Skip to main content

Tetova News

Dritëro Agolli - pelegrini i shpirtit shqiptar

Ymer Çiraku

  •  Udhëtimi i poetit nëpër epokat historike dhe në lëvrimin e gjinive të shumta letrare. Një bibliotekë e tërë, e cila, përveç kohës së madhe e mundonjëse të shkrimit, vazhdon të transmetojë kënaqësi të madhe leximi


Pelegrinët janë njerëzit e besimeve të forta, të cilët shtyhen të kapluar e të hipnotizuar nga dashuria e nderimi i thellë - drejt vendeve të shenjta. Një shtegtim biblik ky dhe i  gjithkohshëm i tyre, ditën dhe natën,  në vite e shekuj, jo pa sakrifica, e për  më tepër, pa llogaritur për vete kurrfarë shpërblimi imediat. Metafora  e pelegrinit është dhe titull i një libri  të Dritëro Agollit, botuar në fund të  shekullit të kaluar, por kjo gjetje stilistike është më shumë se vetëm kaq,  ajo shënjohet si megametafora e këtij  poeti, pra, e tërë krijimtarisë së tij, i  cili, në harkun e mbi gjysmë shekulli,  i është falur e përkushtuar me devocionin e besimtarit shtegtimit, apo  udhës, drejt botës shqiptare. Shtegtimi i këtij pelegrini të palodhur shfaqet i pandalur në kohë dhe  në hapësirë: në histori dhe aktualitet,  tek fshatari dhe intelektuali, në auditorë dhe stane, tek realiteti dhe të  shenjtat që flenë nën dhê, tek virtyti  dhe veset, tek e bukura dhe e shëmtuara, tek gjestet sublime dhe paranojat  donkishoteske të figurave të historisë sonë, tek ledhet e qëndresave dhe  plojat e humbjeve… Përballë gjithë  këtij universi shumëdimensional të  botës dhe shpirtit shqiptar, është  ndjerë ligjërimi i një pene, jo vetëm  prej mjeshtri të palodhur, por dhe e  spërkatur me dashurinë dhe magjepsjen e sinqertë, derdhur e feksur në  çdo faqe libri. Udhëtimi i poetit ka  qenë i pandalur nëpër epokat historike, të kaluara e aktuale, si dhe  në lëvrimin e gjinive të shumta letrare. Vështruar integralisht, krijimtaria e tij përfshin një pasuri të çmuar me vjersha e poema, tregime, novela  e romane, drama e përkthime, publicistikë dhe ese, fabula dhe mbledhje e përpunime këngësh antologjike  popullore. Pa e tepruar, mund të the-mi se tashmë kjo vepër ka arritur të  jetë bërë një bibliotekë e tërë, e cila,  përveç kohës së madhe e mundonjëse  të shkrimit, vazhdon të transmetojë  kënaqësi të madhe leximi. Në gjithë këtë hipotekë të pasur vlerash, mbushur dengazi, lexuesi do të  përjetojë lirikat dhe baladat, të cilat  përcillen në funksion të tematikave,  si akuarele avujsh pranverorë, toke  e qielli, apo dhe ngjyrash gjaku. Lexuesi do të njihet me sagën shqiptare  të burokracisë së famshme ala zylojane, me arketipin e atyre karaktereve unikalë, rezistentë, të fortë, të pa-prekur e të palatuar nga ojnat urbane  - të vendosur në mjediset e virgjëra  antropologjikë, të cilët nuk dinë të  përthyhen lehtësisht e skematikisht  nga mokrat e ideologjive ( si tek libri:  (Zhurma e erërave të dikurshme), apo  që dëshmojnë sjellje të pashembullta  qëndrese e deri groteske në marrëdhëniet mes tyre (shih romanet: Njeriu  me top, Arka e djallit). Do të njihet  gjithashtu me besimin e patundur të  shkrimtarit tek prania e përhershme  në jetë e njeriut të mirë (në kuptimin  humanist - filozofik e jo politik të këtij  njeriu), do të shijojë me harmoninë elegante të shqipes ligjërimin e shumë  poetëve të shquar të botës, përkthyer mjeshtërisht prej tij, ku dallohen  veçmas mjaft të njohurit si: Robert  Bërnsi, Bagricki e Pol Elyari.  Duke e vështruar tërë këtë krijimtari  tejet të pasur dhe me larmi idesh e  zhanresh letrare, mund të formulohen  e të bëhen shumë qasje interpretimi,  çka e sugjerojnë veprat me kualitete  të larta. Këto qasje mund të ishin mbi  argumente të tilla si p.sh: Shqipëria  naimiane e pelegrinit Agolli, Ideali si  utopi dhe zhgënjim, Shkrimtari i dhimbjes njerëzore, Një Shqipëri e ëndërrt  dhe njerëzit e krisur të Agollit, Atdheu si  dashuria sublime dhe si pesha e kryqit  të pengut të përgjegjësisë …, e mund  të vazhdohej më tej me argumente të  tjera vijuese, që i çliron pafundësisht  kjo vepër, e cila, mbart energji të brendshme artistike, nxitëse dhe provokuese  për modelet dhe referencat e ofruara  - duke krijuar përherë komunikime aktive me lexuesin e saj.

Vizion e kurajë e lartë qytetare 

Agolli pati vizionin e kurajën e lartë qytetare, ndër, fare të paktit, ta dëshmonte tepër sinqerisht në vargje, situatën e ndërlikuar  të krijuesit në regjimet totalitare, në model autorrëfimi të emancipuar,  si ai i botuar qysh në shtatorin e vitit 1991:
Më lodhi mundimi në shpirt tërë jetën Të them lakuriq të vërtetën Por s`munda ta them ngaherë të plotë Se ishte zuskë kjo botë Tani më vjen keq për aq sa gënjeva, Megjithëse gënjyen dhe Adami dhe Eva Të parët gënjeshtarë të mjerë Dhe kjo më jep ngushëllim hera-herë… 
Poeti e shkroi këtë vetërrëfim të ndjerë, qysh në vitin e parë të 90-ës, pa llogaritur të shohë njëherë se si  e nga do të frynin erërat ciklonike të politikës në Shqipëri. Katarsisi estetik shpallet kësisoj, në mënyrën më  solemne e më të besueshme, dëshmi e një vetëdije krijuese, jo vetëm të guximshme, por dhe dinjitoze e qytetare. I dorëzuar tërësisht në urdhrin e artit, ai tani e shfaq veprën e tij të  dominuar nga motivet ekzistenciale  të njeriut, me prirjen për të depërtuar  në zonat e mistereve të tij metafizike, duke e projektuar artistikisht me tërë  dritë hijet, pra, si një qenie pafundësisht komplekse.  Vepra e shkrimtarit, është si një  këngë që lind veç nga dhimbja, shprehet Agolli diku në pasthënien e librit  të tij të vitit 1996: Vjen njeriu i çu-ditshëm, pasthënie kjo dukshëm intriguese, të cilën e ka konceptuar si  një lloj kujtese estetike dialoguese  me lexuesin. Ai shkruan:
…Të gjithë ata që gëzojnë në një dhomë, në një  sallon apo në një shesh, dëgjojnë një njeri që këndon dhe kujtojnë se ky  këngëtar është i njëllojtë me ta në  gëzim. Kështu u duket. Po ky është  një iluzion, këtij këngëtari i mungon apo i dhimbset diçka, prandaj  këndon. Në dukje ai qëndron para pasqyrës së jashtme, të cilën e vështrojnë të gjithë; në të vërtetë, ai qëndron para pasqyrës së brendshme, që nuk shihet nga të tjerët, se po të shihej, do të tmerroheshin  nga gjestet dhe lëvizjet plot dhimbje, vuajtje dhe mundime deri në  torturë shpirtërore dhe fizike… 
Pra, ajo që krijon shkrimtari është  brenda formatit të përgjegjësisë dhe misionit që ai mbart dhe Dritëroi, edhe në këtë rast, konfirmon se është  ndjekës i konceptit e frymës naimiane mbi rolin e letërsisë, si akt i lartë iluminimi e sakrifice për të tjerët:
Poeti hesht, kur hesht dhe perëndia, Kur Apolloni për flijim s`e fton, Ndaj sheh me frikë e ankth nga  njerëzia, Çdo hall të botës vetes ia ngarkon… 
Vargu i fundit i drejtuar për poetin, pra, shkrimtarin si njeriu që … Çdo hall të botës vetes ia ngarkon, është metafora e modelit të krijuesit idealist të epokës rilindëse, model që nuk u venit dhe pati ndjekësit e vet edhe  në kohët e mëvonshme në letërsinë shqipe, duke ndikuar në larminë e tipologjisë ligjërimore.

Krijimtaria 

Vepra e Agollit mbetet një dhe e pandarë,  por stilistikisht, ajo,  besojmë të përcillet  në dy faza, pra, si një simfoni  e madhe me dy  kohë: para dhe  pas viteve 90-të.  Pati jo pak krijues kësaj kohe,  të cilët u ankuan  e u përgjëruan  se nuk arritën të  shpreheshin dot  në diktaturë, por  u vu re se ata  heshtën e nuk u  dëgjuan më, kur  ajo ishte fikur  përgjithmonë. Madje, pati në  radhën e tyre dhe nga ata, që  sot i kujtojmë me buzëqeshje  për pozat e tyre naive, të cilët,  për ironi të fatit, në vend të  bënin letërsinë e premtuar,  gjenin të vetmin rast që t`u  dilte emri, duke bërë akuza  mediatike e duke hedhur baltë ndaj shkrimtarit. Por, siç e  thotë ai në një poezi, e priti  drejt e në gjoks këtë baltë, dhe  e bëri tokë, dhe  e gjelbëroi me  pemë dashurie. D.  Agolli, në tryezën  e tij të punës, si  një murg e bujk i  mirë i selitjes së  fjalës, shpërtheu  me botime të  njëpasnjëshme,  në prozë e poezi,  duke dëshmuar  kësisoj, se kishte,  jo vetëm talentin  dhe formimin e njëmendët letrar, por kishte realisht dhe  shumë vizione e paradigma  poetike, që s`mundi t`i thoshte dot më parë, apo që nuk  i tha dot deri në fund, ashtu  si ai i ndjente.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…