Skip to main content

Tetova News

Arti i futjes pa ftesë në pritjet mondane në Paris

Ylljet Aliçka

Para pak ditësh gazeta e njohur “Courrier international”, degë e gazetës franceze “Le Monde”, ka botuar në një numër të saj tregimin provokues të shkrimtarit Ylljet Aliçka me titull “Arti i futjes pa ftesë në pritjet mondane në Paris”, shënime nga kujtimet e diplomati – si vlerësim i stilit të tij të veçantë edhe përtej kufijve të shqipes, sidomos në gjininë e tregimit


 Në pritjet mondane në Paris nuk ishte e lehtë të kuptoje që me herë të parë se sa nga të pranishmit hynin me ftesë dhe sa ia dilnin të hynin pa ftesë.
Me kalimin e kohës, falë ngjashmërisë së marifeteve të hyrjes pa ftesë apo me ftesë false, me fare pak vëmendje, ti mund të kuptoje se bëhej fjalë gati për një komunitet të qëndrueshëm, përbërë kryesisht nga aristokratë apo personalitete të rënë vafti, ish-nëpunës dalë në pension, apo gjithfarëlloj hallexhinjsh, të cilët, përveç ndjenjës së përjetshme njerëzore për protagonizëm që të ofron prania në qarqet mondane të kryeqytetit të dritave, kishin njëkohësisht mundësinë të ushqeheshin me bollëk e cilësi.
Veçse, pavarësisht ngjashmërisë së taktikave për hyrje pa ftesë, ky komunitet mondan ishte i përçarë. Kjo buronte thjesht nga konkurrenca për të hyrë në pritje.
E përmbajtur në dukje, një konkurrencë jo më pak e ashpër niste që para hyrjes së jashtme të
pritjes, pra aty ku bëhej dhe kontrolli i ftesave, ku një turmë modeste mondanësh hallexhinj, d.m.th. pa ftesë, bëjnë sikur presin dikë, por në të vërtetë rrinë aty për t’iu ngjitur, si rastësisht, dikujt me ftesë. Modalitetet e ngjitjes dikujt me ftesë ishin pak a shumë të njëjta: ai, mondani pa ftesë pra, afishonte në fytyrë një buzëqeshje të çiltër, i afrohej krejt spontanisht dikujt që mbante ftesë në dorë dhe, mu pranë hyrjes ku kontrolloheshin ftesat, i drejtonte bashkudhëtarit me ftesë ndonjë pyetje koti, bie fjala:« pa të shohim se në ç’krah do ta kenë vendosur gardërobën kësaj radhe…», dhe kur i ftuari mund edhe të përgjigjej me mirësjellje se «besoj do jetë në krahun e djathtë», atëherë mondani pa ftesë lëshonte një të qeshur me zë të lartë dhe thotë, «bah, sinqerisht unë po mendoja se do ishte në të majtën», duke mos i lënë kështu asnjë dyshim rojave në hyrje se të dy zotërinjtë kishin ardhur bashkë në këtë pritje mondane dhe s’kishte pse t’u kërkohej të dyve ftesa, kohë kjo e mjaftueshme që mondani hallexhi të vinte buzën në gaz dhe të lëshonte pyetjen e tij të kotë mu pranë kontrollorit të ftesave.
Me individët pa ftesë të seksit femër, ndodhte ndryshe, ato jo vetëm toleroheshin nga konkurrentët për të shkelur radhën, porse edhe pa këtë privilegj, rojat e pritjeve e respektojnë zakonisht seksin e dobët.
Por ndodhte që, për të eliminuar krejtësisht konkurrencën, ndokush bënte edhe hile.
Me qëllim që t’i shmangej radhës së vendosur heshturazi në komunitet, hileqari avanconte dhjetëra metra para hyrjes, për t’iu ngjitur si rastësisht cilitdo individi të veshur shik, përfshirë edhe atyre që s’mbanin ndonjë ftesë në dorë. Përveç pabesisë ndaj shokëve të tij, pra të shkeljes së radhës, kjo mënyrë veprimi mbarte në vetvete edhe rrezikun që ti mund t’i ngjiteshe dikujt kot, pra, që nuk kishte asnjë lidhje me pritjen dhe qëllonte t’i binte aty rruga rastësisht. Në këto raste, mondanit hileqar i dilte mundimi huq.
Dhe, së fundi, duhet thënë se kishte edhe një tjetër takëm hallexhinjsh që nuk e duronin dot hipokrizinë, d.m.th. ngjitjen gjoja spontane mbas të ftuarve, por, në mënyrë të hapur e të sinqertë, atyre që dilnin shpejt nga pritja, i pyesnin se mos rastësisht, e kishin ftesën me vete.
Kjo mënyrë e drejtpërdrejtë i prekte ata që e kishin ende ftesën në xhep dhe pranonin me mirësjellje. Mondani hallexhi, me të marrë ftesën në dorë, merrte një pamje dinjitoze dhe hynte në pritje siç i ka hije, gjë që i jepte atij më pas edhe sigurinë për të hyrë krejt i barabartë në bisedë me diplomatë apo personalitete të larta.
Është e tepërt të thuhet që kjo konkurrencë fashitej krejtësisht kur bëhej fjalë për ndonjë të moshuar, që mezi mbahej në këmbë dhe që dukej sheshit se ishte i sëmurë. Në të tilla raste, të moshuarit i lihej hapësira e nevojshme, d.m.th. lejohej nga grupi të hyjë pa radhë e, me t’u shfaqur dikush me ftesë në dorë, ai të kishte mundësi t’i ngjitej menjëherë mbrapa e të hynte spontanisht në bisedë me të.
Pikërisht dikë nga ky kontingjent e hasa në pritjen time të parë në një ambasadë latino- amerikane, në hyrjen e së cilës m’u afrua një grua e moshuar kockë e lëkurë, dhe me një fytyrë mbuluar nga një tepri kremrash m’u drejtua me një zë të njomë:
- Zotëri, më falni, por unë do desha të hyj në pritje në shoqërinë tuaj, pasi… pasi kam harruar ftesën time në shtëpi.
- Patjetër zonjë, – pranova unë.
-Por, papritmas, aty pranë kërceu një tjetër grua e moshuar:
- Bah, zotëri, zonjëza po shfrytëzon pa skrupull mungesën tuaj të përvojës në fushën e mashtrimit me ftesa. Çfarë harrese! Zhënevievë, pse s’thua të vërtetën?! Po kush i dërgon asaj ftesë, zotëri?!
Zonja, që sapo kishte hyrë në shoqërinë time, ia ktheu aty për aty:
- Mjaft tani, Bernadetë, nuk të takon ty të flasësh në këtë mënyrë. Unë kam ardhur para jush dhe thjesht po kërkoj një gjest mirësjelljeje nga zotëria dhe ti s’ke pse përzihesh.
Tha kështu dhe më futi natyrshëm krahun e saj të hollë. Hymë brenda dhe unë nuk e mora vesh nëse zonja me emrin Zhënevievë fliste me vete, apo e kishte me mua tek mërmëriste:
- Zot, sot ka humbur krejt mirësjellja… Në kohën tonë nuk ndodhte kurrsesi kjo gjë… – thoshte dhe e revoltuar tundte kokën e saj të vogël.
Zonja nuk priti të miratoja ato që thoshte, por sapo hymë brenda, shkëputi krahun nga mua dhe pa asnjë hezitim u hodh e babëzitur në drejtim të tavolinave.
Në dalje Zhënevieva mu afrua përsëri dhe pasi më futi spontanisht krahun më prezantoi me një burrë të shkurtër, i cili më buzëqeshi ngrohtë dhe tha:
- Zotëri, le të prezantohemi, unë jam gazetar në profesion të lirë, dhe sot kam harruar…
- Ftesën – kërceu e moshuara.
- Pikërisht – tha burri gjithnjë i qeshur, – pra, ndofta e keni ende me vete dhe…
Nuk e lashë të mbaronte, i dhashë ftesën time, ndërsa ai më falënderoi duke u përkulur thellësisht dhe më la në dorë një kartëvizitë, ku shkruhej emri “Frank – gazetar i lirë”.
Franku më telefonoi pas dy ditësh:
- Siç duhet të jeni në dijeni, sot e ka Spanja. Do vini besoj?
- Po, i thashë.
- Shihemi para pritjes dhe shkojmë bashkë, – tha ai krejt natyrshëm.
- Ftesa është personale – iu përgjigja menjëherë.
- S’ka problem, – tha, – edhe po më kthyen unë nuk kundërshtoj, dal vetë. Por e kam, si të themi, fiksim këtë ftesë. Dhe a e dini përse?
- Jo, – i thashë.
- Jam i detyruar t’ju them një intimitet, dua të kapërcej, si të thuash, rekordin e vjetshëm, ku munda të marr pjesë në 92 pritje.
- Po këtë vit sa keni kapur? – u bëra kureshtar.
- Aty te 72- shi, por ka ende kohë, deri në fund të vitit janë një sërë pritjesh ambasadash të vogla, të cilat mezi presin t’u shkojnë njerëz, pasi, të flasim hapur, nuk është se i përfill njeri. Veçse duhet pranuar se aty ka më shumë bollëk.
U kujtova për një tjetër pritje të nesërmen në UNESCO, ku mund t’i jepja një ftesë, pasi kisha dy të tilla.
- Bah! – tha Franku, – UNESCO ka rënë mjaft. Ka kohë që aty s’ia vlen mundimi i rrugës. Si është ftesa, tek apo çift?
I thashë çift dhe ai psherëtiu i lehtësuar. Të nesërmen Franku më priste para pritjes së UNESCO- s në krah të një mesogruaje, të cilën ai ma prezantoi si një mikeshë të tij, dhe me të marrë ftesën u fut Brenda, mbajtur në krahun e zonjës.
- Oh, po ky është kulmi, – m’u afrua mikesha ime e moshuar, – ky xhuxh, veçse po na hap probleme duke na sjellë çdo natë nga një zonjë, me shpresë se do gjejë grua duke e joshur me ftesa kallpe. Ka mbledhur në shtëpi një koleksion të tërë ftesash nga vitet e kaluara, – shpjegoi zonja, – dhe hyn me to në dorë nëpër pritje festash, duke fshehur si rastësisht atë pjesë të ftesës, ku duket viti dhe lë t’i duket vetëm pjesën, ku duket flamuri kombëtar i vendit përkatës. Natyrisht që gratë nuk e dinë këtë marifet dhe pranojnë shoqërinë e këtij buburreci, i cili bën karshillëk, sikur bën pjesë në listat e të ftuarve të vërtetë. Për ne që e dimë të vërtetën, ai pretendon se vjen nëpër pritje mondane, për shkak se nuk e duron dot vetminë. Por të gjithë e dimë se ai thjesht kërkon të gjejë grua, duke dashur kësisoj t’u dëshmojë atyre klasin e tij të lartë. Veçse gratë ia pijnë menjëherë lëngun, sapo futen në pritje e, pasi denden mirë, nisin e hargalisen me ndonjë mashkull simpatik, kurse Franku na bën be e rrufe se nuk do i ftojë më.
Në pritje Franku m’u afrua dhe më prezantoi një bullafiq, i cili, pas një bisede jo më të gjatë se dy minuta, mori një pamje konspirative dhe pyeti me zë të ulët:
- Zotëri, përfitoj nga rasti për t’ju pyetur nëse vendi juaj do ishte i interesuar për të blerë me çmim të arsyeshëm, për të mos thënë falas, disa armë të sofistikuara.
- Jo, faleminderit, – i thashë.
- Gjithsesi, nëse nuk jeni kundër, i shkëmbejmë kartëvizitat, nuk i dihet, – tha, – më vonë mund të ndryshoni mendim. Mori kartëvizitën dhe u largua me po atë pamje konspirative.
- Ç’bëhet, – tha Franku, me t’u larguar zotëria, – s’hoqi që s’hoqi dorë nga ky marifet, unë i bëj nder e prezantoj me Ju, ai rropatet të lerë përshtypjen se është i shërbimeve të fshehta dhe të sigurojë ftesa. I ka dalë boja, të gjithë e dinë se nuk ia var njeri, as shërbimet e fshehta, as ato jo të fshehta. Ç’nuk i pjell mendja qenies njerëzore për të kapur një ftesë! – psherëtiu Franku dhe ashtu i kërrusur u largua me hap të avashtë.
Frankun nuk e pashë nëpër pritje për një kohë të gjatë.
Gati gjashtë muaj më pas m’u shfaq para hyrjes së një pritjeje kishtare. Ishte i vetmuar, me fytyrë të zbehtë. Më qeshi me dashamirësi, më futi krahun dhe ne hymë në pritje si dy miq të vjetër. Me të hyrë brenda, Franku i hodhi një sy të shpejtë tavolinave dhe, pasi më tha një faleminderit të thatë, u drejtua nga tryeza me ushqime. Hante i uritur si një urith ndër pjatat e pakta dhe kthente me shumicë gotat me shampanjë.
Përballë zellit të tij të tepruar për alkool, famullitari i kishës që shërbente në pritje, tregoi kujdes të mos nxirrte më nga sirtarët shishe shampanje…
- Më vjen keq, shampanja mbaroi! Shpalli famullitari.
Franku pranoi përunjësisht dhe u largua pa folur.
Të nesërmen mbrëma më telefonoi zonjëza e moshuar. Pasi më dha lajmin e hidhur se Franku kish ndërruar jetë dhe se kështu e ka jeta, më kërkoi mos kisha ndonjë ftesë për pritjen e portugezit.
- Si na la Franku? Pse? – u befasova unë.
- Ndërroi jetë, pa njeri te koka. Megjithë ato favore që u kishte bërë grave, asnjëra për bé s’iu ndodh pranë… Iu preftë shpirti asaj krijese të vetmuar! E pra, të thuash se i kishte munguar trajtimi i mirë.
- Ç’trajtim?
- D.m.th. trajtimi ushqimor cilësor… E kam fjalën, nga pritja në pritje. Veç meje në varrim nuk kishte as një nga gjoja miqtë e pritjeve mondane apo atyre bishtdredhurave që ai i kishte futur nëpër pritje me shpresë se do martohej një ditë.
Para hyrjes së pritjes së portugezit zonjëza më kërkoi ftesën dhe pasi ia dha dikujt, më mori për krahu dhe nuk ma shqiti, derisa kaluam hyrjen ndjekur nga vështrimet xheloze të grupit kundërshtar.
Me të hyrë brenda, ajo mori shprehjen e asaj që revoltohet thellësisht me disa njerëz dhe më pëshpëriti në vesh: Bah ç’qenie të çuditshme!
- Kush? – e pyeta.
- Ata tek hyrja, presin gjithë ditën para pritjeve të ambasadave, me shpresë të njohin dikë që do t’i futë brenda, dhe kur nuk i merr njeri kthehen në shtëpitë e tyre, për të verifikuar festën kombëtare të radhës.
Tha kështu dhe tundte kokën e habitur me natyrën njerëzore.

Popular posts from this blog

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS

Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si EqremÇabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthë…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…