Skip to main content

Tetova News

Gjurmë lotësh në avion

Nga Zija Çela

Zija Çela

Pak gjëra më kishin mbetur në mend prej tij nga rinia e hershme, ajo kohë që kaluam bashkë në shkollën e mes me profesionale dhe konviktin e saj në kryeqytet. Kujtoja si buzëqeshte prerë, aq prerë e shkurt, sa asnjëherë s'kisha arritur ta fiksoja se ç'formë i merrte goja me buzën në gaz. Kujtoja gjithashtu nja dy vargje të tij, që i buisën befas një ditë qershori, kur kishim vajtur nga liqeni artificial dhe aty, në breg, i përsëriti disa herë me zë, pastaj i shkroi me gisht në sipërfaqen e ujit, ngaqë u ndodhëm pa pajime shkrimi. Në mbrëmje, pasi ishim shtrirë në krevat (atij i dilnin këmbët jashtë) dhe kishim shuar llambën, më pyeti nëse mund t'i thoja përmendsh ato vargje dhe, teksa i dëgjonte, një si fshikull drite sikur feksi dhe u shua brenda çastit në errësirë, dhe unë kuturisa të mendoja se ndoshta ai, megjithëse fare shkurt, kishte buzëqeshur me vete. Duke më korrigjuar vetëm në një fjalë, që e kisha zëvendësuar me një tjetër, m'u drejtua me bindje të pjekur: "Tani për tani, për mua je miku më i mirë. Shpresoj që do të mbetesh i tillë përgjithmonë!" E gjitha kjo, ndonëse me teprimin që ka ngazëllimi i i çastit, tingëlloi si një besëlidhje midis nesh. Mirëpo pas shkollës së mesme unë u ktheva në Vlorë, ai vazhdoi studimet e larta dhe për shumë kohë, derisa fitoi njëfarë fame thuajse mistike, nuk mora vesh as ku jetonte, as me çfarë merrej. Kështu që skena e asaj mbrëmjeje do të fillonte të më tjetërsohej, do të më dukej sikur qysh atëherë u betuam për t'u ndarë përgjithmonë.
Mirëpo s'doli kjo gjasë, në prag të vdekjes u kujtua sërish dhe gjeti mënyrën të më ftonte në qytetin e tij, për të më besuar të fshehtën e fundit. Ja përse, me hollësitë që mësova kur vajta në B., tani mund të rrëfej ato ngjarje, që kishin pasur peshë në jetën e tij.

*
Megjithëse kthimi i ballkanasve nga Izraeli u bë me të njëjtin avion (udhëtuan së bashku në linjën e Ankarasë, prej ku u shpërndanë drejt vendeve të tyre), Gavrili ndoqi rrugëtim tjetër: fluturoi nga Tel Avivi në Milano, nga Milanoja në Bolonjë dhe nga Bolonja në Tiranë. Shpenzimet i paguante Komiteti i Mirënjohjes së Përjetshme, një organizatë e fuqishme hebreje që kishte marrë përsipër t'i nderonte brez pas brezi qytetarët e huaj, të cilët kishin strehuar çifutë në kohën e holokaustit. Mirëpo shqiptari e zgjodhi atë linjë jo për ndonjë ekskursion falas, por i shtyrë nga miqësia që, gjatë qëndrimit në Izrael, kishte krijuar me një çift të moshuar italian, Kristina dhe Stefano Di Pavia, të cilët dëshironin që ta mbanin disa ditë mysafir në vilën e tyre.
Vizita në Tel Aviv kishte qenë aq mbresëlënëse, sa me t'u rehatuar në avion, Gavrili filloi të hidhte shënimet e para në lap topin e ri. Në skedën që kishte plotësuar për palën mikpritëse, në zërin e profesionit, krahas fjalëve nëpunës në degën e Sigurimeve Shoqërore, kishte shënuar edhe shkrimtar, duke shtuar në kllapa prozator e poet. Afërmendsh, pas pak u pendua për nxitimin, por nuk iu skuq faqja. Qëllimi i tij nuk kishte qenë të hiqej si autor me vepra të botuara, por të pohonte se pasioni për krijimtarinë e kishte nxitur që të lexonte libra, pavarësisht se ajo grishja e vagullt dhe e largët e rinisë, kur herë-herë shkruante ndonjë varg të beftë edhe në pëllëmbën e dorës, vetëm e vetëm që të mos i dilte nga mendja, për shumë kohë e kishte ndjekur si një dhimbje e pashërueshme. Ndoshta, organizatorët u kujtuan për Thomas Eliot-in, Ëallace Stevens-in e të tjerë, të cilët sado që ishin marrë me gjithfarë biznesesh e nëpunësish, si për shembull nëpunës bankash, me përkushtimin privat ndaj poezisë kishin arritur të bëheshin të famshëm. Prandaj në pakon e dhuratave, që pjesëmarrësve ua shpërndanë në darkën e lamtumirës, për nëpunësin e Sigurimeve Shoqërore u vu edhe një kompjuter portativ me procesor Pentium Extra, në mënyrë që, siç u shpreh me dashamirësi kryetari i shoqatës, shkrimtari t'i kishte gjithnjë me vete takëmet e shkrimit.
Pikërisht me këtë kompjuter, në praninë e butë të çiftit italian që e kishte futur në mes mysafirin, por që tregonte gjithashtu kujdes për të mos e bezdisur me vështrime të ngulta në monitor, Gavrili po derdhte hovshëm shënimet izraelite, me një shprehje të çmeritur në fytyrë, thua se nuk ndodhej në bordin e qetë të një avioni udhëtarësh, por në bordin e zymtë të ndonjë bombarduesi të rëndë. Pastaj, kur e ndjeu se ritmi i gishtërinjve në tastierë po binte, i frikësuar se mos fjala humbiste shpirtin, parapëlqeu një pushim që do të zgjaste më shumë nga sa e llogariti. Kështu, si për t'u çlodhur, hapi një revistë. Kishte thënë me vete se do ta mbyllte revistën për dhjetë ose pesëmbëdhjetë minuta, mirëpo teksa e shfletonte, u dha pas leximit të një tregimi që mbante titullin "Gjurmë gjaku mbi dëborë" dhe aq fort u mallëngjye, sa i shpëtoi një gulçimë e mbytur. Për t'u shfajësuar disi, murmuriti i mekur: "Signor Stefano, sapo lexova një kryevepër. Un vero kapolavoro!"
Natyrisht, miqtë u bënë kureshtarë dhe u anuan për ta parë revistën, që Gavrili ende e mbante hapur në dy faqet e mesit. Italianët e njohën menjëherë autorin e tregimit, por Kristina vërejti një rastësi që, ndonëse nuk kishte të bënte me leximin, iu duk si një ogur prej Zotit. Ndoshta prandaj, për shkak të atij zbulimi, zonja e moshuar foli si e mahnitur: "Gavril i dashur, pa shih këtu!" Dhe pasi vuri gishtin tek emri i autorit, vazhdoi: "Tri shkronjat fillestare të këtij shkrimtari të madh, përputhen me tri fillesat e emrit tuaj." "Po unë gjithmonë përdor vetëm dy", ia ktheu disi i mekur Gavrili. "Atëherë përdorini të trija, siç i përdorët në formularin për izraelitët. Dhe të trija nuk i keni zgjedhur vetë, përkundrazi, ju janë dhënë pa dijeninë tuaj." Mirëpo duke parë habinë dhe ngurrimin, që shprehte njëherësh fytyra e tjetrit, Kristina nuk iu nda: "Askush nuk i di punët e Zotit, caro amico. Ndoshta vetë Zoti dëshiron që bota të ketë dy binjakë të letrave në dy skaje të planetit, njëri matanë oqeanit - në Kolumbi, tjetri përkëtej detit - në Albani. Dhe nuk është e rastit që ky mesazh hyjnor shfaqet tani. A nuk po kthehemi nga Jerusalemi, pikërisht nga viset e Jezusit të lëvduar dhe Lajmëtarit të madh?! E pra, ky çast ndoshta sjell një lajm për ju."
Gavrili u përtyp sikur do të paraqiste argumente kundër. Megjithatë nuk foli. I erdhi zor që asaj zonje të devotshme t'i thoshte hapur se ishte ateist dhe se, për shkak të sjelljes së kalemtarëve të qytetit të tij (E plotësoi edhe frazën që do të thoshte: zënkave, kapardisjeve dhe vetëmburrjeve të paturpshme të këtyre kalemtarëve. Zonjë, në shqip kalemtarë tingëllon si kalimtarë.), për të qenë i sinqertë, tashmë i kishin ardhur në majë të hundës shkrimtarët.
Mbas pushimit, nisi të shkruante sërish në kompjuter. Por tani as vetë s'po e kuptonte se çfarë shkëndije kishte depërtuar brenda tij, duke ia bërë edhe më të ndezur gjendjen e mëparshme krijuese. Teksa shkruante ("Mbahu, burri i dheut", i foli vetes, "ti s'je tip që qaravitesh!"), e ndjeu si i ngjiteshin lotët ndër sy, por nga ritmet e tastës hamendësoi se po përjetonte pikërisht atmosferën që i duhej për shënimet e holokaustit, të cilave do t'u jepte dorën e fundit në Milano, në vilën bujare të çiftit Di Pavia.

*
Kur u kthye nga udhëtimi, siç pohonin disa bashkëqytetarë, ai u duk i ndryshuar. Por shumë të tjerë nuk vërejtën ndonjë ndryshim. Sipas tyre Gavrili ishte po ai skërfyell i hollë dhe i gjatë, të cilit mund t'ia hetoje ecjen edhe në distancë, pikërisht ngaqë ishte si kallami, ku era pritet dhe fërshëllen. Por një ndryshim e pranonin të gjithë: ngado ta hasje në rrugë, tani ecte vetëm nxitimthi, nxitimthi dhe pa e ngritur kokën, thua se ishte nisur për ndonjë takim ilegal. "E për ku vrapon zotëria e tij, në cilën vrimë do të futet dhe kush e pret në takim?", bënin hoka kureshtarët, midis tyre edhe krijimtarët. Por të gjithë përgojuesit e mbyllën gojën, sapo shkrimi i tij u publikua në gazetën lokale, ku ishte faqosur tërë spikamë, në katër shtylla të gjera me katër korniza dyfishe (çka të kujtonte faqet e librit) dhe poshtë titullit, me shkronja bold gjashtëmbëdhjetëshe, vinte menjëherë emri i autorit: Gavril Gafurr Malltezi. Shënimet izraelite ngjallën përshtypje të veçantë, madje disa i rilexuan, pastaj thanë se përveç informacionit, kishin ndjenjë e sintezë. Por edhe më mbresëlënës qe tingëllimi i ri i emrit të nëpunësit të Sigurimeve, të cilin ishin mësuar ta dëgjonin vetëm si Gavril Malltezi.
Doemos, bashkëshortët Di Pavia nuk u mjaftuan me diskun e shkrimit që, në shenjë respekti, mysafiri ua kishte lënë si kujtim. Ata iu drejtuan katedrës së gjuhës shqipe në Kozenca, e përkthyen në italisht, siguruan mbështetjen për ta botuar në "Corriere della sera" dhe kaq u desh, Shoqata e Mirënjohjes së Përjetshme e pikasi shkrimin menjëherë. Nga ana e vet, shoqata hyri në marrëdhënie me të gjitha degët e saj dhe me të gjitha shoqatat e interesuara hebraike, që nga Izraeli në Poloni dhe Rusi, prej atje në Angli dhe nga Anglia në Amerikë. Vëmendja e mjetet financiare nuk mungonin, shënimet u përkthyen në gjuhë të tjera dhe, herë me shkurtime e herë si tekst integral, u botuan në gazeta, revista e buletine të ndryshme. Me këtë rast emri i qytetit B., krejt i panjohur nga të huajt dhe pothuaj një skutë e humbur edhe për shqiptarët, bashkë me emrin e Gavril Gafurr Malltezit u përhapën më tej nëpërmjet internetit, duke marrë dhenë. Më në fund, nami i autorit arriti edhe në atdheun e tij.
Siç ndodh në këto raste, gazetarë të medias së shkruar dhe asaj televizive ia mësynë nga Tirana në B., por hasën në kokëfortësinë e autorit. Asnjë intervistë, asnjë takim, asnjë hollësi me telefon. Madje, ai paralajmëroi se nuk do ta pranonte as vlerësimin honorifik të këshillit bashkiak, i cili pritej të shqyrtonte propozimin për t'i dhënë titullin Qytetar Nderi. Edhe pas dy vjetësh, ndërsa zhurma tashmë kishte nisur të mehej, gazeta lokale që gëzonte meritën si publikuesja e parë, doli bosh kur iu drejtua sërish për bashkëpunim. Ai pranoi vetëm që në faqet e saj të botohej një lajmërim i thjeshtë, ku thuhej se Gavril Gafurr Malltezi u jepte mundësinë banorëve të qytetit për të ndjekur leximet e tij letrare në dorëshkrim, dy herë në javë, çdo të martë dhe të enjte në orën pesë.

*
Kështu, në shtëpinë e tij filluan të shkonin pasdite dashamirë të letërsisë, studentë që ishin kthyer nga universitetet sepse kishin ngelur në provime, kureshtarë dhe njerëz të ngeshëm që donin të vrisnin kohën. Por ndoshta pikërisht shkaku i kundërt, mungesa e kohës, i pengonte kolegët e Gavrilit, asnjëri prej tyre nuk shkelte në atë auditor.
Të pranishmit uleshin në ca stola të gjatë, vendosur rresht në sallon, teksa përballë ndodhej një tryezë e lehtë dhe një karrige me jastëk të lidhur në ndenjëse. Herën e parë, Gavrili qerasi me amareta e kumbulla të thata, pastaj asnjëherë nuk nxori më kokla të tilla. Duke dalë nga studioja fiks më 17:00, ai shfaqej në sallon me qepallat e fryra, i afrohej tryezës e thoshte këto fjalë:
- Dhe tani po fillojmë. Përqendrohuni, ju lutem!
Një qetësi ngjethëse e mbulonte tërë atë banesë, ku i zoti jetonte vetëm, shtëpi me oborr, e ngritur me ca shkallë nga toka dhe e rrethuar me avlli. Përveç portës kryesore, me sallonin lidheshin edhe pesë dyer të brendshme, që nga mesi e sipër kishin xhama të brymët, prandaj në të gjitha shihej marrtazi dhe ky lloj qorrimi, si të mos mjaftonte vetë i mistershmi Gavril Gafurr Malltezi, ia shtonte enigmën shtëpisë.
Natyrisht, kolegët vendas nuk e prishën terezinë, ata vazhduan zakonet e tyre dhe, herë-herë, grindeshin se cili ishte më i madhi midis të mëdhenjve dhe cili më i vogli midis të vegjëlve të qytetit. Sidomos njëfarë Gani Maliqati, autor me një duzinë libra por gjithsesi vetëm me njohje lokale, filloi të bëhej edhe më lakmitar. Ai po punonte vrullshëm për një libër të ri, mirëpo tërë pengesat për të cilat ankohej, po të ishe ca supersticioz, dukej se nuk qëndronin te dora, por te këmbët. I shkurtër dhe i thatë, i lehtë aq sa për të fluturuar, ai ecte ngul e shkul, thua se gjithë vitin mbante këpucë të rënda, dimrit prej hekuri e verës prej druri. "E ka nga gjaku dhe jo nga këpucët, atij i bie gjaku në fund të këmbëve duke ndjekur kundërshtarët", hamendësonin ca ushtarakë që i kishin nxjerrë në lirim dhe që, kushedi pse, vigjëlonin mbi qytetarët si të ishin rekrutët e tyre. Me kundërshtarët fjala ishte për Gavrilin, shansi i të cilit thuhej se tjetrin e kishte bërë verem.
Vetë Gavrili nuk e honepste, mirëpo përçmimin ia shprehte duke e lavdëruar. Dhe me aq tepri ia bënte lavdëratat, sa profesori i gjimnazit binte në ekstazë. Pikërisht në këtë farë ekstaze, një ditë Gavrili ia veshi me shuplakë turinjve. Gani Maliqati u skandalizua, u çakërrit nga habia dhe bërtiti: "Ç'bëre kështu?!" "Asgjë, përveç punës së mjekut. Atij që rrezikohet nga vilania, i jepet një shuplakë për ta sjellë në vete", u mundua ta qetësonte Gavrili. Mirëpo tjetri e mbërtheu logjikisht: "Edhe për këtë ekstazën time, tekefundit, ti e ke fajin! Lavdëro e lavdëro, kaq m'i ke zgjatur lavdërimet, sa janë bëre tërkuzë." Atëherë Gavrili s'u përmbajt: "Kurse ti, me gjithë tërkuzën, prapëseprapë nuk po lidhesh", ia ktheu me një teh sarkastik ndër sy.
Të nesërmen, në vend të ndarjes pa pajtim, Gani Maliqati u paraqit për herë të parë në sallonin e leximeve. Ndonëse trilli i kolegut gati sa nuk e çmendi për origjinalitetin e vet (këtë e pranoi gjatë ekzaltimit në sallon), maturantëve të gjimnazit ku jepte lëndën e letërsisë, nuk ngurroi t'u thoshte të nesërmen: "E pse gjithë kjo kureshtje për Malltezin?! Në kohën moderne, zoti Malltezi s'është veçse një lokomotivë me qymyr, ai më shumë ndot sesa tërheq."

*
Leximet e mbasdites, siç mund të pritej, e rizgjuan kujtesën e gazetarëve që ia mësynë nga kryeqyteti. Por sërish hasën në kokëfortësinë e shkrimtarit. Asnjë intervistë, asnjë takim, asnjë sqarim me telefon. Për ta ishte e ndaluar pjesëmarrja në leximet e pasditeve, kurse përgjigjet që ua zhvasnin pjesëmarrësve ishin aq të çuditshme e kundërthënëse, sa të fshehtën e bënin edhe më të ndërlikuar. Gjithçka arritën gazetarët, ishin vetëm disa vëzhgime jo krejt të besueshme, sipas të cilave në qytet po shënohej një lëvizje intelekti, njerëzit sikur përmalloheshin më lehtë, të rinjtë ëndërronin gjithfarë skenash fantazore, vajzat i puthnin më lirshëm të dashurit në rrugë, në bibliotekën komunale kishte rritje të kërkesave dhe librarët grumbullonin më tepër të ardhura.
Të dhënat e shtypit tërhoqën vëmendjen e botuesve, të cilët më kot kërkuan nga Gavril Gafurr Malltezi dorëshkrime për botim, duke pranuar qoftë dhe poezi, madje edhe ndonjë dramë. Por mbi të gjitha synonin kontratën për romanin që po shkruante GGM, sepse minarja nuk futet në thes, thoshte zonja Balkureta e shtëpisë botuese "Ftesa", ekzistenca e tij pohohet nga të gjithë vizitorët e sallonit, ngulte këmbë.
Natyrisht, nuk kishte si të mbetej dorëjashtë as Stefano Di Pavia, miku italian. Me një letër tronditëse, ai e njoftoi Gavrilin për vdekjen e Kristinës së devotshme, duke i kujtuar se një nga amanetet e saj kishte qenë detyrimi i tij për ta përmbushur mesazhin hyjnor, atë kumtin e Jerusalemit që vërtet e kishin zbuluar së bashku, por realizimi i të cilit varej kryesisht prej tij. Madje, adesso solo da voi, e mbyllte me mirëdashje milanezi fisnik.
Sidoqoftë, Gavrili nuk u nxitua.
Koha shkonte, ai punonte me përkushtim në zyrën e Sigurimeve, por pjesën tjetër të jetës vazhdonte ta luante me të njëjtën kartë. Dhe sërish shoqërohej pak, fare pak, herë me nipin e tij dhe herë me këdo që i dilte para, pa i mbajtur sytë as më poshtë e as më lart. Ndonëse po kërrusej paksa në zverk, ende besohej se ecja e tij mund të hetohej në distancë, ngaqë kishte mbetur gjithnjë si kallami, ku era pritet dhe fërshëllen. Sipas fqinjëve e kolegëve të zyrës, hante vetëm dy vakte, se cilat vakte askush nuk e dinte, por dihej mirë se gjatë ditës i pëlqenin patatinat, si dhe flakërima e qirinjve në orët e vona, kur ndodhej fillikat në shtëpi. Me këtë pandryshueshmëri të gjatë, vështirë t'i jepje dum vetmisë së tij: ishte një vetmi e dëshiruar ngaqë s'donte t'i ndryshonte rrethanat, apo një nënshtrim ndaj rrethanave?
Megjithatë, sido ta kalonte natën, çfarëdo punësh të kishte në zyrë, të martën dhe të enjten fiks në ora pesë ai shfaqej në sallon me ndonjë bllok të trashë nën sqetull. Në fillim kishte përdorur një bllok me kapakë ngjyrëvishnje, pastaj me kapakë blu, pastaj me kapakë të verdhë dhe tani në të blertën e barit. Të gjithë ishin shfletuar pak nga pak dhe pjesëmarrësit kishin parë si holloheshin për të mbaruar pastaj, por në çdo seancë duke u hapur saktësisht në faqen e duhur, sepse kishin fije të mëndafshtë për shenjim. Si edhe më parë, me t'iu afruar tryezës, Gavrili hapte krahët anash a thua se donte të rrokte tërë auditorin dhe, duke mbajtur vështrimin në faqen e caktuar të dorëshkrimit, thoshte me një frymë:
- Dhe tani po fillojmë. Përqendrohuni, ju lutem!
Pas këtyre fjalëve, brenda gjysmë minute bëhej heshtje e plotë. Ai nuk priste më gjatë, dilte nga salloni dhe zhdukej në njërën nga dyert me xhama të brymët, duke i lënë vetëm të pranishmit. Prej atje kthehej pas një copë here, kurrë më pak se njëzet minuta dhe kurrë më shumë se tridhjetë. Vetëm atëherë ulej në karrigen me jastëk të lidhur dhe kapsalliste qepallat e fryra.
"Unë askujt nuk dua t'i imponohem", thoshte, "prandaj jam i kënaqur që secili prej jush ka përfytyruar se çfarë mund të kisha lexuar unë. Mos t'u mbetet pishman që nuk lexova, është më mirë t'i bësh trurit pak gjimnastikë në liri, sesa ta mbërthesh me një tekst të dobët." Pastaj mbyllte bllokun dhe, para se të largohej përfundimisht, shtonte me zë disi të zbardhur: "Ju falëndëroj për durimin dhe ju ftoj të mos mungoni në seancën e ardhshme."
Kështu vijoi Gavrili, derisa një ditë (ndodhi për të enjte) pjesëmarrësit u njoftuan se seanca shtyhej për të nesërmen. Kurse të nesërmen gjetën një lajmërim në derën e oborrit: "Seancat ndërpriten deri në njoftimin tjetër." Por njoftim tjetër nuk do të kishte dhe, instinktivisht, disa e parandjenë se po i qasej vdekja.

*
Në këtë kohë u kujtua për mua. Isha te parku i lodrave, ku im bir vërtitej në karusel, kur postieri më dorëzoi telegramin: "Është kollaj t'i gënjesh të tjerët, por është e vështirë të mashtrosh veten. Në urgjenca njihet miku më i mirë."
E gjeta në lëngimet e fundit, por ende me mend dhe me gojë. Atë javë që i bëra shoqëri, përveç sa dëgjoja nga të tjerët, m'u rrëfye edhe vetë, duke nisur me udhëtimin në Izrael. Ndërsa në një fazë qetësimi m'u drejtua:
- Pa hë, mund të m'i përsëritësh tani ato vargjet e dikurshme te liqeni?
Unë ia përsërita siç më ishin ngulitur, me gabimin e atëhershëm: Dhe tekefundit poshtë bien meteorët/ Engjëjt lart ngjiten.
- Po, - tha ai, - edhe ky gabimi yt mund të ketë qenë një kumt. Mirëpo unë nuk rashë në atë grackë.
Ishin orët e vona të mbrëmjes. Gavrili i deklamoi vetë vargjet e tij, duke bërë zëvendësimin e fjalës që kisha tjetërsuar: Dhe tekefundit poshtë bien meteorët/ Shpirtrat lart ngjiten.
Ky ndryshim sikur nuk shkon për një ateist, e ngacmova, ateisti nuk pranon se vjen çasti për t'i dhënë llogari Zotit. Më duket se buzëqeshi, prerë dhe shkurt. Megjithatë arrita të shihja se ç'formë i mori goja me buzën në gaz. Ndoshta është çasti për të kundërtën, tha, çasti kur Zoti duhet të më japë llogari, pasi unë nuk e di se ku do të më çojë!
Ende pa e mbaruar fjalën, një flakërimë e butë na bëri ta kundronim njëri-tjetrin në dhomën e errët ku ndodheshim. Meqë ndriçimi po zgjaste dhe unë isha prapa kurrizit të tij, ai pandehu se kisha ndezur qirinjtë. Jo, thashë, por në oborr ka njerëz me qirinj në dorë. Merrej me mend se ishin frekuentues të sallonit që vejevinin, pa guxuar t'i afroheshin dritares sonë.
- Më hidh ndonjë mbulesë te këmbët dhe u thuaj atyre të largohen, - foli i bezdisur.
Këmbët i kishin dalë jashtë, ia mbulova dhe u ula në cep të krevatit të tij. Tani nuk i binte më pahu i ndritshëm dhe fytyrën e flashkët ia dalloja fare vagullt.
- Ashtu mund të ketë qenë, - u rikthye në bisedë, - ndoshta një ogur, si ai që zbuloi zonja Kristina. Por të thashë, gjithsesi nuk rashë në grackë. Nga hebrenjtë një gjë më kishte mbetur në mend: I sakrifikuari nuk mund të kuptohet prej askujt, ai gjithmonë mbetet i dyshimtë. E kjo shprehet edhe në fatin e tij prej përsëritësi, prandaj ikën pa lënë gjurmë të vërteta.
- Ç'po thua, - pyeta, - kush është i sakrifikuari?
Ai zgjati dorën tek etazheri pranë krevatit dhe më tregoi një libër, që sapo ishte botuar. Ishte një libër i zakonshëm dhe unë ngrita supet, por duke dashur të më tërhiqte vëmendjen, ai vuri gishtin tek emri i autorit: Gani Gazmend Maliqati.
- Malukati, - qeshi. - Më parë i botonte librat me autorësinë Gani Maliqati.
Mirëpo unë ende s'po e kapja ku donte të dilte, prandaj ngulmova:
- Përmende të sakrifikuarin. Kush është i sakrifikuari?
- I dyti pra. Pastaj i treti, i trembëdhjeti, i dyzet e shtati, i... Ku numërohen epigonët! Megjithatë, të gjithë këta kanë një të parë dhe vijnë pas tij. Me GGM në qytetin tonë unë do të isha ose i dyti, po ta pranonte këtë zoti Maliqati, ose i treti, domethënë pas Gani Gazmend Maliqatit.
Nuk di të them se çfarë mizorie e thau dhembshurinë time, por iu gërmusha:
- Më grive me dokrra. Nëse ke gjë për të thënë, fol më troç!
Nuk ma mori për keq, deshi vetëm të ma ndërronte humorin duke bërë një gjest të zbehtë me xoklën e supit dhe, kur ndeshi përsëri në moskuptimin tim, tha me një frymë:
- Po unë prandaj e meritoj miqësinë tënde, babëlok. Prandaj e meritoj edhe respektin e dashamirësve të mi. E meritoj, sepse ndonëse quhem Gavril Gafurr Malltezi, kurrë s'kam kuturisur të shkruaj libra dhe të më rrejë mendja se jam shkrimtari GGM, ai i Amerikës Latine.
Kur mbylli sytë, i gjeta shpejt blloqet që kishte përdorur në leximet letrare, ato që ishin shfletuar pak nga pak dhe pjesëmarrësit kishin parë si holloheshin për të mbaruar pastaj, por në çdo seancë duke u hapur saktësisht në faqen e duhur, sepse kishin fije të mëndafshtë për shenjim. Në fillim verifikova bllokun me kapakë ngjyrëvishnje, pastaj me kapakë blu, pastaj me kapakë të verdhë dhe patjetër bllokun e fundit, atë me kapakët në të blertën e barit. Doli siç tha, të gjithë ishin me faqe të bardha, pa asnjë rresht të shkruar. As sot e kësaj dite, me gjithë kërkimet e mia të herëpashershme, nuk kam zbuluar ndonjë dorëshkrim prej tij, me përjashtim të shënimeve izraelite, që në gazetën lokale i pati botuar nën titullin: Gjurmë lotësh në avion.

Shtator, 2003 

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…