Skip to main content

Tetova News

Fshati mbi Shtatë Kodrina


Kasem Trebeshina


(Kapitulli i pesëmbëdhjetë)
Ku tregohet se Gjergj Mullaga me thënien e tij të famshme “fundi daltë hair” kishte të drejtë. Dasma!
Këngë, valle, raki… Gëzim!…
Dasma!… Gëzim për ata që martohen, gëzim edhe për ata që shikojnë!… Më e madhja nga të tri ngjarjet kryesore të jetës. Sikur të mundja, do të merresha vetëm me përshkrimin e dasmave… Ashtu gjersa të vdisja!… Kur lindim nuk mund ta shijojmë gëzimin e të lindurit dhe më mirë që nuk e shijojmë. Veç të tjerave, kush e di se sa vështirësi gjejnë mushkëritë kur mundohemi të marrim frymë!… Nuk mund t’i hamë as petullat dhe as bukëvalen që bëhet për nderin tonë. Edhe kur vdesim nuk mund të hamë gjë dhe nuk mund të hidhërohemi për vdekjen tonë… Po martesën e mbajmë mend mirë për gjithë jetën që mundim të jetojmë. Atë e kemi ëndërruar, menduar, përgatitur… Pa çka në mos daltë ashtu si e kemi ëndërruar në ëndjet e moshës sonë të kaltëruar!… Martesa përfaqëson të vetmin gëzim tek i cili vemi me vetëdije, ndaj dhe në dasëm të gjithë dehen pa pirë. Moshataret e pamartuara ia kanë zili nuses, moshatarët e pamartuar dhëndrit. Të vegjëlit dhe të voglat duan të rriten sa më parë… Pse?!… As ata s’e dinë, po nxitojnë që të jetojnë. Duan të rriten që duan të rriten, se dasma i magjeps me magjinë e saj të fortë sa vetë jeta, të bukur sa vetë jeta, të pakuptuar sa vetë jeta me madhërinë e saj!…
Si e bashkon jeta gjithë këtë mrekulli?!…
Asnjë nuk mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje për këtë zjarr të ndezur te shkretëtirat e panjohura kozmike. Asnjë…
Aty më lart e krahasova dasmën me një premierë të bukur, të madhe, të mrekullueshme… Mund që krahasimi është i drejtë. Kuptohet, fjala ishte për një premierë që nuk është parë në skenë dhe nuk do të shihet, se në mrekullinë e saj ia kalon edhe vetë mrekullisë!… Këtu është fjala për një shfaqje që jetohet vetëm një herë, që ti e shikon në gjatësinë e një mbrëmjeje dhe pastaj të mbetet në mendje për të gjithë jetën si ëndrra e një ëndrre që as ti vetë nuk je i sigurt në e ke parë ose jo. Kush nuk ua ka zili atyre që lozin rolet e para në një kryevepër? Kur për një shfaqje lindin dëshira të tilla, atëherë çfarë dëshirash mund të lindin kur jemi të pranishëm në një martesë?… Në ato çaste dhe vetëm në ato çaste djem dhe vajza, pa e kuptuar as vetë si dhe pa qenë të vetëdijshëm për kufijtë e forcës së njeriut, arrijnë dhe shkrijnë në hapësirat kozmike që nuk kanë fund, anë dhe fillim!… Në ato çaste dhe vetëm në ato çaste gjithë hapësirat dhe njeriu përbëjnë një të tërë të vetme, ndaj shpirti i ri, që kërkon të çelë, rrëmbehet nga një ndjenjë e perëndishme, hapet së bashku me pafundësitë…
Dhe pastaj?!…
Ai fluturim nuk mund të përsëritet më!… Dhe ne të shtytur nga një ndjenjë hyjnore mundohemi të arratisemi përsëri qiejve për t’u sjellë rrotull vezullimeve të yjeve.
Më duket i ngatërrova të gjitha! S’ka dyshim që i ngatërrova E qullosa keq dhe mos më keq!… S’ka dyshim, përgjersa lashë fshatin mbi shtatë kodrinat dhe fillova të merrem me dasma, kështu do të ndodhte!… Megjithatë, kam dhe s’kam faj. Kam faj se dola nga fjala që dhashë në fillim dhe s’kam faj se në dasëm shkova i mbushur me historitë e Rrapo Hardhisë dhe m’i mori pakëz mendtë atmosfera e dasmës.
Ç’t'i bësh! Kujtimet…
Prapa malit… Bile prapa tri malesh… Ose më mirë, “prapa malit në një fushë”… Dhe pa e kuptuar erdhën kujtimet… Puna është se në dasëm e kaluam si në dasëm. Rrapua këndoi dhe piu si nuk kishte kënduar dhe pirë ndonjëherë me parë. Dajua ia mbante këngët si nuk ia kishte mbajtur ndonjëherë më parë. Me një fjalë, e nderuam fshatin dhe gjithë anët e tyre. Kush e di sa u rrokullisë -kur e ktheu Rrapua dollinë me tasin e çorbës! Kur e panë keq, njëri nga ata miqtë thirri:
- A shkon bedeli, o vëllezër?
Rrapua ishte zemërgjerë: kur e pa se ata donin të mbro-nin një mik të largët, tha:
- Bedeli pranohet!
Dhe ai burri që foli piu për mikun një tas çorbe me raki. Do të thoni, zotëria juaj, pse e ktheu Rrapua me tasin e çorbës? Po Rrapua ashtu e kishte. Ishte i përpjekur në raki. Pastaj ata edhe e rënduan një çikëz atë mbrëmje, e rënduan për ato dyfeqisjet që ishin bërë në kohën e Luftës së Parë Botërore, të asaj luftës që nuk merrej vesh si bëhej në këto anë…
Ja si kishte qenë puna. Rrapua, fshatarët e tij dhe gjithë ajo anë, duke qenë zonë e Italisë, ishin regjistruar komitë me Italinë. Ai miku përkarshi Rrapos, duke qenë në zonë të Austrisë, kishte qenë regjistruar komit me Austrinë. Në raki e sipër, ai tjetri ia hodhi një herë fjalën Rrapos për një sulm që kishin bërë ata të Austrisë tek Tenda e Lisave, duke i vënë përpara ata te Italisë.
Rrapua e pa një herë atë mikun dhe iu drodh maja e mustaqes së majtë. Dukej që ishte zemëruar. Pastaj, duke shkuar dorën faqes si për të rregulluar mustaqen, foli rëndë-rëndë.
- Ashtu është, si thua zotrote. Tek Tenda e Lisave na vutë përpara, se nja tri ditë më parë ju kishim ndjekur ne gjer në malet përtej. Ti ke hak që nuk i di këto gjëra, se duket sikur s’kishe lindur akoma në atë kohë!…
Të gjithë mbetën në heshtje. Ai komiti i Austrisë kishte parë të tjerët dhe kishte pyetur i çuditur:
-Si nuk kisha lindur?!… Kaq i vogël të dukem?!…
Rrapua tha:
- Kam frikë se ti edhe tashti nuk ke lindur mirë… Gjynah që nuk erdhi yt atë në dasëm!…
- Babai, dritë pastë, më ka vdekur!…
- Paska nxituar pa të lindur mirë!…
Te tjerët, kur e panë se fjalët po shkonin larg, hynë në mes për ta mbyllur këtë të plasur sa pa u bërë e madhe.
- Dale, Rrapushka!…
- Prit, o Malo, dhe ti i uruar!…
- E morët me valë, o burra!…
Dajua qe ngrysur, po nuk foli. E kuptova se qe zemëruar shumë dhe mund të merrte flakë nga çasti në çast. Por në kohën e duhur, një plak i moçëm, ai që rrinte në krye të vendit, bëri shenjë dhe, kur të gjithë heshtën, foli kështu:
- Ti, Rrapo, kishe të drejtë. Po Malua i ka nganjëherë ato. E nis shakanë pa e menduar si del shakaja. Një pjesë nga ne këtu kemi qenë burra dhe me armë në dorë në Luftën e Parë Botërore. Siç qe koha bëmë edhe ne. Mbaj mend, ne me Kapedan Sefën u shkruam me Austrinë… jo për të luftuar, xhanëm, se nuk na hante malli për Austrinë… Po ashtu qe koha!… ju andej u shkruat me Italinë. U bë tre vjet luftë dhe nuk u vra asnjë njeri. Nuk u vra asnjë njeri, as nga ne dhe as nga ju!… Si bëhet kjo punë?!… “Pse nuk u vranë?” – do thoni ju. Po neve, more vëllezër,, nuk na kishte marrë Perëndia mendtë që të vriteshim për Austrinë, për Italinë, apo për Francën !… Nga halli kishim marrë nga një dyfek, po me njeri-tjetrin ishim marrë vesh si do të bënim se vëllezër kemi qenë dhe vëllezër do të jemi. Kur jepte Austria urdhër për sulm, ne e lajmëronim anën tuaj: “Thyhuni sonte, se do të sulmojmë ne!” Kur urdhëronte Italia për sulm, na vinte lajmi: “Sonte duhet të thyheni, se do të sulmojmë ne me urdhër të Italisë.” Kështu ishin punët, prandaj dhe në ato luftëra nuk u vra njeri. Po ty, o Malo të bredh gjuha para mendjes!
Me kaq e mbylli ai plaku, pa Malua tha:
- Amani, more vëllezër, po unë bëra shaka!…
- Koka e falur s’pritet – thirrën të tjerët dhe me kaq u mbyll kjo punë.
Po Rrapos i hipën dhe e lidhi në gisht këtë. Sa gjeti rastin si dollibash, kërkoi tasin e çorbës. Atëherë të shihje të pirë!… Rrapua sokëllinte dhe thërriste:
- Derrat në misër!… Bjerini matarasë!…
Pastaj ia merrte një kënge më të bukur nga të gjithë të tjerat që kishte kënduar. Këngë , o këngë!… Kush do t’u këndojë juve tashti që ka vdekur Rrapo Hardhia?!…
Eh, Rrapo, Rrapo! Ti këndoje mbarë e prapë, ashtu si të vinin në gojë, këndoje ato lashtësira të shtrenjta për ne që kemi lindur në këtë vend… Këndoje ato gëzime të tërbuara, ato dhimbje të heshtura, ato trimëri të flakura me dorë të lëshuar dhe pa kujdes, të mbjella posht e lart dhe ku mund!…
Tashti kanë dalë disa këngë më të bukura dhe rinia i këndon ato si jo më mirë. Nuk ke ç’u thua, Rrapo!… Na i kaluan. Po prapë, ato këngët e tua monotone mbeten çuditërisht të mrekullueshme në eter… Madhështore si malet tona, me melodi të njëllojtë si gurrat tona, si ujrat që çajnë shkëmbenjve dhe zallishteve. Me një aromë të thjeshtë si ajo e trëndelinës në livadhet malore… Të trishtuara, të ëmbla, të përmallshme si varret e humbura të trimave, si pirgjet e gureve në vendet ku ranë të parët tanë. Të shtrenjta sa vetë Shqipëria.
Hej!… Përsëri zuri të flasë përçart… Edhe një herë më rrëmbyen kujtimet. Duket se sevdaja për këtë vend se, kur i thonë fjalës, sevda dhe dashuri është e njëjta gjë dhe të gjithë e dinë se sevdaja është më e rëndë… Edhe nga plëndësi, edhe nga plumbi! Si të doni zotëria juaj, qoftë nga plënci, qoftë nga plumbi…
Eh, pleqëri, pleqëri! Duket dashurinë po na e kthen në zakon dhe zakonin në ligj më të fortë se vdekja. Megiithatë, do t’ia lidh grykën thesit të mbushur me kujtime dhe, më vonë, do ta vazhdoj këtë histori ashtu siç kam dhënë fjalën në fillim.
Fragment nga “Fshati mbi Shtatë Kodrina”
Standard

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…