgënjesh asnjë më pas. Megjithatë unë jam një natyrë kritike e pandreqshme.
A do ta keni të vështirë të shkruani një romancë dashurie rreth jetës intime të një vajze?
Jo aspak, përkundrazi do më pëlqente, do vazhdoj të shkruaj për të. Sa me shumë kalojnë vite tek unë aq më shumë bindem se nuk dua të heq dorë nga vetja. Të qenit unë. Pa tërhequr zvarrë paragjykimet, e fisit, lagjes, komunitetit, vendit që jetoj. S’dua ta llogaris këto kur shkruaj. Shkrimet janë bota ime virgjër, e pastër e sinqertë. Nëpërmjet empatisë unë mund të jem çdo lloj personazhi dhe të kem çdo profesion të kësaj bote. Një njeri nëse nuk ka një mëndje të lirë, një jetë me veprime të lira, edhe shkrimi dhëmb.
Kur ktheni kokën pas si e shikoni krijimtarinë tuaj gjatë viteve? Cilat janë drejtimet dhe objektivat interesante për të ardhmen?
Krijimet gjatë viteve tregojnë shumë gjëra. Nëpërmjet tyre njoh akoma më mirë veten, zbuloj gjëra që mbase se dija që i mbartja. Në momentin që krijimet publikohen ato nuk janë më të miat, janë të lexuesit. Objektivat janë të shumta, shkollimi i mëtejshëm, krijime jashtë vendit, do vazhdoj të bëj karrierë, do e rris më shumë emrin tim.
Çfarë dëshiron të ndash me kolegët dhe audiencën e lexuesve që janë duke e lexuar këtë intervistë?
Lexuesve, ti largohen teknologjive e ti rikthehen librave. Ndërsa kolegëve i them se puna dhe dashuria ndahen me milimetra nga njëra–tjetra, por për punën do thoja që është një sfidë në vazhdim, e që të frymosh sipër ujit duhet vullnet.
Dhjetëra e dhjetëra vargje poetike dhe fragmente për femrën e dashurinë…Çfarë është dashuria për ju? Kur një vajzë e re e ndjen se është e dashuruar? Si arrini ta reflektoni këtë në krijimtarinë tuaj letraro-artistike?
Dashuri do të thotë të duash tjetrin më shumë se veten. Të qëndrojë tjetri përpara gjithçkaje, mohimi i vetes. Një vajzë e re e ndjen kur është e dashuruar kur figura e tij pulson si pulsi i dorës në zemrën e saj. Dashurinë në krijimtarinë time do e reflektoj në format e pafundme të saj. Pa kursyer asgjë. Nëse jeta s’do kishte dashuri, do kishte robotë.
Pse shkruan Anxhela dhe çfarë simbolizon emri tuaj? Kush ua ka vënë këtë emër?
O sa pyetje e bukur kjo, (qesh). Asaj kohe nuk shikohej ende gjinia e foshnjave. Dhe kur ime më ishte 4 muajshe shtatzanë, im atë shikon një ëndërr ku i thonë që ti do lindësh një vajzë me emrin Anxhela. Që do të thotë engjëll, unë isha engjëlli parë për prindërit e mi. Kjo mistika e vënies së emrit nga një ëndërr mbase rezervon gjëra të mira për mua.
Si jeni ndier përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit maskilist? Çfarë kuptoni me shprehjet “vetëgjymtim dhe vetëvrasje intelektuale”?
Në fillim e dobët besoj, sepse është ndryshe ta dëgjosh e ndryshe ta provosh, jam frikësuar, jam rrëzuar, jam ngritur. Ende kam frikë kam të gjitha këto. Qëndroj në mesin e tyre për t’ju bërë ballë asgjë nuk është e pasfidueshme përveç vdekjes. Me fjalët vetgjymtim dhe vetëvrasje intelektuale kuptoj atë që më dhemb më shumë nga vendi im. Më gjymton mentaliteti, paragjykimi, çdo gjë e cila nuk mbart gjërat e mia. Injoranca është një kategori që mua më nervozon më irriton së brendshmi, arroganca, nëna që edukojnë djem maskilist, vajza materialiste, është për të ardhur keq realisht. Ne shpeshherë rrimë dhe përshtatemi me disa gjëra që na lëndojnë, na ndrydhin për të mos qenë më ne.
Mendoni se keni arritur aty ku duhet me krijimtarinë tuaj apo kini akoma për të bërë? Çfarë po shkruani aktualisht? Projektet tuaja në të ardhmen?
Aktualisht do marr pjesë në dy konkurse një në Trieste të Italisë dhe një në Sarajevë të Bosnjes. Nuk do flas shumë për në një tjetër moment do ishte më mirë.
Autorët tuaj më të preferuar…
Uuu sa shumë ka, Migjeni,Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Victor Consinaj, Entela Safeti Kasi, Mimoza Ahmeti, Honore de Balzak, Albet Kamy, Kafka, Leon Tolstoi, Dostojevski, Aleksander Dymas, Mihal Lermontov, Dino Buxati, Gustav Folber, Frederiko Garsia Lorka, Paolo Cohelo, Remark, Xhon Gollsuorth………e shumë e shumë. Çdo gjë që lexoj më pëlqen, se hedh dot poshtë.
Si e shihni kritikën letrare sot? A ekziston një e tillë dhe e mirëfilltë?
Nuk më hasin shpesh sytë e veshët për kritikën letrare. E cunguar shumë, ka nevojë dhe vetë publiku televiziv apo lexues të dijë të diferencojë e të zgjedhe se kush duhet të lexohet.
Mesazhi tuaj për talentet e reja, por edhe për shkrimtaret femra në përgjithësi.
Çdo talenti të ri i uroj suksese në rrugëtimin e krijimeve. Uroj një tjetër Kadare, një tjetër Agoll, një tjetër emër që shëtit botën e bëhet krenaria vendit.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…