Nga
PJETER LOGORECI
Gjatë vizitave të mia në Shkodër ku takoj shumë miq, të
njohur, bashkëqytetarë apo ish-kolegë, rastësia më solli të rrija me një zotëri
shkodran i cili i përket njërës nga familjet më të vjetra dhe më të dëgjuara të
qytetit. Zotëria (Henrik D.) i cili kishte lexuar shkrimin tim për patriotin
Kolë Rrota, më pyeti nëse unë kisha dijeni për vëllain e katër të familjes
Rrota, Gjonin. Të them të drejtën kisha lexuar dhe dëgjuar shumë për
shkrimtarin e gjuhetarin At Justin Rrota, piktorin e popullit Simon Rrota, diplomatin
Kolë Rrota (për të cilin kisha bërë edhe një shkrim bazuar në dokumentat që
kisha gjetur në Vjenë), por për Gjonin (vëllain e katërt) nuk kisha dijeni. I
njohuri im, Henriku, më tregoi historinë e Gjon Rrotës, e cila ishte shumë
mbreslënëse dhe vendosa të marr kontakt me familjen për t’u informuar më shumë
që të bëja këtë shkrim, me qëllim, që ta bëj të njohur këtë figurë të
gjithanëshme dhe patriotike për të gjithë lexuesit shqiptar.
Ka shumë botime për vëllezërit Justin, Simon dhe së fundi
edhe për Kolë Rrotën, të cilët kanë pasur një veprimtari të gjerë patriotike,
artistike apo dhe diplomatike. Për vëllanë e tyre Gjonin është shkruar shumë
pak ose kalimthi në ndonjë gazetë.
Gjoni u lind në vitin 1893 në familjen e mirënjohur
qytetare të Gjush Rrotës. I ati që ishte babai i gjashtë fëmijëve, për të
mbajtur familjen ushtronte në ambientet e shtëpisë së tij zanatin e
libërlidhësit. Punishtja e shtëpia e Gjush Rrotës ishin si vend takimi për
intelektualët, patriotët apo rininë shkodrane, të cilët përveç bisedave
patriotike apo politike, huazonin nga
Gjushi libra për të lexuar. Edhe fëmijët e familjes u rritën në këtë ambient ku
dashuria për librin, artin, arsimin ishte gjithmonë prezent. Siç tregojnë pjestarët
e familjes, Gjushi ja kalonte fëmijve çdo libër që punonte e po ashtu kishte
krijuar dhe një bibliotekë të pasur që “ushqente” me dije të rinjtë e qytetit.
Si vëllezërit e tjerë, Gjoni hyri në Kolegjin Jezuit të Shën Francesk Saverit e
më pas në gjimnazin françeskan të Shkodrës. Pas mbarimit të shkollës ai
ndihmonte babain e tij në mbarëvajtjen e aktivitetit e po ashtu filloi të
mësojë pikturën dhe fotografinë nga i vëllai i tij Simoni, i cili sapo ishte
kthyer nga Milano ku kishte qenë për studime.
Gjoni fliste shumë mirë italishten dhe gjermanishten. Me
kërkesën e diplomatëve austriakë që gjindeshin asokohe në Shqipëri, ai filloi
të aktivizohej si përkthyes i tyre, së bashku me të vëllain Simonin. Më vonë
për nevojat e punës, si përkthyes, ai u
detyrua të ndiqte disa punëdhënës austriakë, të cilët po ndërtonin rrugë në jug
të Shqipërisë. Kjo i shërbeu Gjonit të njohë viset e Shqipërisë së jugut, ku më
pas vendosi të jetojë e të punojë si mësues, duke zgjedhur shkollën shqipe të
Lushnjës për të dhënë ndihmesen e tij në fushën e arsimit. Pas Gjonit, erdhi
për të punuar në shkollën shqipe të Lushnjës edhe i vëllai, piktori Simon
Rrota.
Duke parë nevojën për mësues në shkollën shqipe të
qytetit të Fierit, Gjoni së bashku me Simonin vendosin të transferohen atje për
të ndihmuar në zhvillimin e shkollës e
cila ndodhej në ambientet që kishte ofruar me dashamirësi familja e mirënjohur
Kilica. Kështu për rreth 9 vite, Gjoni dhe Simoni ishin mësues, së pari në
Lushnjë e më pas në qytetin e Fierit ku Gjoni njihet me Athinanë, vajzën e
familjes Kilica, e cila do të bëhet më pas bashkëshortja e tij. Gjoni u martua
me Athinanë në moshën 27 vjeçare e nga kjo martesë erdhi në jetë një djalë,
Gjergji. (1923).
Shkolla fillore shqipe e Fierit, frekuentohej kryesisht
nga djemtë, por me kërkesën këmbëngulëse të mësuesve (Gjonit e Simonit), të
cilët kishin krijuar kontakte miqësore me familjet qytetare të Fierit, filluan
të vijnë vajzat e para. Me rritjen e numrit të nxënësve e sidomos të vajzave,
lindi nevoja për mësues të rinj. Për të bërë me atraktive ardhjen e vajzave në
shkollë, Gjoni solli nga Shkodra motrën e tij Lizen (Rrota) Zojzi e cila i
mësonte fëmijëve pervec lëndëve të tjera edhe punën e dorës.
Sipas kujtimeve të bashkëmoshatarëve, familjarëve si dhe
të atyre që e njohën Gjonin, ai kishte aftësi të veçanta drejtuese dhe
organizuese në aspektin e punës, atë shoqëror apo të kohës së lirë. Shpesh ai
organizonte me fëmijët e shkollës, miqtë e kolegët, eskursione apo shëtitje për
të njohur historinë e natyrën e bukur të vendit tonë. Vendet e mrekullueshme
historike që ndodhen në zonën e Fierit ishin objekti i tregimeve plot pasion të
Gjonit për nxënësit që e nderonin dhe e respektonin shumë.
Gjoni ishte i njohës i apasionuar i muzikës botërore. Ai
luante me shumë pasion e mjeshtri në kitarë, mandolinë dhe violinë. Në festat
kombëtare dhe ngjarjet e shkollës ai këndonte me zërin e tij të bukur këngë
patriotike, të cilat mundohej tua mësonte edhe nxënësve.
Edhe pse ai ishte një mësues dhe edukator i apasionuar
dhe i përgatitur, kishte dëshirë të madhe të ushtronte prirjen e tij për
fotografinë. Duke mos i rezistuar kësaj dëshire ai shpërngulet në qytetin
bregdetar të Vlorës ku hap aktivitetin e tij dhe fillon të punojë si fotograf.
Dyqani i Gjonit ishte në qendër të qytetit në një godinë ku ndodhej edhe banesa
e tij. Vëllai i tij Simoni, me kërkesën
e prindërve të moshuar kthehet në qytetin e Shkodrës, për tu kujdesur për
familjen.
Gjoni ishte mjeshtër i peisazheve, ai diti të shfrytëzojë
bukuritë e gjiut të Vlorës për të realizuar fotografi, të cilat kanë mbetur në
fondin e artë. Njëkohësisht ai fiksonte në film edhe ngjarjet madhore
patriotike, të cilat pasuan në këtë qytet historik. Nuk dua të zgjatem me
aktivitetin e tij si fotograf mbasi është trajtuar në një shkrim të zotit Q.
Vrioni, i cili ka përshkruar me dashamirësi aktivitetin e dy fotografëve
shkodranë Gjon Rrota e Kolë Maca, që të dy fotografë të talentuar.
Vdekja e rrëmbeu Gjonin shumë të ri, në moshën 38 vjeçare
(1931) në kulmin e aktivitetit e
krijimtarisë së tij duke lënë gruan, dhe djalin në moshë 8 vjeçare. Më vonë i
biri Gjergji, vazhdoi zanatin e të atit si fotograf duke krijuar në Tiranë
fotostudion shumë të njohur “Skënderbeu”.
Gjon Rrota
Fletoret ku fshihen krijime folklorike
Fletorja përmban vjersha apo tekste këngësh epike për
atdheun, pavarsinë, trimërinë, Shkodrën e tij të dashur, burrërinë e traditat
fisnike të shqiptari
Gjatë kontakteve me Familjen Rrota u njoha me objekte
shumë interesante që i përkisnin Gjonit. Një kuti duhani prej metali mbi të
cilën ishin gdhendur emrat e bashkëpunëtorve austriakë me të cilët ai kishte
punuar e që në shenjë respekti ia kishin dhuruar atij si kujtim. Por objekti më
interesant dhe i rëndësishëm ishte një fletore e vjetër mbi kapakun e së cilës
shkruhej “Valle shqype, Gjon Rrota 1913”.
Fletorja ishte ruajtur me kujdes nga Tonin Rrota (nipi i
Gjonit), i biri i Simon Rrotës, i cili ia kishte kaluar këtë pasuri më vonë
Gjon Rrotës Junior, me të cilin vendosa kontakt dhe mora këto informacione. Në
një familje artistësh e patriotësh si ajo Rrota, ku ishin lindur dhe rritur
kolosë të shkrimit shqip si At Justin Rrota, apo virtuozi i penelit dhe i ngjyrave mjeshtri Simon Rrota, pasonte me shpërthime
ndjenjash poetike, atdhedashurie e patriotizmi dhe talenti i Gjon Rrotës.
Fletorja përmban vjersha apo tekste këngësh epike për atdheun, pavarsinë,
trimërinë, Shkodrën e tij të dashur, burrërinë e traditat fisnike të
shqiptarit, të mbledhura me kujdes e përkushtim nga vise të ndryshme të vendit.
Vjershat apo tekstet janë të shkruara me shkrim dore nga
Mjeshtri Gjon Rrota, me një bukurshkrim krejt të vecantë që të bën të emocionohesh, nga ku dallohet
pasioni dhe e perkushtimi i tij për
folklorin e atdheun e tij. Janë për tu
përmendur këngët: Shqypniis, Tingllim, Kanga e Gjin Lekës, Nana Trimnesh, Kang
e Malit Zii, Kanga e Shkodrës, Djelmnia e Sotshme...” të cilat për nga forca qe
shprehin janë shperthime ndjenjash, dalë nga shpirti e zemra e popullit të thjeshtë.
Shqypniis.
Gjith bota le t´a dii
Qi t´due tyy, Shqypnii!
Per tye due keq me hiekë.
Per tyy due me dekë
N´Europë ti hile jee,
Por lavd´e nder nuk kee,
Pse t´kan shkelun t´huejt,
Mrapa nuk t´biin t´uejt.
Por tesh kee me lulzuu
Pse kan fillue biit t´uu
Syyt e vet me i cilë
Me t´dashtun kan xanë fillë
Vorf Dukagjini
Tingllim
O
Shypnii ti per gjithmonë
Jee e
permendun tuj luftue
Si kurë
heret, ashtu vonë
Emni i
j´yt s´kaa m´u harrue.
Porsi Shqypja n´mjedis t´ers
Hovin kush s´ mujt me t´a nalë
As t´ftoftit dimnit as t´xetit vers,
As t´perpiekunit n´lufte me dalë
Cou moj
shqype mos ri fjetun
Se
gjithmone e lir kee mbetun,
Ndiim pre
t´motshmish, qi Shqypnii
Kan dal
burra t´gjakut t´onë
Me nji
bese me´i trimnii
Kshtu nji
fis kaa kenë gjithmonë
Cou moj
Shqype edhe nji herë
Mos
t´hin friga prej ksaj eerë.
Ca te jeet praa zog Shqyptarit
Gjaku n´dej praa dot ´i vlojnë
Porsi t´motshmit maje malit
Kan luftue per shoqi – shojnë...
Kanga e Gjin Lekës
.....Ndalu turk! Nuk lidhet Gjini
Me u lshu Reka e Dukagjini
Jam Mirditas nuk dii ndore
Kam pasë t´parin shpat mizore
Amanet ai ma ka lanë
Armët e mushna mos me i dhanë.
Me m´qillue per nget martina
Bindet Shkodra e Cetina,
Por thuej Pashes e Allajbegut
S´lidhen djemte e Skenderbegut....
Kerset pushka Saraji dridhet:
Njaj Gjin Leka nuk po lidhet,
Tane Taborret u cuen m´kamë
Priti Gjini plumet m´dhambë.
Tane fyshekt sii ka marue
Atëherë Gjini por a rrxue....
Popullore.
Nana Trimnesh.
Neper gryka t´nji malit t´neelt
Fluturim jan lshue do burra
Vrep si shgjeta e t´shpejtë si ret,
Gjith xanë vend piin uij nder gurra
Tuj kuvett nisen e shkoin
Bes kan lidh me shoqi – shojn.
Dielm maa trima s´kaa malcija,
Dielm maa t´shndosht e maa asgana,
As me i nale s´mundet urija,
T´gjith janë Dielm porsi luana,
Ltinat n´krah taganat njesh
Tuj kuvett shkoin e tuj qesh.
Tek janë ule nder Shtoj kann raa
Prep xanë vend rrin me pushue
Vendi afrit, koha ardh kaa
Besen n´besë mirë me e bashkue,
besen apin jo me rrena,
t´gjith mi hii gjytetit mrenda.
Dhet vet janë, nji asht maa i rii
Se t´gjith tjert, qi janë maa t´vjeter,
Asht baa bashk me at shoqnii
Per mas ti s´kaa nana tjeter,
Tuj u nisë nanen kaa pvet
A me shkue me shokt e vet.
Nisu, birë, i kish thanë nana,
Ku burrnija tyy asht tuj t´lypë
Lidh mirë besen me ato luana
N´gjytet t´Shkoders n´don me zdrypë,
Por pashë gjit qi un t´kam dhanë
Marre kqyr mos me m´lanë.
Me t´math durim, e me gaz n´ftyrë,
E perciill e me shokë e ban,
Djalin e vet s´largut kqyrë
T´bamun burr e mii tiert asgan
Tuj e kqyre pik lodjet s´derdhë.
N´shpi këthen paa kuqë paa zverdhë.
Besen besë e kan lidhë burrat
Të gjith bashk m´u shty n´kala.
Mshiin taganat e letinat.
Me gjak token donë me e la
Donë m´u ndesh me tevabii
Me u perpjek me Vezir t´rii.
Biin prej Shtoijt neper Shkoder
Kalojn bris kerkund nuk nalen,
Kan fillue m´u njit n´at koder
Ku me famë don lanë Shalen.
Pse kta dielm t´ gjith janë Shalujanë,
Famë e nderë kqyrin me lanë.
Solla një shijim të shkurtër të disa fragmenteve nga fletorja me shumë këngë të mbledhura e
Gjon Rrotës që mban datën e vitit 1913. Këngët duket se janë mbledhur ndër vite
dhe i përkasin zonave të ndryshme të vendit, por sidomos malsisë të Shkodrës.
Kjo vepër modeste e këtij patrioti, i cili u mundua sadopak ti shërbejë
traditës e kulturës së popullit të vet, është për tu lavdëruar dhe
përshëndetur. Të vjen keq kur mendon se pinjojtë e familjeve si ajo Rrota, sot enden rrugëve të botës në
emigracion, ndërsa vendi ka nevojë dhe vuan mungesën e intelektualeve të
formuar e me traditë atdhetarie. Vepra dhe vlerat kombëtare e patriotike të
familjes Rrota në dobi të çështjes kombëtare janë një pasuri që nuk duhet
injoruar. E them këtë mbasi nuk kam parë apo dëgjuar që të jetë vlerësuar sa
duhet vepra e At Justin Rrotës apo puna diplomatike e shoqërore e
pakrahasueshme në dobi të kombit nga Dr. Kolë Rrota.
Shpresoj që ky shkrim të sensibilizojë sadopak pushtetin
qëndror apo atë lokal për të vënë në
vend figura të tilla të shqiptarizmës që të nderojnë. Shëmbulli i vëllezërve
Kolë, Justin, Simon e Gjon Rrota, të cilët me aktivitetin dhe punën e tyre
kërkuese, me veprat që lanë në shërbim të kombit, duhet nderuar dhe pasqyruar
sa më shumë në të mirë të edukimit të
brezave që vijnë.
Wien,me 13 nandor 2013
Rilindasi