Skip to main content

Tetova News

Këpucët e vjetra dhe G. K. Chesterton - Rudolf Marku

Rudolf Marku
1.Shtëpia jonë ishte një shtëpi private dykatëshe, me dritaret e dhomave të gjumit që shihnin nga rruga me kalldrëm, dhe me dhomën e ndenjes që binte nga ana e lumit Drin. Ishte një shtëpi kaq e madhe, sa konsiderohej një fyerje e tërthortë për banorët e tjerë të qytetit të cilët zakonisht banonin në apartamentet e ngushta shtetërore. Për ta ndrequr disi këtë padrejtësi, Kryetari i qytetit, një Furrtar nga Barbullushi që kishte mbirë në mënyrën më misterioze në qytetin tonë dhe të cilin pothuajse të gjithë banorët e konsideronin me humor ( ndonëse tepër i dhjamur dhe i trashur që të mund të kishte humor të hollë), kishte urdhëruar që dhoma e madhe e katit përdhes të “sekuestrohej” dhe të bëhej dyqan këpucarësh. Shtëpia e X-it tash e mrapa do ketë mundësi që të ecë, dhe jo të rrijë në një vend, ha, ha, ha!- kishte bërë shaka Kryetari. Sa keq që nuk e bënë furrë pjekjesh, komentoi im atë, se kryetari i qytetit do të na nderonte më shpesh me praninë e tij! Shumë shpejt u bëmë komshinj me këpucarët. Më i vjetri prej tyre, Kolë Kunra, ishte një plak i kërrusur, më një përparëse lëkure të rrjepur e të dalë boje, që mezi mbahej në këmbë kur ngrihej nga stoli i drunjtë i punës. Binte i gjithi erë tutkall, dhe tutkalli dhe lëndët ngjitëse i shpërndaheshin mbi të gjithë sipërfaqen e përparëses së tij, aq sa vetë përparësja kishte marrë ngjyrën e tutkallit (as vetë Kola i shkretë nuk e mbante mend ngjyrën origjinale të saj). Sa herë që shkoja në dyqanin e këpucarëve (me tapi, dyqani ishte prapë pjesë e shtëpisë sonë, kështu që këpucarët, të paktën ata të vjetrit në moshë, më respektonin më shumë nga të gjithë klientët e tjerë. Sidomos Kolë Kunra). Këpucari plak kishte një huq të çuditshëm që ia dinin të gjithë: pranonte të arnonte vetëm këpucë të vjetra. Sa më të vjetra, sa më të pashpresa që të qenë këpucët për t’u riparuar, aq më i gatshëm tregohej Kola për t’i marrë përsipër që t’i riparonte. Natyrisht që e gjitha kjo u binte për shtat këpucarëve të tjerë, sidomos atyre të rinjve që nuk kishin eksperiencë profesionale dhe të cilët bënin çmosin që të shmangnin punën e vështirë. Dhe riparimi i këpucëve të vjetra quhej një ndër punët më të vështira. Këpucët e qytetit tonë kanë nëntë shpirtra, si macet, thoshte Prela i Mishit, kasapi i vetëm i qytetit.
Kur Kolë Kunra qëllonte të sëmurej dhe nuk mund të vinte në punë për disa ditë, të zotët e këpucëve të vjetra që kishin ardhur në dyqan me shpresën se do e gjenin Kolën aty, sapo e merrnin vesh se ai nuk do të ishte  për disa ditë, i nxirrnin menjëherë këpucët e vjetra që i kishin sjellë për t’i ndrequr dhe i hidhnin në bregun e lumit. Të jepnin të kuptoje gati- gati se i kishin sjellë këpucët jo nga nevoja për t’i riparuar, sesa për t’ia bërë qefin Kolës.
Një ditë e gjeta Kolën vetëm në dyqan. Qyteti ynë kishte një ndeshje futbolli me Rrogozhinën, dhe të gjithë dyqanet e tjera, me lejen e kryetarit të Komitetit, atij shakaxhiut nga Barbullushi, qenë mbyllur me qëllim që t’i jepnim zemër skuadrës sonë të futbollit. I vetmi njeri që vazhdonte të punonte ishte Kola. Si zakonisht po punonte për t’ia shpëtuar jetën një palë këpucëve që të jepnin përshtypjen se qenë nxjerrë natën vonë jashtë nga Muzeumi i qytetit tonë. Ishte aq i përqendruar në punën që bënte, sa u përpoqa të ecja pothuajse në majë të gishtërinjve, për të mos e shkëputur nga puna. Por ai e vuri re praninë time. Ngriti kokën, dhe më bëri shenj që të ulesha në një stol tjetër pranë stolit ku ish ulur ai vetë. Kur e pa që u ula, e la punën, gjë e rrallë për të, dhe më tha: “Kam marrë vesh se lexon libra. Përpiqu të lexosh libra të vjetër, sa më të vjetër që të jenë, aq më mirë!” E pashë i çuditur. Kishte namin e një njeriu që fliste shumë rrallë, dhe ishte hera e parë që e dëgjoja zërin e tij. Por më tepër nga zëri, më çuditi ajo që më dëgjuan veshët. Librat e vjetër ishin për të si këpucët e vjetra. Askush nuk kishte arritur ta kuptonte maninë e tij për t’u marrë vetëm me këpucët e vjetra. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, qe dhe lavdërimi i librave të vjetër, që ai pothuajse i barazonte me këpucët e vjetra. Aso kohe isha gjimnazist, dhe mësuesi ynë i letërsisë që shpeshherë na komentonte në klasë shakatë e Kryetarit të Qytetit, me të njëjtën vëmendje dhe pasion siç komentonte dhe Faustin e Gëtes, na thoshte herë pas here proverbin e vet të preferuar- Këpuca e re e hedh të vjetrën në kosh! Nuk m’u durua dhe e pyeta: “Kolë, të lutem a mundesh me më thanë përse u kushton kaq shumë vëmendje këpucëve të vjetra?” Dhe, duke përfytyruar mësuesin tim të letërsisë, në mënyrën më të parezistueshme, i bindur se po thosha një proverb të mençur (proverbat janë sublimimi i mençurisë së popullit tonë, nuk harronte të na thosh kohë e pakohë mësuesi i letërsisë), me agresivitetin dhe paturpësinë e një të riu, shtova: Këpuca e re e hedh jashtë në rrugë këpucën e vjetër!… Kola që kishte filluar përsëri të merrej me arnimin e këpucëve të vjetra, e la punën në mes dhe më pa drejt e në sy. Në sytë e tij mund të lexoje një keqardhje të thellë. Jo zemërim. Qe tepër i vjetër që të mund të zemërohej me një çunak si unë. “Këpuca e re e hedh të vjetrën?”-përsëriti ai proverbin e njohur, sikur të qe duke folur me veten e tij. Është rrena më e madhe që mund të gjesh. Si mundet që këpuca e re ta flakë të vjetrën? Nuk do të ishte e drejtë! Si mund ta dinë këpucët e reja për ecjet e këpucëve të vjetra? Se si i zoti i tyre ka shkuar në një takim dashurie me to. Se si i zoti i tyre ka udhëtuar me to në ca vende që veç ato, këpucët e tij të vjetra e dinë. Se si ka shkuar në spital për të parë prindërit e vet, se si po me ata këpucë më vonë ka shkuar në varreza për të parë varrin e prindërve. Se si i zoti i tyre ia ka veshur këpucët e veta fëmijës së vet që fëmija të ndjehet i rritur, dhe se i ati i ka bërë një fotografi të birit me këpucët e tij të veshura, dhe se si të dy, i ati dhe fëmija pas kësaj kanë qeshur me të madhe…Si mund të zëvendësohen të gjitha këto? Si mund t’i dinë të gjitha këto këpucët e reja? Asgjë nuk zëvendësohet në këtë botë. Asgjë. Por ne shqiptarët jemi shumë të gatshëm që t’i hedhim gjërat që na kanë shërbyer besnikërisht, gjërat me të cilat kemi lidhje shpirtërore, kemi kujtime që na bëjnë të qajmë…Ky është dhe fati ynë i keq…’’.
Në mbrëmje vonë ia thashë tim ati bisedën me Kolë Kunren. Ai më tregoi se si Kolës, shumë e shumë vite më parë, i kishte pasë vdekur e shoqja gjatë lindjes. Kola mund të kishte qenë asokohe 25 vjeç, dhe e shoqja që kishte vdekur, pesë vite më e re nga ai. Kola nuk kishte pranuar kurrë të martohej përsëri. Me gjithë lutjet e prindërve të vet. Me gjithë këmbënguljen e miqve. Nuk kishte pranuar kurrë që ta zëvendësonte të shoqen e vet të vdekur me një grua tjetër. Kurrë!
Duke kujtuar fjalët e këpucarit plak, ishte hera e parë që fillova të dyshoj në mençurinë e proverbave. Dhe në ditën e nesërme, në orën e mësimit, pavullnetshëm sytë më shkuan te këpucët e mësuesit të letërsisë. Kishte veshur një palë këpucë fringo të reja, që shkëlqenin në mënyrën më të neveritshme që mund të imagjinoja.
 2.
Shkrimtari anglez G.K.Chesteron është ndër ata njerëz që ngulin këmbë se të vjetrit kanë ditur më shumë se ne. Dhe po ashtu ai mendon se arti i të vjetërve ka vlera shumë më tepër se arti modern. Chesterton nuk është ndër ata shkrimtarë që mund t’i vesh epitetin- cinik, mosbesues, mendje ndryshkur, i lënë pas kohe. Në të kundërt, edhe kundërshtarët e tij e pranojnë si njërën ndër mendjet më të spikatura të letërsisë angleze të shekullit të kaluar. T.S Elioti njëherë pat thënë me keqardhje se letërsia angleze i ka ca borxhe të mëdha ende të pashlyera këtij shkrimtari të madh.
Vetë Chesterton, krahas romaneve, poezive dhe tregimeve, ka shkruar kritikë letrare dhe artistike rreth Shakespeari-it, Dantes, Tolstojt, Dostojevskit, Dikensit, Leonardo da Vincit, Michelangelo, Raphael, Giotto, Botticelli, Turner, Reynolds, Constable, Monet, Gauguen, Piccasso. Por ndryshe nga shumë studiues të tjerë të artit, ai përpiqet ta vendosë artin në vendin e vet, duke e parë krijuesin në një kontekst më të gjerë nga ç’e shohin zakonisht studiuesit e tjerë. Njeriu dallon nga të gjitha krijesat e tjera vetëm nga se mund të jetë artist, krijues, ngul këmbë ai. Vetëm arti e vendos njeriun mënjanë nga krijesat e tjera. “Arti – thotë Chesterton – është firma e dallueshme e Njeriut”. Chesterton është mjeshtri më i madh i paradoksit. Arti-thotë ai-është ekzagjerim, zmadhim i qëllimshëm, por dhe zvogëlim i botës në një shkallë më të vogël nga ç’është në të vërtetë. Arti duhet të jetë sensacional. Por në të njëjtën kohë, duke qenë i tillë, duhet të mbesë i përulët (humble). Ngul këmbë që arti duhet të jetë i bukur, magjepsës, por kjo nuk e pengon që të mbrojë te Rembrandt dhe sidomos te Hieronymus Bosch groteskun, ekzagjerimin, deformimin, shëmtimin e figurave. Arti vetë duhet të jetë paradoksal, sepse kundërshtia është dhe thelbi i së vërtetës. Chesterton është kundër artit modern, futurizmit, post-modernizmit, post-post-modernizmit. Ajo që i mungon artit modern është mungesa e së papriturës. E papritura tek arti modern është e qëllimshme, një herë që e sheh, nuk të befason më. Arti i vjetër, përkundrazi, ka diçka që ti e zbulon çdo herë që e sheh. Arti modern ka një monomani të rivalitetit. Arti i vjetër, përkundrazi, nuk e përfillte rivalitetin, ai ekzistonte natyrshëm, si vetë objektet e natyrës, për hir të vetvetes, jo për hir të tjerëve. Ishte një kohë, thotë Chesterton, kur arti ishte më i lidhur me njerëzit, kur humnera mes sensit të bukurisë dhe sentimentit ishte pothuajse mosekzistues. Dhe kjo kohë qe Mesjeta, bash koha që shahet sot më tepër. Në Mesjetë, publiku dhe artisti ishin të bashkuar në mahnitjen, në aftësinë për t’u çuditë, për të pranuar të bukuren më sublime me groteskun dhe për t’i pajtuar fantastiken dhe irrealen me atë që ndodh në rrugë. Mjafton të kujtojmë Danten. Çobanët që shihnin për së pari pikturat e Giottos, çuditeshin se si një njeri si ata mund të vizatonte fytyra njerëzish, dhe pastaj çuditeshin më tepër tek shihnin se ky njeri mund të bënte fytyra aq të bukura. Por Giotto-ja modern i kohës së sotme është i lodhur nga fytyrat e bukura, dhe ai mendon të çudisë njerëzit me anë të fytyrave të shëmtuara, duke mos menduar se e shëmtuara nuk mund të jetë kurrë një progres i vazhdueshëm. “Arti modern, sipas Chestertonit, nuk është një art progresiv. Është art që spekulon me progresin, por pa qenë kurrë progresiv”. Zvetënimi i shoqërisë lavdërohet nga artisti modern, po ashtu siç lavdërohet kufoma nga një krimb. “Kulti i shëmtimit nuk është gjë tjetër veçse kapitullimi i artistit. Nuk mund të bësh art pa një qëllim, ngul këmbë Chesterton. Nuk mund të krijosh asgjë nga asgjëja…Të vjetrit, kur krijonin, ishin dhe artistë dhe filozofër… (Sa për veten time, mendoj se është rasti që të rrëfejë një mëkat timin: sa më tepër jam njohur me poezinë moderne të kohërave tona, aq më shumë kam jetuar dhe jetoj në atë gjendjen e mahnitjes e të admirimit për një varg poetik të Pjetër Bogdanit tonë, një varg poetik që ka vlerën e një Antologjie të tërë  poetike: ‘’ Veshur me diell e mbathur me hanë!…’’ ).Tani artisti mburret se është një enë boshe…Natyrisht, duke qenë kritik ndaj spekulimeve të artit modern, Chesterton është po aq kritik ndaj spekulimeve të artit realist. Ai nuk e pranon realizmin po aq sa nuk pranon modernizmin e qëllimshëm. Realizmi pretendon të jetë vetë Jeta. Në të vërtetë, krijuesit realistë mburren se mbajnë në duart e tyre krijuese pasqyrën e realitetit. Por në të vërtetë ata shumë shpejt fillojnë t’i besojnë jo realitetit, por vetëm pasqyrës së tyre, madje dhe kur kjo pasqyrë është e thyer në qindra copa. Artisti i vërtetë është i shtyrë nga dhembja për të gjetur sens dhe ngjarje në çdo gjë që i kap syri, ngase ai është i uritur për sekretet e realitetit…
 3.
E di se shumëkush nuk është dakord me idetë e Chestertonit për artin dhe krijuesin e tij. Vetë Chestertoni ishte njeriu më i vetëdijshëm për këtë. Nga ana tjetër, qëllimi im nuk është që të hap një debat për rolin e artit dhe të artistit në kohën tonë. Chestertoni më erdhi vetiu në mendje tek shkruaja për Kolë Kunrën, këpucarin e vjetër të cilin e kam njohur në adoleshencën time. Sido që të jetë puna, je dakord a je kundër Chestertonit, nuk ke se si të mos vësh re një ngjashmëri mes këpucarit plak që ngulte këmbë të arnonte deri në fund këpucët e vjetra, me shkrimtarin anglez, shtëpinë e të cilit ku ai ka jetuar në Londër e kam pothuajse aq pranë, sa kam patur dhe dyqanin ku punonte ai këpucari në qytetin e Lezhës.

Flurudha

Popular posts from this blog

Drejtshkrimi i 1973-shit kërkon redaktim të thellë

Profesor Mehmet Çeliku sjell një studim mbi politikat gjuhësore dhe debatet e sotme mbi rishikimin e standardit të shqipes “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973 ka nevojë për një redaktim të thellë. Materiali ilustrues duhet zëvendësuar në një masë të konsiderueshme, duke u përditësuar me një material të ri nga stile të ndryshme, duhen hequr shumë shembuj e fjalë periferike që nuk janë të ditës a karakteristike për standardin e si rrjedhim, pa asnjë interes, duhen hequr e zëvendësuar shembujt dhe emërtimet e shumta të politizuara dhe të vjetruara të institucioneve si: kooperativa bujqësore, PPSH, Byroja Politike, Komiteti Qendror, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, hidrocentrali “Lenin” ose parulla komuniste “të jetojmë, të punojmë si revolucionarë”, terma gjuhësorë të kapërcyer si nyja e prapme, përemër i pakufishëm, numëror rreshtor etj., në vend të mbaresave shquese …”. Këto janë dis…

Petro Marko dhe Heminguej, nga dy botë të kundërta

Virion Graçi
Tekstet romanore të Petro Markos, i janë nënshtruar diktatit të ashpër redaksional, për pasojë janë tjetërsuar. Kanë ndërhyrë në titujt, duke i rekomanduar lexuesit konotacione të tjera ideo-emocionale, ndryshe nga konceptimi autorial; kanë dërguar në brumatricet e letrës libra të porsabotuar; kanë ndërhyrë në brendinë e veprës duke tjetërsuar personazhe protagonistë duke shfytyruar natyrën e marrdhënieve midis tyre

Për shkak të skualifikimit politiko-policor të Petro Markos në periudhën e totalitaritzmit të shpallur, qëndrimi i kritikës zyrtare dhe institucioneve shtetërore të kulturës ndaj krijimtarisë së tij, në rastet më afirmative ka qenë i cunguar, minimalist; rëndom mbi autorin kanë mbizotëruar ato që Prof. A. Plasari, saktësisht i ka quajtur së fundmi burgjet e padeklaruar të P. Markos… P. Marko, pas traditës tepër modeste e modeleve rrëfimtare anakroniko-anemike të romanit shqip deri atëherë, vitalizoi rrëfimin epik, dëshmoi siguri artistike e mjeshtëri të lartë; ka…

FILOZOFIA E BUKURISË - Isuf Luzaj

Fragmente nga libri Filozofia e bukurisë
Bukuria është ajo e vërtetë që u pëlqen të gjithëve, pa pasur ata konceptin e së vërtetës logjike. Nga të gjitha magjitë, kjo është më e sinqertë: Gjykimi i shijes është i pavarur nga koncepti përkufizues i perfeksionit, sepse, kur një objekt deklarohet i pëlqyer, i bukur, me të gjitha endjet e ëndërrimit, kurrë s’është i qartë, i pastër, as i sigurt, pa asnjë përse! Shija fiton shumë kur bashkohet me estetikë, me intelekt aq më mirë, saqë pranohet nga të gjithë pa dhënë shpjegim, pa dhënë arsye, sepse s’ka rregulla, s’ka ligje që të përcaktojnë se çfarë është e bukura. Një këngë? Një pikturë? Një lule? Një flutur? Ç’është bukuria? Dhe përse është ashtu? Për ngjitje shpirtërore në sfera ekstaze, për lutje para altarit, përgjunjjeje namazi, që i flasin misterit gjithë popujt një gjuhë? Bukuria dhe sublimja vijnë në ujdi, janë mrekulli që vënë paqe midis perëndive.
Bukuria që frymëzon poetin ngjan të jetë përfaqësuese absolute e një koncepti të pakuf…